E merkure, 01.05.2024, 03:11 AM (GMT+1)

Përjetësi » Mani

Speciale - Kadri Mani: Vëllai im - Avdi Osmani

E enjte, 28.02.2008, 10:57 PM


Avdi Osmani (10.5.1933)
Kadri Mani

VËLLAI IM- AVDI OSMANI
Punëtor për kokë të punëtorit i mirënjohur në anët tona

Me vëllain tim Avdi, fillimisht i kemi ruajtur bagëtinë bashkë: ai të trashat dhe unë të imtat, por vijimisht duke u kujdesur t’i porosiste barinjtë më të mëdhenj që të më kenë në kujdes dhe të vraponte shpesh deri tek unë që të më jepte zemër e të mos mërzitem, si vëlla më i vjetër që ishte, nja 3 vjet e gjysmë.
Katundi ynë Makreshi i Poshtëm, komuna e Artanës (ish-Novobërdë), s’ka pasur shkollë, por Mejtep- shkollë fetare myslimane. Pas një ndërprerjeje, për shkak të luftës, ajo u rihap dhe moshatarët e Avdiut u regjistruan, ama ai i vyente Babës për punë dhe më dërguan mua 6-vjeçar.

Këtu unë jam ndarë nga puna fizike, ama jo krejtësisht: vëllai më merrte për dru në fshatin Marec, te Dajt e babait. Atje e prisnin ahin qindvjeçar vetëm për gjethe e bulëza (që ne atëherë e quanim-“kron”, ama nuk e ka as fjali ynë as ai serbisht-shqip?) ushqimi të dhive!- dhe aty do të kalbej ahu, po të mos e merrnim ne pjesë-pjesë!
Dhe degët e shtrembëta i linim për vete, kurse të drejtat i çonim në Gjilan për shitje: i shitnim dhe i mbathnim qetë, blinim krip e vajguri dhe prapa në shtëpi, pa asnjë fitim më tepër!
Këto punë i kryenim të dielave ose festave, kur rojtari i pyllit nuk shkon në terren! Unë kisha dëshirë të shkoja në festa, ama këtu Avdiu nuk lëshonte pe:
-Çka është Një Maji?
-Festa e Klasës Punëtore.
 -Festë më të madhe se të furnizohemi me dru- s’ka! Rojtari sot është i dehur! Ne duhet ta shfrytëzojmë rastin!
Dhe shkonim në bjeshkë Marecit, i linim qetë poshtë te kroi, kurse ne ngjiteshim në kreshtë majë malit dhe i zvarrisnim drutë te poshtë: derisa unë e çoja poshtë një vishkull, duke u ruajtur se mos po përlloçem, çfarë të dëgjoja, ushtonte bjeshka sikur ta kishin përfshirë njëqind djaj, vallë, çfarë po ndodh!?- vëllai im i kishte shtruar dy drunj dhe të tjerat i ka ngarkuar mbi ta e vetë është mbrehur si kali në qeze, dhe përnjëherë një qerre dru i sillte poshtë!!
Kështu ditën e natën, më tepër natën! Ndodhte të na thyhej njëra rrotë, mua sa s’më çahej zemra, po çfarë të shihja- vëllai im po qeshte! E hiqte rrotën e thyer dhe e ngulte mbi një njërin hu të qerres dhe një vishkull e fuste mbi boshtin e qerres së përparme dhe e lëshonte të shkojë zvarrë: në tri rrotë-qerre e në njërën- sajë! Sikur të mos kishte ndodhur asgjë!?
Kështu ditëve të festave, ndryshe kur unë shkoja në shkollë, ai këto punë i kryente vetëm! Dhe derisa vinte në orët e vëna të natës, nëna Salihe- Sala qëndronte me kokë në dritare, e brengosur se mos po ia gjente gjë djalin!?- dhe sapo e dëgjonte kërcëllitjen e qerres poshtë te lumi, ajo shend verë po i hapte dyert e oborrit dhe po i dilte përpara!! Dhe punët tjera komplet që ka çdo shtëpi fshatare: nxjerrja dhe bartja e gurëve, çelja e bunarëve, qitja e plehut, lërimi i tokës, bluarja e drithit dhe fjetja në mulli, prashitje e kositje, korrje-fshirje... Fillova edhe unë të prashit me argatë, ama vëllain e kisha pranë dhe ai e çonte rendin e vet dhe timin, po prashiste për dy veta, që të mos ankohej kush se isha i vogël dhe s’kanë hesap ta ndërrojnë argatin e vet me timin!? Një ditë prej ditësh, Avdiu kishte bujtur te motra Bejnaze në Përlëpnicë, dhe është ngrehur herët, sapo kishim filluar të prashitnim misër te Zeneli i Zekajve, dhe sapo i ka ndërruar rrobat, erdhi te ara, dhe derisa ne po mendonim se ka vrapuar ta zë argatin e vet?- ai më tha të shkoja në shtëpi se ai e vazhdon, se unë qenkam ende i vogël!!
Pastaj Avdiu pati fatin të martohej me zonjën e devotshme, Shaha Rexhepi- Dervodeli, familje kjo nga muhaxhirët të shpërngulur nga Toplica;- dhe kanë gjashtë fëmijë, tre bij e tri bija të martuara e të rregulluara, kanë 14 nipa e mbesa!!
  Kështuqë ka kush kujdeset sot në kohë të pleqërisë e të sëmurjes që e ka mbërthyer në shtrat: e ka renë- portret i nuses shqiptare, quhet Bedrije Mahmuti-Osmani nga fshati Lladovë, afër Zhegrës; emri i kësaj nuseje duhet të shënohet me shkronja të arta, se si kujdeset për vjehërrinë sikur për prindërit e vet!!
Dhe pavarësisht punëve të rënda, Avdiu ishte dashamirë i arsimit dhe i shkolloi të gjithë fëmijët, madje edhe na e la amanet trungun gjenealogjik:
 
TRUNGU YNË GJENEALOGJIK
Reciton Lira Osmani 11-vjeçare, kl. e V-të e shkollës fillore

Baba e gjysh na e lanë amanet
Që sekush ta mësojë rrënjën e vet
Unë jam Lira e bija e Mitatit
Mitati është i biri i Avdiut
Avdiu i biri i Muratit
Murati i biri i Halimit
Halimi i biri i Osmanit
Osmani i biri i Aliut
Aliu i biri i Ahmetit
Ahmeti i biri i Aliut
Aliu i biri i Xhaferit
Xhaferi i biri i Kolës...
Kaq e dita kaq e recitova
Nga gjyshi Avdi e mësova
Unë do t’ia mësoj vëlla Lisit
Që ta ruajmë fis pas fisit...

Tutje vijon rrëfenja se Kola me një vëlla dhe me një nip të vetin, të ardhur nga Shala e Bajgores, në fillim janë vendosur në Kmetovc e në Busavatë, e mandej, pas degëzimit, edhe në Makresh e në Konçul. Këto katër fshatra janë të fisit shaljan. Kjo rrëfenjë e përcjellë nëpër breza, e përgënjeshtron historiografinë e montuar serbe për kinse prejardhjen e banorëve të këtyre fshatrave është nga Shqipëria Veriore. [1]

Viteve të fundit vëllai im Avdi Osmani po  vjen shpesh në Spitalin e Prishtinës. Edhe tash, funmuaji shtator dhe fillimmuaji tetor 2007 gjendet në spital, është bërë operacion nga prostata.
Në një fjetë me vëllain tim janë edhe pacientët: Isa Morina, nëpunës nga Gjilani, Mehmet Gashi nga Malisheva, një mysafir që po vjen në vizitë dhe po takohemi, Selim Shala, ishin edhe dy fëmijë dhe pas mjekimit u lëshuan e shkuan...
I shënova këta persona të vendeve të ndryshme e të moshave të ndryshme, për të konstatuar se Avdiu është një person i shoqërueshëm me të gjithë dhe i dashur dhe i hareshëm e gazmor, madje edhe në shtrat të dergjjes!
Avdiu hyn në biseda edhe me familjarët e pacientëve dhe bëjnë muhabete e shaka dhe qeshen pateklif!
Ah sëmundja! Sëmundja dhe pleqëria!! Puna e rëndë fizike që nga fëmijëria! Kurrë nuk iu kanë nda vuajtjet dhe skamja! E provoi dhe mërgatën në Austri!
Se gati i harrova shpërnguljet: kushdo që është shpërngulur nga banesa në banesë, nga shtëpia në shtëpi, nga katundi në qytet... Andiu ka qenë i pari për ndihmë të pa kursyer ngarkim-shkarkim!!
Sot më datën 13.2.2008, shkova në Gjilan ta vizitoj vëllain e sëmurë, Avdia ishte keq, më i sëmurë se përpara: ishte bërë nervoz dhe e kishte humbur humorin; e ky është një shenjë e keqe... I ishin ënjtur duart nga injeksionet e shumta si dhe shpesh të dhëna në mënyrë të ngutshme e pa kujdes apo në mënyrë joprofesionale!?
Këtu është vendi për një përkujtim dhe për një krahasim: pas Luftës së Dytë Botërore (jo-çlirimtare!), patën bërë gara xehetarët, dhe fillimisht vendin e parë e ka pasur një rus, Sahatanoviq. Këtë rekord e patën thyer boshnjaku Alija Sirotanoviq dhe shqiptari Sulejman Vreva. Portretet e tyre kanë qenë edhe në kartëmonedha, dhe nëpër kongrese, ata uleshin në plan të parë tok me udhëheqjen më të lartë të vendit, pra, atëherë kur çmohej puna. Dhe pak më vonë kur filloi të nënçmohej puna, ata nuk po i thërriste kush nëpër kongrese, portretet ua shlyen nga kartëmonedhat!!
Dhe e pyesin fëmijët gazetarin:
-Kush kanë qenë Alija Sirotanoviq dhe Sulejman Vreva?
-Ata kanë qenë këngëtarë!!
Kështu- thoshte gazetari- iu thashë fëmijëve që sadopak t’u mbajnë mend emrat, se po t’u thosha se kanë qenë xehetarë, as emrat nuk do t’ua mbanin në mend!!
Pasi jua përkujtova garat e xehetarëve, tash do ta bëja një krahasim me Adiun tonë: sikur t’ishim mbajtur gara edhe në bujqësi, s’ka dyshim se ndër të parët do të dilte vëllai- Avdi!?!

  1. Anastasije Uroševi?: NOVOBRDSKA KRIVAREKA, Prishtinë-1969, f. 73.


Vëllai Avdi në shtrat lëngon

Avdiu është bërë operacion prej prostates
Bisedojmë për të djeshme, të sotme, të nesërme
Ndalemi te fshati ynë Makresh e të Busavatës
Cilët bunarë çmoheshin e ku rridhte një çezme?

Vëllain e nguc kolla e na kthen në realitet
Fjetën e ka të rregulluar dhe me furnizime
Por dhembjet i ka të mëdha e përpëlitet vet
Se si t’i ndihmoj ç’po vuan kjo zemra ime?

E shikoj: dhe vuajtjet ia lexoj në fytyrë
Vallë, them a është ai vëllai im gjigant?
Që mundimet e jetës e kthyen në mynxyrë
S’qe në luftëra, beteja e punës grin nagant!

Shkojnë vizitorë shumë e troket mysafiri
Njerëzit flasin edhe sekush diçka tregon
E jashtë frynë suferina dhe të thanë zefiri
Vëllai me duar të ënjtura, shpirti im lëngon

E kam pasur krah dhe kujdestar prej prindi
Me ty do të mburremi sot e mot gjithmonë
Punëtor të tillë njëherë nëna shqiptare lindi
Se nga puna burojnë vlerat, ardhmëria jonë!

Mysafirët i pret dhe i përcjell zonja Bedrije
Reja e tij e zgjuar portret i nuses shqiptare
Punëtore energjike, është për hije e për fije
Amvise-edukatore e devotshme përparimtare



(Vota: 2 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora