Kulturë
Birçe Hasko: Në vitin 1979, kur varrosa babanë, në mbrëmje isha në skenë.
E shtune, 22.03.2008, 05:06 PM
Nga Albert Zholi
Mbititull:
Në vitin 2001 në Kanë në filmin “Parrullat”, një i moshuar pas filmi më thotë edhe tani të kam frikë.
Box
-Në vitin 2002 merr titullin “Mjeshtër i Madh”
-Në vitin 1991, merr titullin Profesor.
-Në vitin 2007 shpallet “Qytetar Nderi” i Orikumit.
Kur e takon Birçe Haskon, të jep përshtypjen e një njeriu babaxhan, të sinqertë, me një vështrim zhbirues (tipik lab), që nuk nxitohet të shprehet qartë dhe saktë. Flet me një zë kumbues, me theks vlonjat duke detajuar dhe ribluar çdo mendim të bisedës. Jeta e tij i ngjan një romani me shumë labirinthe, ku ai ka ditur të dalë në krye me një punë serioze dhe me shumë përkushtim. Në bisedë nuk pranon lavdërimet, sikurse është racional në vlerësime të pameritura. Vlerëson maksimalisht bashkpuntorët e tij në punë, por sidomos ata të skenës. Duke qenë gjithmonë kërkues, si pedagog, nuk ka asnjë vrarje ndërgjejge në vlerësime dhe nuk pendohet për kërkesën e lartë të llogarisë ndaj studentëve. I dashuruar me librin, nuk e shmang as gazetën nga sytë duke qenë gjithmonë në korrent të ngjarjeve.
Është një nga pedagogët më profesionalë të Insitutit të arteve që prej shumë vitesh jep kontributin e tij akademik në formimin e studentëve. I njohur për publikun e gjerë nëpërmjet disa roleve të spikatura në teatër dhe në filmin artistik zoti Birçe Hasko ka krijuar modelin e një intelektuali krijues, personaliteti i të cilit është i padiskutueshëm dhe një model i admirueshëm për brezin e ri. Njeri i këndshëm, inteligjent, i mbyllur ai bën pjesë në plejadën e atyre artistëve që nuk i preferojnë tribunat por që dinë ta thonë fjalën dhe shembullin e tyre aty ku duhet. Njeri patriot, familjar, besnik, idealist, erudit ai rrëfen në këtë intervistë thjeshtësinë e karaktetrit të një burri të suksesshëm, talenti i të cilit e ka ndihmuar të dalë në sipërfaqe, por karakteri i fortë e kanë bërë të qëndrojë aty ku duhet, i palëkundur dhe gjithnjë në pozitat e një artisti që nuk përqaf politikën për të zënë një vend në jetë. Në këtë intervistë, përveçse për profesionin e tij, punën e palodhur me breza të tërë aktorësh, ai me shumë sinqeritet tregon dhe për dashurinë e madhe të jetës së tij, duke sjellë për herë të parë në gazetën tonë jetën e tij familjare, dashurinë e madhe të jetës dhe rolin e tij të jashtëzakonshëm si prind. Kur e pyet për politikën ndalet. Të shikon fort në sy, tund kokën me mosbesim dhe thot me plot gojën një togfjalësh të një filozofi “Ai që merret me politikë, asnjëherë s’mund ta dijë vuajtjen e popullit, sepse e pengon mendjelartësia”
- Si është jeta si pedagog dhe artist i Birçe Haskos?
- Unë jam ai që kam qenë dhe bëj një jetë normale. Jam shumë korrekt dhe kërkues me studentët. Në arsim kam 42 vjet. 38 vjet i kam në Akademinë e Arteve dhe 4 vjet i kam në arsim fillor dhe shtatëvjeçar. Kam mbaruar shkollën pedagogjike dhe kam fatin të jem pedagog I mirëfilltë sepse njoh pedagogjinë, psikologjinë etj. Në kohën që kam punuar si mësues në Vlorë, çdo lëndë kishte dhe kërkesat e veta tepër profesionale. Kishim fatin që të gjithë pedagogët ishin kthyer nga Rusia dhe çdo lëndë kishte metodikën e vet. Kjo gjë sot nuk ekziston fare. Brezi tanishëm është shumë larg brezit tim, përsa i përket përkushtimit të punës, dashurisë për punën. Do të them një frazë fare të thjeshtë: “Atë që zë kali nuk mund të jetë kurrë karrocier i mire”. Mund të kesh profesione të ndryshme, por duhet ta duash atë profesion që ushtron. Edhe kur ka qenë sistemi komunist studentët më thoshnin “obooboo” sa i lodhshëm, por kur dilnin në punë vinin dhe më puthnin, dhe më thonin se të jemi mirënjohës për atë që ke bërë për ne.
- Po në skenë ?
- Përsa i përket skenës unë kam qenë me fat se edhe në vitet postkomuniste nuk i jam ndarë asaj. Unë i jam mirënjohës edhe talentit tim, por i jam mirënjohës edhe atyre që më kanë përzgjerdhur si Gjergj Xhuvanit, etj. Në kohën e Partisë së Punës bëheshin 14 filma në vit, ndërsa sot si zor të bëhen 2 filma në vit, një ndryshim i madh. Pra, ka një krizë filmike, kur ka kaq shumë aktorë profesionistë të vërtetë. Në atë kohë të gjitha shpenzimet i hiqte shteti. Ndërsa sot shteti jep një shumë fare minimale dhe duhet të gjesh ndonjë ndihmë të huaj që të bëhet një filëm serioz. Kështu raportet kanë ndryshur shumë. Filmi shqiptar ndodhet në krizë.
- Kur e keni luajtur filmin tuaj të parë?
- Filmin tim të parë e kam luajtur në vitin 1970, me tri telenovelat e Anastas Kondos dhe regjisor Piro Milkanin, (Armo, ura dhe Meçua). Kam luajtur me aktorin e spikatur Timo Flloko. Anastas Kondo për mua mbetet një krijues modest ku për rolin më ka uruar dhe përshëndetur me gjithë shpirt. Ai ishte gjeolog, dhe shkruante bukur. Ishte njeri me kulturë dhe kishte mbaruar studimet jashtë, në Rusi. Ai në këto novela tregoi kulturën e tijë profesionale. Piro Milkani është regjisori i parë që më ka hapur rrugën e bukur të skenës.
- Ku ishit në atë kohë që ju thirrën për të luajtur në film?
- Unë në atë kohë isha pedagog në Institutin e Arteve siç quhej atëherë.
- Në cilën vit keni ardhur në Institutin e Arteve?
- Unë kam qëndruar 3 vjet mësues në Tepelenë. Një vit drejtor shkolle në Poro të Vlorës. Nga drejtor Shkolle erdha student. Pra nga vitet 61-64 unë kam qënë arsimtar në Tepelenë. Kam qenë në fshatin Amanikaj. Pastaj shkova në Memaliaj në 11 vjeçare, ku jepja matematikë. Aty fillova të angazhohem me estradën amatore të qytetit. Shkolla e lartë për aktor ishte çelur në ’59-tën. Ky ishte viti ’64, dhe nëpër rrethe nuk kishin njohuri për aktrim. Edhe unë vetë nuk i kisha njohuritë e duhura. Një inxhinier që kishte mbaruar në Poloni më shikon në një shfaqe në Memaliaj dhe me një komposto në dorë më thotë: merre këtë dhe kam një sygjerim, duhet të vazhdosh shkollën për aktor. As nuk e mendoja se do të kisha talent. Erdha, konkurova meqë më tha ai dhe fitova. Më propozuan qysh athere për pedagog. Vitin e parë nuk më lanë. Erdha në Institutin e Arteve një vit më vonë. Kam patur fatin e madh që në rrugën time të artit skenik kam patur kolegë që secili u bë dikushi si: Timo Flloko, Lulzim Kani, Kristaq Mitro, Liljana Porova, dhe shumë të tjerë që nuk më kujtohen për momentin.
- Sa filma keni lozur në jetën tuaj skenike?
- Kam lozur 35 filma dhe 12 role në Teatër.
- Ku e keni ndjerë veten më keq në film apo në teatër?
- Askund nuk e kam ndjerë veten keq. Mua pedagogjia më ka mbajtur të freskët dhe më ka zhvilluar dhuntinë ta zbërthej rolin. Shumë herë me mirësjellje i bëj ndonjë sygjerim regjisorit, sigurisht për hir të punës. Unë respektoj çdo regjisor edhe atë që është shumë më i ri. Por i kërkoj me mirësjellje që të më bindë dhe ta bind. Asnjë profesion nuk bëhet pa mirëkuptim. Pa mirëkuptim nuk ka as marëdhënie të drejta familjare edhe me gruan dhe fëmijët.
- Ndjenjat maksiliste ekzistojnë ende në burrat shqiptarë, ju si jeni me këtë mendim?
- Jam shumë fisnik, por megjithatë përgjigjen mund ta japin pjestarët e familjes. Jeta është familjare, shoqërore dhe individuale.Unë nuk kam qejf të ndërhyj në jetën personale të tjetrit. P.sh. pse e ke shkruar kështu ose pse e ke veshur kështu ?! Në demokraci përgjegjësia është individuale. Shijet nuk mund të paragjykohen. Nuk mund ti përgojosh shijet e njerëzve. Këtu hynë zilia dhe cmira.
- Shoqëria shqiptare sot po kalon një krizë, fenomeni divorcit është bërë masiv. Mos vallë ka një liberalizim të jetës nga gratë, apo mos ndoshta është thelluar ndjenja maskiliste e meshkujve shqiptarë ?
- Ndoshta liberalizmi i një pjese të gjinisë femërore ekziston, sikundër dhe e kundërta. Kjo sepse ne kaluam një ndjenjë diktature brenda familjes. Tani me ndryshimin e sistemit menduan se demokracia erdhi vetëm për gratë. Por, kjo nuk është e drejtë, sepse demokracia erdhi për të gjithë. Në të gjithë botën familja është e shenjtë. Për brezin e ri është një mendim i gabuar që thonë se dashuria është thjeshtë seks.
- Është marrë ndonjëherë me politikë Birçe Hasko ?
- Kam qenë Sekretar Partie 2 herë në sistemin komunist në Institutin e Arteve. Koha bën të vetën.
- Po në Demokraci a keni vazhduar të merreni me politikë?
- I kam vënë vizë çdo gjëje. E kam harruar atë lloj profesioni nqs do ta quaj kështu. E urrej ligësinë, poshtërsinë, keqdashjen dhe keqbërësit.
- Pse nuk merreni me poloitikë më?
- Sepse me politikën e sotme është zverdhur çdo gjë. Sot në shumë drejtime ka vetëm hipokrizi. Hipokrizia është futur edhe brenda familjes, le më në politikë. Unë si qenie njerëzore kam alergji ndaj hipokrizisë. Fenomen apo ves tepër i shëmtuar.
- Kush ka qenë dita më e bukur skenike e Birçe Haskos?
- Dita më e bukur skenike ka qenë në Kanë në promovimin e filmit “Parrullat”, ku mbas mbarimit të filmit, në sallë ishin njëmijë veta dhe kanë duartrokitur mbi 10 minuta. Kjo ka qenë në vitin 2001, në festivalin e Kanës. Aty pas shfaqjes vjen një plak 75 vjeç, me bastun i cili çalonte. Ai kishte parë filmin dhe ndiqte konferencën e shtypit e cila zgjati një orë e dhjetë minuta. Pas konferencës, ai erdhi drejt duke më parë mua dhe më tha “urime për rolin dhe tani që ju kam përpara ju kam frikë”. Ky ishte një qytetar frances. Një urim tjetër përsëri shumë të mirë ishte ku poshtë Ministrisë së Jashtme (janë ato urat), më ndalon një qytetar (vitin me thënë të drejtën nuk e mbaj mend), ai më thotë: a do të vish në shtëpi sepse po bëj një raki shumë të mirë. Faleminderit i them. Ti je i dyti më tha, se i pari që kam pritur në shtëpi është Tano Banushi.
- Po dita më e vështirë kur ka qenë për ju në skenë ?
- Dita më e vështirë në skenë ka qenë në vitin 1979, kur më vdiq babai. Varrosa babain dhe në darkë kisha shfaqje në Tiranë. Bëhej takimi i teatrove popullore dhe profesioniste të Tiranës. Qaja mbrapa perdeve dhe pastaj dilja në skenë. Kjo ka qenë dita më e dhimbëshme në skenë dhe në jetë.
- Po si pedagog kush ka qenë dita më e vështirë për ju?
- Si pedagog nuk kam pasur ditë të vështira sepse duke ardhur nga shkolla pedagogjike kam qenë mësues i formuar, por në profesionin që kam, jam pjekur gradualisht. Mjafton ta dashurosh profesionin dhe objektivat arrihen.
- Sot vihet re një krizë në kinematografi apo në teatrin shqiptar, kjo mos vallë është për faj të aktorëve, apo të politikave ?
- Dhimitër Anagnosti ka thënë një fjalë të artë për vlerësimin që politika shqiptare i bën artit dhe sportit. Ai vetë ka qenë edhe ministër i Kulturës në qeverisjen e parë të Partisë Demokratike. Sipas tij, në shoqërinë njerëzore ka ca tuba, ka edhe ca rubineta. Rubinetat e fundit që hapen në kohën që jemi ne, janë ato për artin dhe sportin, d.m.th, po lanë gjë ato rubinetat sipër...! Tubat janë vetëm mjet komunikimi. Rubinetat kanë rëndësinë e madhe që varet nga pozicioni që kanë. Ato të poshtmet...!!!
- Kush është pengu skenik i Birçe Haskos?
- Unë nuk kam pengje, unë dua të krijoj meqë kam shëndet, sepse në artin skenik aktori don edhe shëndet. Ka një raport të çuditëshëm midis sportit, balerinëve, artit skenik dhe muzikës. Një balerinë mund të kërcejë maksimumi deri 42 vjeç. Futbollisti 39 vjeç. Ndërsa arti skenik ka jetëgjatësi por vetëm kur ka shëndet. Po të la kujtesa profesionale atëherë ke marë fund në artin skenik.
- Ç’farë urren më shumë tek një njeri Birçja?
- Urrej gënjeshtrën, hipokrizinë.Ti je ai që je. Ka raste kur gënjeshtra edhe pranohet, por të gënjesh dhe të mashtrosh që ti të përfitosh, është shumë e dëmshme.
- A jeni supersticioz në jetë ?
- Absolutisht jo. Unë e marr jetën siç më vjen. Jam shumë praktik, konkret. Ndikoj edhe në familje për këtë. Nuk më pëlqen as të dukem, këtë e them me thjeshtësinë më të madhe. Urrej të mbështetem tek njerëz që kanë pozitë, këtë e kam kategorike.
- Ushqimi juaj i preferuar?
- Mishi i pjekur në hell. Kur shkoj në Vlorë, në Llogara të Vlorës se atje është vendlindja ime, kënaqem. Më duket vetja si në parajsë. Më largohen streset dhe ajri i pastër më mbush me frymëzim. Magjia e detit më rrëmbën, më jep oreks. Por pëlqej edhe lakrën e egër.
- Ç’farë ju kujton Vlora në momente të caktuara ?
- Vlora për Shqipërinë është si Franca për Europën.
- Sot flitet shumë për flirtin. Ju c’mendim keni për flirtin?
- E urrej shumë flirtin. Unë jam monogam. Unë gruan e kam marrë me dashuri, nuk ma ka dhënë njeri me zor. Atëherë pse duhet ta tradhëtosh ?!
- Si i ka lidhjet me shtypin dhe librin Birçe Hasko?
- Marr gazeta të caktuara përditë, sipas lajmeve. Lexoj të paktën 40 faqe në ditë. I ndërroj gazetat që të mos mërzitem. Lexoj shumë libra poetikë, monografi. Leximi është si puna e ushqimit. Monotonia të vret, si në ushqim, si në të lexuar. Ç’farë e vret njeriun në jetë, është horizontalizmi, jeta e varfër. Kot nuk thonë 8 orë gjumë, 8 orë punë, 8 orë qejf.
- Mendohet dhe thuhet se Shqipëria ka aktorë potentë dhe fatkeqësisht ka pasur edhe disa vdekje të aktorëve të mëdhenj shqiptarë që pothuajse janë lënë në harresë, kush është mendimi juaj?
- Shqipëria ka aktorë potentë sepse ka shkollë ruse në Teatër. Ka qenë shkolla më e mirë në botë. Edhe Amerika e përdor sot shkollën ruse. Aktor të tillë si Alpaçino etj, kanë bërë shkollë ruse. Shkollës ruse për teatër dhe balet nuk i del zot përpara. Aktorët që kanë ikur kohët e fundit si zor ti voijnë shpejt Shqipërisë.
- Ka momente njeriu që del nga vetvetja për shumë arësye, a ka dalë ndonjëherë nga vetvetja Birçe Hasko?
- Nuk ka njeri që nuk del nga vetvetja, por ato janë momente shumë të vogla që nuk ja vlen të thuhen.
- Nuk ke bërë ndonjë gabim që të ndihesh i vrarë në ndërgjegjen tënde?
- Absolutisht jo. Artin e nis llogjika dhe mrekullitë i bën subkoshienca. Kështu kam qenë dhe jam në jetë, kështu jam edhe në teatër. Unë përdor logjikën e hekurt.
- Në qoftëse do të ishte i pasur Birçe Hasko çfarë do të bënte?
- Në qoftëse do të isha i pasur do të ndihmoja të gjithë të varfërit. Nuk ka gjë më të dhimbshur se varfëria, ku fëmijët nuk vazhdojnë shkollën dhe vijnë nëpër tavolina dhe shesin çakmak. Unë i blej kot çakmakët që na servirin nëpër tavolina fëmijët e vegjël, se më vjen keq se vijnë si fukarenj (loton).
- Mund të na thoni dicka nga dashuria juaj e parë, që ja vlen edhe për lexuesin?
- Kur e kam parë për herë të parë gruan që kam sot, kishte veshur një pallto të madhe të nënës së vet. Një pallto e kthyer mbrapsht. Tek ajo pallto më ngelën sytë. Ishte një vajzë e thjeshtë. Thjeshtësia e saj vinte nga fukarallëku. Edhe unë fukara kam qënë vetë. Ka qenë ditë Bajrami ku ne mbanim një qese në dorë dhe shkonim shtëpi më shtëpi dhe kërkonim karamele. Shkonim në mëngjes dhe kthehenim në darkë në shtëpi. Në një shtëpi kishin bërë hallvë me hime sepse nuk kishin miell, dhe sa dolëm nga shtëpia të gjithë e hodhën hallvën, sepse nuk u pëlqeu. Vetëm unë nuk e hodha sepse isha po aq i varfër sa ajo familje. Në nëj ditë të tillë njoha nusen time.
- Ndoshta shumëherë varfëria të bën më të përgjegjëshëm për jetën?
- Patjetër të bën më të përgjegjëshëm, më njeri, të bën të jesh shoqëror, fisnik, me logjikë dhe të kulturuar.
- Flitet shumë herë se në shkollat shqiptare sot ka probleme nga më të ndryshmet deri sa mer edhe nga 3 diplloma universitetesh, dhe niveli i këtyre të dipllomuarve vlen për tu dëshiruar?
- Sot çdo gjë është e kthyer në tregëti dhe kjo është e dhimbëshme. Babai im ishte me shkollë të vjedhur, shumë i mençur dhe na thoshte neve se atë dipllomën edhe mund të ta grisin por në qoftëse ke bërë shkollën si duhet atë e ke këtu në kokë. Diploma më e mirë është suksesi dhe përkushtimi në punën e përditëshme.