| E hene, 22.06.2009, 07:03 PM |
Metakritikë
Kratili i tekstit
Rrjetet
shpallen, ndërsa përvoja me tekstin gjithnjë shkon dhe shemb kohë e hapësira.
Pra, thyhen kufijtë e skemës kohë/hapësirë. Duke u thyer kjo skemë, hetimi
zgjatet nëpër variante të filozofisë së interpretimit. Zgjatja këtu nënkupton
dijen për interpretim e lexim, ku tema e novelës E madhe është gjëma e mëkatit,
preket si fenomen e kulturë që nga antika, pra që nga dialogët e Platonit,
veçanërisht nga ai Kratili
Flamur
MALOKU
Njohje/Diferencime
Libri studimor Udha
kratilike i Nysret Krasniqit, hap udhën e kërkimit të shenjave në domenin e
letërsisë. Venerimi i shenjave semantike në përcaktimin e përgjithshëm të letërsisë, pa dyshim shkrin në vete teorinë/filozofinë. Udha e kërkimit dhe e
interkomunikimit të shenjave tekstore/letrare, prek strukturën, diskursin e
letërsisë, duke vënë përballë kërkimit objektin, pra novelën e Mitrush Kutelit E madhe është gjëma e mëkatit - Tat Tanushi
i Bubutimës.
Esencializimi i kërkimit, në vijën e strukturimit
të novelës, së Kutelit, doemos përpara Nysret Krasniqit bëhet nga njohja dhe hulumtimi
semantik. Nga dija e madhe mbi
letërsinë hetohen pikat kryesore të interkomunikimit/rrjetit.
Njohja e përgjithshme mbi domenin e letërsisë, tani në kërkim i nënshtrohet
leximit në të gjitha variantet. Leximi në variante, bëhet pa u shkëputur
esencialisht asnjëherë nga rrjeti i shenjave letrare. Dihet se teksti letrar
përbehet nga shenjat që përherë janë të konotueshme. Kjo për Nysret Krasniqin
do të bëhet edhe përcaktim i përgjithshëm i frymës apo metodës strukturale/semantike. Metoda
strukturale tekstin letrar e sheh kryesisht të konotushëm në rrafsh të shenjave
letrare. Duke qenë teksti i konotushem në rrafsh të këtyre shenjave, fenomenet letrare, për Krasniqin më shumë hulumtohen e shihen në interkomunikim të
vazhdueshëm me kulturat e ndryshme. Nga kjo perspektivë kryesisht edhe novela e
Kutelit E madhe është gjëma e mëkatit -
Tat Tanushi i Bubutimës shihet si formë e strukturë autonome, me mundësi të
mëdha interkomunikimi të kulturave të ndryshme.
Kjo për N. Krasniqin e prodhon edhe domenin e letërsisë,
pra diskursin universal. Kjo është një
proces riciklues që vazhdon pastaj me krijimtarinë, rikrijimtarinë,
personalizimin, për t’u bërë dëshirë për
komunikim me këtë Libër, komunikim ky që të njeriu me dhembje për literaturën,
artin dijen e prodhon dëshirën për interpretim. Të gjitha këto janë të dalura
nga domeni i letërsisë, teksti letrar,
që për Krasniqin bëhet udhë kratilike e kërkimit
dhe hulumtimit.
Dija për
tekstin
Sistemi i strukturimit të shenjave te novela e
Kutelit E madhe është gjëma e mëkatit,
për Nysret Krasniqin bëhet nga pjesët e brendshme të varianteve/leximit të
konotacionit estetik/letrar. Rrjetet
shpallen, ndërsa përvoja me tekstin gjithnjë shkon dhe shemb kohë e hapësira.
Pra, thyhen kufijtë e skemës kohë/hapësirë.
Duke u thyer kjo skemë, hetimi zgjatet nëpër variante të filozofisë së
interpretimit. Zgjatja këtu nënkupton dijen për interpretim e lexim, ku tema e
novelës E madhe është gjëma e mëkatit,
preket si fenomen e kulturë që nga antika, pra që nga dialogët e Platonit,
veçanërisht nga ai Kratili.
Duke u ndalur tek esencat e filozofisë së
Kratilit, hapën rrugët e interpretimit për te novela e Kutelit. Dialogimi me
filozofinë e kulturën antike, në nivel analizimi cilësohet nga N. Krasniqi
nisje operative, si motiv për t’i parë variantet e
nënvariantet brenda semantikës së shkrimit letrar: Le të shërbejë si dritare motivimi e njohje me konceptet që i hasim në
Antikë, të cilat do t’i gjejmë edhe si variante
letrare tek autori ynë, pra duke e nënkuptuar Kratilin e Platonit, në rrafshin
filozofik si invariant të novelës E madhe është gjëma e mëkatit - Tat Tanushi i
Bubutimës. Le ta interpretojmë këtë tekst me zërin e Kratilit, që nuk buçet duke
kërkuar këmbëngulje, por e sheh gjuhën si pjellë të mendimit/vetëdijes.
Të themi kushtimisht, arki-kultura e filozofia
tanimë në rrafsh të interpretimit bëhet zhvendosje në pikat kyçe të hulumtimit.
Mbi natyrshmërinë e komunikimit të teksteve letrare, të kulturave të ndryshme,
sintetizimi gjithnjë do të thellohet, për t’u vështruar deri te lënda
gjuhësore/kuptimore. Krejt teoria e
kuptimeve të emrave, e nxjerrur nga Kratili do t’i
mbarështohet filozofisë së kërkimit/kuptimit
gjatë novelës së Kutelit E madhe është
gjëma e mëkatit. Mënyra e trajtimit të emrave konvencional e natyralë, pra emër i motivuar dhe i pamotivuar, do
të merren nga N. Krasniqi si nocione e figura të diskursit letrar të gjuhës
letrare: Kjo
filozofi, pa dyshim, të çon në pranimin e emërtimit të motivueshëm, lejon
figuracionin, gjë që del në terren të meditimit, të metafizikës. Gjeneza e emrave, e argumentuar nga filozofia e Kratilit,
tani në gjuhën e shenjave të kërkuara të eidosit,
nënkupton hyrjen në rrafsh të arki-gjenezës filozofike/figurative
edhe të problemit trupit/shpirtit, nëpërmjet
së cilave Krasniqi gradualisht heton gjuhën e tekstit, idenë e tekstit, E madhe është gjëma e mëkatit. Kjo edhe
do të reflektohet në interpretimin e Krasniqit, duke u bërë dije e ndërdije e madhe,
karshi domenit të filozofisë së tekstit letrar. Duke qenë e cilësuar dija mbi
tekstin, së pari si lëndë gjuhësore, e cila gjuhë kur kalon në tekstin letrar,
pra në gjuhën e fiksionit bëhet gjuhë e figurës, gjuhë e fenomenit, e motivuar
deri në skaj. Andaj, hetimi i thellë i lojës me emra/figura në sistemin brendatekstor, thekson modelin e veçantë të
vetë interpretimit e analizimit. Kodi gjuhësor për Nysret Krasniqin kryqëzon
shumë mendime rreth tekstit/teksteve.
Gjuha dhe emërtimet e ndryshme, kur kalojnë në
diskursin letrar janë të lidhura në rrafshin e shenjave/kulturave. Duke qenë
shenja përherë polisemike, arbitrariteti i gjuhës së zakonshme, ajo konvenciale
për Krasniqin kur kalon në gjuhën e tekstit do t’i nënshtrohet përherë konotatives, botës semantike,
duke marrë vazhdimisht kuptime të reja. Diskursi gjuhësor shtrihet në funksion
të shenjave, që si i tillë kurrë nuk i kushtëzon kuptimet. Kuptimet e shumta
dalin nga trupi i tekstit/strukturës. Andaj, rrjeti i kuptimeve dhe i emrave në
diskursin universal të letërsisë, nënkupton së pari për Krasniqin identifikimin
e strategjisë tekstore, vetëm se nevojitet një lexim i figurës së gjuhës, sepse
mbi të gjitha edhe vetë gjuha ndërton figurën përbrenda vetes, siç thotë
Krasniqi: Thënë arbitrarisht, gjuha kurrë
nuk ka arritur ta dëbojë nga trupi i vet figurën, të cilën s’mund ta pandeh se e ka trup të huaj e të panevojshëm.
Duke e pasur parasysh këtë, leximi/interpretimi gjithnjë hapet para një bote të vetë gjuhës, në
të cilën shkrihen të gjithë zërat e identitetet, për t’u ndërtuar figura e
madhe shpirtërore. Nga një perceptim i këtillë, i argumentuar në variante të
ndryshme të kodit gjuhësor, ngadalë do të zhvendoset rrejti i komunikimit, në shenja kuptimore/semantike, pra në
fushën e motivimit të shenjës filozofike, për të dalur siç thotë studiuesi të dualiteti
soma/sema,, e cila rri hijshëm të vepra letrare e Mitrush Kutelit, E madhe
është gjëma e mëkatit - Tat Tanushi i
Bubutimës.
Kryqëzimet ideore
Kërkimi i dualitetit soma/sema në novelën e Kutelit E madhe është gjëma e mëkatit - Tat Tanushi i Bubutimës, ruan përherë
variantin e shenjës gjuhësore/kuptimore, por tash duke prekur edhe kulturë.
Në dialogun ndërtekstor të
filozofisë së antikitetit, e të shenjës kuptimore, shtrihet e venerohet
problemi i strukturës ideore. Interpretimi gjithnjë hynë në shërbim të esencës
se dualitetit shpirt/trup. Duke qenë
kjo, përherë kushtëzimet në interpretimin e Nysret Krasniqit refuzohen. Pra,
shtrihen vijat e shumëfishta të analizimit, kërkohen gjithnjë farat e arki-gjenezës/gjenezës
së fenomenit. Kështu, dialogu më strukturën narrative, për Krasniqin do të shënjojë dialogun në të
gjitha nivelet. Argumentimet e shumta bëhen formulim tipik për interpretimin e
metodës semantike. Duke i njohur të gjitha variantet e invariantet e strukturës
së novelës E madhe është gjëma e mëkatit -
Tat Tanushi i Bubutimës, interpretimi i N. Krasniqit bëhet sprovim i
leximit në kërkim të identitetit të vazhdueshëm të domenit letrar në
përgjithësi. Kjo do të thotë se venerimi hap rrugë, jo vetëm për një tekst
letrar, por për tërë diskursin universal të letërsisë. Shkurt, kjo bëhet
mundësi e madhe për një teori sa më funksionale në hetim të botës letrare. Në
nivelet e tekstit, kryqëzimet ideore dhe fenomenet në përgjithësi shkojnë
paralelisht njëra me tjetrën. Nënshtrimi i shenjave vendoset në figurën e madhe
të botës fiktive të novelës E madhe është
gjëma e mëkatit..., pra më konkretisht te personazhi Tat Tanushi dhe
misioni i tij në jetën reale, karshi kodit moral e dashurisë hyjnore. Prandaj,
mund të shihet se është një udhë e vështirë e hetimit, sepse përballë kemi një
kod të madh që është ai hyjnor. Formimi i personazhit Tat Tanushi, dhe misioni
i tij fetar i predikimit në jetën reale, për Krasniqin bëhet fenomen i veçantë
për filozofinë e vetë kulturës së besimit kristian. Aty ku shkelet kodi fetar,
predikimi i njeriut fetar, N. Krasniqi nis e fillon dialogun më
kulturën/fenomenin. Refuzimi i dashurisë hyjnore, dhe pranimi i dashurisë
tokësore, dhe dënimi më pavdekësi për Taten nga ana e Zotit, gjithnjë do ta
relativizojë kërkimin semantik, nëpër fenomenin e përgjithshëm të diskursit
metafizik. Ky relativizim jepet çdoherë si mundësi identifikimi i fenomenit
shpirt/trup, i njeriut fetar. Duke e bartur njohjen mbi shenjen, metadiskursi i
tekstit tanimë për Krasniqin shtrihet gjithnjë në kulturën e veneruar përballë
mëkatit universal. Prekja e mëkatit në tekstin e Kutelit, dhe njohja universale,
cakton në parim luftën e përhershme të filozofisë së shpirtit/trupit. Të gjitha vijat në objektin e kërkimit përballë
literaturës e fenomenit, ngjallin atë që quhet shpëtim i shpirtit ndaj trupit,
e që për Krasniqin është eidos i
veçantë në novelën e Kutelit. Shpëtimi i shpirtit, në kërkim provon fuqishëm
filozofinë e teorizimin, karshi diskursit universal. Nuk ka shpëtim të shpirtit
nga trupi, po që se nuk bëhet katarza jetësore. Dënimi i Tatës nga Zoti më
pavdekësi, për N. Krasniqin është odisejadë jetësore, është katarzë për jetën,
për të çliruar çdoherë shpirtin nga trupi. Pra është pikëtakim i jetësores me eternalen, i dualitetit të
botëkuptimeve, ku njeriu gabon e Tjetri, është në gjendje ta falë. Ky
esencializim në strukturën e novelës se Kutelit, formon shenjen e ekzistencës
universale, e që për Nysret Krasniqin është Udhë
kratilike në jetën, e për jetën metafizike.