E premte, 26.04.2024, 05:08 PM (GMT+1)

Kulturë

Demir Krasniqi: Terminologji e gabuar ndaj këngëve me përmasa ballkanike

E hene, 13.07.2009, 06:58 PM


Etnomuzikologji:

TERMINOLOGJI  E GABUAR NDAJ KËNGËVE ME PËRMASA BALLKANIKE

Nga Demir KRASNIQI

Gjatë dekadave të fundit , shpesh herë na ka rënë që të dëgjojmë  emisione dhe të lexojmë  shkrime kritike , të cilat në shënjestër kanë keqpërdorimet , bastardimet dhe ndikimet e huaja në këngët tona popullore .
Një luftë e pa kompromis kundër këtyre dukurive të shëmtuara në jetën tonë muzikore është shumë e arsyeshme . Por jo rrallë , artikullshkruesit e dukurive të këtilla dhe moderatorët e programeve që i trajtojnë këto probleme , sikur nuk e njohin sa duhet fjalorin adekuat terminologjik të këtyre devijimeve , në baza profesionale .
    Sa herë që trajtohen  probleme të kësaj fushe, që për kah dimensioni janë shumë të gjëra , përdoret një zhargon i një fjalori që nuk i shkon për shtati një realiteti esencial , si që janë ta zëmë shprehjet: adaptime, përkthime, huazime , vjedhje...etj.
    Me qëllim që të hedhim sado pakëz dritë në ndriçimin e kësaj terminologjie , në vazhdim do të sjellim disa shpjegime më të hollësishme për të pasqyruar këtë problematikë.

Çka janë adaptimet në muzikën popullore ?

    Adaptimet janë përqafime, apo përvetësime të vlerave të huaja artistike , të cilat i përvetësojnë një kategori e caktuar e njerëzve që merren me kultivimin e këngës dhe muzikës popullore . Shkaqet e adaptimeve , apo përvetësimeve të këngëve të popujve tjerë , janë ndër më të ndryshmet . Ato datojnë nga kohët shumë më të hershme se që mendojmë ne . Në rend të parë, deri tek adaptimet e vlerave të këtilla , ka ardhur nga rrethanat e ndryshme historike , duke filluar nga luftërat e ndryshme, okupimet e disa popujve nga shtetet më të fuqishme , mungesa e nivelit të shkollimit, mungesa e lirive dhe pavarësive të vendeve , mungesa e krijuesve profesionist muzikor dhe shumë faktor të tjerë.
    Adaptime të vlerave të huaja artistike ka në të gjitha vendet e botës, por më të theksuara janë nëpër vendet ballkanike, nga se gjeografikisht kjo siujdhesë është e banuar me shumë popuj të ndryshëm që iu përkasin tri feve më të mëdha, si: myslimanë, ortodoks dhe katolikë .
    Ndikimet më të mëdha në adaptimin e vlerave artistike, pa dyshim se e kanë pasur fuqitë më të mëdha okupatore, në rend të parë Perandoria Osmane, pastaj edhe okupatorët tjerë të përkatësisë sllavo ortodokse .
    Këngëtarët konsumues të këtyre vlerave , përveç dëshirës për të treguar ndonjë lojalitet ndaj këtyre pushtuesve , shumë herë i kanë joshë që t’ i adaptojnë këngët të cilat kanë pasur melodi e ritme të bukura, të kapshme për vesh, të kapshme për interpretim dhe të kapshme për vallëzim .
    Secili nga interpretuesit e këngëve të adaptuara , ua ka plasuar bashkëkombësve të vet, duke e interpretuar atë në mënyrën e vet dhe duke ia përshtatur mentalitetit të rrethit ku ka jetuar. Madje, interpretuesit e këngëve të adaptuara , shpesh herë janë paraqitur edhe si autorë të teksteve dhe melodive të atyre këngëve . Populli i ka pranuar si të tilla, nga se në atë kohë nuk ka pasur mjete të komunikimit publik, me të cilat do të mund të verifikohej prejardhja e asaj kënge .
    Nuk kanë qenë të rralla edhe rastet kur pushtetarët ua kanë imponuar këngët e veta për këndim , këngëtarëve më eminent të kohërave përkatëse .
    Pa dyshim se numri më i madh i këngëve të adaptuara tek populli shqiptar , na vjen nga Perandoria Osmane e cila mbi tokat shqiptare ka ushtruar pushtet plot 550 vjet dhe pasojat në ndikimet e tyre kulturore mbi popullin shqiptar janë evidente edhe sot e kësaj dite . Pas tyre, vijnë adaptimet e këngëve greke, bullgare, serbe, boshnjake, malazeze, madje edhe italiane .
    Mirëpo, e vërteta është se edhe popujt tjerë të Ballkanit kanë adaptuar shumë këngë popullore nga populli shqiptar .
    Nga adaptimet e tilla të këngëve të popujve të ndryshëm, ka ardhur deri tek një përzierje vlerash, aq sa vështirë është që studiuesit e etnomuzikologjisë të përcaktohen saktësisht për kategorinë e këngëve të këtilla, se vërtetë cilit popull i takojnë ato?!
    Gjatë jetës sime, më ka rënë që të dëgjoj edhe këngë të popujve tjerë, në veçanti ato të popujve të Ballkanit dhe gjatë dëgjimit të tyre, më ka rënë të dëgjoj shumë këngë që i këndon edhe populli shqiptar në gjuhën e vet amtare . Kjo dukuri më ka krijuar huti në imagjinatën time, nga se kurrë nuk kam mundur ta kuptoj të vërtetën e gjenezës së atyre këngëve !
    Ndër këngët më të njohura popullore, që kanë ndikime dhe adaptime të këtilla, po i përmendi vetëm disa prej tyre që janë më të njohura , më të popullarizuara dhe që këndohen edhe sot nëpër dasmat, ahengjet dhe jetën tonë publike .
    Këngën popullore me titull:”Mu në bashtën tënde të këndon bilbili”, unë e kam gjetur të mbledhur dhe të botuar në librin “Lyra shqiptare” nga Pjetër Dungu, i cili pohon se kjo këngë është autoktone beratase . Mirëpo, të njëjtën këngë me të njëjtën melodi, e kam hasur të kënduar edhe nga serbët e Vrajës, me titull:”Ruse kose curo imash”, tek maqedonët, tek bullgarët, grekët, turqit, madje edhe tek izraelitët dhe vendet arabe ?!
    Kënga  popullore me titull:”Nëpër tela të telefonit”, është këngë e adaptuar nga turqishtja me titull:”Telefonden telerinden”, që është një këngë shumë e popullarizuar në Turqi dhe thuaj se nuk ka këngëtar popullor turk që nuk e ka të incizuar këtë këngë.
    Kënga më e adaptuar popullore turke, është “Kënga e Çanakalasë”. Kjo këngë, për dallim nga të tjerat, është adaptuar me tekst dhe melodi të njëjtë dhe këndohet me të madhe ndër shqiptarë, grekë dhe maqedonë .
Kënga e adaptuar në gjuhën shqipe me titull:”Kallma cigaren”, është këngë tipike turke me titull:”Jallanxhi çoban” e që përveç turqve , e kanë adaptuar edhe grekët , maqedonët dhe romët.
    Këngën popullore me titull:”Ç’ na çudite moj Hyrije” e kam hasur të kënduar nga këngëtarët turqë në gjuhën turke, për të cilën nuk dihet se a është këngë  e vërtetë shqipe, a po është adaptuar nga turqishtja?! Edhe këngën me titull:”S’ paske pasë një pikë mëshirë” e këndojnë me të madhe këngëtarët grekë e që nuk dihet se kush prej kujt e ka adaptua?!
Kur jemi tek adaptimet e këngëve në mes të grekëve dhe shqiptarëve, nuk mund ta tejkaloj një fakt që më ka habitur shumë . Fjala është për melodinë e këngës së Dedë Gjon Lulit, të cilën e kam dëgjuar të kënduar origjinal nga këngëtarët grekë !
    Këngën legjendare “Hasan Aga dhe çika Potureshë” , përveç shqiptarëve, me të madhe e këndojnë edhe maqedonët dhe boshnjakët. I njëjti problem na paraqitet edhe tek kënga me titull:”Zo’  ku krisi pushka pramë”, të cilën e kanë adaptuar serbët, maqedonët dhe goranët, por që ata këtë motiv e lidhin me shembjen e bjeshkëve të Sharrit, e cila i mbytë tre barinj dhe titullohet “Se navali Shar pllanina”.
Kënga popullore me titull:”Unazën e arit në gisht po ta ruaj”, është adaptuar në origjinal nga kënga popullore turke me titull:”Aman Doktor”, të cilën e këndojnë me të madhe elita e këngëtarëve të Radio Televizionit të Turqisë .
Tekstin  i këngës popullore me motive dasmore:”Do t’i kallim fitilat e llamës”,  të cilin shumë herët e kanë thurë e kënduar me përcjellje të defeve , vajzat fshatare, tani këngëtarët e estradës sonë e këndojnë duke ia veshur një melodi tipike të një kënge bullgare?!
    Një hit i madh në tregun e muzikës kosovare, është plasuar viteve të fundit përmes një teksti të titulluar :”Hidhe vallen mori kosovare”, të cilit fund e krye i është veshur një melodi shumë e njohur popullore rumune!
    Ndër këngët e adaptuara prej turqishtes , po i përmendim edhe këngët:”Opa, nina, nina, naj”,”Solla, solla mindilin”(Sallasana, sallasana mindilim) dhe “Du me t’ dhanë moj bija ime”(Këzum seni Alije), të cilat janë adaptuar në gjuhën shqipe, greke, maqedone, rome dhe serbe.
    Prej këngëve më të njohura popullore shqiptare të cilat i kanë adaptuar serbët dhe boshnjakët , po i përmendim vetëm dy:”Ani krisi pushka në stom të Drinit”=”More puçe pushka na dolini Drima” dhe “Hajde Shote mashallah”= “Shote, mori Shote, Shote mashalla”.
    Këso adaptimesh dhe kësi shembujsh kemi me qindra , por kemi edhe një numër të madh të valleve popullore të cilat janë adaptuar nga popujt e Ballkanit dhe Anadollia, e që janë bërë pjesë e pa ndashme e jetës sonë muzikore.

Çka janë përkthimet në këngët popullore ?

    Këngët e adaptuara nga popujt tjerë, shpesh herë i hasim edhe të përkthyera nga përmbajtja e tyre origjinale .
    Përkthimet e këngëve të huaja bëhen në dy mënyra:
1.    Përkthimi i tekstit për shkak të kureshtjes së temës, apo ngjarjes e cila trajtohet në atë këngë dhe
2.    Përkthimi i imponuar nga ana e pushtet-mbajtësit, i cili me çdo kusht tenton që edhe përmes këngës, t’ ua imponojë popujve të robëruar ideologjinë dhe kulturën e vet !
Nga cikli i këngëve të huaja, të përkthyera në gjuhën shqipe për shkak të ngjarjes tragjike, po e përmendim vetëm “Këngën e Çanakalasë” e cila është përkthyer nga turqishtja, për arsye se në Luftën e përgjakshme të këtij qyteti, thuhet se kanë marrë pjesë shumë të rinj shqiptarë , të cilët janë mobilizuar me dhunë dhe atje kanë rënë viktima.
Nga cikli i këngëve të përkthyera me imponim të pushtet-mbajtësve, po i përmendim vetëm disa prej tyre, me të cilat jemi përballur të gjithë ne gjeneratat që kemi përjetuar okupimin sllavo-komunist serbo-jugosllav, sidomos pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore e deri më 12 Qershor 1999, kur secilit  shqiptar i është imponuar këndimi i këngëve të përkthyera partizano-çetnike sllavo-komuniste , duke filluar që nga bankat shkollore, në shërbimet ushtarake, në aksione të ndryshme vullnetare punuese dhe në të gjitha festat e ndryshme shtetërore .
Ndër himnet e obliguara të këngëve të kësaj kategorie, pa dyshim se ka qenë kënga me titull:”Druzhe Tito, mi ti se kunemo”= “Shoku Tito, ne po të betohemi”, e cila ka qenë e përkthyer në të gjitha gjuhët e popujve të cilët kanë qenë nën administrimin e federatës jugosllave .Pastaj kënga “Sava komandant”, “Partizani n’ luftë po shkonte” e shumë të tjera.
Në kuadër të ciklit të këngëve të përkthyera me ideologji dhe imponim të pushtet-mbajtësit, bëjnë pjesë edhe një numër simbolik i këngëve rapsodike të përkthyera vullnetarisht nga ana e disa rapsodëve popullor që ishin lojal ndaj pushtetit aktual dhe pushtetarëve. Nga këngët e tilla, po i përmendim këngët me titull:”Oj dragane iza brega”=”More i dashur  në qatë  breg”,”Na Kordunu grob do groba” = “Në Kordun prej varrit në varr” , e cila herë këndohej në variant origjinal, herë në një variant që quhej:”Prej Kosovës deri n’ Nish”.
 Ndërsa , kryevepra e këngëve lojale dhe  ideologjike ndaj pusht-mbajtësit, pa dyshim se ishte kënga rapsodike me titull:”Marrshall Tita n’ kali t’ bardhë”, të cilën këngë e kishin adaptuar kryekëput nga teksti i këngës patriotike – historike që i këndohej dikur me titull: “Maliq Pasha n’ at të zi” .

Çka janë huazimet në këngët popullore ?

Termi “huazim” i këngëve popullore, është plotësisht term i përdorur gabimisht dhe i pa logjikshëm. Fjala “huazim”, ka të bëjë marrjen e gjë sendeve, apo parave , të cilat huazohen nga njerëzit e afërm, shokët, miqtë, në rastet kur njeriu është në gjendje të vështirë, në skamje, varfëri dhe ato i huazon për një kohë të caktuar sa për të kryer punët dhe nevojat e tij elementare, por që ato duhet t’ ia kthej huadhënësit në kohën dhe afatin e caktuar kohor.
Pra, kënga nuk mund të huazohet as se si, nga se ajo nuk është mjet që mund t’ i kthehet pronarit, në rastin konkret – autorit! Por , e vërteta e këtyre “huazimeve” , nga ana e disa interpretuesve të pa ndërgjegjshëm të këngëve popullore, është hiq më pak se një vjedhje klasike e veprës së autorit, pa autorizim dhe pa kompensim material.
Këto lloje të “huazimeve” , nuk mund të trajtohen ndryshe, pos vjedhje e veprës së autorit. Në rastet konkrete, interpretuesit e pa cipë të këngës popullore, ia vjedhin këngën autorit me tekst dhe melodi, madje  shkojnë aq larg, sa që para opinionit prezantohen vet si autorë të tekstit, autor të melodisë dhe kantautor, duke e shënuar emrin dhe mbiemrin e vet nën titullin e veprës së vjedhur?!
Ka edhe interpretues të tillë, që këngën e vjedhur nga autori i vërtetë, e prezantojnë para opinionit publik, si “këngë popullore”, ose “këngë pa autor”?!
Në kohën kur nuk respektohen ligjet mbi mbrojtën e veprave të autorëve dhe ato ligje asnjëherë nuk zbatohen në praktikë, së pakut artikullshkruesit dhe moderatorët e emisioneve të tilla, janë të obliguar që veprat kriminale dhe aktorët e tyre , t’i emërtojnë me emër të vërtetë:”Hajna”, “Vjedhje”, e jo “Huazues” dhe “Huazime!”


(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora