Mendime
Nedesam azdër - Sado të them është pak
E diele, 29.07.2007, 01:43 AM
Nga Mërgim Korça
![]() |
Mërgim Korça |
Nedesam azdër!
Hyjmë në temë. Po bëhen 17 vite deri më sot, që të gjithë formacionet politike vazhdojn’e përdorin shprehjen “periudha e tranzicionit”. Pa i a hyrë fare përimtimeve e krahasimeve historike për popuj e vënde të ndryshëm për nga jetëgjatësía e saj, do të ndalem e të bëj një saktësim. Përderisá mbas shpalljes së fushatës presidenciale u paraqitën një varg emrash e mbiemrash e ndërmjet tyre ishin si emri i z. Servet Pëllumbi e gjithashtu ai i z.Fatos Nano, përkatësisht njeri ish shef katedre marksizëm-leninizmi pranë “Shkollës së Lartë të Partisë Vladimir Iliç Lenin” dhe tjetri n/drejtor i “Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste”, vetkuptohet se akoma tek ne nuk filluar periudha e tranzicionit ! Kurse me zgjedhjen e z.Bamir Topi në postin e Kryetarit të Shtetit, i pari President i Shqipërisë i palidhur me ish PPSh., vërtet që tashti e mbrapa mund të themi plot gojën se po fillon tranzicioni. Nedesam azdër!
E vazhdoj me dhimbjen që më shkakton pozicionimi i një pjese drejtuesish politikë të vëndit ndaj zgjedhjes së Presidentit të Republikës dhe në vazhdim.
Nuk kam se si mos t’a filloj me udhëheqësin e Partisë Socialiste, z.Edi Rama. Ai e fillon me qëndrimin e tij të një pragmatizmi tipik të njeriut pa asnjë parim, (veç atij AMORAL), duke i përjashtuar të gjashtë deputetët socialistë që votuan kundra interesave personale të tija e në vazhdim me këmbënguljen për përjashtimin edhe të z.Fatos Nano. Gjithashtu vazhdon me vizitën formale të urimit Presidentit, edhe kjo skajshmërisht pragmatike nga pikëpamja e interesave të tija personale. Pse i quaj thellësisht e krejtësisht pragmatike këto dy lëvizje të tijat ?
Për rastin e parë, a nuk e shikon ai se si, kur senatorë republikanë amerikanë votojnë kundra projektit të Presidentit të Sh.B.A.- ve për thellimin e luftës në Irak apo edhe për ligjin e emigracionit votojnë kundër, as që i shkon ndërmënd njeriu të kërkojë përjashtimin e tyre, (pa le të quhen se po e shpërdorojnë votbesimin e popullit) ! Kurse z.Rama këtë pozicionim të tijin e quan se ... nuk është autoritarizëm por politikë e re !(?) A ndryshon ky nga qëndrimet e shokut Enver? Z.Rama e kritikon z.Berisha se ky i fundit e drejton me dorë të hekurt dhe kontrollon deri në një se ç’bëhet në PD. Bukur dhe kritikë parimisht e drejtë. Po pasqyrë nuk ka z.Rama t’a shikojë veten se ç’bën dhe si do t’a drejtojë PS-në? Nedesam azdër!
Lidhur me rastin e dytë, ai mendon të ushtrojë sadopak trysní indirekte ndaj Kryetarit të Shtetit për shkarkimin e prokurorit të Përgjithshëm, që do të ishte edhe fillimi i reformës së thellë në organet e drejtësísë, (e pra edhe fillimi i fundit të aferave korruptive të tija si kryetar i Bashkisë Tiranës). Pasoja? Penalizimi i të gjithë veprimtarísë kaluar të tij në këtë drejtim, me lejet e ndërtimit ! E qartë? Nedesam azdër!
Në vazhdim, nuk ka se si të mos lerë shumë për të dëshiruar z. Ilir Meta. Ai u shpreh se zgjedhja e presidentit ishte kushtetuese por jo konsensuale. E ç’quan ai konsensuale ? Zgjedhjen e presidentit pararendës Mojsiu ku u bashkuan kokë më kokë dy ish anëtarë të PPSh-së dhe zgjodhën me konsensus një ish militant tjetër të po asaj partije ? Vetë ky konsensus e rrëzon nocionin e tranzicionit! Nedesam azdër!
Nuk mundem mos t’a vazhdoj së rishmi me z. Meta, para se t’u jap fund këtyre radhëve. Sa më revolton qëndrimi i tij tek, për interesa të ulëta politike personale, shfrytëzon “mizerjen” në të cilën është katandisur populli i mjerë pa energji elektrike e pa ujë, dhe e ngré atë masë kundra qeverisë aktuale të z.Berisha. A nuk qé vetë z.Meta kryeministër e pastaj krah i djatht’i kryeministrit në vazhdim ? Përgjatë kësaj hullíje e ftoj Kryeministrin z.Berisha të veprojë krejtësisht ashtu siç spekullon z. Meta për t’a luftuar qeverinë aktuale, i cili pohon se ... ne (LSI- ja) i kemi forcat tekniko – shkencore t’a zgidhim problemin e mungesës energjisë ! E Kryeministri z.Berisha t’u thotë “bujrum” specialistëve të LSI-së, me kompetenca të plota, e t’a zgjidhin problemin !
Nedesam azdër !
Michigan 28 korrik 2007