E premte, 26.04.2024, 04:43 PM (GMT+1)

Kulturë

Mehmetali Rexhepi: Ndërgjegja e tërbuar

E hene, 13.07.2009, 07:23 PM


                  Ndërgjegja  e tërbuar

                                               Mehmetali Rexhepi

              Sarë GJERGJI: “Terapia e vdekjes - rekuiem për Kosovën

 

Poeti nga Stublla e Don Mikel Tarabulluzit, Sarë Gjergji pas dy librave me vjersha, doli  me vëllimin e përzgjedhur e të plotësuar edhe me ndonjë vjershë të re të titulluar “Terapia e vdekjes - rekuiem për Kosovën”. Përpos aspekteve artistike, vëllimi do të duhej të zgjonte interesimin dhe kërshërinë e lexuesit edhe për dy arsye: ngase si vëllim poetik përuron, ndoshta jo i pari, por ndër të parët bibliotekën “Metafora”dhe, gjithsesi edicionin botues të botimeve “Martin Segoni” të Qendrës së Pavarur Kulturore të Gjilanit. Nismat e tilla kanë peshë për kulturën letrare dhe gjallërimin e amullisë tek ne.

Fjalori poetik i vjershave të këtij vëllimi të përzgjedhur, pasqyron poetikisht gjithkohësinë e mynxyrave të fatit njerëzor. Sepse “Marshi i Kryqësimit” vijon dhe assesi t’i ndalet galopi këtij marshimi marramendës, gjakatar e trishtues që përplaset mbi etninë e poetit:

 

I lindur para Krishtit

në Siujdhesën Ilirike

dhe askush asnjë fjalë

më falni se disa thonë asgjë

 

Kësaj indiference idiotike të ruajtësve të rendit të “vlerave të larta njerëzore”, poetit në pamundësi, nuk i mbetet armë tjetër për zhdavaritje, pos satirës së fortë dhe ironisë së hidhur për vlerat e rreme të qytetërimit:

 

ai që moti e njeh

marrëzinë e kafshëve”.

 

Në poezinë bashkëkohore shqipe kemi tipin e vjershës së sublimuar në maksima ose urti sikurse te Ali Podrimja:

 

Në jetën time aq fort më deshtën shtazët

sa mall pata të shoh fytyra njerëzish.”   

 

 Një tip i tillë vjershërimi haset edhe në këtë libërth vjershash të Sarë Gjergjit, si në dyvargëshin e vjershës “Ndërgjegja”:

 

E ulur në poltrone

i bënë homazh vetës

 

Këtu kemi të ngërthyer një refleks shpërthyes satirik, rebusi i ndërgjegjes është i tejdukshëm, si busollë e përvojës sprovimeve të mynxyrshme, kthyer si vlerë për orientime në jetë e krijimtari.

Poezia i shërben poetit për t’ia mbjell qëndresën e pathyeshmërinë brezit të ri në vjershën “Prolog”, kushtuar të bijës, Jehonës, edhepse:

 

Sot prerje hartash bëhen

pilatë të rinj dhe profetë të rrejshëm...”

 

Poeti shkruan se vetëm “me zjarr promethean në shpirt”, do të mund të mbijetonin brezat e etnisë. Në figurën e Prometheut është identifikuar etnia, prore e denuar të ecë zgripseve të historisë.

Figura e urryer mitike e Pons Pilatit është shkruar me shkronjë të vogël, ngase ky emër i përveçëm, simbol i krimit të gjithkohshëm, i shumëzuar, u shndërrua në emër të përgjithshëm, që përtrollitet në realitetin e etnisë sonë me plagë të pashëruara të pilatëve serbë, të cilët do ta tmerronin edhe vetë Pilatin për krime e perverzitete dhe fshehje të tyre.

Aspektet etike dhe e shëmtuara si kategori estetike, fillim e mbarim e përshkojnë këtë libër.

Krimi prodhon shëmtinë e dhimbjen dhe provokon ndërgjegjen. Ndërgjegjia është konceptuar si lajtmotiv dhe është strumbullari rreth së cilës mbështillet e thuret ideja qendrore e kësaj etike poetike. Përmes konceptit ndërgjegje, që nuk është gjithaq poetik, poeti mëton shtendosje të tendosjes, e cila ka arritur pikën kritike të vlimit, me gjasa të mëdha të përvëlimit dhe viktimizimit…

Ndërgjegja paraqitet në variante, qoftë si poltronizëm dhe, assesi nuk bën të përkufizohet si synim i vetëm i barkut, ose si pyetje etike e Jezuit:

 

me ndërgjegje të vrarë a jetohet?”

 

Komunikimi me Krishtin, Pal Engjëllin, Sokratin, Platonin, Shën Jeronimin, Niketë Dardanin, Pjetër Bogdanin, Odhiseun është një komunikim me sprovat e urtisë dhe strehim i besimit në forcën shpirtërore të njeriut perëndi.

 

Trashigimtarë ironik të kësaj fryme etike, të përvetësuar, madje të identifikuar nga më tepër se gjysma e qytetërimit; ky qytetërim që beson, lutet dhe i falet kësaj filozofie, predikon e premton drejtësi e mëshirë, ndërsa lejon padrejtësi e indiferentizëm, është sprovë e falsitetit dhe “moral i dyfishtë”, që iriton për konstelacionin e rremë mbi të cilin ngritet morali i rrëshqitshëm njerëzor. Një moral i tillë riciklon tragjeditë, duke i përmbysur vlerat, sepse përderisa të mos veprojë ndërgjegja njerëzore:

 

Profetë të rrejshëm

do të ketë

dhe judë të rinj

 

Poeti dhe njeriu, Sarë Gjergji është i preokupuar me dialektikën e riciklimit të dhunës, përvijimit të kryqësimit, rrëzimit e përdhosjes së simboleve të urtisë nga “mëkatarë dhe injorantë”, të cilët historinë do ta shkruajnë me dhimbje e tragjedi njerëzore.

Kështu do të ndodh edhe pas miliona lutjesh dhe citimesh të Librave të Shenjtë, qysh prej përhapjes së dritës ungjillore nga Shën Jeronimi dhe, njeriu assesi të bëhet paqësor, madje siç citon poeti “do të përsoset gjenocidi”.

Mungesa e ndërgjegjes e riaktualizon mesjetën dhe, pohimi i Tomas Hobsit “Homo homini lupus est”, është përditshmëri në një pjesë të Evropës së sotme dhe gjetiu.

Poeti është i bindur në mësimet, besimin e vlerat e forta të filozofisë së mirësisë, megjithatë, heton dobësitë njerëzore, vetëkënaqësinë e njerëzimit dhe falsitetin e identifikimit në vlerat e shenjta për qëllime të ulëta pragmatike. Ky poet poezisë i cakton funksionin e demaskimit dhe të ruatjes së fisnikërisë burimore. Kjo poezi është grishje për t’i dalë ndesh krimit të shfrenuar, qoftë mbi një etni ose mbi çdo njeri.

Nga tëra katandisjet, poetikisht konstatohet se lakmia, epshet e makutëria i kanë dhënë dorë krimit, në emër të sovranitetit ose me ndonjë alibi tjetër, duke i futur njerëzit nëpër shtretër të Prokrustit dhe, as predikuesit e etikës e të filozofisë biblike e kuranore, nuk i frenuan e zbutën dot shfrenimin e teket e diktatorëve të lashtë e modernë, ngase:

 

Bota ka rënë në gjumë

mos u tundo të lutem…”

 

 

Sa herë përgjumet e mbyllet në geton e egoizmit njerëzimi, Sarë Gjergji me metafora troket në dyer të Evropës e më gjerë me besimin se do t’i hapen, sepse brenda atyre dyerve ngërthehet ndjeshmëria ironike e Profetëve dhe gjasat për shpëtim.

Ndoshta, rishpalosja e atyre fijeve të këputura, për kthim borxhi Shqipërisë kastriotike që i ngriti digën, pos vërshimit të osmanëve mbi gjeografinë arbërore, edhe paprekshmërisë shpirtërore të Krishterimit.

Pamundësia për ta rregulluar jetën njerëzisht dhe, për ta shpëtuar nga krimi, për të satën herë e shpie këtë poezi tek i vetmi ngushëllim, te Krishti, të cilit i drejtohet me brengë në shpirt: “çtë bëhet me ndërgjegjen?”

Pyetja ngërthen thirrje e provokim njëkohësisht për sferën shpirtërore: ka a nuk ka forcë Perëndia edhe tash, për parandalimin e shërimin e tërbimit të ndërgjegjes njerëzore?!




(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora