Kulturë
Ramiz Bojaj: Cikël poetik nga libri "Lot mbi muranë’’
E marte, 13.09.2011, 06:57 PM
Ramiz Bojaj, u lind me 20 nëntor të vitit 1974 në Kërrnicë të Klinës. Shkollën fillore dhe të mesme i mbaroi në vendlindje dhe në Klinë, fakultetin e filologjisë e mbaroi në UP, dega “Letërsi dhe gjuhë shqipe”. Me shkrime letrare merret që nga mosha e re. Ramiz Bojaj, për gjashtë vjet ishte redaktor dhe kolumnist në të përditshme “Bota sot”. Aktualisht është analist politik në të përditshme “Kosova sot”, dhe bashkëpunëtor me të përditshmet shqiptare, “Koha jonë”, “Gazeta-
Ramiz BOJAJ, Poezi
KRONIKË E SHEKULLIT TIM
Kur njeriu vrau qenësinë e tij
Fëmija pas një zogu rivritej përsëri
Nga mallkimet e etnisë
PARANTEZË
Kur ndjeja lotët e parë
Më priste fundi botëlindur
Thikat e ortodoksisë
Buzëhollë etjeje
Njelmoseshin pikimet murim
Se kuptoja pse me prenë belbëzimet
Fjala mbetej ne fyt plot qumështim
Lotët në faqe pikonin ëndërrmerzitur
Unë përkëdhelesha akullisht
Në kohtë të nxirë futë
Ku liria e plumbi lindnin bashkë
KOSOVË
Një pikë shi pikon mbi ty
Nga qielli i hapur
Pikëkuqe që rrjedhin si lumë
Oqean lotësh
Belbëzimi i parë hijeshon biografinë tënde
Me emrin ILIR
Dardani a Shqipëri
Lulekuqe e qelur në horizont…
GONXHES
Rritur në mimiuka nina-nënash arbërore
Etjen shove në ujin e bokave të lashta
Uratë Dardanie jetësi në Kalkutë
Nënëmadhe e bëmirësisë së përbotshme
Njomë buzët shkumb në oqeane lotësh
Yll drite në zemrat e thyera të botës së egër
Ëndërr universi mbuluar me dashuri
ARBDHE
Të ndjeva në zemër
Mishërim gjaku
Arbdhe
Planeti im
Deti im
Lindja dhe varri im
Dashuri e pafund më je
Më e zjarta më e flakta më e bardha
Mes jetës dhe amshimit
JETO ME MUA
Merr ujë nga vorba ime prej balte
Bukën merre nga qerepi im
Mbi shkrepa të ashpra trimërore
Në kodra të vrerëshme
Endu si kalorës I vjetër ilir
Jeto nga gjaku I fisit tim të lashtë
Në qenësi universi-fitimtar
Unë e ti jemi një
Përse nuk ma thua këtë…
ME DASHURINË TËNDE
Ma jep një yll
Nga qielli i botës sime
Të ngroh zemrën, vetëm një qast
Ma jep hënën
Të ledhatoj mbrëmjet e vona
Heshtje vrarë
Ma jep një rrezediell
Të ngroh tërë trupin tim plagëhapur
Një lule qe dua ma jep
Kurorë universi të bëhëm
Ma jep një puthje
Të vdes mbi dashurinë tënde të përhershme
PORTRET NË ZEMËR
(Major Feriz Bojajt, luftëtarit të Shaban Polluzhës)
Kujtim fisi në faqe historie
Në teatrin e shkujve tragjik
Ku digjej e përvëlohej zemra e fisit
Shqipe flakëpërgjakur
Mes grilave sllavërie
Ngurtësuar në mish e gjak arbëtari
Mëngjeseve kur qel rrezeagu
Stinëve mushtin ua merr
Jeta jote lapidar lirie
Homazh të bëjnë kohërat
Betejat lulëkuqet
Rrugëtimi yt flijim
Zemër që frymon
Liri për brezat
SUPERKOHË
Supernjeriu modern
Me intuitë supervdekjeje
Lindje e thjeshtë vdekje primitive
Në kohëra mizore
Për hirin tënd
Flijim çdo fundshekulli
Botë e grisur
PORTO ROMANO
Vjetërsi motesh shkelur
Porto romano
Rrethim xhemboresh
Guaca ngul thellë në baltën e zezë
Ëmbëlsi valëdeti
Dallgëplasë tmerr dhe bunker
FATI IM
Nga jeta në jetë
Me vendin tim
Me lotin tim
Me gurin tim
Me ashtin tim
Qëndisur me gjak
Libri im
Ashti im
Arkeologji e thyer
Në shekuj jetim
LOT MBI MURANË
Në gjirin tënd muranë
Qumësht erdha të pi
Qumësht që shëron përgjithmonë
Pamjen e syve të mi të verbuar
Stinëve të djegura nga malli
Kur të dua ty përlcet djalli
Muranë në zerën dhesisë
Muranë e gjakut
Muranë e jetës
Muranë e vdekjes
EKSPOZITË E HAPUR
Muze vrimash me skeletal kafkash
Me dhimbje harresash e lot
Krimbat ia shponin ashtin odiseut
Në zgavrat e qelura vallëzonin orgjitë
Në rrugët e djegura shkrumb e hi
Renkonte qielli mortor
Kafkat kullonin gjak pa ndalë
Ftesë për liri shekuj e shekuj
Ekspozitë e hapur qiellit
Mbi Kosovë
LIRIA E RREMË
Vrarë më ka qenësimi im
Kur imitonim lirinë e rreme
Kur me shpjegonin në hartë
Copat e ndara të atdheut
Një det urrejtje tinëz më mblidhej në shpirt
Të pëlcas thosha
Ndonëse gati isha i vrarë
Vdekja ishte vrarë qindra herë
Por edhe dashuria ime e vjetër
I huaj bëhesha në tokën time
Në pragun tim me baltë
E hile kurrë nuk kasha për be
Me bukë e lotkripe të nënëlokës së plakur
Bëhesha ANTE…
ÇAMËRI
Shpirtë i gjallë betejave flijim
Heshtja se ndinte peshën e fajësisë
Kur nëntoka e verbër ia thithte gjakun bijve të çmerisë
Mbi tempujt e përgjakur të arbërores së lënduar
E lotova historinë e lashtë
Gjurmë gjaku të tharë
I etur nga plagomat e trupit tim
Për një emër lirie
Historinë e lava sërish ma gjakun tim të njomë
Legjendë
(Kur harrohet të vdiset)
Xhamadani lëshuar krahëhapur
Shekujt rëndonin zvarrë në qafë
Baladat shkruheshin në ballin e burrë dheut
Frengjitë dritonin shtegtim guri
Netët nevrastënie plasnin ç’do natë
Gurët bëheshin prush kulla zjarr
Fytas kapëshin mitet e rremë
Shigjetat ngulur në kullë gurë
Rrufetë zjarr shuheshin në valë gjak
Shqipja nxirrte kthetrat në folenë e vet
Neperkat vargoheshin zvarrë në lëvozhgat e trungut të vjetër
Zogjtë e posaçelur merrnin forcë e krye
Fjalët dritëronin në kullë
Shkronjat alfabetonin thëmele shekulli
Lehtarët binin në tokë për vdekje
Kohërat e palara jargonin puthjet dhëmbë thyer
Motet nuk dinin të falnin kurrë…
Shpirtë pafajësie lëshonte shtat në rritëdjep
Në krahëror shkruheshin një fjalë biografi
Shqipja flakëronte lirshëm mbi kulm në flamur
Asht e kafkë kullonin gjak motërzimesh
Trup mbështjellë aromë toke të vjetër
(Kjo poezi u kushtohet hernjove në Prekaz të cilët u bënë pranverë të lirisë shqiptare)
(Marrë nga permbledhja potike: “Lot mbi muranë”, botuar nga SHB, ‘Kadare’, Prishtinë-2003)