E shtune, 27.04.2024, 06:04 AM (GMT+1)

Kulturë

Flamur Maloku: Kratili i tekstit

E hene, 22.06.2009, 07:03 PM


Metakritikë

 

                                   Kratili i tekstit

 

Rrjetet shpallen, ndërsa përvoja me tekstin gjithnjë shkon dhe shemb kohë e hapësira. Pra, thyhen kufijtë e skemës kohë/hapësirë. Duke u thyer kjo skemë, hetimi zgjatet nëpër variante të filozofisë së interpretimit. Zgjatja këtu nënkupton dijen për interpretim e lexim, ku tema e novelës E madhe është gjëma e mëkatit, preket si fenomen e kulturë që nga antika, pra që nga dialogët e Platonit, veçanërisht nga ai Kratili

 

Flamur MALOKU

 

Njohje/Diferencime

 

Libri studimor Udha kratilike i Nysret Krasniqit, hap udhën e kërkimit të shenjave në domenin e letërsisë. Venerimi i shenjave semantike në përcaktimin e përgjithshëm të letërsisë, pa dyshim shkrin në vete teorinë/filozofinë. Udha e kërkimit dhe e interkomunikimit të shenjave tekstore/letrare, prek strukturën, diskursin e letërsisë, duke vënë përballë kërkimit objektin, pra novelën e Mitrush Kutelit E madhe është gjëma e mëkatit - Tat Tanushi i Bubutimës.

Esencializimi i kërkimit, në vijën e strukturimit të novelës, së Kutelit, doemos përpara Nysret Krasniqit bëhet nga njohja dhe hulumtimi semantik. Nga dija e madhe mbi letërsinë hetohen pikat kryesore të interkomunikimit/rrjetit. Njohja e përgjithshme mbi domenin e letërsisë, tani në kërkim i nënshtrohet leximit në të gjitha variantet. Leximi në variante, bëhet pa u shkëputur esencialisht asnjëherë nga rrjeti i shenjave letrare. Dihet se teksti letrar përbehet nga shenjat që përherë janë të konotueshme. Kjo për Nysret Krasniqin do të bëhet edhe përcaktim i përgjithshëm i frymës apo metodës strukturale/semantike. Metoda strukturale tekstin letrar e sheh kryesisht të konotushëm në rrafsh të shenjave letrare. Duke qenë teksti i konotushem në rrafsh të këtyre shenjave,  fenomenet letrare, për Krasniqin më shumë hulumtohen e shihen në interkomunikim të vazhdueshëm me kulturat e ndryshme. Nga kjo perspektivë kryesisht edhe novela e Kutelit E madhe është gjëma e mëkatit - Tat Tanushi i Bubutimës shihet si formë e strukturë autonome, me mundësi të mëdha interkomunikimi të kulturave të ndryshme.

Kjo për N. Krasniqin e prodhon edhe domenin e letërsisë, pra diskursin universal. Kjo është një proces riciklues që vazhdon pastaj me krijimtarinë, rikrijimtarinë, personalizimin, për tu bërë dëshirë për komunikim me këtë Libër, komunikim ky që të njeriu me dhembje për literaturën, artin dijen e prodhon dëshirën për interpretim. Të gjitha këto janë të dalura nga domeni i letërsisë, teksti letrar, që për Krasniqin bëhet udhë kratilike e kërkimit dhe hulumtimit.

 

Dija për tekstin

 

Sistemi i strukturimit të shenjave te novela e Kutelit E madhe është gjëma e mëkatit, për Nysret Krasniqin bëhet nga pjesët e brendshme të varianteve/leximit të konotacionit estetik/letrar. Rrjetet shpallen, ndërsa përvoja me tekstin gjithnjë shkon dhe shemb kohë e hapësira. Pra, thyhen kufijtë e skemës kohë/hapësirë. Duke u thyer kjo skemë, hetimi zgjatet nëpër variante të filozofisë së interpretimit. Zgjatja këtu nënkupton dijen për interpretim e lexim, ku tema e novelës E madhe është gjëma e mëkatit, preket si fenomen e kulturë që nga antika, pra që nga dialogët e Platonit, veçanërisht nga ai Kratili.

Duke u ndalur tek esencat e filozofisë së Kratilit, hapën rrugët e interpretimit për te novela e Kutelit. Dialogimi me filozofinë e kulturën antike, në nivel analizimi cilësohet nga N. Krasniqi nisje operative, si motiv për ti parë variantet e nënvariantet brenda semantikës së shkrimit letrar: Le të shërbejë si dritare motivimi e njohje me konceptet që i hasim në Antikë, të cilat do ti gjejmë edhe si variante letrare tek autori ynë, pra duke e nënkuptuar Kratilin e Platonit, në rrafshin filozofik si invariant të novelës E madhe është gjëma e mëkatit - Tat Tanushi i Bubutimës. Le ta interpretojmë këtë tekst me zërin e Kratilit, që nuk buçet duke kërkuar këmbëngulje, por e sheh gjuhën si pjellë të mendimit/vetëdijes.

Të themi kushtimisht, arki-kultura e filozofia tanimë në rrafsh të interpretimit bëhet zhvendosje në pikat kyçe të hulumtimit. Mbi natyrshmërinë e komunikimit të teksteve letrare, të kulturave të ndryshme, sintetizimi gjithnjë do të thellohet, për tu vështruar deri te lënda gjuhësore/kuptimore. Krejt teoria e kuptimeve të emrave, e nxjerrur nga Kratili do ti mbarështohet filozofisë së kërkimit/kuptimit gjatë novelës së Kutelit E madhe është gjëma e mëkatit. Mënyra e trajtimit të emrave konvencional e natyralë, pra emër i motivuar dhe i pamotivuar, do të merren nga N. Krasniqi si nocione e figura të diskursit letrar të gjuhës letrare: Kjo filozofi, pa dyshim, të çon në pranimin e emërtimit të motivueshëm, lejon figuracionin, gjë që del në terren të meditimit, të metafizikës. Gjeneza e emrave, e argumentuar nga filozofia e Kratilit, tani në gjuhën e shenjave të kërkuara të eidosit, nënkupton hyrjen në rrafsh të arki-gjenezës filozofike/figurative edhe të problemit trupit/shpirtit, nëpërmjet së cilave Krasniqi gradualisht heton gjuhën e tekstit, idenë e tekstit, E madhe është gjëma e mëkatit. Kjo edhe do të reflektohet në interpretimin e Krasniqit, duke u bërë dije e ndërdije e madhe, karshi domenit të filozofisë së tekstit letrar. Duke qenë e cilësuar dija mbi tekstin, së pari si lëndë gjuhësore, e cila gjuhë kur kalon në tekstin letrar, pra në gjuhën e fiksionit bëhet gjuhë e figurës, gjuhë e fenomenit, e motivuar deri në skaj. Andaj, hetimi i thellë i lojës me emra/figura në sistemin brendatekstor, thekson modelin e veçantë të vetë interpretimit e analizimit. Kodi gjuhësor për Nysret Krasniqin kryqëzon shumë mendime rreth tekstit/teksteve.

Gjuha dhe emërtimet e ndryshme, kur kalojnë në diskursin letrar janë të lidhura në rrafshin e shenjave/kulturave. Duke qenë shenja përherë polisemike, arbitrariteti i gjuhës së zakonshme, ajo konvenciale për Krasniqin kur kalon në gjuhën e tekstit do ti  nënshtrohet përherë konotatives, botës semantike, duke marrë vazhdimisht kuptime të reja. Diskursi gjuhësor shtrihet në funksion të shenjave, që si i tillë kurrë nuk i kushtëzon kuptimet. Kuptimet e shumta dalin nga trupi i tekstit/strukturës. Andaj, rrjeti i kuptimeve dhe i emrave në diskursin universal të letërsisë, nënkupton së pari për Krasniqin identifikimin e strategjisë tekstore, vetëm se nevojitet një lexim i figurës së gjuhës, sepse mbi të gjitha edhe vetë gjuha ndërton figurën përbrenda vetes, siç thotë Krasniqi: Thënë arbitrarisht, gjuha kurrë nuk ka arritur ta dëbojë nga trupi i vet figurën, të cilën s’mund ta pandeh se e ka trup të huaj e të panevojshëm.

Duke e pasur parasysh këtë, leximi/interpretimi gjithnjë hapet para një bote të vetë gjuhës, në të cilën shkrihen të gjithë zërat e identitetet, për t’u ndërtuar figura e madhe shpirtërore. Nga një perceptim i këtillë, i argumentuar në variante të ndryshme të kodit gjuhësor, ngadalë do të zhvendoset rrejti i komunikimit, në shenja kuptimore/semantike, pra në fushën e motivimit të shenjës filozofike, për të dalur siç thotë studiuesi dualiteti soma/sema,, e cila rri hijshëm të vepra letrare e Mitrush Kutelit, E madhe është gjëma e mëkatit - Tat Tanushi i Bubutimës.

 

Kryqëzimet  ideore

 

Kërkimi i dualitetit soma/sema në novelën e Kutelit E madhe është gjëma e mëkatit - Tat Tanushi i Bubutimës, ruan përherë variantin e shenjës gjuhësore/kuptimore, por tash duke prekur edhe kulturë.

Në dialogun ndërtekstor të filozofisë së antikitetit, e të shenjës kuptimore, shtrihet e venerohet problemi i strukturës ideore. Interpretimi gjithnjë hynë në shërbim të esencës se dualitetit shpirt/trup. Duke qenë kjo, përherë kushtëzimet në interpretimin e Nysret Krasniqit refuzohen. Pra, shtrihen vijat e shumëfishta të analizimit, kërkohen gjithnjë farat e arki-gjenezës/gjenezës së fenomenit. Kështu, dialogu më strukturën narrative,  për Krasniqin do të shënjojë dialogun në të gjitha nivelet. Argumentimet e shumta bëhen formulim tipik për interpretimin e metodës semantike. Duke i njohur të gjitha variantet e invariantet e strukturës së novelës E madhe është gjëma e mëkatit - Tat Tanushi i Bubutimës, interpretimi i N. Krasniqit bëhet sprovim i leximit në kërkim të identitetit të vazhdueshëm të domenit letrar në përgjithësi. Kjo do të thotë se venerimi hap rrugë, jo vetëm për një tekst letrar, por për tërë diskursin universal të letërsisë. Shkurt, kjo bëhet mundësi e madhe për një teori sa më funksionale në hetim të botës letrare. Në nivelet e tekstit, kryqëzimet ideore dhe fenomenet në përgjithësi shkojnë paralelisht njëra me tjetrën. Nënshtrimi i shenjave vendoset në figurën e madhe të botës fiktive të novelës E madhe është gjëma e mëkatit..., pra më konkretisht te personazhi Tat Tanushi dhe misioni i tij në jetën reale, karshi kodit moral e dashurisë hyjnore. Prandaj, mund të shihet se është një udhë e vështirë e hetimit, sepse përballë kemi një kod të madh që është ai hyjnor. Formimi i personazhit Tat Tanushi, dhe misioni i tij fetar i predikimit në jetën reale, për Krasniqin bëhet fenomen i veçantë për filozofinë e vetë kulturës së besimit kristian. Aty ku shkelet kodi fetar, predikimi i njeriut fetar, N. Krasniqi nis e fillon dialogun më kulturën/fenomenin. Refuzimi i dashurisë hyjnore, dhe pranimi i dashurisë tokësore, dhe dënimi më pavdekësi për Taten nga ana e Zotit, gjithnjë do ta relativizojë kërkimin semantik, nëpër fenomenin e përgjithshëm të diskursit metafizik. Ky relativizim jepet çdoherë si mundësi identifikimi i fenomenit shpirt/trup, i njeriut fetar. Duke e bartur njohjen mbi shenjen, metadiskursi i tekstit tanimë për Krasniqin shtrihet gjithnjë në kulturën e veneruar përballë mëkatit universal. Prekja e mëkatit në tekstin e Kutelit, dhe njohja universale, cakton në parim luftën e përhershme të filozofisë së shpirtit/trupit. Të gjitha vijat në objektin e kërkimit përballë literaturës e fenomenit, ngjallin atë që quhet shpëtim i shpirtit ndaj trupit, e që për Krasniqin është eidos i veçantë në novelën e Kutelit. Shpëtimi i shpirtit, në kërkim provon fuqishëm filozofinë e teorizimin, karshi diskursit universal. Nuk ka shpëtim të shpirtit nga trupi, po që se nuk bëhet katarza jetësore. Dënimi i Tatës nga Zoti më pavdekësi, për N. Krasniqin është odisejadë jetësore, është katarzë për jetën, për të çliruar çdoherë shpirtin nga trupi. Pra është pikëtakim i jetësores me eternalen, i dualitetit të botëkuptimeve, ku njeriu gabon e Tjetri, është në gjendje ta falë. Ky esencializim në strukturën e novelës se Kutelit, formon shenjen e ekzistencës universale, e që për Nysret Krasniqin është Udhë kratilike në jetën, e për jetën metafizike.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora