E premte, 26.04.2024, 01:23 PM (GMT+1)

Kulturë

Një gonxhe në festivalin e feve

E marte, 04.09.2007, 10:32 PM


Nga Alma Mile

Në fund të shtatorit zhvillohet Religion Today Film Festival. Shqipëria konkurron me filmin "Kur nënë Tereza ishte Gonxhe" me regji të Ylli Pepos

Nene Tereza ne moshe te re
Atëherë ajo ishte thjesht Gonxhe. Një ditë do të ishte nëna e të gjithëve, një shenjtore mëshirëplotë, në të gjallë e pas vdekjes. "Kur Nënë Tereza ishte Gonxhe", është filmi më i ri i dokumentar i regjisorit Ylli Pepo. Një film që përfaqëson Shqipërinë në Festivalin e Filmit mbi religjonet në Trento të Italisë. Filmi konkurron në seksionin e filmave me metrazh të shkurtër. Nga vetë titulli, filmi kthehet pas në kohë, në ato vite kur Nënë Tereza ishte vajzë e re. Kërkon në rrënjët shqiptare të Nënë Terezës, një temë e kthyer në debat për çështjen e origjinës së shenjtores. Filmi i Pepos realizohet në kuadrin e 10-vjetorit të vdekjes së Nënë Terezës. Është një prodhim që financohet nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Për realizimin e tij, por edhe disa aktiviteteve të tjera, ministri Ylli Pango i kërkoi qeverisë një fond të posaçëm. Bëhet fjalë për një shumë prej 28 milionë lekësh, prej të cilave 13.8 milionë ishin llogaritur të shkonin vetëm për filmin.

Edicioni i 10-të i "Religion Today Film Festival", një ngjarje e rëndësishme artistike, që ka në qendër dialogun mes feve, hapet në fund të shtatorit. Është në traditën e festivalit që çdo vit trajtohet një temë e veçantë. Këtë vit filmat e përzjedhur, por edhe debatet, takimet që do të zhvillohen vërtiten rreth temës së dhembshurisë. "Dhembshuri dhe konflikt në rrugën e besimit". Për organizatorët e aktivitetit, kjo është tema e përzgjedhur për të festuar edhe 10-vjetorin e festivalit, që tenton të rrëzojë barrierat që gjithkush i ka ngritur për t'u mbrojtur nga një armik i mundshëm dhe për të përshkuar rrugët e takimit, ato që kryqëzojnë shpirtin e njeriut dhe të Zotit. Një aktivitet që nxit bashkëjetesën, mes feve, por edhe debatin.

Jo rrallë herë, filma të shfaqur në ekranin e këtij festivali kanë ngjallur reagime të forta. Që prej krijimeve të artistëve thuajse të panjohur, tek ata hollivudianë, si Mel Gibson me "Mundimet e Krishtit". Filmat pjesëmarrës në këtë edicion-përvjetor do të shfaqen në disa qytete të Italisë si Bolzano, Romë, Milano, Ferrara e Nomadelfia. Interesant është fakti që festivali do të zhvendoset edhe në disa vende të tjera të botës, si Brazil, Izrael dhe Bangladesh ku zhvillohen ngjarjet më të rëndësishme të filmit si Festivali i filmit religjoz në San Paolo, në Jeëish Film Festival, në Jerusalem, Bienalen e Kinemasë në Bangladesh dhe Fajr Film Festival në Teheran.

Në "Religion Today Film Festival" marrin pjesë 47 filma, të seleksionuar prej një numri mjaft të madh konkurrentësh. Të përzgjedhurit përfaqësojnë fetë më të mëdha në botë, si kristianizmi në tri format e tij, katolicizëm, ortodoksi e protestanizëm, për të vazhduar me të tjera fe si hebraizmi, islamizmi, hinduizmi, budizmi, etj. Filmat vijnë nga 20 vende të botës, duke filluar me Shqipërinë, për të vazhduar me Afganistanin, Bangladeshin, Bullgarinë, Kanadanë, Danimarkën, Francën, Indonezinë, Iranin, Irlandën e Veriut, Izraelin, Italinë, Poloninë, Rusinë, Sllovakinë, Spanjën, Afrikën e Jugut, Zvicrën, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Anglinë. Gjatë ditëve të festivalit do të zhvillohen sesione shkencore ndërkombëtare, ekspozita artistike, takime artistësh, etj. Në konkurs marrin pjesë 11 filma me metrazh të gjatë, 14 me metrazh të shkurtër dhe 22 dokumentarë. Për të tria këto kategori do të ndahen edhe çmimet për më të mirët. 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora