Kulturë
Ismet Azizi: Malcolm vlerëson veprën e Dautit
E diele, 24.03.2013, 07:59 PM
NOEL
MALCOLM CILËSON LART VEPRËN E DAUT DAUTIT
Nga Ismet Azizi
Në
Londër, në mbrëmjen e 18 marsit, nën organizimin e ambasadës së Republikës së
Shqipërisë dhe Anglo Albanian Association u bë promovimi i librit “Çështja
Shqiptare në Diplomacinë Britanike 1877 – 1880”, të autorit Daut Dauti, botuar
nga Logos A në Shkup.
Para një
numri të madh të interesuarve të pranishëm për librin foli historiani i njohur
britanik Dr. Noel Malcolm, i cili është edhe kryetar i Anglo Albanian
Association, shoqatë kjo e cila është formuar nga Edith Durham dhe Aubrey
Herbert dhe e cila ka luajtur një rol të madh në emancipimin e çështjes
shqiptare në Britani të Madhe. Në fjalimin e rastit Noel Malcolm veprën e
Dautit e cilësoi lartë. Ai theksoi se me temën që jepet në këtë libër janë
marrë edhe autorë tjerë por askush më parë nuk e ka trajtuar çështjen shqiptare
të kësaj periudhe siç ofrohet në këtë vepër. Malcolm bëri me dije se Dauti, në
mënyrë të palodhshme shkencore, ka trajtuar në detaje më të imëta ngjarjet e
asaj kohe që u shënuan nga diplomatët britanikë dhe që ishin të rëndësishme për
popullin shqiptar por edhe për historinë e rajonit dhe asaj evropiane. Ai shtoi
se falë përmbajtjes së librit na bëhet me dije qëndrimi i diplomacisë
britanike, situata në teren, gjegjësisht aktiviteti i shqiptarëve për mbrojtjen
e tokave të tyre që kërcënoheshin nga shtetet e reja siç ishin Serbia, Mali i
Zi dhe Greqia. Poashtu, shohim edhe cilësimin e ngjarjeve nga diplomatët
britanikë që dalin nga raportet e tyre që ata kanë dërguar qeverisë së tyre në
Londër, shtoi Malcolm.
Dr. Noel
Malcolm, i cili në opinionin ballkanik njihet si autori i dy librave të famshëm
për historinë e Kosovës dhe Bosnjës kurse në qarqet intelektuale më shumë për
veprat e tija për Thomas Hobbes-in, theksoi se me anë të përmbajtjes së librit
njoftohemi me qëndrimet e diplomacisë britanike dhe, në mënyrë të tërthortë,
edhe me ato të fuqive tjera evropiane të periudhës që trajtohet në veprën e
Dautit. Më tutje, Malcolm shprehu respekt për punën e autorit e cila ndriçon
situata të rëndësishme të kohës 4 vjeçare që trajtohet në këtë vepër.
Poashtu,
fjalë të mira për librin e Dautit, në fjalim të rastit shprehu edhe publicisti
i njohur britanik, Tim Judah. Ai u interesua për mundësitë që libri në fjalë të
përkthehet në gjuhën angleze për shkak të rëndësisë që do të kishte edhe për
opinionin britanik.
Në fund
të këtij manifestimi, autori Daut Dauti, iu përgjigj një varg pyetjeve të
pranishmëve të cilët shprehën interesim të madh për librin e promovuar.