E shtune, 27.04.2024, 02:12 AM (GMT+1)

Kulturë

Një Memorial për vetëflijimin e luftëtarëve në Borsh

E enjte, 04.06.2009, 06:12 PM


Astrit Leka e Kadri Mani: Skënderbeu i bashkoi - 2008
Astrit Leka e Kadri Mani: Skënderbeu i bashkoi - 2008
Nga Alma MILE

Kur është fjala për vetëflijim, Shqipëria nuk i ka rastet e rralla. Mjaft të përmendim këtu rastin e grave e burrave suljotë, që zgjodhën të hidhen në humnerë, apo të ndezin barutin, që të mos bien në dorë të turqve, apo Oso Kuka me shokë, apo Mic Sokoli që i vuri gjoksin grykës së topit, për të ardhur deri në ditët tona, tek luftëtari i lirisë Adem Jashari e familja e tij. Por pak flitet për aktin flijues të luftëtarëve të Sopotit, që për të mos rënë të gjallë në duart e pushtuesit, hodhën në erë municionet, në kështjellën ku ata ishin ngujuar. Është ky një akt që datohet hershëm, në vitin 1571, pra shumë më parë se të gjitha ngjarjet e tjera të këtij lloji. Kjo është arsyeja pse Shoqata Ndërkombëtare, Solidariteti për Zhvillimin e Vendeve të Lindjes, në Gjenevë (Solidest) ka hartuar një projekt për ngritjen e një memoriali, pikërisht në Borsh të Sarandës. Një përmendore që do t’i kushtohet vetëflijimit të shqiptarëve për mbrojtjen e atdheut. Sipas kryetarit të kësaj shoqate, Astrit Leka, historia e ngritjes së këtij memoriali, nuk është e re. Ajo ka vite që zien e rreket të gjejë miratim në institucionet përkatëse. “Jemi konsultuar me shumë shqiptarë e të huaj, që e kuptojnë rëndësinë e projektit dhe na kanë mbështetur. Por na u desh të siguronim në Shqipëri mbështetjen e pushtetit lokal të Lukovës, por edhe atë të Vlorës që të mund të përparonte projekti, për t’u pranuar edhe nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë. Sigurisht projekti gjeti edhe mbështetjen e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, mbështetjen morale të Ministrisë së Kulturës të Kosovës dhe Akademisë së Shkencave të saj si edhe të personaliteteve shqiptare të shquara të Kosovës, Maqedonisë, të Malit të Zi, si dhe të mjediseve universitare të botës së interesuar”, - thotë Leka. Sipas tij, me këtë rast Universiteti i Gjenevës, Akademia e shkencave të Shqipërisë dhe Solidest, ka organizuar disa vite më parë, një ekspeditë shkencore në Kalanë e Borshit, për të parë nga afër këtë monument të trashëgimisë kulturore shqiptare, por edhe vendin kur shekuj më parë ndodhi një nga aktet e vetëflijimit. Gjithashtu, janë zhvilluar edhe takime me përfaqësues të UNESCO-s, të cilët kanë shprehur mbështetjen e tyre për këtë nismë. Për Astrit Lekën, ngritja e kësaj përmendoreje është një ëndërr 25-vjeçare, që zuri të materializohet, në momentin kur pas shumë kërkimesh, ai ra në gjurmë të dokumentit që vërtetonte këtë akt flijimi në kështjellën e Borshit. Në këtë dokument shkruhet: “Më 571, në kështjellën e Sopotit (Borsh) luftëtarët shqiptarë, për të mos rënë të gjallë në dorë të pushtuesit të huaj, u hodhën në erë duke u vënë zjarrin municioneve”. (Contarini, f.30, Venedik 1572). Në librin e Giovanni Pietro Contarini-t, "Historia delle cose successe dal principio della gverra mossa da Selim ottomano a'Venetiani", botuar në vitin 1572 në Venedik, disa muaj pas vetëflijimit të mbrojtësve shqiptarë të Sopotit, shkruhet: "Aliu (Pasha i ardhur me flotën nga Stambolli, sh. i përkth.), zbarkoi në Sopot 1500 spahi dhe jeniçerë, të gjithë të pajisur me armë zjarri të kohës për të pushtuar Sopotin. Këta, me të shtëna armësh, bënë që të tërhiqen mbrojtësit nga muret e kështjellës dhe u ngjitën mbi mure. Mbrojtësit e vendit, duke e parë veten të sprapsura armiku, u vunë zjarrin municioneve, dhe rrënimi qe aq i madh sa që u dogjën edhe 500 turq…" ( Faqe 30 ).
Leka nuk mund të mos përmendë nxitjen në dobi të realizimit të projektit, që dhanë diskutimet e zhvilluara në Paris nga 26-27 tetor 2006 në mbledhjen e parë ndërkombëtare të delegatëve të 23 shteteve më të rëndësishme të botës për “Kujtesën e ndarë”. “Gjatë këtij takimi shumë pjesëmarrës u shprehën se në 7 vitet e fundit rinia e botës po i drejtohet patriotizmit. Këto deklarata të bëra në atë mbledhje të nivelit më të lartë ndërkombëtar më përforcuan bindjen se duhet të realizoja sa më shpejt projektin tonë. Sepse një njohje nga të gjithë brezat e vlerave të trashëguara ndër shekuj, si edhe mbështetja në patriotizëm do të lehtësonin shumë udhën e kombit shqiptar për të dalë nga gjendja e vështirë, në të cilën ndodhet sot”, - thotë Leka.
Mbi bazën e projektit, parashikohet që në memorialin e Borshit të vendosen 7 pllakave prej bronzi, ku krahas asaj të trimave që përshkruan vetëflijimin e luftëtarëve të Sopotit (Borshit e gjithë asaj krahine), të kenë vendin e nderit edhe shqiptarët trima arvanitë, sidomos çamët suljotë të Misolongit, që luftuan për Pavarësinë e Greqisë, Oso Kuka me shokë përfaqësuesi i Shkodrës dhe shqiptarëve të Malit të Zi, arbëreshi që i shpëtoi jetën Garibaldit, Mic Sokoli, vajza shqiptare nga Maqedonia dhe  Adem Jashari me familje nga Kosova.

Schmitt s’e dëmton figurën e Skënderbeut

Sipas nismëtarëve për ngritjen e një memoriali në Borsh, për të nderuar kujtimin e gjithë shqiptarëve të vetëflijuar për mbrojtjen e atdheut, kjo vepër vjen “në një kohë kur ka nisur një goditje sistematike e prestigjit tonë kombëtar nga disa qarqe të interesuara antishqiptare, të cilat përdorin të gjitha mjetet për të na paraqitur në botë si një popull gjysmë-barbar e sidomos si komb me histori të rreme e gjithë mite”. Sipas kryetarit të shoqatës Solidest, Astrit Leka, këtyre qarqeve u ka shërbyer me librin e vet për Skënderbeun edhe historiani zviceran Jens Oliver Schmitt. “Le të mësojë Schmitt-i si historian, se iniciativa jonë për t‘i bërë të njohur botës figura si Skënderbeu dhe të tjera si ai, mbështeten zyrtarisht nga forume kompetente ndërkombëtare edhe pas botimit të librit “Skënderbeu” të historianit Oliver Schmitt, që s’është veçse një shtrembërim i qëllimshëm i historisë sonë”. Sipas tij, këtë e tregon edhe rezoluta në mbledhjen e 21 prillit në Paris e Asambletë e Konfederatës Evropiane të Veteranëve dhe viktimave të luftës, që të gjitha shtetet pjesëmarrëse në këtë organizëm, të ndjekin shembullin shqiptar për ngritjen e përmendoreve të Skënderbeut në botë, si edhe projektin e ngritjes së memorialit të Vetëflijimit të shqiptarëve në Borsh-Sarandë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora