E premte, 26.04.2024, 11:43 PM (GMT+1)

Faleminderit

Luan Çipi: Inxhinjeri i paharrueshëm

E enjte, 14.05.2009, 07:59 PM


Luan Çipi
Luan Çipi

INXHINJERI  I PAHARRUESHËM
 
Gjëja më e madhe për njeriun është vullneti i fortë
Gëte

Portret nga Luan Çipi

Vaso Suli më kujtohet, ashtu siç e pashë të rritet, në çdo centimetër. Ai do të ngelet për mua, gjithnjë si njeriu im i afërt, i dashur dhe simpatik.
Shtëpitë tona, në lagjen Muradie të qytetit të Vlorës ishin, thuajse ngjitur, krahë njëra tjetrës. Oborret të mbushur me gjithfarë pemësh ndaheshin po nga i njëjti mur. Nënat tona të mira: Goni dhe Kekea, mjafton të dilnin në dritaret e veta dhe me komoditet, pa u shqetësuar nga askush, mund të bashkëbisedonin gjatë, apo të këmbenin mendime për çdo gjë, qoftë edhe për të ndërruar ndonjë recetë të re të një gatimi pikant.
Unë, që kisha lindur 7-8 vjet para Vasos, edhe sot e shoh, si në një ekran filmi, të më shpaloset jeta e Panajotit, siç e kishte emrin e pagëzimit, Vasua. Ai ishte fëmija i pestë dhe më i vogli i Spiro Sulit dhe i Antigonit, kësaj gruaje trime dhe krenare, që i rriti jetimët si një burrneshë, duke u kujdesur, si jo më mirë, për shëndetin, edukimin qytetar dhe arsimimin e tyre...
Babain e Vasos, Spiro Sulin, e hasim qysh herët në analet e Beledies, më pas të Bashkisë së qytetit të Vlorës, si dhe te klubi patriotik “Labëria”. Ai ishte këshilltar i zgjedhur nga populli si dhe veprimtar aktiv i grupeve artistike e atdhetare të teatrit dhe folklorit vlonjat. Këto veprimtari i kishin paraprirë ardhjes së Ismail Qemalit dhe ngritjes së Flamurit, e vazhduan më pas me Luftën e Vlorës të vitit l920, me ngjarjet e Revolucionit demokratiko borgjez të vitit l924 e më tej… Një dëshmi e vërtetë është e padiskutueshme: pushtuesit nazifashistë dhe bashkëpunëtorët e tyre, tradhtarë të idealeve kombëtare e të luftërave për liri, e internuan Spiro Sulin dhe u bënë shkak për vrasjen e tij.  Pavarësisht nga shpjegimet kontradiktore dhe, në vazhdim, të thënieve të atyre, që, ndofta, sollën dhe zhdukjen e tij, dokumentet autentikë do të vërtetojnë  identitetin e kësaj figure aktive, të pushkatuar misteriozisht nga nazistët, gjatë rrugës së qindra të arrestuarve, që përcilleshin në kampet e përqendrimit.
I ngelur kërthi, pa babën e vetë, madje pa e njohur ndonjëherë atë, Vasua i vogël ishte, jo vetëm shqetësim e barrë, po njëherazi, ngushëllim, forcë dhe shpresë për nënë Gonin, këtë beratase të re e të zgjuar që, e ngelur e vetme me pesë fëmijë, vërtet me ekonomi të siguruar, por që duhet ta administronte atë dhe, në kushtet e luftës dhe të anarkisë, të mbronte, të ushqente dhe të edukonte fëmijët e vetë. Të gjitha i kapërceu me guxim e mençuri.
Pas përfundimit të luftës dhe të vendosjes së “Guvernes Demokratike” shumë probleme të reja dhe të papritura lindën. Shtetëzimi i automjeteve dhe i pasurive të tjera , që ishin burim të ardhurash edhe për familjen Suli, e vuri atë para vështirësive ekonomike. Pikërisht këtu u shfaqën edhe njëherë aftësitë vepruese të nënë Gonit, që njëherazi, u kujdes për arsimimin e plotë të fëmijëve të saj. Në këtë anë më fort u dalluan djemtë. Patrokliu, djali i madh, u tregua më praktik dhe shumë shpejt u largua nga Vlora për në Durrës, për mos t’u kthyer më. Kristaqi, djali i dytë ishte, gjithashtu, serioz, këmbëngulës dhe i etur për dituri. Ai arriti shkallë të spikatura në mësimdhënie  dhe krijimtari letrare. Vasua, djali më i vogël, që në fillim shfaqi prirje për teknikën. Ato më vonë u përsosë dhe u ngritën në shkallë shkencore.
