E shtune, 27.04.2024, 06:40 PM (GMT+1)

Editorial

Dibran Demaku: Karrocat e mjerimit

E premte, 26.02.2010, 10:59 PM


KARROCAT E MJERIMIT

Nga Dibran Demaku

Kriza ekonomike globale me efektet e saj negative po ndikon edhe në Kosovë.Por,Kosova edhe para krizës ekonomike globale ishte në krizë të thellë ekonomike.E dalur nga lufta shkatërruese mezi po i shëronte plagët.Dhe ato plagë po i shëronte me ndihmën edhe të aleatëve të saj që e kishin ndihmuar në luftën çlirimtare dhe po e ndihmonin edhe pas luftës.Por,me paraqitjen e krizës ekonomike globale edhe ndihmat ekonomike nga aleatët filluan të pakësohen.Ekonomitë e zhvilluara europiane e më larg,me fillimin e krizës ekonomike globale sikur filluan të harrojnë Koeovën dhe hallet e saj.Dhe kështu kriza ekonomike globale në Kosovë erdhi me tërë ashpërsinë e saj.
Dihet se Kosovës të ardhurat më të mëdha ekonomike i vijnë nga mërgimtarët e saj nga anë të ndryshme të botës.Dhe me ato të ardhura në njëfarë mënyre ka mbijetuar deri më tash.Por,tashmë kriza ekonomike globale ka ndikuar edhe tek mërgimtarët në vendet ku ata jetojnë dhe punojnë.Kjo vërehet sidomos në dërgesat e tyre të parave drejt atdheut.Ato dërgesa thuajse janë përgjysmuar.Dhe me përgjysmimin e këtyre dërgesave varfëria në Kosovë ka filluar të shtohet në përmasa frikësuese.
Kjo varfëri ekstreme vërehet në çdo hap.Të papunë të shumtë enden të dëshpëruar rrugëve të qyteteve të ndryshme të Kosovës,duke shpresuar në një punë të çfarëdoshme për sigurimin e kafshatës së gojës.Lypsarë të shumtë të shpërndarë gjithandej Kosovës.Pensionistë të dëshpëruar që në vend të pensionit marrin një lëmoshë të vogël,tmerrësisht të vogël!Punëtorë me pagesa tmerrësisht të ulta me të cilat nuk mund të kalohet as gjysma e muajit!
Por,kategoria më e dhimbshme e shoqërisë kosovare,në këtë kohë krize,janë fëmijët.Fëmijët e moshës jomadhore.Ata të cilët për të siguruar kafshatën e gojës janë të detyruar të braktisin shkollën e mësimin e të bëjnë çfardo pune,që për trupin e tyre të brishtë,janë punë të rënda.
Për çdo ditë këta fëmijë do t`i ndeshësh nëpër rrugë e sheshe të qyteteve duke shitur cigare,shkrepsa e cikërrima të tjera.Disa të tjerë duke pritur me karroca dore afër tregut të gjelbërt athua do t`i thërras ndonjë zotëri për të ia bartur mallin e tij deri në shtëpi?! Karrocat e tyre të dorës nganjëherë janë aq të ngarkuara nga malli i zotërinjëve të tyre saqë muskujt e brishtë të tyre mezi e tërheqin atë peshë.Ndërkaq zotërinjëve të pasur as që u bën përshtypje lodhja e tyre,mundimi i tyre!...
Këtë krizë ekonomike në Kosovë nuk po e ndien vetëm kasta politike udhëheqëse.Ajo që nga ardhja në pushtet ka grumbulluar për vetën e vetë një pasuri marramendëse dhe kjo kastë as që e vërenë varfërinë ekstreme në Kosovë.Ata nuk i dëgjojnë kumbonat e alarmit që tashmë kanë rënë në Kosovë!Sepse pasuria e tepërt ua ka verbuar shikimin,ua ka shurdhëruar veshët!Ata nuk e dëgjojnë as zhurmën e karrocave të dorës që tërhiqen nga fëmijët rrugëve të qyteteve dhe para hundës së tyre!Kënga vajtuese e karrocave të mjerimit nuk arrinë në veshët e tyre!
Ndërkaq karrocat e mjerimit për çdo ditë shtohen e shtohen!E para atyre karrocave qëndrojnë fëmijët e varfër të Kosovës!
Karrocat e mjerimit të fëmijëve në Kosovë,ashtu si "Tullumbat e Lulit" të Migjenit,akuzojnë!Ata nuk kërkojnë mëshirë,por drejtësi!Por,konventat ndërkombëtare për të drejtat e fëmijëve sikur nuk njihen në Kosovë!E konventat ndërkombëtare për të drejtat e fëmijëve e ndalojnë punën e fëmijëve!Këtë të drejtë elementare mbase e di edhe kasta udhëheqëse në Kosovë!Mbase e di,por e heshtë!E heshtë sepse siç duket ndërgjegja e saj ka rënë në gjumë?!


(Vota: 7 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora