E shtune, 27.04.2024, 12:51 AM (GMT+1)

Mendime

Kur nuk e punon tokën vetë, ta punojnë të tjerët

E enjte, 30.08.2007, 07:31 PM


Nga Rexhep Shahu

Kjo është e përbotshme dhe e përjetshme. Nuk ka ndryshuar kurrë dhe kështu ka për të mbetur në jetë të jetëve. Vetëm toka mbetet po ajo, po aq. As nuk zmadhohet e as nuk zvogëlohet. Gjithçka mbi të në këtë jetë lind, rritet e vdes, gjithçka ndryshon, zmadhohet apo zvogëlohet, ndërtohet apo shkatërrohet. Toka, edhe pse soset nga gërryerjet e lumenjve dhe erozioni, ajo mbetet po ajo. Dhe nuk thonë kot të zgjuarit, se toka është banka më e mirë që të sjell interesa fitimesh më shumë se çdo gjë, më shumë se çdo biznes i ndershëm dhe shumë afatgjatë. Ndaj toka ka qenë e shenjtë për shqiptarët, se kanë pak tokë dhe është shitblerë me florinj.

I nisa këto radhë nga zallamahia e këtyre ditëve në shtyp lidhur me taksën e mundshme mbi tokën. Deklarata e kryeministrit Berisha në Gjirokastër, se do të penalizohen me ligj, duke u ndëshkuar me taksa ata që nuk e punojnë tokën bujqësore ose do t`iu merret ajo që t’iu jepet me qira nga pushteti vendor atyre që e punojnë, solli tronditje në publik dhe shkundi shumëkënd. Kryeministri Berisha tha atë që duhej. Por, më së shumti, kjo nuk po iu pëlqen atyre që ligji 7501 i ka bërë pronarë të tokave bujqësore. Dhe e mbajnë tokën kot, e lënë djerrë. Kanë vite e vite që jetojnë jashtë vendit ose larg fshatit e tokës, por në qytetet e ndryshme të vendit dhe tokën e lënë djerrë dhe nuk paguajnë asnjë lloj takse për të. Mirë, mund ta mbash djerrë tokën tënde, por shtetit duhet t’ia paguash taksat për tokën. A ka kund vend të zhvilluar që nuk paguan taksa? Në Shqipëri, më së shumti, nuk paguhen taksat, fshihen taksat, nuk paguhet energjia elektrike e shumë sosh.

Më shumë më shtynë të shkruaj deklarimet e disa fermerëve, (që s’kanë as emër e mbiemër), të cilët ende kujtojnë se jemi në kohën e kooperativave socialiste. Kërcënojnë shtetin, se i kanë fituar tokat me gjak e djersë dhe me gjak do t’i mbrojnë. Dhe harrojnë se tokat që iua pati marrë komunizmi dhe ata s’e kundërshtuan dot komunizmin as me fjalë e jo me me armë, iua ktheu Partia Demokratike, kur u rrëzua sistemi komunist. Dhe nuk derdhën asnjë pikë gjaku për ta marrë tokën. Morën të gjithë tokë për frymë. Morën edhe ata që nuk kanë patur ndonjëherë tokë. Demokracia i bëri pronarë gjithë shqiptarët. Por ata që nuk e kanë zanat tokën dhe punën me të, ata që e mbajnë peng, ata që janë pronarë të tokave në Myzeqe apo kudo në Shqipëri dhe jetojnë prej vitesh jashtë vendit, që jetojnë prej vitesh në qytete të ndryshme dhe thjesht e mbajnë tokën si pronë, duhet deomos të paguajnë taksë. Asnjë e drejtë e askujt nuk shkelet për këtë. Ky është shteti i ekonomisë së tregut. Ka taksa dhe dinjitet, ka pronarë dhe prona. Nëse dikush do shtetin socialist që nuk ka as prona e as pronarë, le të ulet në gjunjë e të lutet për të. Fermerët që kanë toka dhe s’janë fermerë, sepse nuk jetojnë me tokën, nuk e punojnë atë, por jetojnë larg tokës e pa të, duhet të kthehen e ta punojnë. Në mos vetë, të punësojnë njerëz. Në mos, ta japin me qira. Në një mënyrë apo tjetër duhet ta punojnë tokën e tyre që të mos iua punojnë të tjerët, sepse toka nuk rri shumë gjatë pa punuar.

Vërtet toka është e një pronari të caktuar, por ajo është pasuri kombëtare dhe në një shtet ligjor nuk mund të bësh si të duash për gjithçka. Humbja është e gjithë shoqërisë nga tokat djerrë. Qeveria aktuale për herë të parë në histori, vitin e kaluar dha subvencion ose pará falas për fermerët që të mbillnin vreshta, pemtore e ullinj. Dhe u mbollën 1034 ha me 4.5 milionë dollare. Nuk u mbollën në tokat e qeverisë, por të privatëve. Vitin që vjen, ka planifikuar 5 milionë dollarë falas për fermerët dhe në bazë të ligjit të ri për bujqësinë që ka kaluar në qeveri, fondet falas do të jenë shumë më shumë.

Atyre fermerëve që thonë se do t’i mbrojnë me gjak tokat që iua ka dhënë qeveria e Partisë Demokratike e që në më të shumtën ata nuk i kanë patur kurrë të trashëguara, duhet t`iu themi edhe njëherë se jetojmë në ekonomi tregu e jo në socializëm. Nuk vjen traktori i shtetit të punojë tokën tëndë private. Nuk ka më traktorë kooperative. Nuk vjen më shteti të spërkasë për sëmundjet e rrushit tënd privat, por duhet t’i spërkatësh vetë rrushtë e tua. A thua ende nuk e kanë marrë vesh ata fermerë e tellallët e tyre, nxitësit e tyre, udhëheqësit e tyre shpirtërorë, politikë që kërcënojnë se nuk preket toka private e fshatarit shqiptar, se nuk ka kooperativa socialiste dhe ato gati janë harruar. Shteti ka ndihmuar, sa ka mundësi për rehabilitimin e ujitjes dhe ka përgjegjësi vetëm për kullimin dhe mbrojtjen e tokës, pasi kullimin e mbrojtjen e saj nuk e bën dot fermeri shqiptar. Por shteti nuk shkon t’ia punojë askujt misrin apo vreshtin me bel. Shteti nuk ka më traktorë. Vetë fermerët janë të ftuar nga kjo qeveri që të krijojnë kooperativat kapitaliste. Kështu nuk i lënë tokat djerrë, kështu bashkojnë tokat, shtojnë sipërfaqet, specializojnë prodhimin, rrisin prodhimin, blejnë më lehtë e lirë traktorët, imputet, farërat etj. Gjejnë më lehtë tregun, se i gjen tregu vetë. Kthehen nga emigracioni sezonal rreth 200 mijë shqiptarë që punojnë në bujqësi në vendet fqinje dhe vijnë e punojnë tokat e tyre dhe nuk i lënë t’iua punojnë të tjerët.

Vëmendja e qeverisë ndaj bujqësisë po shtohet dita-ditës, sepse bujqësia jep 22 për qind të prodhimit të përgjithshëm të vendit. Kryeministri Berisha nuk ka munguar që në daljet e vizitat e tij në rajone të ndryshme të vendit të mos takojë fermerë dhe të mos vizitojë ferma, duke i bërë këto jo në mënyrë të rastësishme, por krejt të qëllimshme e të studiuara. Sepse bujqësia është dega e ekonomisë që punëson më shumë njerëz dhe jep më shumë prodhim. Bujqësia shqiptare këto dy vitet e fundit bëri të mundur që konsumatori shqiptar të konsumojë produkte vendi më shumë sesa importi. Fermerit shqiptar këto dy vitet e fundit për herë të parë në 17 vjet nuk i ngeli prodhimi i pashitur në arë dhe fermeri, ai që është vërtet fermer e jo ai që s’ka patur kurrë tokë dhe shteti ia dha e ai s’e punon, është mjaft i nxitur dhe i stimuluar për të prodhuar, pasi dy vjet janë provë e mjaftueshme që nuk i ngelet prodhim pa shitur.

Ajo që tha kryeministri Berisha në Gjirokastër për tokën është shumë më e thellë. Ai e di dhe fermeri e di, se ka 17 vjet që nuk paguan asnjë taksë për tokën. Dhe duhet të paguajë më në fund. Por, fjala e kryeministrit Berisha është më së shumti nxitje edhe për emigrantët sezonalë që punojnë në bujqësi në vendet fqinje që të kthehen e të punojnë tokat e tyre, që të kthehen pranë familjeve të tyre, pranë grave e fëmijëve të tyre.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora