Mendime
Selatin Kaçaniku: Reciprociteti dhe konsumatori
E enjte, 28.07.2011, 07:09 PM
RECIPROCITETI DHE KONSUMATORI.
Mendoj se Qeveria e Kosovës dhe MTI-ja, pra z/v kryeministresha dhe
ministresha e MTI-se, zonja Mimoza Kusari - Lila bënë hapin e duhur me
aplikimin e reciprocitetit ndaj Sërbisë e Bosnje e Hercegovinës.
Reciprocitet, nëse nuk bën ndryshe, duhet zbatuar edhe ndaj shteteve
tjera të cilat ngrisin bariera politike, ekonomike e ligjore për
eksportin, edhe ashtu të kufizuar të Kosovës. Kosova duhet të “
zbulojë “ mënyra për të vënë në barazpeshë eksportin i cili është për
90% më i vogël se importi ?!
Do të ishte veprim më i qëlluar po të ndërmerrej më heret ky hap i
reciprocitetit, shumë më heret.
KONSUMATORI qysh para tre vitesh pati kërkuar nga Qeveria e Kosovës që
tregu i Sërbisë të shpallet i pasigurtë dhe joserioz. Për arsye të
nevojave por edhe për shkak të Sërbisë, për sigurinë e furnizimeve të
tregut – pra të konsumatorit,
KONSUMATORI pati kërkuar edhe formimin e rezervave Shtetërore. I dhamë
aso kohe argumentimet e shumta. Por, “ Mbreti e zë lepurin me pajton
“, Shtetit nuk i bëhet vonë kurrë, e konsumatorit i është bërë tepër
vonë ?!
Ka zëra që brengosen për çmimet të cilat mund të ngriten pas këtij “
revanshi “. Ka zëra që shprehin “ brengën “ për mungesën e disa
produkteve të cilat paskan krijuar “ varshmëri “ te konsumatori ?!
Unë nuk i frikësohem këtij “ kërcënimi “ ( që për mendimin tim buron
nga nostalgjikët komercialë për produktet nga Serbia ) sepse ka tregje
e produkte alternative, që edhe deri më tani ofronin produkte, mallra
e shërbime me çmime më të lira dhe më cilësore. Ndaj, nëse Sërbia do
ta njihte Kosovën dhe tregun e saj, nëse do t i njihte vulat do t i
mundësohej tregu. Por, duke njohur shkathtësitë e prodhuesve e të
tregtarëve nga Sërbia dhe të kolegëve të tyre në Kosovë, pres si
veprim shumë të mundshëm uljen e çmimit të ofertave për t i balansuar
me ato të cilat vlenin në tregun tone para “ reciprocitetit “ – por,
së pari njohjet !
Poashtu, mendoj se termi “ varshmëri “ do të ishte më e drejtë të
zëvendësohej me termin “ inercion “ që ishte krijuar nga kohët kur
edhe Kosova merrte pjesë në këtë treg, dikur treg unik i Jugosllavisë
që nuk ekziston më. Ky inercion shprehet edhe për produktet nga
Vojvodina, Kroacia, Sllovenia, BeH, Maqedonia e Mali i Zi. Këtu e shoh
të rëndësishme ta potencoj se niveli i mbikqyrjes dhe të inspektimit
të këtij tregu ishte në nivelin më të lartë në krahasim me shtetet
tjera socialiste. Në këtë aspekt, ne në Kosovë po përpiqemi
ta zëmë hapin me standardet por, për shkak të mungesës e motivimit
teknik, kuadrovik e finansiar të mekanizmave të mbikqyrjes dhe të
inspektimit të tregut akoma jemi shumë larg cakut.
Duke i fajsuar konsumatorët për nostalgji ndaj produkteve, mallrave e
shërbimeve nga Sërbia disa zëra, ftojnë konsumatorin për bojkotimin e
ofertave nga tregu i Sërbisë ?! KONSUMATORI vitin 2010 dhe këtë vit
2011 e ka shpalluar për VIT TË PATRIOTIZMIT EKONOMIK. Kësaj thirrjeje
nuk i është bashkangjitur, nuk e ka përkrahur, nuk i është përgjigjur
askush…as këto zëra ?! Hedhja e “ fajsisë “ për nostalgji mbi supet e
konsumatorit të pambrojtur ( disa mendojnë edhe të pa adresë, pa
titullar të kauzës së tyre ?! ), të cilit asnjë institucion, përkundër
obligimeve ligjore, nuk i dha shërbimet e duhura, si : informimin,
arsimimin, edukimin…dhe vetëdijësimin nuk është aspak korrekte, aspak
fisnike, aspak e drejtë dhe është e pavend.
Konsumatori ka blerë dhe do ta blejë atë produkt, mall ose shërbim që
i ofrohet, më mirë të them i imponohet ?! Janë tregtarët ata të cilët
dirigjojnë ( nuk po them se manipulojnë me tregun dhe me konsumatorin
) ?! Po këta tregtarë janë të licencuar nga MTI-ja dhe janë anëtarë të
asociacioneve të ndryshme biznesore e afariste dhe, shih çudinë, po
këto marrin guximin ta ngarkojnë konsumatorin me përgjegjësitë të
cilat, shiquar realisht, u takojnë atyre. Po këta tregtarë ndikojnë
psikologjikisht në krijimin e varshmërisë duke ia imponujar
konsumatorit produktet ja mallrat të cilat atyre u lëvërdisin më
shumë, nga të cilat nxjerrin përfitime më të larta dhe për të cilat
kanë më shumë borxhe e obligime ?!
Ndaj, për dominimin e disa artikujve nga Sërbia në tregun e Kosovës
nuk është fajtor konsumatori. Fajësinë duhet kërkuar nga bizneset
tregtare por edhe nga mekanizmat e Shtetit për mbikqyrjen dhe
inspektimin e tregut, të cilat ( qëllimisht ?! ) lëngojnë nga mungesë
e motivimit teknik, kuadrovik e finansiar të tyre ( arsyetë që e
thash edhe më lartë ):
Dhe për fund: Për të dëshmuar përkrahjen për aktin e reciprocitetit
duhet marrë seriozisht gatishmërinë e konsumatorit për të bashkpunuar
ashtu si është paraparë me Ligjin dhe me Programin 2010-2014 për
mbrojtjen e konsumatorit si dhe me ligjet tjera që e trajtojnë këtë
çështje. Të drejtat, intereset, obligimet…tona duhet reciprokisht t i
përkrahim për të mirën e kauzës së tregut – të të qenit të tregut
stabil dhe serioz ku mbretërojnë ligjet, kultura afariste dhe veprimet
e dinjitetshme.
21.07.2011.
Selatin Kaçaniku, dhe
KONSUMATORI,
Prishtinë, Kosovë