E marte, 22.06.2021, 10:13 PM (GMT+1)

Kulturë

Baki Ymeri: Revista Shqiptari me fizionomi të re

E marte, 30.08.2011, 09:00 PM


REVISTA SHQIPTARI ME FIZIONOMI TË RE

 

Nikolla Naço militoi një jetë të tërë për çështjen e atdheut dhe u shua si një engjëll: ”Plagët e shpirtit t’im u shëruan! Tashi le të vdes! Zot’ i math, më paska falur një vdekje të ëmbël. Rroftë Shqipëria!”

 

Nga Baki Ymeri

 

Duke e ditur se parashikimi është nëna e mençurisë, Nikolla Naço e parashihte se vepra e tij do të vlerësohet pas 100 vitesh. Por ja, brenda 4 muajsh kalon 100 vjetori i vdekjes së tij, dhe ende nuk e dimë në Shqipëria e pat parashikuar për ta kremtuar me dinjitet, siç i ka hije, siç ishte e denjë dhe krenare jeta e tij e mbrujtur me ideale të shenjta të atdhedashurisë. Jeta e Nikolla Naços (1843-1913), sipas Rebeka Burdës, ishte jeta e një njeriu me pasuri të mëdha, me vullnetin e hekurt, me intuitën gjeniale, me dashuri të patundshme për Shqipërinë. Jeta e tij është një dramë e madhe njerëzore, një përpjekje e pandërprerë e vullnetit për të bërë diçka të bukur dhe fisnike, për të përfituar pavdekësinë. Ja kushtrimi i Naços para 100 vitesh: “Kam gëzim të bëhem Apostull që ta shikoj të ngritur Flamurin e Indipedencës dhe të bashkuar gjithë vellëzërit e mi prej një gjaku, të ndarë me pahir nga njëri-tjetri aty para 400 vjetësh dhe atëhere plumbi i parë dëshiroj të më godasë mua dhe të bëhem lajmëtari i parë i stërgjyshërve tanë, të cilët na vërejnë me brenga së largu, duke pritur prej nesh lirinë e Atdheut dhe kësisoj bashkë me ta vete pranë Skënderbeut, t’i them se Atdheu me anën e Bashkimit, të Urtësisë dhe të Besës së shenjtë shqiptare, ngriti Flamurin kundër tiranit dhe po lirohet”. Nikolla Naço militoi një jetë të tërë për çështjen e atdheut dhe u shua si një engjëll: ”Plagët e shpirtit t’im u shëruan! Tashi le të vdes! Zot’ i math, më paska falur një vdekje të ëmbël. Rroftë Shqipëria!”

Me vullkanin shqiptar që i vlonte në zemër, në shtypshkronjën Cucu që gjendej në një godinë përbri shëtitores më të madhe të Bukureshtit (Bulevardul Elisabeta), Nikolla Naço nxorri në dritë gazetën e tij të famshme Shqipëtari/Albanezul, e para gazetë shqipe e Kolonisë shqiptare të Rumanisë, edhepse para një viti (1887) filloi të dalë në Brailë gazeta Drita/Lumina, me artikuj në gjuhën rumune, ku bënte fjalë edhe për Naum Veqilharxhin, edhe për mosmarrëveshjet që kishte dega e Brailës me atë të Bukureshtit. Historia e gazetës Shqiptari u lind nga një përkushtim i sinqertë dhe dashuri përvëlimtare ndaj Shqipërisë, ngase ky ishte dhe qëllimi jetësor i Nikolla Naços, kryetar i Shoqërisë Shqiptare Drita. Misioni i Naços ishte flakja e sundimit osman, ndriçimi kulturor dhe integrimi i kombit shqiptar në një hapsirë të përbashkët etnike, gjeografike dhe historike; vetëqeverimi dhe krijimi i Shqipërisë reale përmes përfitimit të pavarësisë. Sipas Lasgush Poradecit, Nikolla Naço „boton të parën gazetë shqipëtare, bën të parën shkollë shqipëtare, inauguron të parën kishë shqipëtare, dorëzon të parën xhami shqipëtare, redakton të parin plan strategjik për Kryengritjen e Madhe shqipëtare”.

Gazeta e Naços, sipas Lasgushit, „ka për qëllim të vazhdojë luftën e filluar për të nxjerrë nga robëria fisin shqipëtar, duke e ngopur me dashurinë e shentëruar të mëmëdhesë, ta mësojë kombin shqipëtar që ta ruajë me shenjtëri gjuhën e tij, karakterin e tij, zakonet e stërgjyshërve dhe madhërinë e tij të përmëndur.” Numri i parë i gazetës Shqiptari / Albanezul doli në dritë para 120 vitesh, më 7 Gusht 1888. Gazeta del një herë në javë, „nënë urdhërit të një pleqësie”, me artikuj në gjuhën shqipe dhe atë rumune. Në faqet e para të numrave të parë, tribuna kombëtare e shoqërisë Drita hapet me dy shtylla: Letëra e Florinjtë dheLetëra e Zezë, në të cilat lartësohen atdhetarët dhe fshikullohen tradhëtarët, fajtorët, prishësit e shoqërisë e të njerëzisë, njerëzit me shpirt të vogël që u shërbejnë interesave të poshtra e të turpshme. Mendimet e mia, thekson N. Naço në një broshurë të tij, „drejtoheshin kah krijimi i një marrëveshjeje ndërmjet shqiptarëve nga të gjitha anët e botës nëpërmjet botimit të një gazete, që do t’i shprehte konkretisht dhe do t’i përfaqësonte drejtësisht kërkesat dhe aspiratat mbarëkombëtare”.

Nga Fahri Balliu mësojmë se gazetat kanë nevojë të rezatuar dituri dhe përgjegjshmëri, se gazeta ka nevojë për strukturën e kualitetit më të lartë ligjor dhe intelektual, se në shtetet kampione të demokracisë e të përparimit, nuk i lejojnë gazetarët të punojnë në shtyp, nëse janë spiunë, apo nëse kanë kartele për inçeste apo veprime amorale të shoqërisë. Në krahasim me Mikun e shqiptarit të ligës së ligë të një grup interesash meskine e të pamoralshme, programi i Shqiptarit të Naços ishte i shëndetshëm dhe u realizua, siç u realizua edhe programi i serisë së re të kësaj reviste, të cilën filloi ta ribotojë që nga gushti i vitit 1993, Dr. Xhelku Maksuti, kryeveteran i komunitetit shqiptar në këtël vatër të lashtë të rilindësve tanë. Për fat të keq, pas vitit 2001, mjetet qeveritare për botimin e Shqiptarit dhe funksionimin organizatorik të komunitetit shqiptar filluan të derdhen në adresë të një organizate fantasmagorike (Shoqata Liga e Shqiptarëve të Rumanisë, e drejtuar nga drejtoresh e Mikut të shqiptarit dhe deputetja antikosovare, Oana Manolescu), por revista Shqiptari, edhepse mbeti pa fonde, nuk e ndërpreu botimin, dhe as që do ta ndërprejë derisa të jetë gjallë autori i këtij shkrimi.

Nja katër vjet (2001-2005), derisa këtë tribunë e drejtonte Dr. Luan Topçiu, Shqiptarin e sponsporizonte një zonjë me origjinë shqiptare nga Liseci i Tetovës (Xhemile A. Susliu, biznismene me banim në Konstancë). Shqiptari i Naços deri para disa vitesh delte në 8 faqe (formati A3), kurse që nga viti 2005, disa numra e panë dritën e botimit në të njëjtin format, por si pasojë e mungesës së mjeteve për botim, që nga viti i kaluar revista respektive botohet në sajë të kontributeve vullnetare dhe del me një fizionomi të re, me 30 faqe në kolor, në format të librit (A5). Sa për ilustrim, për shëndetin e syrit po i japim disa ballina nga numrat e fundit të tij, nga të cilat disa e kanë parë dritën e botimit, ndërsa të tjerat gjenden në shtyp.



(Vota: 24 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora