E diele, 06.10.2024, 08:55 AM (GMT+1)

Mendime

Dom Nikë Ukgjini: Turqia do rishikim tekstesh? Të kërkojë falje publike për pushtimin

E diele, 25.09.2011, 07:30 PM


Turqia do rishikim tekstesh? Të kërkojë falje publike për pushtimin

 

Nga Dr. Dom Nikë Ukgjini*

 

Në kohët e fundit, nga bota politike është hedhur deklarata për rishikim të historisë shqiptare nën pushtimin osman dhe eliminimin e paragrafëve fyese nga librat shkollorë etj. Kjo deklaratë bazohet në një kërkesë të bërë nga Komisioni Evropian, "Për ndryshimin e gjuhës së urrejtjes në Ballkan". Nga ky debat politik janë joshur dhe disa intelektualë të njëanshëm në Kosovë dhe Shqipëri, të cilët në kohën e fundit, përkundrejt ndonjë lloj shpërblimi, janë të gatshëm ta rikorrigjojnë vetveten, duke dalë "pro rishikimit" të lëndës së Historisë dhe të Gjeografisë në tekste shkollore për periudhën osmane. Është e vërtetë se "Quot homines, tot sententiae" (sa koka, aq mendime), por mendimet që dalin nga njeriu si mendje hyjnore, duhet të jenë në harmoni më falën e urtë latine: "Nihil est veritatis luce dulcius" (Nuk ka gjë më të ëmbël sesa drita e së vërtetës).

Nga dokumentet e kohës, të cilat gjenden në arkivat e qendrave evropiane, shihet shumë qartë se si pushtuesit përdorën metoda të ndryshme për ta nënshtruar popullatën vendase: si, sistemi i devshirmes (jeniçerizmi), sipas të cilit merreshin djem nga familjet e krishtera shqiptare dhe dërgoheshin në Stamboll. Kjo dukuri, e cila zbatohej në perandorinë osmane që në kohën e sulltan Muratit II nga viti 1451 e në vazhdim, kishte goditur në palcë shpirtin e shqiptarit të robëruar. Për këtë fenomen të dhimbshëm flet edhe ipeshkvi i Shkodrës Benedikt Ursin në relacionin e tij dërguar Selisë së Shenjtë (Vatikanit) në vitin 1628; taksa e xhizjes për të krishterët, e cila përbënte një presion social dhe ekonomik në rritje, e për të cilën na flasin shumë qartë defterët e ndryshëm nga ai i Shkodrës (1485) e të tjerë, si dhe relatorët e shumtë të Selisë së Shenjtë, prej të cilëve Marin Bici në vitin 1610, Pjetër Budi, Frang Bardhi, Shtjefën Gaspri etj. Gjithashtu kujtojmë edhe ekzekutimet, ndëshkimet e shumta, ndalimi me ndëshkim i shkrim-leximit dhe hapjes së shkollave në gjuhen shqipe etj.

Historia na tregon se perandoria osmane, me urdhër të Sulltan Selimit, II nga viti 1569 bëri konfiskimin e pronave të kishës dhe objektet në gjithë perandorinë, përveçse në Konstantinopol, Brussi dhe Andrianopolis, për t'i shndërruar në xhami, depo municionesh, kazerma ushtarake etj. Nga ungji, Gjoni, mësojmë se pas vdekjes se Imzot Pjetër Bogdanit në vitin 1689, ushtarët turq e zhvarrosën trupin e tij nga kisha e Prishtinës dhe ua hodhën qenve përgjatë rrugëve të qytetit, ndërsa ipeshkvi i Shkodrës, Anton Zezaj (Neri) në vitin 1701 qe varur në litar në qendrën e qytetit nga qeveria osmane. Ky presion ndaj priftërinjve, vendas apo misionarë, ushtrohej për t'i treguar popullit se nuk kishte kush t'i mbronte, se edhe ata do t'i gjente i njëjti fat në qoftë se nuk do t'i nënshtroheshin pushtetit. Ngjashëm njoftojnë të gjithë relatorët e Selisë së Shenjtë, si Pjetër Massareku, Pjetër Bogdani, Vinçenc Zmajeviqi etj. Ekzekutime, torturime dhe shpërngulje masive pati edhe pas luftës ruso - austriake kundër Turqisë në vitet 1735 - 1739.

Si përmbledhje të asaj çfarë ka ndodhur, studiuesit e huaj të paanshëm si: Georg Stadtmüller, Peter Bartel, amerikani, Jacques E. Edwin etj., pohojnë se: turqit për katërqind vjet më radhë i detyruan shqiptarët me shpatë dhe me taksa që të tradhtojnë krishtërimin.

Se pushtimet osmane për ne shqiptaret, lanë pasoja të mëdha politike, dëshmon fakti i Kongresit e Berlinit 1878 dhe ai Londrës 1913, ku përkundrejt peticioneve protestuese për mos copëtimin e trojeve shqiptare, të dërguara nga Lidhja Shqiptare, Fuqitë e Mëdha duke identifikuar shqiptarët në masën 70% të islamizuar më turqit, pa ndonjë hezitim vendosën që tokat shqiptare të bëhen plaçkë tregu ndërmjet: Perandorë Osmane, Greqisë, Bullgarisë, Serbisë dhe Mali të Zi.

Ngjarja e pushtimeve osmane me një përshkrimin kreativ do ishte "si një mortajë e zezë", e cila tjetërsoi një pjesë të jetës shpirtërore të shqiptarit, në aspektin politiko-shoqëror-kulturor, socialo-psikologjik dhe fetar.

Është shumë e qartë, se qytetërimet, përgjithësisht kanë qenë dhe mbeten baza kryesore, rreth të cilave krijohen aleanca të ndryshme politike, ekonomike dhe ushtarake dhe boshti i integrimit të shteteve evropiane, por është dhe e qartë, ato dallohen midis tyre nga historia, gjuha, kultura, traditat dhe, në një masë të madhe, nga besimi fetar.

Qarqet politike dhe intelektuale në Shqipëri e më gjerë duhet të përfshihen në një debat, jo si ta shpërfillim realitetin historik të popullit tonë, duke i hyrë në hatër njërës palë apo tjetrës, por duke e nxjerrë në pah pjesën e lavdishme dhe atë të hidhur të populli tonë, të shkaktuar nga pushtuesit e njëpasnjëshëm, e sidomos të perandorisë osmane, e cila zgjati për gjatë 450 vite më radhë. Nëse qeveria e tanishme turke merr përsipër ta identifikojë veten me perandorinë osmane, atëherë ajo, jo që duhet kërkojë rishkrimin e historisë, por të bëjë një "mea culpa" (punë të pendimit) publike ndaj popullit shqiptar.

Tema bosht e polemikës, edhe pse nuk pohohet qartë, është mohim i pushtimeve osmane dhe çështja e islamizimit të shqiptarëve. Këtë lloj kërkese, para disa ditëve, në favor të serbëve e bëri dhe ambasadori serb gjatë një vizite në një shkollë në afërsi të Fierit. Shtrohet pyetja: Po tani, me çfarë terminologjie do shkruajmë në librat shkollorë?! Pastaj, a do bëjmë asgjësimin e të gjithë dokumentacionit arkivor brenda dhe jashtë vendit, i cili flet për pushtimet osmane?! Apo diç tjetër!?

Kur qeveritë aktuale dhe intelektualët, me të drejtë ngulmojnë që të zbardhen krimet e komunizmit, tani me çfarë ndërgjegjeje kërkojnë që të heshtet mbi krimet e perandorisë osmane dhe eventualisht nesër, të atyre serbe, të shkaktuara gjatë luftërave ballkanike dhe më vonë?

Sokrati do thoshte: "Të njohësh të tjerët është dituri, të njohësh vetveten është iluminizëm".

Të polemizohet rreth këtyre çështjeve se, a kanë qenë shqiptarët të pushtuar apo jo, dhe se pushtuesit kanë ardhur me lule dafine, është humbje kohe dhe polemikë e tejkaluar. Shqiptarët janë në proces të ripërcaktimit të identitetit të tyre qytetërues drejt atij perëndimor, drejt atij qytetërimi prej të cilit u shkëput forcërisht shekuj më parë, prandaj duhet thundruar mirë në mendjen dhe shpirtin e tyre fjala e urtë latine:

"Amicus Plato, sed magis amica veritas" (E dua Platonin, por më shumë e dua të vërtetën).

 

*Historian- Instituti Filozofik dhe Teologjik në Shkodër.

 



(Vota: 3 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora