E marte, 04.08.2020, 09:48 AM (GMT+1)

Komente

Kostaq Xoxa: Gramozi, si Nikolajevi i Stalinit

E shtune, 11.07.2009, 04:22 PM


Gramozi, si Nikolajevi i Stalinit

Nga Kostaq Xoxa

Profili i një narcizi

Tashmë të gjithë janë ndërgjegjësuar se Edvini i humbi zgjedhjet. I mori koka erë, - është një shprehje. Dhe u bë si qeni i La Fontenit, me gojën plot, që po kalonte lumin mbi një tra, që bashkonte brigjet e lumit.. Andej nga mesi i ecjes së vështirë, si Dantja në mes të rrugëtimit të jetës së tij, (tercina e parë), i doli shëmbëllimi i vetvetes, në pasqyrimin e ujërave të lumit. Nga babëzia iu turr atij qenit që reflektonte tëposhtë, për t’ia rrëmbyer atë që kishte në gojë. Por … humbi edhe të vetën!

Meqë fabulat kanë në fund edhe moralin e tyre, edhe ajo e La Fontenit ka, në përfundim, domethënien e përrallës. Por, meqë e kam harruar, po e jap me një shprehje popullore: Tahmaja e madhe, e zeza e të zot!

Tani Ed Ramës nuk i mbetet veçse t’i bëjë bisht asaj klauzolës së statutit të partisë së vet;  domethënë të japë dorëheqjen. Jo vetëm se e përmban statuti partiak, por edhe se ky kriter dorëheqjeje ishte respektuar nga paraardhësi i tij; kemi, pra, një precedent.  Por Rama, i mbufatur për suksesin që e nxori jashtë ringut bamirësin e tij, i cili e kishte prurë në Tiranë, duke e nxjerrë nga basifondet e Senës së Parisit dhe e kishte emërurar jo pak por, si për ironi të  jetës së shthurur, ministër të Kulturës, paska të drejtën e shpërfilljes së rregullave të partisë. Pas suksesit me këpëdarët e tij injorantë, të zgjedhur nga ai vetë, këtij ish-ministri të Kulturës, më vonë kryetar i bashkisë, iu përftua  ideja se partia është pronësi ekskluzive e vetvetes, sipas autoritarizmit despotik të Stalinit (apo të Enver Hoxhës, - është e njëjta gjë).  

Meqë përmendja e shkallës së parë të ngjitjes ishte ministria e Kulturës, kjo na zgjon një përsiatje: Ironia qëndron në atë se ajo që binte erë se i mungonte më tepër, ishte bash kultura! Njerëzit e kulturës dhe artistët ia kishin blerë që në fillim mendjen, se ajo mungesë kulture do të ishte e keqja më e vogël, nëse ministri i sapoardhur nuk do ta kishte zëvendësuar atë, kulturën,  me mujshinë (prepotencën), brutalitetin por edhe me megalomaninë që çdo mangësi ta paraqiste si sukses. Si kryetar bashkie, mungesën e rrugëve e përfytyronte dhe e paraqiste si bollëk stradal! Arbitraritetet me fondet e bashkisë, i propagandonte si korrektesë kursimesh (!), për të mos prekur taksapaguesit. Ekologjia asfiksuese e kryeqytetit i ngjante si pastërtia shembullore që duhej admiruar, (ndonëse ekologjisti Sazan Guri provoi me argumente e me shifra se Tirana ishte qyteti më i ndotur i Europës e më gjerë).  Zhdukjen e lulishteve të Tiranës, e kontestonte me vetëmburrjet për skarpatat e Lanës dhe me Parkun Rinia, që s’ishin prodhim i tij! Bojërat e zymta të tri faqeve të ndërtesave, me blunë skuro, madje edhe me të zezën e me jeshilen e errët, në perceptimin e tij të çakorduar, i linin mbresat e pikturave të Rafaelos! Paçká se faqja e katërt shërbente për urinimet e rastit të hallexhinjve me prostatë ose pa prostatë dhe avujt kutërbues të bënin të zije hundët me dorë, ndonëse atij i dukeshin  si aromë trëndafilash! Shkurt, kishte edhe atë huqin e narcizëve.

Dhe, si Narcizi i Mitologjisës, pati edhe fundin. Ky personazh i legjendave të hershme, tek dremiste në majë të një shkëmbi të lartë që binte thikë mbi Oqean, u mahnit pas vetvetes në pasqyrimin e ujërave, e humbi ekuilibrin dhe...pllum! – mbi valët e detit.

Këtë përfundim pati edhe personazhi ynë, me këto zgjedhjet e 28 qershorit të vitit 2009.

Urrejtja meskine ndaj LSI-së dhe komploti i hapur kundër saj

Ilir Meta i doli borxhit: i kërkoi aleancë para zgjedhjeve. Edi nuk pranoi. I kërkoi takim, por as përgjigje nuk denjoi t’i jepte kryetarit të LSI-së. Në kohën e fushatës zgjedhore iu përsëdyt oferta për një marrëveshje. Por Edvini jo vetëm që nuk pranoi, në megalomaninë që e kishte kapluar se do t’i fitonte i vetëm zgjedhjet, por i dha një këshillë LSI-së, që kryetari i saj t’u bënte thirrje anëtarëve të partisë së tij, që të votonin për PS-në! ( që I. Meta të shenjonte, pra, me dorën e tij, asgjësimin e vetvetes!).

Kësaj i thonë jo të bashkëpunosh, por të poshtërosh në mënyrë meskine. Harroi ky mendjemadh i pandreqshëm se Ilir Meta kishte, së paku, dy përparësi ndaj Ramës: Se kishte një program të përcaktuar qartësisht, për integrimin si aspiratë kombëtare (partia e tij e kishte si  emblemë në flamur, Integrimin). Së dyti, kishte të detajuar një projekt për reduktimin në skaj të  varfërisë. Nga ana tjetër, Rama “kishte” një program 1000-faqesh, që asnjëri nuk e kishte lexuar! Kur erdhi puna e numërimit të votave, Ramës i hasi sharra në gozhdë ndaj LSI-së!     

Ndonëse nuk kemi ardhur ende në vjeshtë, që të bien gjethet e pemëve, por si këto gjethe binin në duar të zgjedhësve në Fier njëqind dollorëshët, për t’i grabitur mandatin edhe Dritan Priftit të LSI-së. 5 milionë $ i vlerëson shtypi i përditshëm këto lëpushka në Fier. Dëshmia e këtij mandati është interesante. Veçse këtu jemi vetëm te kulaçi. Më tej do të flasim pak edhe për kërbaçin. Por më parë mund të themi se në rrugën H.H.Dallia, është një batalion njerëzish, me ngjyrë e pa ngjyrë, që kanë marrë pare me bollëk, që votat të mos ia jepnin PD-së, por PS-së! Meqë tani është bërë ulërimë e ditës për justifikimin e humbjes së PS-së me shprehjen “na vodhën votat” (!), në kahen e kundërt ndaj PS-së mund të dëshmojnë sot me dhjetëra mijëra për paudhësitë e saj zgjedhore, se janë ata vetë të molepsur në këtë vjedhje në masë, që kanë përdorur paret ashiqare në mënyrë të paturpshme, por edhe dhunën e kërcënimet. Kandidati i PR-së në Berat ka hapur padi penale kundër PS-së, sepse nga katër-pesë  sekonda që ishte normativa për të mbajtur shënim votën, atij i kishin lënë vetëm një sekondë, me qëllim që PS-ja ta devijonte votën! E tani, këta vjedhës profesionistë votash, na qahen se iu janë vjedhur votat! Jo vetëm, por edhe  nuk do të njohin zgjedhjet! Kjo nuk përbën asnjë befasí. Sepse kontestimi i zgjedhjeve ka qenë njëra nga propagandat e shëmtuara të  PS-së së Edvinit, gjatë fushatës zgjedhore, para procedimit të zgjedhjeve, më 28 qershor. Një fshat që duket, nuk do kallauz! E. Rama ishte i prirur që të pranonte përfundimin zgjedhor, me një kusht: që të ishte ai . . . fituesi! Kjo na kujton vezët e Pieretës të atij fabulistit të madh të sh. XVII, që cituam. Shqip, ne i themi: “I kishte bërë hesapet pa hanxhiun!”.

Gramoz Ruçi na del e na thotë se votën do ta ruajë me gjak!

Sekuencat filmike kanë fiksuar atë vërshimin e ndërkryer ndaj kamionit të transportit të votave të cilin e lëkundën, sa shikuesit televizivë menduan se do të arrinte ai çasti i rrëzimit, që do të bëhej shkas për trazira që do t’i jepnin kuptimin e vërtetë asaj “me gjak!” të G. Ruçit.

Erdhëm, pra, te kërbaçi, pas kulaçit për të cilin shkruam më sipër.

Kjo do të thotë, as më shumë e as më pak, kryengritje e armatosur, për të jetësuar marrjen e pushtetit me dhunë, si në atë ’97-n e lemerishme, kur “analistë” komunistë u ngjirën me shformimin e së vërtetës, si në kohën e Enverit, me ulërima: “Na vranë”, “na prenë”, “na grabitën”, “na dogjen institucionet”, - kurse tregishtorët vranë të pafajshëm, grabitën me të dy duart, pinë gjak njeriu (në kuptimin konkret, jo figurativ), dogjën bashkitë (që kishin kryetarë vendorë të zgjedhur me epërsi votash të PD-së) ... dhe bënë zgjedhje “domenesh” me litarët simbolikë të varur pemëve, që të mos bëjnë fushatë zgjedhore pëdëistët dhe aleatët e tyre, në terrenet që u përkasin Komiteteve të Shpëtimit  Publik! (Këto zgjedhje janë të pangjashme në asnjë vend afrikan).

Kërcënimet zgjedhore për të bërë zgjedhje me vetveten(!) , gjenden të shkruara, e zezë në të bardhë, në pjesën më të madhe të gazetave të asaj kohe të përbindshme, pavarësisht sesi i dukeshin filoserbit R. Qosja!

Ruçi kafshoi gjuhën për atë gjakun që kërkon ende. Dhe herën tjetër, kur doli para kamerave, e zbukuroi thënien e tij revolucionare, “me do ta ruajmë votën me çdo kusht!”. Por harron se latini i zgjuar ka thënë se “scripta manent” (në një kuptim të zgjeruar: thënia e parë,është ajo që mbetet). Veçse ajo që nuk duhet harruar është se, për këto fjalë, përgjegjësinë e ka ustai i kontestimeve, Edvin Rama.

Ky i fundit le ta dijë se sikur, nga ai mitingu madhështor i qindramijërave në fushatën parazgjedhore të PD-së, të shkëputeshin një e qindta e atyre më të zjarrtëve dhe të vinin në Fier, pa të shihte Gramozi se çdo të kishte ngjarë, me ata gurmazshqyerit që i la të copëtonin fytet me britma kafshërore për orë të tëra, që të mos tërhiqej dokumentacioni për në Tiranë. Por a nuk ishte ai vetë që, pastaj, mori urdhrin nga Rama që të veprohej në të kundërtën, domethënë të mos mbahej më peng autokamioni i KQZ-së? Ndalu bek, se ka hendek! Vetë Rama u kthye nga mesi i rrugës, kur iu vunë kufijtë te thana, nga faktori ndërkombëtar. Kjo do të thotë “O tempora, o mores” , domethënë se nuk mund të veprojnë më si në të kaluarën. “Harro mushkë, valarenë!” – kemi edhe ne thënien tonë.

Partia Socialiste e mban të trimëruar Ramën me kontingjentet e krimit, që i ka si reparet pararojë për gjendje kaotike, artificialisht të krijuara, që të përfitojë në mënyrë të dhunshme dhe jodemokratike. Por mjaft zullume kanë bërë, me keqbërësit e regjimit të kaluar në vijë të parë të mësymjes: Ku janë mbështjellë, në një strehë të sigurt, ish-operativët, ish-sigurimsat, ish-mëkatarët që bënin gjëmën nëpër hetuesitë dhe nëpër gjyqet e prokuroritë e sistemit terrorist të E. Hoxhës? Në cilin vend demokratik të botës mëkatarët nazi-fashistë apo komunistë të botës  kanë gjetur eldoradon si në vendin tonë? Simon Vizentali në Gjermani i ka bërë nazistët gjermanë, autorë krimesh,  të zhduken në skutat më të fshehta të rruzullit. Një 92-vjeçar i kësaj kategorie, u zbulua nuk ka disa javë më parë, dhe tani do t’i nënshtrohet gjykimit për fajësitë të tij të paparashkruara! Këtu kërcënuesit nuk janë vizentalët, por ish-kriminelët që jo  vetëm nuk e kanë ndjesinë e pendesës, por na thonë: “Kur s’ju rropëm të gjallë!”.  A mund të lejohet një standard i dyfishtë përballë Europës ku duhet të hyjmë si të barabartë? Apo jemi proeuropianë hipokritë?

Kjo përgjegjësi nuk i mbetet më shumë Hysni Milloshit; se keqbërësit kërkojnë prioritetet materiale dhe nuk janë katandisur që të struken në vetminë e tyre, në qoftë se nuk kanë kurajën që të kërkojnë ndjesë.  Përgjegjësia i mbetet Edvin Ramës së orgjive enveriste në Pezë, që mbledh edhe bijtë e keqbërësve që s’marrin vesh nga politika, por që do të zënë karriget e krahut socialist të parlamentit, me pseudopolitikanë si Ditmir Bushati, që thotë se i ati s’ka bërë zullume dhe se ai vetë, ditëziu është krenar që e ka baba(!). Por nuk vonuan të dilnin në fac símile edhe firmat e Sulejman Bushatit, për internime, gjykime të pafajshmish dhe për dënime kapitale! Edvin Rama po i shkel me këmbë edhe sot rezolutat e Asamblersë Parlamentare të Bashkimit Europian.

Ai nuk e kupton se është krejt i pangjashëm me Ilir Metën, i cili është sinqerisht për Integrimin, por ka edhe prestigjin se në proceset demokratike u rreshtua me krahun demokratik të revoltës. Dr. Berisha as që mund të kuptohej, - siç është shprehur, -  për aleancë me PS-në e Ramës, jo vetëm se do të mbeteshim pa opozitë, por edhe për atë fizionomi që i ka dhënë Rama partisë së tij, siç e thamë.  Rama nuk është i fjalës së dhënë dhe noton në aventura. Por këto vjen një kohë dhe shenjojnë humbjen e aventurierit.

*  *  *

Tani që të gjithë po ia shprehin në sy humbjen zgjedhore, ai po bën gjithçka që të mos dalë jashtë loje. Me të gjitha mjetet e pahijshme. Që nga kontestimi i zgjedhjeve, gjer në revoltat e rrugëve. Nihilizmi i tij është i njohur. Le të mos fitojë standardet vendi ynë i përparimeve të njohura botërisht.  Le të mos hyjmë edhe në BE, - kaq i bën atij. Vetëm pushteti, pushteti është gjithçka për të! Tani ky që po nuhat të keqen e vetvetes,  po kujton atë frazën e njërit prej Luigjëve: “Après moi, le déluge!” (Pas meje, kiameti u bëftë).

Kur Enver Hoxhës i duhej të tregonte një besnikëri ekstreme ndaj Stalinit, iu kujtuan deshtë e kurbanit (caprio espiatorio).  Sajoi atë “bombën në Ambasadën sovjetike” dhe vrau aty për aty, pa gjyq, njëzet e dy njerëz të pafajshëm, që i futi në autoburgjet e ekzekutimeve, me pizhame, siç ishin (shkurt 1951). Ai hiqej si bibliofil dhe kishte, në bibliotekën vetjake,  libra të ndaluara për hallkun, që paraqisnin prapaskenën e vërtetë të vrasjes së Kirovit, në  1 dhjetor 1934. Eugjenia Ginsburgu, në librin e saj “Trallisja” (Le Vertige) shkruan për këtë vrasje që ishte prologu i një terrori të ri. “Çështja  Kirov i dha Stalinit rastin që i nevojitesh”, - shkruan A.Bullock në faqen 504 e në vijim, të vëllimit të dytë të librit të tij të famshëm për Stalinin. Pasi shpjegon versionin zyrtar, të cilin ne po e anashkalojmë për të mos u zgjatur edhe më tepër, vijmë te shpjegimi i dytë:

“Shpjegimi tjetër, më i mundshmi, është se Stalini e organizoi vetë këtë vrasje. Pas krimeve me miliona të ekzekutuar, Stalini kishte nevojë për një terror të ri, që t’u mbyllte gojën përfundimisht zërave për gjendjen e krijuar me dështimin e kolkozeve. Sekretari I i K. Partisë së Leningradit, Kirovi, vlerësohej si personi i përshtatshëm për ta zëvendësuar dhe për të udhëzuar një politikë në kahen e moderimit. Kështu i krijoi mundësinë Nikolajevit që ta bënte këtë vrasje, me përfitim të dyfishtë të Stalinit: Të përforconte karrigen e vijueshmërisë dhe t’u mbyllte gojën “armiqve komplotistë” (Përkthim i shkurtuar).

Dihet se çdo krahasim çalon, në njëfarë mase. Por që këto gjendje të rrezikshme përftohen në situata të jashtëzakonshme, kjo është si aksiomë. Edvini po përjeton, tani, këtë gjendje. Thuhet se ka thyer edhe një kompjuter nga nervozizmi. Së dyti, duhet edhe një dorë, që të veprojë për ustanë. Në rastin tonë dora është G. Ruçi. Së treti, autori i gjendjes së jashtëzakonshme, kërkon që t’ia ngarkojë fajin tjetrit. Një shkëndijë do të duhej që  ajo minirevolta e Fierit, të merrte përmasa të paimagjinueshme. Këtë e kuptuan fare mirë ata që e kthyen Edvinin nga rruga për në Fier. Ashtu siç e kanë të gjithë të qartë se Gramozi nuk e ndërroi qëndrimin meqë , reflektoi, por se mori urdhrin nga shefi i tij, nga ai që u kthye në mes të rrugës, që t’i jepte fund aventurës.

Tani profili i Edvinit po zbardhet përherë e më tepër në sytë e faktorit ndërkombëtar.   


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora