Mendime » Xharra
Fahri Xharra: Shqiptarët ortodoks të Maqedonisë!
E merkure, 18.01.2012, 09:04 PM
Shqiptarët ortodhoks të Maqedonisë!
“Të besohet në atë që thotë populli: gjaku nuk bëhet ujë. Dritë e tij verbon çmendurine gëlltitësve të hapësirës sonë…” Ali Podrimja
Nga Fahri Xharra
Vorbulla e historisë sonë gjithëshqipatre , ishte marramendëse. Askush nuk mendonte se nga ato përplasje centripetale drejt vrimës së zezë ,do të shpëtonim. Fortunat nga ato më të fuqishmet u munduan të na zhbënin ,dhe të na hudhnin në vrimën e pakthimit, duke na mohuar të kaluarën tonë, duke na çrrënjosur nga trungu i ynë mijëravjecar. Tjetërsimin tonë e kishin në përparësi; kush duke na shlyer dhe humbur historinë e kush duke na tjetërsuar në kombe tjera me qëllim të caktuar që të harrojmë vehtën tonë dhe një ditë të na vjen turp me atë se çka ishim.
“Mbaj mend, – e si të mos e mbaja mend, – vrazhdësinë e mësuesit tim të parë në Belçicë. Në vitin 1948 në shkollë më dërgoi motra ime, Jelica, pesë vite më e moshuar. Asnjëri nga fëmijët e fshatrave tonë, kur filluam shkollën, nuk dinim maqedonisht, meqë gjuhë amtare kishim gjuhën shqipe. Mësuesi (jam në dilemë nëse duhet t’i them mësues atij) më rrahu vetëm pse nuk dita si i thoshin kushëririt në maqedonisht. Që aty filluan peripecitë e ballafaqimit tim me asimilim të përdhunshëm gjuhësor dhe etnik”, rrëfehet Manojlovski,orthodoksi i parë shqiptar i Maqedonisë (IRMJ) që pati guximin të deklarohet ,dhe përfundimisht t`a pohon origjinën e tij të vërtetë.
Po ku qëndron e vërteta e këtyre shqiptarëve orthodoks në Maqedoni.?
Ata ,janë hala aty ,frymojnë aty ,por me një frigë të madhe të çfaqin thelbin e tyre kombëtar. Izolimet e mëdha iu vinin që në kohën e Turqisë . Ata duhej te veçoheshin ,për të ruajtur identitetin e tyre fetar. Atyre iu duhej të mëshifeshin , sepse si ortodhoks e kishin më të lehtë të mbijetonin.
Pas pushtimit serb në vitin 1913, familjeve shqiptare iu imponua mbiemri me parapashtesen –viq . S`kishin mundësi tjetër ose me –ski , ose me –iq apo –viq.
“Nënat tona nuk dinin asnjë fjalë maqedonisht
Mbretëria serbe, nga viti 1913 deri në vitin 1941 ushtroi politikë tepër barbare ndaj popullsisë shqiptare, të besim fetar mysliman, ortodoks dhe katolik, por edhe ndaj popullsisë maqedonase. Bile, maqedonasit as që i njihte për popull, kurse shqiptarët myslimanë mundohej t’i tjetërsonte në turq. Por ama përqendrimin fillestar asimilues pushtuesi serb e koncentroi ndaj popullatës shqiptare me besim ortodoks, duke e shpërdoruar për këtë politikë asimiluese edhe kishën nacionaliste serbe dhe besimin e tyre, prandaj shqiptarët ortodoks i pat “konvertuar” zyrtarisht në serbë.”-
rrrëfehet Branko Manojlovski nga fshati Kiçinicë i Rekës së Epërme të rrethit të Gostivarit në “Koha “ të Shkupit.
Edhe Jugosllavia e Titos kur e krijoj Maqedoninë si republikë e vazhdoi në të njëjtën mënyrë me shqiptarët ortodhoks. Po këta të sotit?
Janë edhe shumë shqiptarë tjerë të Maqedonisë që janë otodhoks e që nuk guxojnë të flasin se çka janë.
Prof. Skënder Karaçica për asimilimin dhe përkatësinë kombëtare të shqiptarëve ortodhoksë në Maqedoni, e jep me një të dhënë nga udhëpërshkruesi anglez H.N.Brailsfort,në librin e tij me titull “Maqedonia, racat e saj dhe ardhmëria e tyre” të botuar në Londër(1906), i cili ka vërejtur se: “Nga racat që jetojnë sot në Maqedoni, vetëm shqiptarët mund të thuhet se janë autoktonë. Shqiptarët ortodoksë ishin të pranishëm njëlloj në krahasim me shqiptarët e besimeve të tjera, afërsisht njëlloj në gjithë Shqipërinë e Mesme sa ishin të pranishëm në Durrës, Tiranë, Elbasan, Librazhdë, Pogradec, aq ishin edhe në Strugë, Prespë, Dibër, Gostivar, Krushevë, Manastir këto janë venerimet shkencore të kohës. Në këtë rrugë të asimilimit mbetën të paprekur për një kohë shqiptarët ortodoksë të Rekës së Epërme të Dibrës me fshatrat Duf dhe Jellovicë të Gostivarit, pastaj të fshtatraved Labinishtë afër Shën Naumit (Ohër) e ndonjë tjetër dhe pjesa tjetër nëpër qytete”, thekson Karaçica.
Duhet përmendur intelektualin e Rekës së Epërme Josif Bageri,i cili duke qëndruar i fortë në tabanin kombëtar shqiptar, i cili duke i ra grusht propagandës antishqiptare pati thënë më zë të lartë: Gjithë sa jemi shqyptar, Kemi një gjak dhe një farë...Nona që na rriti n’gji,Të gjithë ne na ka fëmi. Për të vazhduar protestën intelektuale shqiptare: O sa keq tash na turpnuet, Se gjuhën e vet mohuet! Dhe serbishten zut të msoni: “Vake take” të na thoni.
Shqiptarët orthodoks që nuk janë pak ,sot ata janë mbi 15% të popullatës së Maqedonisë,atyre nëna iu ka folur shqip,gjyshërit e gjyshet iu flitnin shqip. Por vorbulla historike e kërkonte shlyerjen e tyre herë nga e majta e herë nga e djathta. Ishte fortunë e madhe kur ,kurrkush nuk guxonte te fliste,e as të çfaqëte përkatësinë kombëtare.
Njerëzit këtu ende nuk janë të vetëdijshëm., jo nga mosdija por nga frika se Historia do ta bëj të veten, dhe të thuhet e vërteta dhe se është e vërtetë se Reka e Epërme me të gjitha fshatrat, e gjetiu kanë folur shqip deri në vitin 1960 .Normalisht, gjithkush ndjehet ashtu si dëshiron, por gjenerata e re duhet ta dijë të vërtetën. Vetëm nëse iu tregohet e vërteta ata do të shkunden nga errësira që iu është imponuar.
Edhe Kalaja e Shkupit e meshefë të heshturën e shekujve. Edhe aty kishte kishë otodhokse shqiptare. Ajo apo ato u rrënuan. kurse tani sllavishtfolësit e duan ta përvetësojnë historinë tonë e të mbjellin një kishë të tyre. Orthodoksët shqiptarë, ata nuk guxojnë të të flasin ,ata nuk guxojnë të çfaqën e lere më të kërkojnë kishën e tyre ortodhokse shqiptare.
Historia e jonë ende duhet të i ruhet forcave centripetale që me ngulm e shtyejnë kombin tonë drejt vrimës së zezë të përpirjes.
Ku është Kisha ortodhokse Autoqefale e Fan S. Nolit në Shqipëri që nuk bëzanë. Pse ajo nuk e ngre zërin në mbrojtje të vëllezërve tanë otodhoks shqipëtar të Maqedonisë? Pse ajo me autoritetin që e ka, nuk ndihet? Kujt i frigohet? Të kërkosh të tëndin ,të kërkosh mbrojtje për të tëndin nuk është e denueshme as nga zoti e as nga humanizmi.
Të ishte Fan S.Noli gjallë ,ai këtë do ta bënte. Me siguri, do ta bënte.