Kulturë
Dinos Kubatis: Ali Podrimja - prometheu i letërsisë bashkëkohore të njeriut
E premte, 27.07.2012, 08:23 PM
ALI PODRIMJA: PROMETHEU I LETËRSISË BASHKËKOHORE TË NJERIUT.
NGA DINOS KUBATIS
Njeri i
madh për kulturën e vendit të vet, Kosovën, është sot poeti Ali Podrimja, -bile
ndokush mund të thotë edhe për gjithë Serbinë, - pasi dihet që, deri para pak
vjetësh, Kosova ndodhej nën zotërimin e serbëve.
Që të themi
të drejtën, Ali Podrimja, mbizotëron edhe aty lart, në Shqipëri dhe në të gjitha
trojet shqipfolëse përreth, të cilat dikur i takonin asaj dhe poeti kosovar, u
takon atyre trojeve.
Po vetëm
atyre ? Mos vallë çdo poet, nuk i përket gjithë botës dhe jo vetëm asaj pjese,
që e lexon dhe emocionohet prej fjalës së tij, por edhe asaj pjesës tjetër, ’’të
gjithës’’, e cila parandjen një drithërimë të padukshme, të cilën e tejçon në hapësirat
e Gjithësisë, ku përhapet dhe kumton zëri i poetit ?
Ali
Podrimja, është pikërisht ‘’poeti i përbotshëm’’, i cili jeton, përpunon dhe
rikthen në letër, nëpërmjet një fjale hirplote dhe njëherësh të fuqishme e
bashkëkohore, vet njeriun e sotëm, me ndjenjat dhe problemet, me pasojat e
veprimeve dhe të shqetësimeve të tij.
Nëse do të
operojmë, realisht, një anatomi të veprës poetike të Podrimjes, do të vërtetojmë,
se poeti, me një mënyrë të vetën, ndodhet në të gjitha pikat aktuale dhe
kohore, të cilat përbëjnë një gur kufiri për Njerinë dhe jetesën e tij në Tokë,
ndërkaq shpeshherë arratiset dhe e vëzhgon, -e gjurmon do të mund të thoshja, -deri
tej, jetën e tij tokësore konvencionale.
Po kush është
Ali Podrimja, i cili: ’’çdo ditë përballon pushtetin e liliputëve’’, ai, i cili
uron: ‘’të rriten thonjtë dhe (të) gllabërojnë prenë e madhe’’ ? Është ai, i
cili vetëpagëzohet në baptisterin e Siloanit, pastrohet shpirtërisht dhe ngre
bajrakun e revolucionarit mbinjerëzor, për të ndjerë Golgothanë, në të cilën
tani gozhdohet Njeriu, sipas një përshkrimi të hollësishëm, që mbizotëron në shoqërinë
e sotme njerëzore.
Duke mbërritur
në ‘’Golgothanë’’ e tij, e cila është ndërkaq edhe mali i dëshmimit të secilit prej
nesh, ai do britmojë: ’’Ku është Zoti ?’’.
Nëpërmjet
shqetësimeve të tij metafizike, poetin e ngërthen angështimi, por jo vetëm për
këtë gjë. Nuk dëshiron kurrsesi të mbetet në shprehjen, që thotë: ’’Hap portën
dhe humbas në boshësi’’. Ai e ndjen se boshësi nuk ka. Po çfarë është ajo, e
cila ndodhet pikërisht aty dhe, kur hapim portën tonë, pyesim së bashku me
poetin edhe ne të tjerët ? Mos vallë duhet një Promethe tjetër, siç vijojnë të gënjejnë
pacipërisht Epimithitët dhe pa pikë pendese, dëshirojnë ta idealizojnë edhe një
herë ‘’Zjarrin ‘’ e Dijes ? Këta fëmijë, shpirtrat e shqetësuar të së Nesërmes,
diçka përcaktojnë: ’’Në qytetin tonë thonë tani fëmijtë/ se Ai shkoi të sjellë flakën
/ të cilën një ditë me shi e vodhën Njerëzit ‘’. Në këtë mënyrë bën çmos të na
sjellë prej ‘’gjumit të Tokës’’, të na vendosë në gjendje alarmi, për të mbërritur
para se të jetë shumë vonë, sepse në mënyrë metaforike, na ndërgjegjëson se: ’’edhe
lindja edhe vdekja kanë tjetër peshë’’ dhe na bën pjesë të atij zbulimi metafizik,
nëpërmjet vargjeve të tij.
Cilat janë
ndjenjat, cilët janë vendet, cilët janë lëshimet dhe kundërshtitë e Njeriut ?
Si një Robinson Kruzo i ri, gjurmon, përmbyt dhe reformon, nëpërmjet pyetjeve,
dyshimeve, diskutimeve, dëshirave, pathosit, vërtetësive, pavërtetësive, nëpërmjet
habive dhe koridoreve, nëpër labirinthe çorientues, mbrojtës i jetës, mbrojtës
i ideve,mbrojtës i idesë së Atdheut dhe vlerës së Njeriut.
Herë i qëllimshëm,
herë me një kulturë ironike, për të përvijuar dhe shpërfaqur ndjenjën e vërtetë,
përherë njerëzor, me një ndjeshmëri të veçantë, i brishtë ndaj dashurisë, mirënjohës
ndaj familjes, i shtangur ndaj mrekullive të natyrës dhe realist i rreptë ndaj çdo
realiteti, ligësisë, mosmirënjohjes, dhe prapamendimit, nuk bën tjetër, veçse
nyjëzon Njeriun ideal, duke flakut tej ‘’qesharakët’’, që ‘’luajnë zotat’’ dhe
duke nxitur mbijetesën tonë ‘’në litar’’, me qëllim që të largohemi prej
mashtrimit dhe të përballim gjithë realitetin, në botën absurde, ku ne jetojmë.
Poeti, i
shqetësuar për këtë botë, e cila rrëshqet përditë, kërkon,por i duket se:’’nuk
duket më kopeja / as i zoti’’, humbur diku në ndërvarësinë e vendosjes dhe të plogështisë,agonisë
dhe thërret:’’Pastroni shpirtin /.../ pastroni sytë / zbuloni vrimën në Gjithësi
/ dhe mandej vërtetoni / se mund të jetoni ...‘’.
Nostalgjik,
ai kthehet pas për të lëvruar shekujt, për të kërkuar bashkëkohorët dhe për të vërtetuar:
’’Shndërrit për sa nuk u tha / kultura e lashtë’’, e cila, pasi fillimisht u
rafshua, u varros dhe u harrua,në mënyrë që të ketë vetëm një zgjidhje, e cila
ishte përdoruar me siguri të plotë në kohët më të hershme: ’’Varka e Noes’’, për
të arkëtuar menjëherë më pas të vërtetën e madhe, e cila na bren:’’Po nuk duket
Bregu’’...
Ali
Podrimja është një poet i fuqishëm dhe i arrirë. Poet dashurie, romantik, i ndjeshëm,
por,paralelisht, edhe rivendikues për atdhenë, për jetën, për Njerinë. Shpesh të
trand, kur flet për fatin e atdheut të vet: ’’Hap pëllëmbën dhe peshoj / pikën
e gjakut tënd’’ dhe menjëherë më pas, tragjikisht: ’’Më ndëshkuan ndërsa besoja
/ në pikën e gjakut’’.
Për jetën
beson se: ’’Kurrë nuk mjafton koha / të lindësh, të jetosh / dhe të vdesësh’’.
Për
Njerinë: ’’Ka kohë që vetminë e shtëpisë / në lëkurën time e lexoj’’,ose: ’’Në mure
gërvishje të tmerrshme / të thonjve të një populli’’.
Është poet
i ‘’vështirë’’ Ali Podrimja. Mënyra e tij e të shprehurit krijon probleme të gjithanëshme.
Shkrimi i tij shtrihet në thellësi, pamjet e tij shpërfaqin prush, fjalët e tij
vishen me nënkuptime alegorikë. Është fatlum ai, i cili mund të zhbirojë fjalën
e tij, është i lumtur ai që mund të nxjerrë kuptimin e tij dhe të lëvrojë brenda
këtyre mendimeve, sepse përfiton ndjeshmërinë dhe stoicizmin e poetit, frymëzimet
dhe shtysat, predispozicionin filozofik dhe shtrirjen e njohjes përkrah ndjenjës.
Shkrimi i Ali Podrimjes, mrekullon, sepse e lë fjalën të bjerë si pikë e rëndë shiu, e, ndërsa është duke rënë, shndërrohet në një rrjedhë të furishme uji të pastër, e cila akumulohet, që të mund të vërë në lëvizje mendimin dhe ndjenjat e lexuesit,-të atij lexuesi, i cili është ndërgjegjësuar, se poeti shpërfaq pikërisht atë, nëpërmjet vargjeve të tij,-ato të vet njeriut, i cili ‘’lëngon’’ prej dyshimeve, frikës, emocioneve, entusiazmit dhe gjithshkaje tjetër, që quhet ‘’shprehje njerëzore’’. Poeti shpërfaqet, pra, pas kërkimeve të vargjeve dhe deponimeve të veta, se vuan edhe ai, por paralelisht edhe kërkon, del në ballë dhe lufton, percepton, ofron zgjidhje, është optimist dhe guxon, ashtu si tjetri në krah të tij dhe më tej, tejembanë i gjithë njerëzimi.
Vargu i
poetit është i prerë, i ngjeshur, i arrirë në mesazhe dhe ide, i përmbytur me
ndjenja dhe jo përherë tepër i mirëkuptuar.
Por, të magjeps
grishja, për të kaluar edhe ti vet në anatominë e fjalëve, të cilat kompozojnë vargjet,
strofat, poezitë, që nga fillimi deri në fund. Atëhere, duhet, që me devotshmëri
të thellë, t’i operosh dhe të vëzhgosh pjesët përbërëse. Të mos i kalosh përciptas,
sepse një vështrim i shpejtë, i bën padrejtësi, jo vetëm poetit, por edhe ty,
pasi nuk mund të ndjesh kuptimin tërësor, i cili, në fund të fundit, shpërfaqet
shpeshherë tronditës.
Vet poeti deklaron kategorikisht dhe prerë, po aq edhe me zemër të pastër: ’’Mbyllem në një zë njerëzor ‘’ ! Dhe pikërisht ky është Ali Podrimja, një zë njerëzor, i cili del nga brendësia e shpirtit, një zë që shpreh të tjerët dhe atë vetë dhe mbështetet mbi një copë letre të bardhë, për të mbetur regjistruesi i kohës dhe i kompozimit tonë psikologjik, arkiv i pashuar në përjetësi, shpëtim për lexuesin, të cilin shpreh dhe, së fundi, denjësi e poetit të ndjeshëm.