E enjte, 24.06.2021, 07:09 AM (GMT+1)

Kulturë

Nexhat Rexha: Neki Lulaj dhe koherenca në qiellin Dardan

E hene, 29.08.2011, 07:56 PM


NEKI LULAJ DHE KOHERENCA NË QIELLIN DARDAN

 

Dinamika e pandërprerë dhe fryma atdhetare ka mundur të mbijetojë nëpër këto katrahura kohësh. Mirëpo, shpirti i atdhetarizmës intelektuale ka qenë sferë e ndjekjeve nga pushtuesit dhe kolaboracionistët, të cilët me predispozita të padukshme kanë kryer veprimet më makabre për atdhetarët  e këtij nënqielli. Nëpër këto vargje dominon arsyeja për tokën Dardane dhe njerëzit e saj në të gjitha vlimet historike, duke qenë gjithmonë pranë portreteve të tyre. Në tërësinë artistike të kësaj vepre përkushtuese zotëron tematika e zgjedhur dhe identifikuese për të ruajtur me shenjtëri verdiktin në muzeun  kombëtar.

 

Nga Nexhat Rexha

 

Vargjet poetike të Neki Lulajt  në lexim të parë të krijojnë përshtypjen e shpirtit të trazuar nëpër ecejaket, si dhe në  tragjikën e përditshmërisë sonë kombëtare të krijuara në hapësirën  a pa fund të qiellit Dardan. Brendia poetike e veprës  shpalos dhe krijon dimensionalitetin  si formë artitistke me tonalitet dhe individualitet edhe si poezi edhe si dokumetaritet i shfaqjeve të  gjata nëpër labirintet e kohëve.  Në librin “Dardania ime” (Bukuresht, 2011), që nga poezia e parë e deri tek ajo përmbyllëse, përqëndrimi i autorit ka si lajtmotiv  theksimin e ngjarjeve  dhe shtrirjen e tyre në hapësirën Dardane, me një qasje  përcaktuese në zhvillimin e proceseve  në krijimin e konkretes përmes  koherencës ekzistenciale në vargje dhe në jetë.

Kthimi i ndërgjegjes në qenien tonë dhe definimi  i strukturuar nga vetvetja krijojnë tematikën e identifikimit real të zhvillimit të ngjarjeve nëpër  trazimet  e kohëve sa të dëshirueshme, po aq edhe dramatizuese për fatin e gjeniut tonë. Neki Lulaj, fjalës  gjithnjë i ka dhënë ngjyrim real  për ta saktësuar individualen në vargje dhe në personazhe të zgjedhura edhe si element artistik edhe si realizim  e përjetim i të ndodhurave nëpër dekada e shekuj. Njeriu  krijon situata nga më të ndryshmet dhe kohët pastaj sodisin kohën e ndodhive, që fiksojnë identitete  me refleksione të absurditetit  ekzistencial. Nekiu i ka njohur kohët e zhvillimet e tyre besnikërisht, për të ndriçuar protagonistët më të dalluar të historisë sonë, e fati i të cilëve nuk ka arritur në finalizimin e ideve të mundshme, sepse dora tinëzare ia ka prerë rrugën  këtyre ideologëve kombëtarË në  momentet më vendimtare.

Krijimi  i rrëfimit shkrin dilemat nëpër vargjet e këtij vëllimi poetik, sepse relacionet  e zhvillimit të këtyre procese  nën qiellin e Dardanisë forcojnë bindjen e ngecjeve dhe sukseseve në perspektivë dhe retrospektiva e shpalosur qartëson ngadalësimet  e vonuara. Dinamika e pandërprerë dhe fryma atdhetare ka mundur të mbijetojë nëpër këto katrahura kohësh. Mirëpo, shpirti i atdhetarizmës intelektuale ka qenë sferë e ndjekjeve nga pushtuesit dhe kolaboracionistët, të cilët me predispozita të padukshme kanë kryer veprimet më makabre për atdhetarët  e këtij nënqielli. Kujtesa dhe njohja me optikën e përjetimit gërshetojnë mospajtimin e autorit me zhvillimin e shumë proceseve, që padrejtësisht kanë instrumetalizuar kuptimin domethënës të idealit për liri,  e këto figura ndër më të ndritshmet  kanë zënë vend në poezinë e këtij vëllimi.

Autori vë në dispozicion këto figura dhe komunikon me tonalitet  admirues, sepse ata e kontribuan dhe e shkrinë jetën për këtë liri që e gëzojmë ne. Nëpër këto vargje dominon arsyeja për tokën Dardane dhe njerëzit e saj  në të gjitha vlimet historike, duke qenë gjithnjë pranë portreteve të tyre. Njëherit, Neki Lulaj shpalos edhe shumë ngjarje historike që kërkojnë shprushje, sepse gjeneratat e reja as që mund të marrin me mend periudhën e viteve 1947-1952, të cilën e përjetoi populli shqiptar i Kosovës,ai në vargjet e poezisë ”Vocërrakut tim”, e kriszalizon dhe qartëson këtë periudhë për të mos e mbuluar pluhuri i harresës dhe përmes  vargjeve e klithmës identifikon kohën:

 

 Pra mos më pyet të lutem se kur unë linda,

se n´të 47-ën na u kërcënue uria,

shumë njërëz vdiqën e shumë u zhdukën

gadi e njejtë ishte edhe e 91-ta.

 

Këto ngjarje të ndodhura specifikojnë edhe të ardhmen e shumë atdhetarëve tanë për të mërguar nga vendlindja në shumë shtete të botës edhe pse kjo qe imponim i dhunshëm nga politika serbe, e cila me këto projekte antishqiptare krijoi shprishjen e idealeve të gjeneratave e të brumosura me bindje të pathyeshme kombëtare. Mirëpo, falë këtyre bindjeve të ruajtura thellë në shpirt dhe edukatës familjare e arsimore, zëri i ndërgjegjes  edhe sot vjen  nga mërgimi për të mundur kohën e dhunës.

Ai ka  ruajtur edhe momente të lumtura që meritojnë të kujtohen por edhe të ruhen, sepse mikpritja  tradicionale ka diçka të veçantë dhe modeli tradicional identifikon shpirtin e një populli, sidomos të femrës shqiptare nëpër këto kohë. Ai ka ruajtur në kujtesë, e  këto momente sikur dëshiron që Nënëlokja të duket me atë pamje të fytyrës së buzëqeshur me origjinalitetin e saj të papërsëritshëm, sidomos në poezinë “Në rrugëtim për në atdhe”: 

 

Nënëlokja hyn me ca kokrra arra dhe ftonj mbi një sepet,

dëshiron që këtij gëzimi t´ja shtojë hieshinë e vet,

“I ka ruajtur Nana në palë të teshave të arkës,

që kur t’vini t´ju gostis me ftonjë dhe arra të bashqës.”

                            

Në disa poezi të këtij vëllimi Neki Lulaj, është i mbushur me mllef pse u vranë figuarat  e kombit, si: Enver Maloku, Xhamail Mustafa, Bekim Kastrati e tjerë,  pse njerëzit e kësaj kohe, nuk përkrahin me kohë aktet madhore siç është himni e flamuri, njeherë bëhen pengesë e pastaj e shohin se imponimi i të huajve ka sjellur edhe të pa dëshiruarën. Kështu, idetë  për të vendosur  përmendoren e Anton Çettës  në vendin e merituar nuk po realizohet, sikur pengesat tanimë nuk janë të huaja, por ato janë brenda  nesh dhe vargjet e tij kërkojnë dhe qortojnë, e arsyeshme edhe njëra edhe tjetra.

Pra, ngjarjet dhe personalitetet e kombit lidhin hallkat më të rëndësishme për të ardhmen e atdheut tonë. Kështu, Neki Lulaj  ka skalitur me dashuri dhe dashamirësi portretin e fytyrave të kombit dhe ka vënë në spikamë me një ndjeshmëri të lartë idealizmin e personaliteteve që kanë madhështuar faqet e historisë me veprat e tyre, siç janë: Skënderbeu, Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Pjetër Bogdani, Hasan Prishtina, Dedë Gjo Luli, Ymer Prizreni, Nënë Tereza, Dr.Ibrahim Rugova, Adem Jashari, Jusuf e Bardhosh  Gërvalla, Kadri Zeka, Fehmi Agani, Luan Haradinaj, Sali Çekaj, Gjevë Lladrovci, Ahmet Krasniqi, Agim Ramadani e shumë të tjerë.

 

Pavarësia e Kosovës,  presidenti historik Dr, Ibrahim Rugova dhe Dardania  krijojnë unifikimin brenda hapësirës qiellore për këtë vend  dhe për të ardhmen e tij. Kronologjia dhe qëndrimi glorifikues, komunikojnë në shkallën e admirimit dhe të dinjitetit drejt një fokusimi sa më origjinal për tërësinë artistike të kësaj vepre përkushtuese me tematikën e zgjedhur  dhe identifikuese për  të ruajtur me shenjtëri verdiktin në muzeun  kombëtar.



(Vota: 18 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora