E diele, 28.04.2024, 01:26 AM (GMT+1)

Mendime

Mero Baze: Të bashkuar në probleme!

E enjte, 28.11.2013, 07:48 PM


Të bashkuar në probleme!

Nga Mero Baze

Shqiptarët i dhanë fund një viti euforik patriotik, që duket se e frymëzoi 100-vjetori i pavarësisë së shtetit të parë shqiptar. Në Shqipëri, Aleanca Kuqezi tërhoqi në një garë patriotizmi folklorik, dy partitë më të mëdha në vend, të cilat iu frikësuan zgjedhjeve që ishin në horizont, ndërsa në Kosovë, “Vetëvendosja” vazhdoi të maskojë popullaritetin, si parti e ashpër opozitare, me vello nacionaliste.

Por përvjetori i 101, na gjen më të ftohtë. Idetë e proklamuara për “Bashkimin” e shqiptarëve janë moderuar dhe retorika patriotike është rikthyer në gjendjen e saj normale. Përtej kësaj dallge, që e ngrenë përvjetorët e Flamurit, Shqipëria dhe Kosova e ka temën e Bashkimit një çështje e cila është më shumë për konsum të jashtëm, se sa për konsum të brendshëm. Tema e bashkimit kombëtar të shqiptarëve, më shumë se sa ngre apo ul pikë në opinionin e brendshëm në Shqipëri apo Kosovë, ngre apo ul pikët e liderëve shqiptarë, në raport me Perëndimin. Kësisoj ajo është kthyer më shumë, në një rezervë reputacioni, për liderët shpesh të diskretituar shqiptarë, se sa si një “Kapital” politik i shoqërisë shqiptare.

Sa herë që lidershipi shqiptar në Tiranë apo Prishtinë, ka probleme me demokracinë, me lirinë ekonomike, me lirinë e shprehjes, me standardet e demokracisë dhe zgjedhjet e lira, kur ndeshet me kritikat ndërkombëtare, e vetmja armë mbrojtëse e tij, është çështja e “Bashkimit” për të cilën marrin vlerësime, që nuk e prekin dhe nuk e përdorin. Pra në një farë mënyre kjo temë e kthyer në tabu për shoqërinë shqiptare, ka vlerë vetëm në mospërdorimin e saj, dhe jo në atë që duhet ta kishte, në debatin e saj publik.

Është i vetmi aset i shqiptarëve që i ngjan garancisë së bankave në ar, të cilat nuk e prekin kurrë, por e kanë aset besimi. Edhe çështjen e Bashkimit Kombëtar, politikanët shqiptarë e kanë një aset reputacioni personal, që nuk e prekin dhe për këtë vlerësohen. Duke e qenë e tillë dhe trajtimi i saj është i parëndësishëm, pasi ngelet ta trajtosh ose si opsion shkencor ose si opsion folklorik.

Në të dyja rastet nuk ja vlen të harxhosh energji. Por përtej Bashkimit Kombëtar, një temë realisht e prekshme, që duhet të na shqetësoj, është paternalizmi kombëtar, ose e thënë më thjeshtë ndikimi i Tiranës mbi Prishtinën, eksportimi i fenomeneve të Shqipërisë në Kosovë dhe difuzioni i ndërsjellë i fenomeneve politike mes dy shoqërive. Kjo është një temë e cila ha shumë debat, pasi kemi të bëjmë me dy shoqëri shqiptare që zhvillohen paralelisht si shoqëri formale demokratike, në një udhëtim drejt perëndimit, por që në vend të ndihmojnë njëra tjetrën, shpesh pengojnë njëra tjetrën.

Së pari duhet të pranojmë se imitimi i fenomeneve zyrtare të Tiranës nga Prishtina, është një fatkeqësi e pashmangshme. Kjo nuk ka të bëj shumë me afërsinë politike të atyre që janë në pushte, në Prishtinë apo Tiranë, por më shumë me idenë se si e mban dhe fiton pushtetin Tirana. E njëjta gjë imitohet nga Prishtina. Mbaj mend se në ngjarjen tragjike të 21 Janarit, ku në Tiranë, një kryeministër ekzekutoi katër qytetarë të pafajshëm, të paarmatosur, të pambrojtur dhe të parrezikshëm , u interpretua nga pushteti në Kosovë si trimëri dhe disa muaj më vonë me rastin e një proteste të “Vetëvendosjes”, kryeministri Thaçi i akuzoi ata se “donin të bënin një 21 Janar” tjetër në Prishtinë.

Në fakt e vetmja gjë negative e 21 Janarit, ishte vrasja e katër qytetarëve dhe atë mund ta bënte Hashim Thaçi, jo protestuesit e “Vetëvendosjes”. Por fakti që Berisha u mbrojt për vrasjen, duke akuzuar protestuesit, presidentin, kryeprokuroren dhe gazetarët si “puçistë”, prodhoi në vizionin e tij të njëjtën tipologji politike, edhe pse Thaçi nuk ishte një aleat real me Berishën. Njëjtë në Kosovë është eksportuar fenomeni i vjedhjes së votave, megjithëse jo në përmasat e Shqipërisë, nepotizmi dhe korrupsioni shtetëror, si dhe mungesa e lirisë ekonomike. Në të dy shoqëritë e ke të vështirë të bësh biznes pa njohur kryeministrin, dhe të kesh një medie konkurrente, pa pasur nevojë të injektohen para nga grupe interesi të lidhur me politikën. Njësoj ka shkuar në të dy vendet fati i arsimit privat dhe piramidave universitare, njësoj kanë funksionuar lojërat e fatit brenda një sistemi korruptiv monopolist dhe njësoj po shkon beteja me to ende selektive.

Pra ky difuzion fenomenesh negative, në të dy shoqëritë, është i vetmi bashkim real që kanë dy vendet. Ne ende nuk i kemi bashkuar doganat, por kemi njësuar doganierët, ende nuk kemi bashkuar sistemin e taksa tatimeve, por kemi gjobaxhinj të ngjashëm, ende nuk kemi bashkuar sistemin arsimor, por kemi mashtrues të njëjtë në krye të tyre, ende nuk kemi një gazetë të përbashkët kombëtare apo një TV kombëtare, por kemi të ngjashmet e tyre në të dy vendet... e kështu me radhë. Ky është bashkimi ynë real kombëtar, një bashkim që na e bën më të vështirë dhe më viskoze rrymën që kërkon të çojë shoqërinë shqiptare drejt perëndimit.

I vetmi ndryshim real mes dy vendeve mbetet qasja ndaj fesë, dhe rreziku i ndryshëm që ka feja në të dy vendet. Në Shqipëri vazhdon të mbisundojë paqja fetare dhe radikalizimi i disa grupeve fetare minore nuk shihet si rrezik, ndërsa në Kosovë, grupet vehabiste dhe tendenca e radikalizimit të Islamit po rrezikojnë realisht shoqërinë nga tendenca e saj perëndimore. Kjo është ndoshta dhe tendenca më dëshpëruese për Kosovën, që ndjehet në Shqipëri, e cila duhet kthye në detyrim kombëtar për t’u ndalur.

Politikanët të cilët kanë boll zullume të tyre, duhet të tregojnë një konsensus kombëtar në këtë drejtim, për të izoluar këtë tendencë dhe për t’u bërë gardh ndaj degradimit të së ardhmes së Kosovës në një shtet ku problemet fetare, do të dominojnë tendencën politike drejt Perëndimit. Kosova mund të mbijetojë vetëm si shoqëri perëndimore, vetëm si shtet laik, dhe vetëm si një histori suksesi e Perëndimit në Ballkan.

Në këtë pikë Shqipëria duhet të luajë një rol dominues, qoftë dhe duke unifikuar Komunitetin mysliman me atë të Kosovës dhe për ta futur atë nën një ndikim më real të një shoqërie sekulariste, me fe të ndarë nga shteti, me bashkëjetesë besimesh dhe tolerancë fetare.

Nuk më duket normale që disa hoxhallarë në Prishtinë të duken më vëllezër me një mysliman arab se sa me një mysliman nga Tirana dhe nuk shikoj pengesë që ne të kemi një komunitet të përbashkët mysliman, nën një organizim të natyrshëm, që duhet të vijë nga vullneti i dy palëve. Kjo ndoshta do të në bënte më vigjilent nga tendencat autoritariste dhe radikale të myslimanizimit në të dy shoqëritë tona dhe më të vetëdijshëm për atë që na ndan.



(Vota: 6 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora