E diele, 10.11.2024, 05:58 PM (GMT)

Mendime

Gani Qarri: Mbrojtësit e sovranitetit apo heronjtë e veriut

E shtune, 02.06.2012, 07:03 PM


Mbrojtësit e sovranitetit apo heronjtë e veriut

Nga Gani Qarri

Një qershori i këtij viti sikur ishte pak më ndryshe i cili pas kaq vitesh të kaluara sikur u kthye në një dit me fat,nga një aksioni i guximshëm dhe i koordinuar mirë në mes të KFOR-it, Qeveris së Kosovës dhe EULEX-it të cilin e përbënin disa veprime të realizuara e ndonjë si ai i Policisë së Kosovës,mbetur edhe në tentativë për tu realizuar në të ardhmen por që si pikënisje kishin 1 qershorin apo ditën "D" e cila filloi me zhbllokimin e rrugëve në veri të Mitrovicës dhe heqjen e barrikadave të pa ligjshme të vendosura para afro një viti nga bandat kriminale serbe atje.

Toleranca e institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare ndaj grupeve kriminale dhe pjesëtarëve të MUP-it serb në veriun e Kosovës për kaq kohë të gjatë mbetet pa shpjegim edhe pse e pa imagjinueshme për kohën sa ajo zgjati,kur dihet fakti se për afro 12-13 vite me radhë grupet e lartcekura pengojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve, nuk lejojnë vendosjen e rendit kushtetues në këtë pjesë të vendit dhe pamundësojnë shtetndërtimin e Kosovës në gjithë territorin brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht nga afro 100 vende dhe shtete të botës.

Madje as bisedimet e zhvilluara dhe marrëveshjet e arritura nga përfaqësuesit e të dyja vendeve me ndërmjetësimin e BE-së në Bruksel nuk treguan ndonjë vlerë praktike as ligjore kur dihet se që nga fillimi, zbatimi i tyre vazhdon të pengohet nga ana e Serbisë.

Sipas gjithë kësaj del se bisedimet e zhvilluara,sipas praktikës së deritanishme, nuk ishin asgjë më shumë se një lojë e inskenuar sa për ti mundësuar shtetit serb fitimin e kandidaturës për anëtarësim në BE,ngase marrëveshjet e lartcekura asnjëherë nuk janë ratifikuar as në Kuvendin e Kosovës.

Ndaj, një aksion i tillë si ky i 1 qershorit ishte një veprim i domosdoshëm për mundësimin e lëvizjes së lirë dhe krijimin e një ambienti të sigurt për të gjithë edhe në veri ku pas afro një viti me gjithë plagosjen e ushtarëve ndërkombëtar, KFOR-i nuk e ndaloi misionin e nisur të premten në mëngjes për heqjen barrikadave në Rudare edhe pse heqja e tyre u shfrytëzua për përdorim dhune nga grupet kriminale serbe të cilat plagosën edhe dy ushtar të forcave paqeruajtëse të KFOR-it me armë zjarri.

Megjithatë,në krahasim me përpjekjet e deritanishme për shtrirjen e pushtetit vendor dhe zhbërjen e grupeve kriminale në veri,ky ishte aksioni më i suksesshëm deri më tani i cili u përkrah dhe mbështet me unanimitet nga faktorët vendor dhe ata ndërkombëtar që tash e sa vite veprojnë në Kosovë.

Njohja e Kosovës nga Çadi

Për fatin e mirë të vendit,po me 1 qershor, si e porositur nga fuqi mbinatyrore, shtetit tonë i erdhi edhe një njohje ndërkombëtare - nga Çadi e cila është e 91 me radhë dhe shumë e nevojshme për plotësimin e numrit të njohjeve që do t`ia mundësonin Kosovës pranimin në OKB, e cila sikur ishte akorduar në mënyrë perfekte si mbështetje nga jashtë me përpjekjet e brendshme për çlirimin e plotë të vendit nga bandat kriminale pushtuese serbe.

Dështimi i policisë së Kosovës

Siç jemi mësuar shpesh herë të dëgjojmë,gjë që nga përsëritjet e shpeshta më nuk tingëllon as si lajm,Policia e Kosovës të cilës pas kalimit të përgjegjësisë nga EULEX-i në duart e saj,pothuajse i janë shliruar të gjitha "pykat" dhe disa pjesëtar të saj i janë kthyer zanatit të tyre të vjetër... ajo me 1 qershor arriti që ti dëshpëroi edhe një herë më shumë shqiptarët dhe dashamirët e këtij vendi me dështimin e saj të radhës e cila megjithëse për ditë me radhë bombardoi opinionin publik me vendimin e proklamuar se nga 1 qershori i vitit 2012, do të konfiskohen targat e automjeteve me regjistrime të jashtëligjshme ish "Jugosllave" ajo as kësaj radhe nuk arriti ta realizonte vendimin e saj ndaj shoferëve serb të Kosovës të cilët që nga paslufta përdorin tabela të tilla.

Edhe pse minoritarët serb si të gjithë banorët e vendit, sipas ligjit janë të obliguar që në vend të targave të vjetra të përdorin targa të reja të Republikës së Kosovës,sipas informatave të Kosovapressit,me 1 qershor (ndoshta edhe pas kësaj date do të vazhdoj avazi i vjetër),policia e vendit, është mjaftuar vetëm me këshilla ndaj pronarëve serb të automjeteve me targa të "ndaluara",se tash e tutje nëse qarkullojnë me targa të tilla, mund t’u konfiskohen automjetet e tyre.

Megjithatë,Zëdhënësi i Forcave të Rendit,edhe kësaj radhe "me shumë kujdes" i flladiti zemrat e trazuara të shqiptarëve dhe me deklaratat e tij,na la me shpresën se megjithatë -në të ardhmen, Policia e Kosovës një ditë do ta zbatoj vendimin e saj.

Aksioni i koordinuar

Veprimet e KFOR-it dhe kontributi i ushtarëve amerikan dhe të disa vendeve perëndimore si Gjermania Austria,Polonia etj.,që kanë vendosur ushtarët e tyre në Veri të Kosovës,janë një akt heroik të cilët me aksionet e tyre të fundit,shkruajnë një histori të re, me rëndësi të veçantë për Kosovën në ruajtjen e tërësisë territoriale brenda kufijve të gjeografisë së saj të ngushtuar, vulosur edhe mbi flamurin ahtisarian.

Kjo e bënë popullin shqiptar që ti përshëndet aksionet e tilla dhe të krenohet me vendosmërinë e KFOR-it e cila u demonstrua edhe para disa kohësh me çlirimin e gjykatave të pushtuara në veri të Mitrovicës nga bandat kriminale serbe të njohura si struktura paralele të cilat tash e sa vite kanë invaduar këtë pjesë të vendit ku veprojnë të instruktuara si komando speciale nga Serbia për vrasje dhe pastrime territoresh në Kosovë nga shqiptarët duke u`a kthyer pushkën edhe ushtarëve amerikan e gjerman të KFOR-it siç u dëshmua edhe me 1 qershor të vitit 2012 për të satën herë në veri të vendit tonë.

Ky territor i Kosovës është bërë atdheu i dytë i ushtarëve amerikan, gjerman, austriak etj., të KFOR-it, të cilët kohët e fundit me gjakun e tyre të njomë, po shkruajnë kapitullin më të ri në historinë e tej-zgjatur të dramës së komplikuar të veriut,fundi i së cilës për shumë kënd mbetet i panjohur deri në zgjidhjen e saj përfundimtare e cila as pas afro 13 vite "çlirimi" ende nuk shihet në horizontin e cekët shqiptar e cila për ne,nuk duket të jetë e lehtë as e shpejt.

Ndihma e NATO-s për çlirim e Kosovës nga pushtimi serb,ruajtja e tërësisë territoriale të saj nga ana e KFOR-it, aksionet e ushtarëve ndërkombëtar për zhbllokimin e rrugëve, vënien e rendit dhe ligjit si dhe zhbërjen përfundimtare të bandave kriminale serbe në veri,tanimë janë bërë pjesë e pashlyeshme e jetës së popullit shqiptar,në ngjarjet madhore të të cilit roli i NATO-s dhe KFOR-it,mbetet i pazëvendësueshëm edhe në këto kohë të ruajtjes së virtyteve të shenjta të lirisë,emri i të cilëve pa dyshim,do të shkruhet me shkronja të arta në historinë moderne të Kosovës.

Aktivizimi i KFOR-it në veri,ku ushtarët ndërkombëtar qëndrojnë në radhët e para dhe kanë barrën kryesore të luftës kundër krimit të organizuar, përpjekjet e të cilëve për mbrojtjen e rendit dhe ligjit,lëvizjes së lirë dhe garantimit të sigurinë për të gjithë banorët atje, shpeshherë marrin përmasa të përgjakshme.

Pas shekujsh robërie turko-sllave,Pavarësia e Kosovës tek shqiptarët sikur ngjalli shpresën për një atdhe të lirë nga robëria dhe tirania serbe për çka dhanë jetën pjesëtarët më të mirë të kombit tonë liridashës, nga të gjitha trojet etnike. Ndaj shqiptarët duan dhe urojnë që aksionet e fundit në veri,ti paraprijnë çlirimit përfundimtar të kësaj pjese të robëruar të vendit nga bandat kriminale dhe njësit speciale të komandove okupuese serbe të ardhura enkas nga Serbia,për ndarjen e Kosovës.

Dhe pas kaq ec e jakeve,më në fund ka ardhur koha që forcat e rendit ,ligjit dhe ato të mbrojtjes së shtetit të kalojnë nga deklaratat retorike në veprime të mirëorganizuara praktike për paqësimin një herë e mirë të kësaj pjese të rebeluar, qoftë edhe përmes "zbarkimit" të forcave speciale policore "ROSU" dhe atyre "ushtarake" të FSK-s, pasi që tanimë të gjithë e kanë të ditur se atje na presin beteja të pashmangshme,ku Polici Enver Zymberi, akti i të cilit bëri shumë jehonë dhe bashkoi të gjithë shqiptarët kudo,ndoshta nuk do të mbetet heroi i vetëm,por atij do ti bashkohen edhe heronj të tjerë për çlirimin përfundimtar të kësaj pjese të pushtuar të vendit,ngase edhe ushtarët e KFOR-it janë bij nënash e baballarësh të cilët edhe pse nga vende të ndryshme dhe të ardhur nga larg,po ngriten në heronj që derdhin gjakun e tyre të njomë për mbrojtjen e Kosovës qoftë edhe vetëm për hir të misionit mbrojtës që kanë ndaj saj, ani-pse ajo nuk është atdheu i tyre.

Ndaj,ndërmarrja e aksioneve çliruese na takon neve banorëve të saj,qeverisë dhe popullit të Kosovës edhe pse dëshirë e shqiptarëve nuk janë aventurat e luftës,akti i çlirimit të veriut është i pa shmangshëm dhe i imponuar nga strukturat kriminale serbe edhe pse ne jemi dhe mbetemi dashamirë të zgjidhjes së problemeve në mënyrë paqësore,por që tash e sa kohë- keqpërdoret nga bandat kriminale serbe të cilat ndaj çfarëdo iniciative paqësore të shtetit të Kosovës, përgjigjen me shkrepje plumbash dhe vrasje njerëzish pa shkas, siç u vra edhe heroi Enver Zymberi përfshi edhe aktet e fundit të plagosjes me armë zjarri të ushtarëve amerikan e gjerman të KFOR-it.

Kriminelët serb jo vetëm se kanë pushtuar veriun e Kosovës por për vite me radhë ata e kanë kthyer atë pjesë të vendit në arenë të një lufte speciale,ku eksperimentohet shpërngulja me forcë e banorëve autokton shqiptar nga tokat e tyre stërgjyshore,kundërshtohet në mënyrë agresive shtrirja e shtetësisë sonë atje dhe pengohet me forcë vendosja e rendit dhe ligjit,duke i`u kundërvënë me të gjitha mjetet edhe ushtarëve të KFOR-it, të cilët të vetëm mbrojnë tërësinë territoriale të Kosovës,për çka siç dëshmojnë edhe rastet e fundit,sikur është bërë modë që gjithnjë e më shpesh ata edhe të përgjaken nga bandat kriminale serbe.

Është shumë e çuditshme se si edhe në këtë gjendje,për vite me radhë sa zgjat ky problem, asnjëri nga intelektualët e njohur të Kosovës apo nga tërësia shqiptare nuk doli fare në skenë as një herë të vetme ,dhe as njëri nga ta nuk e ngritën zërin qoftë kolektivisht apo edhe në mënyrë individuale,kundër zullumit të bandave kriminale serbe në veri të vendit dhe zhvillimeve të padëshirueshme atje.

Asnjëri nga ta,deri më tani nuk dha ndonjë propozimi konkret apo edhe opinioni personal për gjetjen e një zgjidhje të mundshme apo të paktën të ofrojnë ndihmën e pse jo edhe dijen e tyre për shtendosjen e gjendjes së nderë e cila që sa kohë mbizotëron në veri. Edhe në këto kohë në të cilat ne po jetojmë,shqiptarët bëjnë gjumë të qetë,derisa heroizmi i mbrojtjes së atdheut tonë u mbetet ushtarëve të huaj,qofshin ata edhe me mision ndërkombëtar këtu, gjaku i të cilëve vazhdon të derdhet për mbrojtjen e atdheut tonë edhe sot

Nga analet e historive botërore mësojmë se në vendet tjera, jo vetëm se përkrahen dhe mbështeten,por nga intelektualët e vendit jo rrallë janë iniciuar edhe luftërat çlirimtare që shpesh herë kanë për protagonist kryesor intelektualët e dalluar të cilët zënë vende nderi në historitë e çlirimit të atdheut të tyre. Por, për dallim nga të tjerët,nga gjithë ajo sa përjetuan dhe vazhdojnë të përjetojnë edhe tani shqiptarët, intelektualët tanë bëjnë përjashtim jo fort për të mirë, bile ata edhe në situata të rënda që ka kaluar dhe mund të kaloj vendi dhe populli i tyre as sot nuk kanë guximin intelektual as njerëzor të deklarohen se janë në gjendje të marrjes së ndonjë përgjegjësie kombëtare mbi vete...



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora