E hene, 07.10.2024, 12:53 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Redan Bushati: Jap dorëheqjen nga drejtimi i K.S.U.SH

E shtune, 30.06.2012, 10:08 AM


KESHILLI STUDENTOR

Universiteti i Shkodrës

"Luigj Gurakuqi"

Nr. 100 Prot. Datë 30-06-2012

Drejtuar:  Universitetit të Shkodrës « Luigj Gurakuqi »

Lënda:  Jap dorëheqjen nga drejtimi i Këshillit Studentor të Universitetit të Shkodrës (K.S.U.SH)

Tadhe grafo, os moi alethea dhoke ei einai – Hecataeus Milesius

Njeriu, si qenie humane së cilës Zoti i dha mendjen për të arsyetuar, kalon tre faza të përgjithshme ekzistenciale jetësore: lindje, jetë, vdekje. Ashtu edhe veprimtaritë e kësaj qenie humane përjetojnë tre faza të rëndësishme: fillimin, zhvillimin dhe mbarimin (fundin). Nëse fillimi starton mirë i jep shtysë zhvillimit për rezultate në rritje, kështu edhe fundi ka shumë gjasa të jetë pozitiv në të përgjithshmen e tij. Kështu e kam menduar, që ditën e parë kur kam marrë drejtimin e Këshillit Studentor të Universitetit të Shkodrës (K.S.U.SH), se fillimi i mbarë do të ishte gjysma e punës për të kaluar më pas tek zhvillimi, i cili ka pasur më shumë rezultate pozitive sesa negative, për të mbërritur tashmë në fund, mbarim.

Dy vite e dy muaj nuk janë shumë, po kurrsesi pak, për të treguar dhe zhvilluar veprimtari akademike, intelektuale, sociale, kulturore dhe humane. Tashmë, tek mendoj se fundi është gati, në mendjen time kalojnë gjithë ato punëra të mira, të cilat kanë ndeshur vështirësi të lloj – llojta në realizimin e tyre. Gjithsesi, thelbësore dhe e qënësishme, sipas mendimit tim, është se në shoqatat apo strukturat studentore duhet të ketë qarkullim të vazhdueshëm dhe të shpeshtë drejtimi, gjithmonë në shërbim të përmirësimit të mëtejshëm të jetës akademike e më gjerë.

Disa vepra të magjishme kadareane i lënë vendin At Zefit, Fishtës, Migjenit, Balzakut, Hygoit e Lamartinit për të mbërritur, në këtë kohë të vrullshme leximi tek unë, Faik bej Konicën, mendimtarin dhe euriditin e rrallë. Aso kohe, në gjysmën e parë të shek. XX, disa qarqe të fëlliqta zogiste dhe dudumësh brinjështazë e atakonin pamëshirshëm mendimtarin, poliglotin dhe një ndër njerëzit më të kulturuar që Shqipëria, vendi ynë, ka pasur ndonjëherë. Nuk ishin t'pakta rastet kur, me të drejtë, Faik beu mërzitej dhe ndjente një bjerrje graduale, e megjithatë s'e jepte veten dhe aq. E në mes kësaj turbullie, mendjendrituri gjente forca dhe shfrente përmes ndonjë artikulli të botuar në « Albania » e më pas tek « Dielli », duke ironizuar me këtë turmë të paudhë, e cila edhe sot nuk po i shqitet dot realitetit shqiptar.

Disa prej legenëve tuaj me pushtet, që nuk janë të paktë, mos t'ju duket aspak çudi, nëse menjëherë pas dorëheqjes sime të nxjerrin ndonjë nga ato lolët e barbonët e tyre, të cilët i përdorin, pa kursim, sa herë kanë nevojë, që të më thumbojnë apo ironizojnë se gjoja po heq paralele mes vetes sime dhe Faik Konicës. Jo dhe jo. Realiteti i sotëm shqiptar, në këtë klimë të disfavorshme, nuk mund të afrojë asnjë syresh që mund t'i qëndrojë sadopak pranë mendjeve të ndritura dhe të papërkulura shqiptare të shek. XIX dhe fillim shek. XX.

Për dy vite e dy muaj kemi ndërtuar, së bashku me studentë të përkushtuar, intelektualë të denjë dhe me dashamirë të ndershëm, një strukturë studentore, që Universiteti i Shkodrës « Luigj Gurakuqi » s'e kish më parë. (Para nesh s'kish asgjë, veç shkretëtirë). Ju, bij të unshëm të një pushteti të pangishëm, atëherë kur ju erdhi shkresa nr. 2073 prot., dt. 29-03-2010 nga z. Tafaj, ministër i Arsimit dhe Shkencës, nuk dinit nga t'ja fillonit. Shkresa kërkonte, se s'bën, krijimin dhe ndërtimin e strukturës së Këshillit Studentor; një udhëzim i cili vijonte qysh nga viti 2007, por që nuk kishte gjetur akoma konkretizim. (USH-ja ishte ndër të paktët, për të mos thënë i vetmi, nga universitetet publike në Shqipëri, që nuk kishte ende në fillim vitin 2010 një Këshill Studentor). Ajo shkresë e ardhur nga z. Myqerem Tafaj urdhëronte sa më shpejt mbajtjen e zgjedhjeve për krijimin e kësaj strukture studentore; më pas USH-ja me shkresë të firmosur dhe vulosur nga rektori, z. Haxhi, me nr. 100, dt. 23-04-2010, urdhëronte mbajtjen e tyre. (Të parat në ngritjen e strukturës së Këshillit Studentor). Rreth një muaj para se të zhvilloheshin zgjedhjet, segmentë tuaj të ndryshëm, të varur nga ca koka politike të pushtetit, zhvilluan bisedime për të gjetur personin, i cili mund t'ia fillonte nga e para dhe që duhej të mbante gjithë këtë barrë të rëndë mbi supe. Nuk iu dolën llogaritë, pasi askush nuk mund t'ia niste punës nga e para, duke mos patur asnjë bazë, e për më tepër kjo punë kërkonte njerëz aktiv, të durueshëm, me kapacitete dhe të kudondodhshëm, të cilët pushteti i servilëve nuk i ka dhe s'ka se si t'i ketë. S'mund të jetë ndryshe, servili si i paskrupull që është nuk i vlen lëkura më shumë se një veshgjati, i cili e mundon dhe sfilit të zotin deri n'palcë. Të gjitha rrugët po ju dërgonin tek një individ, i cili kishte dhënë disa prova të mëparshme, se nuk bënte pjesë në lojëra dhe mbi të gjitha ishte i pakontrollueshëm, e kështu do të jetë përgjithmonë. Edhe pse këmbët po ju shpinin drejt meje, ca hije dyshimi dukeshin ashiqare në fytyrat tuaja. Koha ju dha të drejtë. Ky i poshtri, që asokohe donit, edhe pse ishit skeptik, ta kishit në krye të rreth 12 000 studentëve të Shkodrës, ishte rebel, demokratik, shpesh i vrullshëm, i panënshtrueshëm, i drejtë dhe mbi të gjitha ithtar i vlerave atdhetare shqiptare e qytetar i denjë, cilësi të mjaftueshme këto për ta bërë individin të pakotrollueshëm nga të tjerët. Keqardhje! E di, se tashmë ndjeheni të zhgënjyer nga unë, megjithëse kështu keni qenë prej kohësh, por merreni pak me mend se si ndihem unë nga ju! Ju donit shërbëtorë, servilë, legenë, njerëz të kontrollueshëm, barbo e birbo e të tjerë si këto. Dhe gjasat kështu janë se do të merrni pas meje, edhe pse uroj që një gjë e tillë të mos ndodhi.

Pasi folët e stërfolët, pasi i shoshitët punët në rrethet tuaja vicioze, e pasi e shikuat se nga radhët e të rinjve atypranë, rrotull jush, askush nuk e merrte përsipër një detyrë të tillë, më thirrët dhe plot respekt ju erdha për të pranuar, sipas gjykimit tim, një mision fisnik, qytetar dhe në shërbim të interesave të studentëve. Sigurisht, ju e dinit se nëse e merrja një detyrë e çoja atë deri në fund dhe nëse ajo ishte në shërbim të komunitetit të studentëve do të pranoja menjëherë. Ashtu dhe ndodhi. (Të ishte sot, kur kam kaluar aq e aq andralla nga prapaskenat e ndryshme të njerëzve atypari, kukulla dhe vegla qorre të një politike t'dalun beze, nuk do ta kisha marrë, kurrsesi, atë detyrë). Ajo ç'ka më ndan mua me shumë njerëz rreth jush është sa një det i tërë: unë atdhetar e i ndjeshëm, ju shpirtkazmë dhe kodoshë pushteti; unë qytetar me taban, e ndërsa ju pa din e pa iman; unë i lirë si shqiponjë, ndërsa ju katilë, endacakë e të djallëzuar.

Ditën e fundit të prillit 2010, një ditë përpara protestës opozitare socialiste në Tiranë dhe tubimit festiv të Partisë Demokratike në sheshin « Nënë Tereza » pranë panairit të hapur të librit në Pallatin e Kongreseve pra, të premten e 30 prillit 2010, u zhvilluan zgjedhjet për Këshillin Studentor të Universitetit të Shkodrës (K.S.U.SH). Në secilin fakultet, nga gjashtë që janë, do të dilnin pesë përfaqësues nga secili prej tyre, të cilët më pas do të zgjidhnin kryetarin dhe sekretarin e përgjithshëm të këtij këshilli. Sigurisht, nuk kishte si të ndodhte ndryshe, fitoi ai të cilin ju atëherë dëshironit, edhe pse kishit ndoca lëkundje dhe dyshime në vetvete, që koha i vërtetoi: ju dola menjëherë nga dëshirat tuaja, ndërkohë që provën e parë të të riut rebel e kisha dhënë tre ditë pasi u zgjodha anëtar i Senatit Akademik, pikërisht me 29 mars 2010, së bashku me disa prej atyre djemve që sot drejtojnë Unionin Studentor, aty nën hundën tuaj dhe më pas në Tiranë, protestuam kundra thirrjeve raciste antishqiptare të ushtrisë greke, kur ju me tërbim grimasnit tërë inat dhe mjaft të shqetësuar.

Përgjatë njëzet e gjashtë muajve kanë qenë të shumta aktivitetet tona, të cilat kanë pasur fundekrye karakter akademik, shkencor, intelektual, social, human dhe kulturor; aktivitete të cilat janë transmetuar kryesisht nga media lokale e qytetit të Shkodrës dhe ajo kombëtare në raste të veçanta. Ndihma jonë në përmbytjet e fund vitit 2010 e fillim të 2011-s në Qarkun e Shkodrës, ndihma tek Shtëpia e Fëmijës, në lagjen « Iliria » dhe përreth zonës së livadheve etj. kanë pasur karakter social dhe human. Organizimet e konferencave, simpoziumeve, seminareve etj. kanë qenë të herëpashershme, të realizuara thuajse në 90% të rasteve pa ndihmën tuaj, me të ftuar nga rrethet intelektuale shqiptare, nga Tirana dhe jashtë Shqipërisë. Bashkëpunimet me partnerë vendas dhe të huaj u kanë shërbyer mjaft studentëve tanë në përfshirjen e tyre në workshop-e, seminare apo trajtesa të ndryshme akademike. Futja në punë e disa studentëve nëpër media elektronike dhe të shkruara ka qenë një iniciativë e jona, e cila u ka mundësuar mjaft studentëve, veç anës profesionale edhe atë ekonomike. Bashkëpunimet me IOM, QSHDNJ, EUIC Shkodër e mjaft partnerë të tjerë kanë konkretizuar, në disa raste, iniciativën tonë për t'i ardhur në ndihmë studentëve dhe komunitetit ku jetojmë. Pastrimi i plazhit të Velipojës dhe lagjeve periferike të qytetit tonë kanë qenë të tjera vendimmarrje të veprimtarisë së gjerë të këtij këshilli studentësh. Ka qenë buzëqeshja e ëmbël shkodrane dhe përkrahja e studentëve të dobishëm të universitetit tonë, ato që i kanë dhënë shtysë dhe gjallëri aktiviteteve të realizuara nga Këshilli Studentor, të cilat në thelbin e tyre dëshmojnë angazhimin tonë studentor, intelektual, qytetar dhe human në shërbim të nevojave akademike dhe përmirësimit të imazhit universitar.

Prej disa kohësh kam vendosur, në diskutim e sipër me veten, që të jap dorëheqjen nga drejtimi i Këshillit Studentor. Ka qenë këmbëngulja e vazhdueshme e kolegëve, përfaqësuesve të kësaj strukture studentore, që e kanë shtyrë, për pak kohë, vendimin tim. Siç u përpoqa edhe më sipër t'ju them, në logjikën time gjërat kanë nevojë për lëvizje, e bashkë me to duhet të lëvizin edhe njerëzit që diktojnë ngjarjet, zhvillimet dhe situatat. Fundja, demokracia reale këtë na dëshmon gjithnjë e më shumë, se lëvizjet e individëve sjellin lëvizjen e gjërave. Me dhënien e dorëheqjes sime shpresoj të vendoset edhe një standart i ri, demokratik, në të gjitha organizatat a shoqatat studentore, ku prej katër, pesë apo dhjetë vitesh e më shumë drejtojnë të njëjtat fytyra, të njëjtët individë. Të mos harrojmë edhe faktin se në fund muajin shkurt të këtij viti ishit pikërisht ju, që parapëlqenit vazhdimin e rrugëtimit tim në krye të studentëve të Shkodrës.

Për të mos më mbetur peng dëshiroj të sqaroj edhe ata, të cilët mendojnë se kemi vepruar gabim që kemi kërkuar për të ardhmen e vendit tonë, për hir të integrimit të tij, një president me vlera kombëtare, intelektuale dhe morale, ua rithem përsëri se kemi bërë gjënë e duhur dhe se do ta bënim sërish e sërish, nëse shfaqja e turpshme e politikës shqiptare do të rivihej përsëri në skenë. Një klasë politike, e cila është më shumë se e papërgjegjshme për fatin e vendit dhe të popullit të cilin përfaqëson, duke e katandisur këtë të fundit në vuajtje dhe mjerim të thellë. Në keni gjë me emrin e shkrimtarit të madh shqiptar, me të cilin çdo shqiptar i denjë, për të qenë i tillë, krenohet me të, identifikohet shpesh nëpër botë me emrin e Ismail KADARESË, atëherë dilni e thuajani shqiptarëve se çfarë ju shqetëson. Kadareja është më i madhi ndër shkrimtarë dhe më i shquari ndër shqiptarë. Pena e tij magjeps rrugët e sheshet e botës dhe sigurisht jo kokat tuaja boshe. Gjithsesi, ne përgjigjja e Tij na zhgënjeu dhe na i preu shpresat, që vendi ynë në të ardhmen të kishte më tepër zhvillim, progres, lulëzim. Po ama kemi bërë gjënë e duhur, që publikisht i kërkuam të kandidojë për President të Shqipërisë.

Z. Haxhi, rektor i USH-së, dhe gjithë të tjerët, që nuk patët vullnetin a dëshirën për të ndihmuar punët tona, u bëj me dije dorëheqjen time, duke mbyllur një proces, nga i cili ndihem mjaft i zhgënjyer nga marrëdhëniet tona, sa për sy e faqe. Nga universiteti, Këshilli Studentor gëzon vetëm një vulë, asgjë tjetër. Ndërkohë, që ligji i arsimit të lartë në vend parashikon financimin e këshillave studentore. Ne mund të jemi, me aq sa jam në dijeni, ndër të vetmet struktura studentore, të cilat nuk kemi pasur në dispozicion qoftë dhe vetëm një zyrë për të zhvilluar veprimtaritë tona. Megjithatë, të gjithë e dinë, se gjithmonë jemi gjendur përpara zgjidhjeve edhe më të mira, pasi dashamirësia e disa individëve, të cilët gjej rastin t'i falenderoj, ka bërë të mundur, që përfaqësuesit e studentëve të Shkodrës të kenë salla dhe mjedise të konsiderueshme për të zhvilluar aktivitetet e tyre në shërbim të studentëve tanë. Vetëm një takim kemi zhvilluar së bashku, para një mbledhjeje të Senatit Akademik, atëherë kur në zyrën tuaj unë kisha dërguar një shkresë tonën me gjashtë pika për t'ju kërkuar ato pak gjëra për funksionimin e Këshillit Studentor, që fundja i parashikonte ligji i arsimit të lartë në vendin tonë. Heshta atë ditë në mbledhjen e senatit, për arsye se më premtuat zgjidhjen e situatës. Asgjë prej gjëje nuk ndodhi më pas. Më vjen keq se pasardhësve nuk do t'iu lëmë një mjedis të tyre. Kjo është ajo që më shqetëson, pasi siç u thashë më lart dhe që fort mirë e dini, nga dashamirësia e ca individëve ne kemi pasur ambjente ku zhvillonimin mbledhje, takime apo edhe diskutime të gjëra.

E kuptoj fort mirë, që ju turpin e hani me bukë dhe keni të drejtë se e tillë është brumosja e personalitetit tuaj. Në vend që të dilni dhe të dënoni ashpër korrupsionin në universitetin tonë, i cili fle ditë-natë, pavarësisht ''mundit dhe vullnetit'' tuaj për vendosjen e kamerave, hidhni akuza të paqëna dhe zhvendosni vëmendjen e publikut në gjëra të parëndësishme. Në vend që të shqetësoheni nga arrestimi i pedagogut tuaj, vraponi rëndshëm, ashtu siç rëndom jeni mësuar, për të gjetur ''karafila'', që nën presionin tuaj dalin nëpër komunikata shtypi, për të deklaruar atë çka ua shkruani ju, të kundërtën e atyre gjërave që kanë bërë deri më tani ato vetë, dora e tyre. Gjithsesi, nuk u vë faj atyre studentëve të shkretë, pasi frika i ka bërë të ndryshojnë drejtim. Ndjej keqardhje dhe madje deri neveri për mënyrën se si ju e trajtoni me përkëdheli korrupsionin në universitet dhe për atë pjesë të medias, e cila vihet në shërbim tuajin për të akuzuar dhe sharë me çka mundet këdo që ju pengon në interesat tuaja meskine. Ju z. Haxhi dhe « haxhiqamilistët » pranë jush së bashku me bashibozukët e pushtetit i bëni temena korrupsionit. Dhe kjo kuptohet, sepse ju jeni të kredhur deri në fyt dhe të përlyer keqas me të. Zoti pastë mëshirë për dëmet që po i shkaktoni vendit tim! Jeni kaq budallenj dhe të paaftë, aq sa jeni kthyer në robotë e vegla të politikës së ditës. Së bashku me dorëheqjen time u bashkangjis edhe një vërtetim, me të cilin dora juaj vetë vërteton pozicionin tim në drejtim të studentëve të Shkodrës. Mjerë Shqipëria se ç'hise ka, mjerë vendi që po shkëtarrohet dhe mjerë ne, të drejtët, ç'po heqim prej halldupërive tuaja! Sinqerisht, më besoni, gjej kurajo dhe i lutem Zotit që t'ju falë për paudhësitë tuaja, ashtu siç bëri shënjtorja Nënë Terezë kur mbërriti për herë të parë në Tiranë më 1990 dhe vendosi një tufë me lule në varrin e atij (diktatorit), që nuk e la t'ia mbyllte sytë nanalokes së saj, Drane Bojaxhiut. Dhe në fund një pyetje kam për ju z. Haxhi, me të cilën i shërbëj mjaft publikut, ''sa mijëra euro jeni duke marrë për futjen e pedagogëve në punë?''. Jo për gjë, po kam dëgjuar se në këtë kohë krize ekonomike e keni ''kripur'' pak vajisjen.

Në përfundim, falenderoj disa individë të rektoratit, mbi të gjithë tre-katër, të cilët janë përpjekur të ndihmojnë sadopak punët tona. Nga ana tjetër, falenderoj studentët e ndershëm dhe ato të cilët nuk u ulen asnjëherë përpara ryshfetit të ditës, për ndihmën e konsiderueshme; po ashtu edhe ato pedagogë zemërbardhë, që gjetën kohën e lirë dhe dëshirën për të zhvilluar së bashku veprimtari pozitive. Faleminderit miqve, dashamirëve dhe kontribuesve të tjerë të Këshillit Studentor nga Tirana, Kosova dhe Maqedonia, kryesisht të shqiptarëve të Kosovës, miq të vërtetë dhe njerëz sakrifice. Dhe në fund, falenderimet më të përzemërta çdo përfaqësuesi të kësaj strukture studentore, të cilët u përpoqën aq sa mundën për të zhvilluar punë vullnetare në shërbim të shokëve dhe shoqeve të tyre studentë. Faleminderit!

Kryetari

Redan BUSHATI



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora