E shtune, 27.04.2024, 03:56 PM (GMT+1)

Editorial

Idriz Zeqiraj: Shuarja fiktive e SHIK-ut

E enjte, 04.03.2010, 11:00 PM


SHUARJA FIKTIVE E SHIK-UT

NGA IDRIZ ZEQIRAJ

Po bëhen 20 vjet nga shembja e komunizmit në Shqipëri. Janë çbërë shumë struktura të këtij sistemi të urryer. Por, Sigurimi komunist nuk është shuar, veçsa ka ndryshuar taktikën e punës. Ai nuk ka më burgje e gjyqe farse, por ka veprimtari të nëndheshme efikase, që po e zjgatë për dy dekada rrjesht agoninë e tranzicionit, duke e mbajtur peng Shqipërinë dhe duke e asfikësuar demokracinë e brishtë shqiptare. 

Pinjollët e bllokmenëve zotërojnë paranë, të fituar abuzivisht përgjatë tranzicionit. Kuadri i tyre ideologjik ka zënë poste kyçe në jetën shoqërore e shtetërore, në veçanti, në drejtësi, duke e bllokuar Shqipërinë për të qenë, vërtet, shtet ligjor. Ata janë vënë në krye të organizatave e shoqatave joqeveritare dhe të shoqërisë civile, duke luftuar në mënyrë përfide demokracinë.

Që SHIK-u, si pjellë e Sigurimit shqiptar, nuk është shuar, e dëshmojnë edhe shkrimet e lansuara, kohëve të fundit, nëpër faqet e Internetit, duke denigruar familje, personalitete, ish të burgosur politikë, madje edhe heronj, të rënë për lirinë e Kosovës.


I.- Vrasja e Jusuf e Bardhosh Gërvallës si dhe Kadri Zekës, vazhdon të jetë temë gjithnjë aktuale, për mundësinë e hetimit dhe të zbulimit. Anonimët, nofkaxhinjtë e SHIK-ut, nëpër faqet e tyre të shumëta të Internetit, reagojnë ndjeshëm, duke e përfolur edhe bashkëshorten e heroit Jusuf Gërvalla, Suzanën, sikur ajo i di vrasësit. 

Përgjatë këtyre 70 viteve të defilimit të murtajës komuniste, në trojet shqiptare, është vërtetuar gjithëçka, çfarë kanë thënë idealistët tanë kombëtarë, të Dekalogut të Lidhjes të Prizrenit, në vitet `30-a dhe `40-a. Institucioni familjar nuk vlen asgjë për racën e përçudnuar të komunistëve.

Nusja e Jusuf Gërvallës, Suzanë Gërvalla, erdhi në Tiranë me dhembjen e skajshme të mungesës të bashkëshortit të saj ideal, të babait të fëmijëve. Si një nënë e devotshme, iu përkushtua e tëra rritjes dhe shkollimit të fëmijëve. Zonja Suzanë i edukoi dhe shkolloi Premtonin, Donikën dhe Ergonin, ashtu siç kishte ëndërruar dhe dëshiruar Jusufi ynë, duke lehtësuar dhembjen gjithëkombëtare, sepse për fëmijtë e bashkëshortëve Gërvalla, është përligjur shprehja: "ME BEJ BABA TE TE NGJAJ." Sejcili syrësh mund të drejtojë pushtet dhe shtet.

Edhepse fqinjësohej nga familje, që i përkisnin të majtës shqiptare, familje me kapitalin moral të luftës dhe jo bërrylore, qysh në nismën e pluralizmit, Suzanë Gërvalla, sëbashku me fëmijtë, tashmë shkollarë të lirisë, ruajti drejtpeshimin dhe u përcaktua djathtas, përkrah dr. Berishës, sepse orientim kombëtar kishte pasur gjithmonë edhe kryezoti i tyre - Jusuf Gërvalla.


II.- SHIK-u i ka hapur "thasët e vjedhur" në selitë presedenciale e kryeministrore të Serbisë, pasi ka vrarë disa nga "thesarët" fort të përfolur për implikime vrastare të djemëve veprimtarë në mërgatë, në bashkëpunim me ca të gjallë e pushtetarë. Tani mund të shantazhojë e shpifojë për cilindo të pabindur e kryeneç të sotëm, ish të burgosur politikë, madje edhe të vrarë një herë, duke e rivrarë së vdekuri!

Apostrofimi i zotit Xhafer Shatri nuk është i rastësishëm. Ai, si gjimnazist, në vitet `60-a, filloi veprimtarinë ilegale në grupin e zotit Kadri Osmani. Ishte entuziast dhe i gatshëm për çdo sakrificë, edhepse djalë i vetëm i prindërve, vëlla i vetëm i motrave. Burgosja e parë nuk e dekurajoi, nuk e "disiplinoi." Riburgosja dhe dënimi i rëndë nuk e dobësoi. 

Ridënimi, për vepër penale politike brenda burgut, filloi më 1973, në Burgun e Burrelit, me majorin Jovica Cërvenko, i cili qe dënuar më parë në vitin 1954, nga Gjykata e Tiranës, më 25 vjet burg të rëndë. Krahas akademik Shaban Bashës nga Peja dhe Qazim Bllacës, jurist, nga Suhareka, që shquheshin për dinjitet dhe mospërkulje, zoti Cërvenko, me qëndrimin e tij dinjitoz, kishte "konsumuar" veprën penale të agjitacionit figurativ dhe, në kartelën e tij u shtuan edhe 10 vjet të tjera burg, duke qenë në vuajtje e sipër të dënimit të parë!!! Dhe, kjo praktikë antinjerëzore e kriminale, vazhdoi për të gjithë të piketuarit, të destinuar për t´i lënë kockat burgjeve.

Zoti Xhafer Shatri ishte në mbarim të dënimit. UDB-a jugosllave, e cila i kishte dhënë shumë nga përvoja e saj Sigurimit shqiptar, tani vendosi të huazojë diçka nga praktika shqiptare. Dhe, zoti Shatri do të ishte "Cërvenko" i parë i ridënuar brenda burgut, për vepër penale politike! Thonë se "FRIKACAKU NUK E KA AS DYNJANE DHE AS AHRETIN." Por, zoti Shatri kishte një trimëri të lindur, kishte iniciativë e kurajo, siç thonë "OSE HUNIN, OSE TIRQIT." Dhe, duke përfituar nga trajtimi liberal, që, zakonisht, praktikohet kudo, ndaj atyre që janë në prag të lirimit, iku nga burgu. UDB-a, duke vlerësuar rrezikshmërinë reale për sistemin serbo-sllav dhe me qëllim të devalvimit të kësaj rrezikshmërie, tek tellallët e vetë hafije, lansoi gënjeshtrën e radhës: "Shatrin e liruam ne, për të qenë në shërbim tonin!"

Zoti Xhafer Shatri e kuptoi hilenë udbeske. Ai nuk humbi kohë me demantime. Por, vazhdoi punën aty, ku ia kishte ndërprerë dhunëshëm burgu, veçse tani në rrugë legale. Botoi librin voluminoz, pasqyrë reale e sistemit represiv jugosllav, kundër popullit shqiptar në Jugosllavi, si dhe shfrytëzimin e egër të pasurive të Kosovës.

Në vitet `90-a, në bashkëpunim me shokun e ilegales dhe të burgut politik, malësorin dinjitoz vuthnjan - Binak Ulaj, i cili ishte nënkryetar i "Këshillit për mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive të njeriut", për Kosovën, të gjitha rastet e dhunës dhe të vrasjeve i botonte dhe ua përcillte personaliteteve botërore si dhe shoqatave dhe organizatave autoritative si "Amnesty Internacioinal" dhe të tjera, si dëshmi rrënqethëse, për terrorin që ushtronte Serbia ndaj një populli të pambrojtur. Dhe, ishte koha kur zoti Shatri punonte më shumë se sa e gjithë Lëvizja "Popullore" ideologjike, e marrë sëbashku. Edhe postin e Ministrit të Informacionit, në Qeverinë në ekzil, e justifikoi me punë kreative dhe shumëplanshe.

Nuk është hera e parë që sulmohet, me qëllim denigrimi, zoti Shatri. Vite më parë, ishte po kjo garniturë SHIK-ase, që u përpoq të zbulonte të "zezën" në biografinë e tij të dlirë. Por, me kot. Eshtë një jetë e tërë në shërbim të Atdheut. Eshtë një veprimtari e pandërprerë asnjëherë. Ish studentët e juridikut, të indinjuar nga insinuatat sulmuese aktuale kundër zotit Shatri,reagojnë, duke kujtuar praktikën profesionale studentore, të asaj kohe, të cilët preferonin ta vizitonin burgun, ku vuante dënimin njëri nga të burgosurit politik më markant të Kosovës - Xhafer Shatri. Por, ajo mbetej vetëm dëshirë.


III.- Për opinionin qytetarë të Kosovës ishte shokuese sulmi mbi dy kategoritë, që, tashmë, kanë statuesin moral të institucionit, siç janë ish burgaxhinjtë politikë të Kosovës dhe të gjithë të rënët për lirinë e Atdheut. E themi zëshëm, se pa veprën madhore, pa sakrificën e këtyre dy institucioneve, Kosova jonë kurrë nuk do të arrinte në statuesin aktual, në lirinë dhe pavarësinë e saj. "KURBANI NUK MAJMET NE NATEN E BAJRAMIT" - thotë populli. Andaj, përpjekjet në vijimësi të djemëve, të vajzave dhe të burrave të Kosovës, janë shumë dekatore.

SHIK-u përgojoi edhe Enver Hadrin, Hero i Kosovës! E rëndë gjer në paduresë! Në ditë-varrimin e tij, më 1990, në Bruksel, njëri nga themeltarët e SHIK-ut, iu drejtua "xhematit" , se, "sot, ne, Lëvizja (lexo: "Popullore" ideologjike), e falim Enver Hadrin!" Ishte sa shokuese, po aq tmerruese kjo deklaratë publike! Pse, zoti Hadri ishte i dënuar nga SHIK-u dhe, tani i vrarë, po i falej jeta!!! Dhe, pse Lëvizja "Popullore" e dënoi Enver Hadrin? Sepse, ai edhe në art,me poezi, denoncoi krimet e komunizmit, sulmoi me emër Enver Hoxhën, si vrasës serial të shqiptarëve. Dhe, stalinistë-enveristët e Kosovës në mërgatë, nuk mund t`ia falnin mëkatin e bërë, për të gjallë, Enver Hadrit. 

Heroi Enver Hadri i përket asaj gjenerate gjimnazistësh të Pejës, që nga 30 maturantë, 24 syrësh e kishin prindin-baba- të ekzekutuar, nga bishat komuniste jugosllave. Ai ishte bashkënxënës i Esat Myftarit, Namik Lucit, Zyme Berisha, Naime Daci - Gjakova..., që vuajtën burgjet, internimet e persekutimet nga Sigurimi zëkeq shqiptar, ku, këta djem e vajza, të përndjekur nga UDB-a jugosllave, kishin kërkuar shpëtim në Shqipërinë nënë!

Heroi Enver Hadri i përkiste gardës atdhetare e kombëtare, njësoj si Jusuf Gërvalla me shokë. Duke përfituar nga prania e institucioneve të Bashkimit Evropian në Bruksel, ku ai jetonte prej kohësh, me shkathtësi, krijoi lidhjet me organin më të lartë të këtij Bashkimi, pra, me Parlamentin e tij. Në bashkëpunim të përhershëm, me djemtë dhe burrat atdhetarë të Kosovës në mërgatë dhe në Atdhe, me xhentilencë e profesionalizëm, i ofroi Parlamentit Evropian materiale të bollshme dhe bindëse, për domosdoshmërinë e mbrojtjes të popullit të Kosovës, i cili vuante represionin, gjithnjë në rritje komunisto-fashistë, duke i mundësuar këtij populli të përvuajtur shkurorëzimin e përjetshëm, me krijesën artificiale Jugosllavinë, përkatësisht Serbinë. Dhe, pikërisht, në rrugëtimin për në Parlament, me njërën nga dosjet e radhës në makinë, në një ndalesë dritash të kuqe, ekzekutohet.

Dhe, tani, kur populli shqiptar në Shqipëri, Kosovë dhe mërgatë, është në përgaditje e sipër, për ta përkujtuar 20 vjetorin e rënies, në krye të detyrës kombëtare, të Heroit Enver Hadri, SHIK-u "ynë", gjithnjë i gatshëm në krime e manipulime, e rivret Heroin, me denigrime te radhës!!! "O TEMPORA! O MORES!" (O kohë, o zakone) - do të thërriste, madje fort, latini i lashtë.


IV.- Njerëzit në veprimtarinë e tyre jetësore edhe lodhën dhe e ndjejnë nevojën e pauzimit. Por, ka edhe përjashtime. Ndër të palodhurit e gjertanishëm janë SHIK-u, nga njëra anë dhe, magjistër Kadri Osmani (Mani), nga ana tjetër. Prej 20 vjetësh janë përballë njëri-tjetrit. SHIK-u është ushtri e tërë, është parti e tërë. Ndëra zoti Osmani është individ, që, tashmë, ka krijuar institucionin e vet luftarak, për t`u mbrojtur nga një armatë e tërë SHIK-ase, por duke e zgjedhur metodën se "SULMI ESHTE MBROJTJA ME E MIRE."

Magjistër Kadri Osmani është një idealist i madh kombëtar. Prej më shumë se gjysmë shekulli ka punuar, vepruar e luftuar për këtë "copë" Kosovë (ndoshta edhe më shumë), për këtë liri dhe pavarësi. Gjatë veprimtarisë të tij ilegale e legale, mund të vritej shumë herë, por vetëm rastësia e ka kursyer. Edhe para skuadrës të pushkatimit, shqiptarët e lidhur në Tivar, të cilët i përcolli "SI CJAPI TE KASAPI", ushtria e Enver Hoxhës, ndonjërin syrësh rastësia e ka shpëtuar. 

Zoti Kadri Osmani ka një biografi që ndryshon, cilësisht, nga biografia e kujtdo tjetër në Kosovë. Ishte viti 1965, kur ai, i shoqëruar nga profesori i letërsisë shqipe, hyri në klasën tonë, në Gjimnazin e Pejës. Nga çanta nxori një ekzemplar të revistës "Jeta re", që, atëbotë, drejtohej nga i urti Esad Mekuli. Dhe, agjitoi bindshëm për t`u pajtuar në revistën e vetme letrare në Kosovë.

Një ditë gushti, pa bëzamje, lënë zyrën në "Jeta re" në Prishtinë dhe, duke përshkuar tri orë në këmbë, rrugëve herë të pluhrosura, por më shumë të baltosura, arrin në Malësinë e Gollakut, në kufi me Serbinë, për mësimdhënie. Dhe, motivi i këtij vendimi: Zoti Adem Demaçi është burgosur, heronjtë e veprës të tij "Gjarpijtë e gjakut" si dhe miq e dashamirë të tjerë, gjithnjë e më shumë po maltretohen nga UDB-a. Duhet bërë diçka, për ta ngritur moralin e popullatës të kësaj zone të izoluar dhe për t`i trerguar UDB-së dhe Serbisë se nuk i frikësohemi askujt në vatrat tona.

As edhe një rast tjetër në Kosovë, as në Shqipëri (përjashto rastet kur Partia u thoshte mësuesëve në trasferim: ose shko në fshat, ose në burg), nuk mund të hasim me lënë zyrën dhe pagën më të mirë në Prishtinë, për të shkuar në malësi mësues, duke e lënë nusen të vetme me tre kalamaj të vegjël. Në dhjetë shkollat e zonës, me një drejtori të përbashkët, me mungesa elementare, për të zhvilluar një mësim normal, zoti Kadri Osmani i rrekët punës, për ta ngritur cilësinë e mësimit. Njeri i leximit, i letrave i librit, nuk duronte dot që në dhjetë shkollat fillore e 8-vjeçare, të mos kishte një gazetë, një revistë, një libër! Dhe,me qortimin e kujdesshëm ndaj mësuesëve kolegë, për këtë gjendje mjerane, me vetiniciativë, me shkrim e gojas, përshkoi Prishtinë e Shkup, duke aktivizuar, tashmë, edhe të tjerë, për të begatuar shkollat e zonës me literaturë ditore, dy javore, mujore dhe libra gjithfarëshe. Dhe, ia doli me sukses, duke krijuar edhe rrethet letrare.

Magjistër Kadri Osmani është veteran i ilegales të Kosovës dhe i burgjeve politike jugosllave. Atdheun edhe mund ta duan të gjithë, por, ndjenjen e lirisë nuk e kanë të zhvilluar të gjithë njësoj. Përndryshe, ne, shqiptarët, do ta kishim Shqipërinë të tërë, Shqipërinë Etnike, të paktën, në Lidhjen e Prizrenit. Përkushtimi i tij nuk ka qenë kurrë i mëdyshur, nuk ka qenë honorar. Përkundrazi, ka qenë detyrë, ka qenë parësor. Ai filloi në Prishtinë, vazhdoi në Istog e Pejë, u dënua dhe përsëri vazhdoi veprimtarinë ilegale në Prishtinë, për t´u dënuar sërishmi. Jeta ilegale, në sistemet komuniste e fashiste, është e rrezikshme, "NJERIU ESHTE ME KOKE NE TRASTE". Vërtet, u vranë Nuhiu (Berisha) e Rexhepi (Mala), ndërsa Kadriun rastësia e shpëtoi. Shpifjet e denigrimet aktuale të armatës "nofkaxhi" të SHIK-ut janë hakmarrje primitive e provinciale, madje me një fjalor të denjë për lukuninë komuniste. Në të gjithë Shqiptarinë tonë, zoti Kadri Osmani, do të ishte i fundit për ligështim, denoncim apo tradhti ndaj shokëve të idealit. Dhe, kjo është provuar në gjyqet e përsëritura, të zhvilluara kundër tij.

Magjistër Kadri Osmani nuk është i pafe. I gjithë rrethi familjar janë besimtarë. Ai ka agjëruar, duke ngrënë bukë bajate, me fasule të zjerë vetëm me krypë, pa vaj fare, nga bllokimi i borës në Malësinë e Gollakut. Por, zoti Osmani është magjistër, e di edhe konvertimin e dhunëshëm nga pushtuesi i vjetër. Ai nuk mund të pajtohet me ata që kundërshtojnë ndërtimin e Katedralës Katolike në Prishtinë. Ai nuk mund të pajtohet me fanatikët fetarë të përçudnuar në veshje e sjellje, të cilët thonë: "Nënë, më fal se nuk ta jap dorën as në ditën e Bajramit, sepse para se të jesh nënë, je femër dhe më ngjallë ndjesi seksuale!"

Zoti Osmani nuk mund të vë fenë mbi kombin. Nuk i ushqen ndasitë dhe përçarjet ndër fetare, që do të ishin vetëvrasje e shqiptarëve. Skënderbeu dhe Nënë Tereza janë stoli, janë dhuratë hyjnore për kombin, sepse përmasa e madhështisë të tyre, është përmasë unikale, supërspecifike, madje në shkallë botërore. Dhe, padyshim, këto dy figura madhore, janë i vetmi privilegj i shqiptarëve, duke u pasua denjësisht nga shtetbërësi i Kosovës, Presidenti Historik, dr. Ibrahim Rugova.

Njëri nga nofkaxhinjtë më brutal, për zbulimin e të cilit nuk ka pse të merakoset zoti Oamani, sepse ai është njëri nga grixha e SHIK-asëve numerikë, akuzon për konvertime partiake. Burgu i gjatë, mungesa e informacionit, kanë bërë që, herë-herë, ndjenja të triumfojë. Por, ai është energjik dhe dialektik, reagon shpejt, ecë me hapa rapid, duke e kompensuar kohën e humbur. Pavarësisht elozheve, që i bëri atij e veja e Enver Hoxhës me djem dhe kuadri tjetër i bllokmenëve në Tiranë, ai u këndell shpejt dhe denoncoi se "në Shqipërinë e Enver Hoxhës, i gjeta rrugët e Bangladeshit."

Edhepse filloi flirtin me të majtën shqiptare, zoti Osmani, në kohë rekorde bëri konvertimin, duke u rrjeshtuar tërësisht djathtas. Dhe, këtë drejtpeshim e ka ruajtur dhe justifikuar, madje në atë masë që di vetëm ai. Dhe, kjo është vijimësi e atij qendrimi thellësisht kombëtar, në kohëzgjatjen gjysmëshekullore. Këtu e ka bazën edhe epërsia e tij absolute morale, atdhetare e intelektuale, karshi kritizerëve të rinj dhe të vjetër SHIK-as.

Zoti Kadri Osmani shquhet për kërkesa që ka ndaj vetes dhe të tjerëve. NE MOSHEN 70 VJEÇARE MAGJISTROI! Një rast i virgjër në Kosovë dhe më gjerë. Vonesa ishte kushtëzuar nga burgu dhe pushtuesi. Njeriu i privuar nga liria, e vlerëson shumë lirinë. Liria e Kosovës e rinoi burgaxhiun e stazhinuar dhe në respekt të lirisë, donte t`ia bënte një surprizë Lirisë dhe dhe Pavarësisë, t`ia shtonte një magjistër Kosovës të lirë, Kosovës shtet, ëndërr dhe aspiratë e gjithë jetës të tij të mundimshme.

Shumëkush mendon, ndërsa SHIK-u edhe vepron, se "këtij magjistri grindavec, duhet me ia mbyllë gojën, me ia thyer pendën, me e bë të heshtë përgjithmonë!" Por, zoti Osmani nuk është indiferent për asgjë që është njerëzore. Reformatori Martin Luther King thotë: "Për zhvillimin e mbarë të shoqërisë, më të dëmshëm janë njerëzit e mirë që heshtin, se sa keqbërësit." E vërteta është se ai është i hatëruar gjer në zemratë, sepse populli i tij nuk po e çmon lirinë në masën që kjo liri meriton. Ish i prangosuri shumëvjeçar politik ka ëndërruar se, kur Kosova do të jetë e lirë, njerëzit e saj vetëm gjumi do t`i ndajë nga puna, nga studimi. Tani që ai i sheh, duke bredhur rrugëve e kafeneve, pa qëllim e cak, tmerrohet se "SI ROBERIA HARROHET KAQ SHPEJT!"

Magjistër Kadri Osmani është zë i veçantë në publicistikën aktuale gjithëshqiptare. Dhe, si i tillë meriton vëmendje dhe respekt, në masën e duhur. Shpirti i dlirë, sinqeriteti në shfrim ndaj së keqes, çiltëria entuziaste për të mirën, ndjenja e sakrificës, atdhedashuria e dëshmuar, përkushtimi i përhershëm për ta emancipuar e prosperuar shoqërinë, kombin, kanë qenë e mbetën vlerë dhe moto e jetës së tij, sa të trazuar, aq edhe të bujëshme.


(Vota: 38 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora