E marte, 22.06.2021, 09:36 PM (GMT+1)

Kulturë

Zyba Hysa: T‘u qepemi kodrave dhe maleve, t’i rrafshojmë, si dhe fushat...

E marte, 30.08.2011, 08:59 PM


T‘u qepemi kodrave dhe maleve, t’i rrafshojmë, si dhe fushat...

 

Nga Zyba Hysa

 

Me vështrim nga lumi,

Mbështetur ne pllaje,

S’di pse s’të zë gjumi,

Me lumin bën fjale….

 

Këto vargje i kam shkruar në vitin 2007 dhe i kam lexuar para bashkëqytetareve të mi, librazhdas, në paraqitjen e librit “Kur shpirti vallëzon” në shtëpinë e kulturë së Librazhdit dhe ngacmimi qe malli im dhe i gjithë atyre bijve që për arsye ekonomike, u larguan, dikush në emigrim, dikush brenda atdheut dhe pashë me sytë e mi lotët e njerëzve në sallë, që më bënë të besoj se çdo njëri kishte të afërt të larguar dhe çdonjëri kishte grumbulluar lot malli. “Lotët e mallit, gërryejnë edhe gurin”,  - ka thëne një poet nga Vlora, por sot, pas katër vjetësh, Librazhdi im, nuk rri më mbështetur në pllajë, është  ngritur në këmbë dhe më thonjtë e tij shkul flokët me lebeti dhe lotët rrjedhin si  lumë mbi lumin Shkumbin e lumi i lotëve mbyt lumin dhe  si mund ta ngushëllojë më lumi  Librazhdin tim?! Kishim mall dhe shkonim dhe nxirrnim mall, por, ashtu si Librazhdi që shkulte flokët dhe ulërinte në kor me luginën e Shkumbinit, ashtu shpirti im klithi fort, kur shkova në Librazhd dhe nuk po e njihja Librazhdin tim të dashur. “Ku jam këtu? Ku janë pishat? Po turizmi? po…? O Zot, mos jam në ëndërr?! Po Sadi Halili, simboli i traditës do ketë vdekur? Ku jam… kuuuuuuu?!” Dhe vetëm Lugina e Shkumbinit përcolli jehonën e zërit tim “Kuuuuuuuuuu?” dhe u tremba, u ktheva  dhe si ai i mbyturi që kërkon një degëz për t’u mbajtur, ecja dhe pyesja : “Ku është Sadi Hlili, dhe me të pyetur e gjeta të strukur diku lart, pranë shkollës nëntëvjeçare, me shokët e tij pinin, po, po, edhe ai pinte e pse diabeti i mori këmbët, por sot nuk pyeste për diabetin që i mori këmbët, por për kuçedrën që po i merr shpirtin. Nuk e pyeta “Si je”, por i thashë ku e kemi Librazhdin me lot në sy dhe lotët mbushën kupat e rakisë dhe i pimë bashkë. Më shumë pimë, se biseduam, çdo gjë kishte marrë fund, firma fantazmë kishin shkulur pemë, kishin prishur “Turizmin” dhe qe ngritur një pallat i madh, që ngjante si raketë ngulur në zemrën e Librazhdit dhe në shpirtin tim. Me këtë ndjesi pa ndjesi, u nisa për në Kokrevë, në vendlindjen time të dashur, që dikur kam shkruar:

 

Eh, Kokrevë, vendlindja ime,

Kudo qeshë e ngado shkoj,

Nuk kam gjetur një thërrime,

Që sa ti, të më shijojë!

 

Apo në një poezi tjetër:

 

Pritmë, erdha Kokrevë,

Të rrimë një natë bashkë,

Për tek ti bëhem ere,

Tek ti, kthehem fllad…!

 

Zbrita në Hotolisht dhe tek Ura e Vulçanit, më doli para një mal me mineral. “Ç’ne, këtu nuk ka pasar minierë, mos vallë jam në Pishkash, Përrenjas, apo Guri Kuq? Mos vallë sot qenkam çmendur, apo vazhdoj të jem në ëndërr?!” Pyeta tasksistin, që e kisha njeriun tim, se ç’është ky mal  që ka mbirë këtu si çiban në trupin e pastër të Kokrevës.

  - Eeeeeh, - psherëtiu ai, - flori, flori… flori, për politikanët… për vajzën…”

- Po, këtej nuk ka pasur minierë?

- Nuk ka se çduhet miniera, po e hanë kodrën si korbat mbi kërrmë... janë sulur dhe askush nuk e di se cila firmë punon, ku e dërgojnë e kujt i shkojnë të ardhurat, veç njerëzit  thonë se janë dhëmbët e vajzës...

- Si e lejon Komuna, populli...

- Kush e pyet komunën, aq më pak popullin…

Arrita në Kokrevë. U mbusha me frymë dhe i thashë të më dërgonte lart tek varrezat, kisha merak, se mos m’i kanë shkulur prindërit dhe kushedi, mos bëjnë ndonjë varrezë serbe dhe ndërtojnë ndonjë manastir pranë tyre…, ashtu siç ndodhi përgjatë Vorio Epirit, ku stërgjyshërit tanë u çvarrosën dhe ndërruan identitetin duke u dhënë fletën e rregjistrimit të popullsisë për vetdeklarim.

Falë zotit i gjeta të paprekur, ashtu pranë e pranë, por m’u duk sikur gurëvarret u drodhën si një trumcak që e zëmë në grackë. I ledhatova, i putha me mall, i lava me lot dhe doja të hapja një varr aty pranë, që të kujdesesha për ta, të mos m’i ngacmojë njeri. O, Zot, si kemi mbetur në mëshirë të fatit?! Pse jemi kaq të pafuqishëm? U gjunjëzova se edhe unë pësova dridhje si gurëvarret. Mora fuqi duke mbështetur kokën mbi pllakën e varrit të babait, të njeriut më të dashur që kam pasar dhe dëgjova fjalët e tij që m’i thoshte përherë: “Bijë, të kam të fortë, mos u gjunjëzo!” U ngrita, putha gurëvarret e prindërve, të gjyshërve, xhaxhallarëve e të gjithë fisit, ndenja pak çaste në këmbë, sikur prisja bekimin e tyre dhe u nisa për në shtëpinë e vëllait. O shtëpiza prindërore, vatra më e ngrohtë në botë, kush mohon, apo ia mohojnë këtë vatër, mbetet pa ngrohtësi, pa atë ngrohtësi që të jep mundësinë e të qenit  njeri me shpirt njerëzor.

Vëllai im, i miri vëlla, ku në shpirtin e tij gjej të shtrydhur mushtin e shpirtit të prindërve të mi. Sa më ngazëlleu një përqafim i tij, aq shumë, sa harrova plagët e udhëtimit dhe bashkë me nusen e tij bujare, u shtuam në sofrën prindërore. Natën nuk kisha gjumë dhe ndër të tjera shkrova:

 

O, shtëpizëa ime prindërore,

Derëhapur, krahëhapur përherë,

E pse zërin e prindërve s’e dëgjoj,

Vështrimin dhe prekjen u ndjej...

 

Një prag, pa cak dashurie,

Kur nëna më shfaqej dikur,

„Sa mirë, që erdhe, moj bijë,

Dhe trarët prej mallit përkulë… “

 

Po, Baba, o, Zot, babai im,

Më i shtrenjti njeri në botë,

Kur ndesheshim me vështrim,

 Sykaltri, verbohej me lot…

 

Kaluan disa ditë dhe në lajme dëgjoj kryeministrin që foli në Librazhd, se i vinte keq për varfërinë e familjeve dhe po u jepte mend, siç bënte Enver Hoxha me parullën: “T’u qepemi kodrave dhe maleve e t’i bëjmë pjellore si dhe fushat.” Dhe u shkatërruan pyje pa fund për të mbjellë arroret që u rekomandonte, por asnjë arrë nuk zuri e jo më të prodhonte  dhe pasuesi i tij besnik, kështu po vepron, por  kjo bëhet  për te larguar vëmendjen nga grabitja monstruoze e pasurive të Librazhdit. U trondita, kur tha se drurët jofrutorë të Luginës së Shkumbinit, t’i zëvendësojmë me drurë frutorë.  O Shkumbin, pse nuk tërbohesh, ashtu siç vjen pas shkrirjes së borës së Shebenikut,, kur dëgjon përralla për të vënë popullin në gjumë? Kush kaloi përgjatë Luginës së Shkumbinit e nuk u mrekullua nga gjelbërimi pa fund, ku boria e trenit në harmoni me morine e makinave dhe oshtimës së lumit, nuk preku edhe nga largësia freskun e magjishëm që të fal një natyrë e tillë?

Nuk ka ditë që isha në malin e Tomorit, në më të shenjtin mal, i cili ka qenë më i shenjtë se Olimpi, se provohet, por shkruhet, mendohet, mbi të ka qenë Tempulli Dodona.  O zot, po ja, që edhe Ti hesht, edhe Ti s’ke më fuqi përballë përbindëshave që, pasi mbaruan pasuritë e popullit skllav të kohës së Enver Hoxhës, po gërryejnë edhe palcën e tokës, e malit Tomor po i hahej dheu nën këmbë, gurore pa fund, si varre faraonësh. Dëgjova zërin e kryeministrit, sikur fliste mbi Tomor: “T’u qepemi kodrave dhe maleve, t’i rrafshojmë si dhe fushat.” e kështu si Tomori, edhe kombi,  prite kur të bjerë si një pemë e prerë. Edhe Zoti hesht, edhe Zoti është qorruar, edhe zoti na paska mohuar…

Ka ardhur koha, të themi ndal shkatërrimit, ndal vjedhjes, ndal hutimit, ndal…. ndal… ndal, shpërfytyrimit të identitetin njerëzor, shpirtëror, natyror… Koha nuk prêt, koha nuk na pret, koha ka sjellë kohë, pa kohë të mirë për kombin tonë, por stina e egër do largohet, është objektive, por të përgatitim një shtrat për një sitë më të ngrohtë, që të kemi mundësi të ecim me hapa të ngadaltë, por me hapa, jo rrokullisje prapa…

 

Zyba Hysen Hysa

Poete, shkrimtare

Nën kryetare e Shoqatës për Identitet dhe Bashkim Kombëtar,

Anëtare e Institutit të Studimit të kulturës Shqiptare.

Vlorë, 26.08.2011



(Vota: 5 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora