Udhëpërshkrim
Kujtim Mateli: Shkolla e mesme “Sami Frashëri” - emblema e qytetarisë përmetare
E shtune, 04.06.2011, 08:04 PM
Shkolla e mesme “Sami Frashëri” - emblema e qytetarisë përmetare.
Nga Kujtim Mateli
Forumi qytetar “ Alvero Koçollari”, i cili zhvillon një veprimtari të spikatur, është tashmë i pranishëm në të gjithë hapësirën përmetare, duke rrezatuar edhe në mbarë vendin. Ai ka si objekt të punës së tij kultivimin dhe përhapjen e vlerave shpirtërore që treva e Përmetit ka krijuar në shekuj dhe vazhdon të krijojë dhe në ditët e sotme.
Në vitin 2009, forumi përuroi botimin “Përmeti dhe turizmi kulturor”. Në këtë botim, krahas vlerave kulturore e natyrore jepej dhe strategjia e planveprimi për zhvillimin e turizmit në rrethin e Përmetit.
****
Në qershor të vitit të kaluar, Forumi u prezantua me dokumentarin” Emblema e qytetarisë përmetare” kushtuar punës dhe aktivitetit të shkollës së mesme “Sami Frashëri” dhe ndikimit të saj të fuqishëm në jetën kulturore, intelektuale, sportive dhe shoqërore në rrethin e Përmetit dhe më gjerë.
Shkolla e mesme “Sami Frashëri” është çerdhja nga ku nisën flurimin bijtë dhe bijat përmetare brenda Atdheut dhe jashtë tij deri në largësitë e skajshme të globit.
****
Përmeti i jep cilitdo që vjen ndjesinë e një qyteti të bukur e të ëmbël, me njerëz të dashur e punëtorë, mbushur me trëndafila e këngë, me bujari e humanizëm, një kulturë e admirueshme që rrezaton në të gjithë hapësirën e atdheut tonë dhe kudo ku kanë shkuar përmetarët.
Shkolla e mesme “Sami Frashëri”
Të tillë janë vëllezërit Frashëri që mbetën në histori me punën dhe veprën e tyre të pashembullt.
Humanizmi përmetar e ka burimin tek figura të tjera të shquara të Rilindjes sonë Kombëtare, por edhe të atyre të mëvonshëm: te Jani Vreto e At Stath Melani, Odise Paskali e Laver Bariu, Mentor Xhemali e Nonda Bulka,
Po Përmeti i ka rrënjët edhe më tej, në figura përmetare që rrezatuan edhe përtej hapësirës shqiptare që i bëjnë nder jo vetëm Përmetit, por gjithë kombit shqiptar.
Përmeti ka luftuar gjithnjë gjatë historisë së tij për t`i arsimuar djemtë dhe vajzat. Naimi dhe Samiu bën të gjitha përpjekjet për të çelur edhe në Përmet një shkollë shqipe që të përmbushte aspiratat e shqiptarëve, për t`u pajisur me dije dhe kulturë. Përmetarët kanë luftuar për të patur një shkollë të mesme edhe gjatë mbretërisë së Zogut.
****
Drejtori i parë i shkollës së Përmetit do të ishte pedagogu i shquar përmetar, Harito Faniko, i cili kujton me emocion ato ditë të paharrueshme të hapjes së shkollës së mesme. Ai kujton thënien e njeriut të urtë e të mençur, Ali Irfan Përmetit “ Nga uria mund të vdesin 30-40 veta, por nga padija vdes një komb i tërë”. Qysh në ato vite të para, nxënësit që mbaronin shkollën e mesme të Përmetit, jepnin rezultate shumë të mira në shkollat e larta.
Mbas 10 vjet përkushtim në punë i stafit pedagogjik dhe i nxënësve të etur për dije e kulturë, shkolla e e mesme e Përmetit dekorohet me Urdhrin e Punës së Klasit të Parë. Krahas saj u hapën për nxënësit pa shkëputje nga puna degët për ekonomistë dhe agronomë dhe më pas për zooteknikë dhe teknik ndërtimi.
****
Minako Koçollari, një nga figurat e respektuara përmetare, që jetën e tij e lidhi me këtë shkollë dhe zhvillimin e arsimit në të gjithë rrethin e Përmetit, kujton nxënësit dhe mësuesit që me përkushtimin e tyre i dhanë emër shkollës së Përmetit.
“ Nuli Papa një nxënës i shkëlqyer, por edhe një student i shkëlqyer, për të cilin katedra ku ai mbaroi donte që ta mbante si pedagog të saj, po lufta e klasave bëri që ai të mos emërohej aty.
Liljana Naçe edhe kjo nxënëse e shkëlqyer, mbaroi studimet e larta për Gjuhë-Letërsi, e cila erdhi si mësuese në shkollën e Përmetit dhe më vonë në Institutin e Studimeve Gjuhësore në Tiranë”.
Kështu vargu i nxënësve të shkëlqyer që mbaruan këtë shkollë dhe që u kthyen në shkollën e mesme të Përmetit apo dhanë kontributin e tyre kudo ku u kërkuan është i shumtë.
****
Ibro Rjepaj, mësuesi i matematikës në shkollën e mesme të Përmetit, kujton:
“Pata fatin e mirë që të kem kolegë, mësues të përgatitur dhe të devotshëm që i dhanë një fizionomi të mirë shkollës.Më ka lënë mbresa të thella interesimi i përmetarëve për shkollën, për kulturën e lartë që rrezatonin”.
Vasilika Papa (Kale) kujton : Familja ime jetën e pati të lidhur me shkollën. Kjo bëri që ne të mbetemi përherë pranë shqetësimeve të tyre. Interesoheshim edhe kur nxënësit e mbaronin shkollën këtu në Përmet dhe vazhdonin më tej. Mbusheshim me emocion, kur ndonjëri prej tyre bënte emër atje ku kishte shkuar.
Mihal Fociro, mësues i matematikës, kujton mësuesit që punuan në këtë shkollë dhe nxënësit e saj të dalluar, me të cilët punonte në mënyrë të diferencuar për të marrë sa më shumë njohuri. Nxënësit e Përmetit vazhdimisht kanë dalë me rezultate nëpër olimpiadat që organizoheshin në shkallë vendi.
Nuk mund të gjesh një familje përmetare që të mos e ketë ndierë ndikimin e madh kulturor , sepse në bangat e kësaj shkolle kanë marrë dhe do të marrin edukimin e tyre të gjithë fëmijët përmetarë.
*****
Bardhyl Londo kujton: “Gjimnazi i Përmetit ka dhënë shumë dhe ka reflektuar kulturën përmetare, nxënësit ishin shumë serioz dhe të përgatitur, trupa pedagogjike ishte shumë e kulturuar, nuk bënin thjesht punën, por bënin një punë pasionante. Pasi mbarova arsimin e lartë u ktheva si mësues në këtë shkollë. Aty botova librin e parë “ Krisma dhe trëndafila”. I dhashë këtë emër se qyteti i Përmetit ishte djegur katër herë, por edhe trëndafilat janë simboli i këtij qyteti. Ato për përmetarin nuk janë thjesht lule, por janë simboli i jetës, simboli i dashurisë, simboli i dashurisë për humanizëm, për mirëqënie, për harmoni njerëzore, sepse Përmeti është unikal në këtë drejtim. Aty e nisa fluturimin dhe arrita të bëhem kryeredaktor dhe drejtor i gazetës më të rëndësishme letraro-artistike, i gazetës “Drita”, Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarë ve dhe Artistëve të Shqipërisë dhe deputet në Kuvendin Popullor.
Ngado që të shkosh, kudo që të arrish, çerdhja është këtu në Përmet”.
Andonaq Lamani, dekan i fakultetit të inxh.mekanike kujton moshatarët e tij që u bënë mësues, agronomë, mjek, veterinerë, ekonomistë, inxhinierë etj., shumë të aftë në punën e tyre. Kujton me respekt mësuesit e tij, të cilët për kontributin që dhanë i quan profesor, sepse i tillë është mësuesi përmetar edhe kur nuk e ka këtë titull nga institucionet që e japin atë . Andonaqi kujton me respekt Mihal Fociron dhe ruan për të respekt dhe konsideratë të veçantë edhe sot, mësuesin e fizikës Muharrem Dino, më vonë Minako Koçollarin dhe të gjithë mësuesit e tjerë të gjimnazit, të paharruarin Lliko Nano i cili ishte nga më të talentuarit, mësuesin e historisë e të gjeografisë, Dhimitraq Lole etj.
Paskal Cullufe, mjek. “Nuk mund të rri pa përmendur profesorët e mi, krijuesin Lliko Nano, Ramadan Kamberin, të cilët kanë qenë kërkues e këmbëngulës në punën e tyre. Në arritjet e mia kanë qenë bazë njohuritë që mora në këtë shkollë”.
Kujtim Bejtja, inxh. ndërtimi. “Mund të përmend një detaj, kur kam dhënë provimin e matematikës në fakultet, me Profesor Turdiun, mbasi iu përgjigja të gjitha pyetjeve më tha do të japë notën dhjetë, por më pyeti se ku e kisha mbaruar shkollën, duke më thënë se do ta kisha mbaruar në Gjirokastër ose në Shkodër. Unë iu përgjigja se e kisha mbaruar në Përmet dhe ai u habit se si një nxënës nga Përmeti të merrte notën dhjetë. Kujtoj me mirënjohje profesor Nulin që ka dhënë matematikë, profesor Minakon, profesoreshë Liljanën deri tek profesor Kristo Frashëri”
****
Kanë ndjekur mësimet në shkollën e mesme “Sami Frashëri”: me shkëputje nga puna 5074 nxënës, pa shkëputje nga puna 2543 nxënës. Kanë përfunduar maturën me shkëputje nga puna 3770 nxënës, pa shkëputje nga puna 1941 nxënës. Kanë mbaruar shkëlqyeshëm 122 maturantë dhe kanë punuar në këtë shkollë, në të gjitha profilet, mbi 240 mësues.
Kjo shkollë ka nxjerrë kuadro të shkëlqyera që kanë marrë tituj dhe grada shkencore, janë bërë biznesmenë të suksesshëm që kanë ngritur bizneset e tyre në të gjithë vendin.
Shkolla e Përmetit ka nxjerrë shumë nxënës të shkëlqyer që meritonin Medaljen e Artë, por për arsye burokratike nuk e fituan atë. Atë e kanë marrë vetëm dy nxënës: Gjergji Vangjel Çiçi, në vitin 1993 dhe Brikena Kastriot Bezati në vitin 1997.
Nxënës me rezultate të shkëlqyera ka qënë edhe Ludmilla Kote, Alvero Koçollari, Dritan Todhe, Enkeleda Papa, Aurela Bakushi, Enida Qypi, Dritan Curri, Ida Çela, Dorina Bezati, Ludmilla Kote, Alvero Koçollari, Dritan Todhe, Enkeileida Papa, Aurela Bakushi, Enita Qypi, Dritan Curri, Jorida Çela, Dorina Bezati, Blerina Dhamo, Lorena Vangjeli, Desara Bejo, Lorena Konomi, Drilona Deliu, Genta Hoxha, Esmerilda Habili, Emiriada Proko, Pranvera Latifi etj.
Pse ka patur mësues me emër dhe të përkushtuar, ndaj edhe shkolla vazhdimisht ka qenë e vlerësuar në konkurset dhe olimpiadat në shkallë rrethi dhe vendi.
Nxënësi Gjergji Çulli fitoi vendin e dytë në takimin ballkanik për matematikën.
Altin Xhaferri fitues i olimpiadave të matematikës dhe të kimisë në rreth.
Në vitin 1988, në konkursin kombëtar të fizikës në televizion, nga 12 nxënës që ishin fitues në shkallë vendi, katër ishin nxënësit e shkollës “Sami Frashëri” të Përmetit: Arjan Çulli, Albana Dino, Marjan Aliaj dhe Anila Adhami.
Avlero Koçollari në vitin 1987-1989 ka përfaqësuar shkollën në olimpiadën e matematikës dhe fizikës në takimet përfundimtare në shkallë vendi.
Nxënësi Gjergji Çiçi në vitin 1993, në olimpiadën kombëtare për gjuhët e huaja zuri vendin e dytë në shkallë vendi.
Në vitin 1996 grupi i debatit në gjuhën angleze me nxënësit Brikena Bezati, Antuela Tako e Erinda Çiçi zuri vendin e parë në shkallë vendi.
Kanë përfaqësuar rrethin në olimpiadat e matematikës: Dritan Curri, Lorena Vangjeli Ediola Jani, Desara Bejo etj.
Në vitin 2007, në olimpiadën kombëtare të biologjisë, nxënësja Denisa Mamillo zuri vendin e dytë në shkallë Republike. Po në vitin 2007, Ina Pasho u klasifikua një nga dhjetë nxënësit më cilësorë në shkallë Republike, ndërsa në vitin 2008 Blerina Dhamo dhe Pranvera Latifi.
Stafi pedagogjik i kësaj shkolle ka marrë shumë tituj e medalje ku mund të veçojmë: Nuli Papa, Qamil Xherahu, Mikail Kote, Jorgji Puraveli etj.
*****
Për këto arritje tregojnë disa nga nxënësit që kanë mbaruar këtë shkollë dhe janë bërë të dëgjuar në shkallë vendi apo dhe në rreth në profesione të ndryshme.
Arjan Çulli, biznesmen. “Themelet e forta edukative e morale brezi ynë i ka marrë në gjimnaz. Kujtoj me respekt një nga gjimnazistët e spikatur të kësaj shkolle, Alvero Koçollari dhe ndihemi të nderuar që Forumit Qytetar të Përmetit i kemi dhënë emrin e tij.
Dritan Todhe, mjek; Altin Naqe, jurist; Enkeleida Papa, ekonomiste, tregojnë kujtimet e tyre për shkollën e Përmetit, për mësuesit, shokët e shoqet e tyre, se si i shpallnin garë njeri-tjetrit për të qenë më i dalluari i klasës. Me një staf mësuesish të përkushtuar dhe me nxënës këmbëngulës dhe të talentuar shkolla arriti pjekurinë e saj.
Et`hem Kaso, tajner basketbolli, filloi punë si mësues në shkollën e mesme Përmet në vitin 1958. Dihen arritjet e tij si trajner i basketbollit për skuadrën e Përmetit ku shumë nga lojtaret e kësaj skuadre ishin nxënëse të kësaj shkolle.Shkolla e mesme u bë qendër e madhe sportive në qytetin tonë duke gjallëruar jetën sportive të qytetit dhe rritjen e cilësisë sportive. Në vitin 1962, morëm pjesë në olimpiadën kombëtare të shkollave të mesme në të gjitha llojet e sporteve. Të gjithë sportistët e ekipeve sportive të qytetit kanë dalë nga ky gjimnaz, si në futboll, basketboll, gjimnastikë, atletikë, shah, alpinizëm, etj. Gjimnazi ka nxjerrë sportistë që kanë marrë pjesë në veprimtaritë kombëtare e ndërkombëtare në basketboll e futboll.
Lipe Nano, një nga drejtuesit e kësaj shkolle tregon:
“Shkolla e mesme “Sami Frashëri” ishte shumë aktive me veprimtaritë e ndryshme kulturore dhe artistike jo vetëm brenda qytetit, por edhe në nivele kombëtare. Të gjitha këto veprimtari, edhe veprimtari të tjera i organizonin dhe i drejtonin vetë mësuesit, natyrisht duke patur bashkëpunim edhe me Shtëpinë e Kulturës.
Në vitin 1960, shkolla kishte ansamblin e vet që merrte pjesë në mënyrë të organizuar në koncerte, në takime, festivale zonale e kombëtare, në bashkëpunim edhe me Shtëpinë e Kulturës, në koncertet e Majit, në festivalin Folklorik të Gjirokastrës etj. Ishte krijuar tradita që çdo klasë të përfaqësohej me grupin e estradës, me krijuesit e vet. Midis klasave organizoheshin konkurse të recituesve, këngëtarëve, ndërkohë edhe vetë kolektivi i mësuesve kishte përfaqësuesin e vet.
Në veprimtaritë kombëtare të teatrove, merrnin pjesë jo vetëm nxënës që ishin të talentuar, por edhe mësues”.
Biblioteka e shkollës mbetet një nga qendrat më të frekuentuara, libri ka qenë miku më i preferuar i tyre.Në raftet e këtyre bibliotekave një vend të veçantë zenë edhe veprat e krijuesve përmetarë që njihen si mësues edhe si nxënës të gjimnazit të Përmetit.
****
Shkolla e mesme e Përmetit është shquar jo vetëm për mësues të aftë dhe cilësorë, por edhe për drejtues të aftë e me përvojë. Është në interesin e nxënësve e mësuesve të kësaj shkolle,por edhe të lexuesve që të njihen me këto figura të përkushtuara që kanë drejtuar shkollën e mesme “Sami Frashëri” ndër vite.
Harito Faniko 1957-1958;
Vasil Theodhori 1958-1964 dhe 1974-1978;
Piro Jarazi 1964-1968;
Mihal Barka 1968-1972;
Neptun Mero 1972- 1974;
Aleksandra Logo 1978-1980;
Kiço Mboqe 1980-1985;
Minako Koçollari 1985- 1989;
Lipe Nano 1989-1993;
Tomor Mullarai 1993-1997;
Sokol Pasho 1997-2006;
Mihal Jani 2006-2008;
Flamur Dosti 2008-2009;
Bardhyl Xhillari 2009 e në vazhdim.
****
Sholla e mesme “Sami Frashëri” ka patur dhe vazhdon të ketë në gjirin e saj mësues Gjuhë-Letërsie të talentuar. Një nga këta është poeti Bardhyl Londo, autorë i disa vëllimeve poetike, i cili u bë i njohur brenda dhe jashtë vendit. Është një nga poetët që me poezinë e vet, ka thurur në pjesën më të dukshme të kurorës së letërsisë shqipe.
Lliko Nano është një nga mësuesit më të shquar të kësaj shkolle, nxënës dhe më pas si mësues i letërsisë për më shumë se 30 vjet. Ai ishte poet, prozator, kritikë arti, drejtues i Degës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Përmetit. Ai ka një sërë botimesh të mirënjohura dhe do të mbahet mend si drejtues i dhjetra veprimtarive kulturore dhe artistike midis shkollës dhe qytetit.
Ylli Hoxhaj, ka qenë një nga mësuesit e letërsisë të kësaj shkolle. Në vitin 1998 botoi librin “Profile” ku janë përjetësuar dhe skalitur mësuesit e shkollës së mesme “Sami Frashëri” dhe gjithë veprimtaria e kësaj shkolle që nga krijimi i saj. Kush dëshiron të dijë më tepër për shkollën e mesme “Sami Frashëri” dhe mësuesit e saj, le të shfletojë faqet e këtij libri, që përmetarët kanë më se dhjetë vjet që e kanë në bibliotekat e tyre.
Ka një veprimtari të pasur letrare në poezi e prozë, monografi e kujtime, ku në secilën nga këto vepra ka treguar se është mjeshtër i skalitjes së figurave artistike.
Niko Tyto, autor i më se 20 veprave letrare e studimore, ka spikatur në shumë fusha si: në publicistikë, studime folklorike, poezi dhe, mbi të gjitha, është dalluar si një nga mësuesit më të talentuar që ka patur rrethi i Përmetit.
Lumo Kolleshi, është mësuesi aktual i Gjuhë-Letërsisë në shkollën e mesme “ Sami Frashëri” në qytetin e Përmetit. Ecën në vazhdën e mësuesve që i dhanë emër kësaj shkolle. Ka krijuar profilin e tij si mësues dhe admirohet për pasionin që ka për punën. Po Lumo Kolloshi është dhe një poet i talentuar. Vëllimet e tij flasin se Përmetit i është shtuar një zë poetik krejt i veçatë dhe origjinal. Vlerat që ka krijuar dhe vazhdon të krijojë formojnë një nga elementët e mozaikut të qytetit të Përmetit, duke e radhitur atë jo vetëm si qyteti i luleve, i dashurisë dhe mirësisë, por edhe si qyteti i poetëve.
***
Vargu i mësuesve krijues që kanë punuar në këtë shkollë zgjatet edhe më tej. Po ashtu edhe i nxënësve të talentuar. Mësuesit e matematikës dhe fizikës, kimisë dhe biologjisë, historisë dhe gjeografisë, janë shquar secili në fushat përkatëse, duke u bërë të njohur edhe në shkallë vendi.
Sollëm për lexuesin e kësaj gazete një pjesë të asaj pune të shkëlqyer që Forumi Qytetar “Alvero Koçollari” bën në qytetin e Përmetit, por jo vetëm aty. Ky forum është i pranishëm kudo ku ka përmetarë: brenda dhe jashtë Atdheut. Është i pranishëm në çdo vatër përmetare.
Kelcyra