Editorial » Ukaj
Ndue Ukaj: Europa e ka postulat kulturën
E hene, 13.05.2013, 08:05 PM
Europa e ka postulat kulturën
Nga Ndue Ukaj
Europa,
para se të jetë projekt politik a ekonomik, është projekt kulturor, rrënjët e
së cilit janë thellësisht shpirtërore. Mbi këtë postulat, u fillua ideja e
unifikimit politik e ekonomik të Europës, mu në mesin e shekullit të kaluar,
kur ajo kalonte ferrin ma të madh, pas Luftës së Dytë Botërore. Ndërmjet
gërmadhave të luftës, triumfoi ideali i qytetërimit dhe ndërgjegjes. Nga këto
premisa, u sintetizuan energjitë europiane dhe e bën Europën atdhe të vlerave
të përbashkëta për gjithë kombet që jetojnë nën ata çati, por edhe për tjerët
që aspirojnë të hyjnë në të. Sot na tingëllon profetike thënia e mençur e
shkrimtarit të madh gjerman J. W. Goethes: “Çfarë e bashkon Europën është
kultura, ndërsa çfarë e ndajnë janë idetë politike”. Këtë tezë, e bën platformë
të punës ideatorët e Europës së bashkuar të shekullit XX. Kështu Robert
Schuman, ish ministri francez dhe njëri nga ideatorët kryesor të kësaj
bashkësie politike, në librin “Në emër të Europës”, ndër të tjera do të
shkruan: “Europa para se të jetë Aleancë ushtarake apo entitet ekonomik, duhet
të jetë bashkësi kulturore në kuptimin më të lartë të kësaj fjale”. Nga kjo
kuptojmë se kultura ishte postulat i pashkruar, por motivi themelor që nxiti
idenë e bashkimit të Europës. Edhe sot, kultura është themeli mbi të cilin
qëndron shtëpia e përbashkët europiane dhe njëherësh përbën elementin ma të
fuqishëm që ndihmon ruajtjen e kohezionit brenda kontinentit.
Në planin
politik e historik, Europa, s’është histori i ideve homogjene politike, por e
diversiteteve të thella, që nëpër kohë kanë ditur të prodhojnë tensione dhe
luftëra. Ndërsa pika konvergjente e gjithë e këtyre dallesave, që njëherësh u
bë postulat i kontinentit të vjetër, pa mëdyshje është kultura e përbashkët që
ndajnë kombet e ndryshme të Europës. E kjo është arritur nëpërmjet harmonizimit
të disa tipareve qenësore, nëpër të cilat kanë kaluar popujt europiane.
Studiues të ndryshëm, vejnë në pah disa komponentë që e farkëtuan identitetin
evropian dhe që u bën shtytëse për Europën kulturore. E kuptuar kështu, Europa
është bashkim i mendimit filozofik dhe letërsisë antike greko-romake,
krishterimit dhe së drejtës romake. Këto shtylla, ndër vite u harmonizuan dhe
kanë krijuar mendësinë europiane me një ndërgjegje lirie dhe arsye. Ky
identitet natyrisht nëpër kohë u plotësua, ndërsa kulmin e arriti me mendimin
filozofik e letrar, që përjetoi një zhvillim të hovshëm gjatë iluminizmit,
impakti kulturor i të cilës lëvizje është i jashtëzakonshëm brenda qytetërimit
perëndimor.
Me 9 maj
është dita e Bashkimit Europian, e vendet shqiptare vazhdojnë rragatjet drejt
Brukselit, pa ndonjë vetëdije të qartë. Gjatë këtyre viteve, shpeshherë na ka
ra të dëgjojmë dhe lexojmë deklarata shterpe të lidershipit shqiptarë për
Europën. Madje as reflektimet e medias s’janë ma substanciale. Ndodh ndonjëherë
të dëgjojmë edhe akuza absurde në adresë të Europës. Ndërkohë që politika
shqiptare këto dy dekada, është dëshmua e paaftë të ec krahas kombeve të
qytetëruara të kontinentit, shqiptarët janë lodhur duke dëgjua parulla të
bukura për afrimin e kombit tonë me Familjen Europiane. Njëmend, për
shqiptarët, Europa sot s’është e largët si dikur, mirëpo kjo s’është aspak
meritë e forcave politike shqiptare, as në Shqipëri as në Kosovë. Përkundrazi, me veprimet e tyre amorfe
politike, me një mendjeshkurtësi dhe politikë meskine, këto elita politike kanë
penguar vetëdijshëm ose jo rrugën europiane të shqiptarëve. Politikanët
shqiptarë e kuptojnë se ne Europë s’shkohet me politika korruptive, me
nepotizëm dhe krim, me media të kontrolluara dhe demokraci të brishtë. Këto
elita janë në dijeni se në Europë duhet rendi dhe ligji, prandaj ata s’mund të
amnistohen nga kjo zvarritje që i kanë bërë rrugës europiane të shqiptarëve.
Në
prizmin e gjithë kësaj, me të drejt për shqiptarët shtrohet pyetja: elitat
politike shqiptare a e kuptojnë çfarë është në thelb Europa? A është ajo një
Pikërisht
për këto arsye sot pyesim, si shpjegohet mosgatishmëria e klasës politike
shqiptare, për ta ndjek me përgjegjësi dhe angazhim serioz rrugën e integrimeve
europiane? Alibitë dhe kritikat që shkojnë në adresë të perëndimit, a mos janë
shfaqje e qëllimshme e gatishmërisë për të ikur nga Europa, duke mos i kryer
detyrat që i ka parashtruar kjo organizatë për çdo shtet tjetër para nesh. Si
shpjegohet kjo ikje, pikërisht në kohën kur Europa ka hap gjitha portat për ne?
Këto pyetje e dilema, shfaqen sa herë shohim sesi vetëdijshëm kjo klasë
politike mjegullon rrugën e integrimeve, me qeverisjen e keqe, me korrupsion e
demokraci selektive, me sisteme elektorale të përçudnuara.
Përgjumja,
heshtja, reagimet e vagullta atëherë kur kanoset seriozisht interesi i
përgjithshëm, si dhe mungesa e një ideje të shëndoshë (një ideje që do të
qartësonte mbi çfarë parime mendojmë ta ndërtojmë vendin tonë), janë elemente që gjithashtu na kanë krijuar
hendek mes nesh e Perëndimit.
Në parim,
duket se projekti i shqiptarëve është integrimi europian. Ky projekt, parimisht
është përqafuar nga gjitha shtresat e shoqërisë, duke qenë ndoshta e vetmja
pikë ku shqiptarët shfaqen të bashkuar. Kjo është ajo që shihet dhe perceptohet
në sipërfaqe. Mirëpo, në esencë, ka shumë vrojtues të jetës sonë që thonë se
proceset e integrimeve janë të keqkuptuara me dashje, sepse në këtë formë si po
ec kombi ynë, integrimi s’ është afër. Madje, ka të tillë që shkojnë më larg sa
pas retorikës së bukur qeveritare për integrime, thonë të fshehët një aspiratë
tjetër, që është kundëreuropiane. Ndonëse në legjislaturë dhe principe
qeverisëse demokratike, ne jemi shtrënguar të harmonizojmë ligjet konform
kërkesave të BE-së, në praktikë veprimet e Shqipërisë dhe Kosovës, janë pak të
përafërta me atë që është Europa. Kjo ka shtruar dilemën tjetër, në mos këto
janë tentativa të qëllimshme për ta sabotuar heshtur procesin e integrimeve.
Fjalimet
e politikanëve tanë, janë të mbushura me parulla proeuropiane. Ky diskurs është
bërë klishe, ndonëse vërehet lehtë se mes diskursit proeuropian të politikës
sonë dhe veprimeve të tyre joevropiane, është një humnerë.
Për çdo
përvjetorë me rëndësi, te ne rritet doza e nacionalizmit shqiptar dhe kështu
mësymja pas Europës shfaq tërë karikaturën e ideve europane që defilojnë ndër
ne. Kjo situatë, me parulla e flamuj që valojnë kudo, të kujton tregimin e
Ernest Kolqit, “Tregtarë flamujësh”.
Në anën
tjetër, ka disa mendje të mykura, që duan t’i mësojnë shqiptarët me identitete
labile, me identitete të fragmentuara. Këto teza janë të marra e qyqare, që
shqiptarët s’duhet t’iu vënë veshin, sepse identiteti europian i shqiptarëve
ndërlidhet drejtpërdrejtë me ekzistencën e kombit shqiptar. Flamurtari i
identitetit europian të shqiptarëve, Ismail Kadare, para disa vitesh shkroi një
tekst të shkëlqyeshëm, “Identiteti europian i shqiptarëve”. Pas botimit të
këtij eseu, debatet ndër shqiptar u ashpërsuan dhe antitezat e identitetit
europian të shqiptarëve, dolën në sheh se s’ishin asgjë tjetër veçse teza që
promovonin shumësi indentitesh brenda trungut kombëtar. Me një fjalë, mohonin
identitetin unik të shqiptarëve. Nga mendjet më të ndritura të kombit, teza e
identiteteve të lëvizshme, e identiteve të fragmentuar dhe identitetit të
formësuar mbi simpati fetare, u gjykua si tezë qyqare.
Mes një
atmosfere të zymtë kombëtare, me një politike që është e zhytur e tëra në
padije, korrupsion e klientizëm politik, shqiptarët s’duhet të humbin shansin e
tyre që të marshojnë vetëdijshëm drejt perëndimit. Kombi shqiptar, ka nostalgji
për perëndimin, mirëpo s’e ka të qartësuar brenda vetvetes çfarë është në fakt
kjo organizatë. Këndej pari, as Shqipëria e as Kosova, nuk zbatojnë në praktikë
modelet europiane për shtetin, demokracinë dhe qeverisjen.
Për gjatë
gjithë vitit, ne e shohim të njëjtën klasë politike që ka gojën plot Europë, të
mos bëj asgjë thelbësore për të ecur drejt Europës. Shqipëria e Kosova, sipas
shumë sondazheve mbesin dy vendet me të
korruptuara në Europë. Në dy vendet tona s’mbahen zgjedhje demokratike.
Politikës i mungon aftësia minimale për të realizua kompromise të shëndosha për
të ardhmen e vendit. Në dy vendet s’ka liri të shtypit. Në dy vendet, madje për
asgjë s’ mund të merren vesh pozita e opozita pa ndërhyrjen e perëndimit. Çfarë
domethënë kjo po ta përkthejmë me nevojën e ngutshme që ka kombi ynë të jetë
pjesë e perëndimit?
Një
dijetar i viteve të 30-ta Tajar Zavalani në eseun “Ç’pamë në Evropë. Ç’gjejmë
në Shqipëri”, ndër të tjera do të shkruan “Atje u munduam, si cilido pas
takatit dhe zotësisë, të shkundim pluhrin e mrapështisë ku qemë rritur, të
çkëputemi nga idhetë e ndryshkura, paragjykimet e cekta dhe mentaliteti
primitiv; u përpoqëm të riedukojmë vehten dhe të armatosemi me dituri dhe
vullnet për punë”.
Shqiptarët kanë shumë detyra për të bërë, që nesër të mos festojmë nga periferitë ditën e Europës.