| E marte, 04.09.2007, 09:32 PM |
Nga Alma Mile
Në fund të shtatorit zhvillohet Religion Today Film Festival. Shqipëria konkurron me filmin "Kur nënë Tereza ishte Gonxhe" me regji të Ylli Pepos
Nene Tereza ne moshe te re |
Edicioni i 10-të i "Religion Today Film Festival", një ngjarje e rëndësishme artistike, që ka në qendër dialogun mes feve, hapet në fund të shtatorit. Është në traditën e festivalit që çdo vit trajtohet një temë e veçantë. Këtë vit filmat e përzjedhur, por edhe debatet, takimet që do të zhvillohen vërtiten rreth temës së dhembshurisë. "Dhembshuri dhe konflikt në rrugën e besimit". Për organizatorët e aktivitetit, kjo është tema e përzgjedhur për të festuar edhe 10-vjetorin e festivalit, që tenton të rrëzojë barrierat që gjithkush i ka ngritur për t'u mbrojtur nga një armik i mundshëm dhe për të përshkuar rrugët e takimit, ato që kryqëzojnë shpirtin e njeriut dhe të Zotit. Një aktivitet që nxit bashkëjetesën, mes feve, por edhe debatin.
Jo rrallë herë, filma të shfaqur në ekranin e këtij festivali kanë ngjallur reagime të forta. Që prej krijimeve të artistëve thuajse të panjohur, tek ata hollivudianë, si Mel Gibson me "Mundimet e Krishtit". Filmat pjesëmarrës në këtë edicion-përvjetor do të shfaqen në disa qytete të Italisë si Bolzano, Romë, Milano, Ferrara e Nomadelfia. Interesant është fakti që festivali do të zhvendoset edhe në disa vende të tjera të botës, si Brazil, Izrael dhe Bangladesh ku zhvillohen ngjarjet më të rëndësishme të filmit si Festivali i filmit religjoz në San Paolo, në Jeëish Film Festival, në Jerusalem, Bienalen e Kinemasë në Bangladesh dhe Fajr Film Festival në Teheran.
Në "Religion Today Film Festival" marrin pjesë 47 filma, të seleksionuar prej një numri mjaft të madh konkurrentësh. Të përzgjedhurit përfaqësojnë fetë më të mëdha në botë, si kristianizmi në tri format e tij, katolicizëm, ortodoksi e protestanizëm, për të vazhduar me të tjera fe si hebraizmi, islamizmi, hinduizmi, budizmi, etj. Filmat vijnë nga 20 vende të botës, duke filluar me Shqipërinë, për të vazhduar me Afganistanin, Bangladeshin, Bullgarinë, Kanadanë, Danimarkën, Francën, Indonezinë, Iranin, Irlandën e Veriut, Izraelin, Italinë, Poloninë, Rusinë, Sllovakinë, Spanjën, Afrikën e Jugut, Zvicrën, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Anglinë. Gjatë ditëve të festivalit do të zhvillohen sesione shkencore ndërkombëtare, ekspozita artistike, takime artistësh, etj. Në konkurs marrin pjesë 11 filma me metrazh të gjatë, 14 me metrazh të shkurtër dhe 22 dokumentarë. Për të tria këto kategori do të ndahen edhe çmimet për më të mirët.