 Nga dritarja e shtëpisë sonë Vason e shihnim shpesh në oborrin e tij, duke hapur e mbyllur një arkë të vjetër hekuri, duke nxjerrë e futur prej andej gjithfarë veglash, pjesë këmbimi automjetesh e biçikletash, të vendosura aty, prej shumë kohësh, duke u marrë gjithë ditën për t’i pastruar, liruar e shtrënguar ato, me gjithfarë çelësash e pincash.  Shumë herë shkonte te pusi i madh i oborrit për të riparuar çikrikun apo pompën e vjetër të tij. Ndonjëherë  hipte mbi çati dhe  kthente tjegullat Marsejeze, për të zënë ndonjë pikë shiu. Shpesh varej me duar si pehlivan dhe kalonte nga çatia, midis kangjeleve, te tarraca e shtëpisë fqinje, apo diku gjetkë. E shihnim kur lidhte e shtrinte telat e pjergullës së vetë, që mbulonte gjithë ballkonin e madh dhe më vonë edhe  një pjesë të  oborrit.
Në bahçen e madhe të Suljotëve çdo gjë ishte në vendin e vetë. Oborri qëndronte shumëngjyrësh, gjithë vitin, me shumë rrënjë portokalle, limona, qitro, e deri dardhë, kumbulla e fiq.
 Punimi e plehërimi i tokës, krasitja e pemëve dhe hardhive, tëharrja e gjetheve dhe spërkatjet me gjithfarë kimikatesh, ishin punë e vazhdueshme, kryesisht e Vasos dhe ndonjëherë e konsulentëve të afirmuar dhe shokëve të përhershëm të tij... Me kalimin e kohës në këto specialitete Vasua u bë mjeshtër i vërtetë. Kjo tërhoqi vëmendjen e amatorëve pasionantë vlonjatë, që nisën të bënin vizita për të marrë përvojë dhe për të këmbyer mendime për eksperimentimet e tyre. Nuk ishte vetëm bukuria, që krijonte bahçja me pemë dhe hardhitë e ngritura deri te çatia e shtëpisë, funksioni që i kish dhënë tendës edhe për hije edhe për freski, po edhe prodhimet e varieteteve të reja të rrushit me edhe pa farë, të llojit kokërrmadh e shumëngjyrësh, aromatik e rezistent. Kishte atje qitro të pastra e të forta, kokërrmëdha Korfuzi; limona italiane semprefiore; dardhë të lëngshme të mëdha stambollite; kumbulla vlonjate dhe fiq çepellë Himare. Merakun për agrumet Vasos ia kish ushqyer nënë Goni. Ajo e mësonte dhe e ndiqte nga afër me dashuri e admirim dhe e nxiste vazhdueshëm pasionin e tij, duke i bërë vërejtje e duke i dhënë porosi të vlefshme.  Kështu, edhe e edukonte me dashuri për punën dhe e mbante afër familjes dhe larg shoqërisë së keqe e boshe, siç i quante ajo, ata që e “grisnin” kohën kot.
 Me kumbullat, fiqtë dhe agrumet, sidomos me qitrot, nënë Goni bënte reçelra, liko e ëmbëlsira karakteristike, duke përtërirë traditat e lashta beratase. “Te tavolina me gjellë dhe ëmbëlsira duket shkalla e fisnikërisë qytetare e çdo familjeje”, thoshte me krenari të ligjshme nënë Goni. Nga ana tjetër ajo ishte shumë dorëdhënëse se, jo vetëm na i ofronte për t’i degustuar ato mrekulli të kulinarisë, po çdo vit, na hiqte e na jepte porcione qitrosh e limonësh, shoqëruar me teknologjinë e shkruar për përgatitjen e tyre, duke kontrolluar vetë me rigorozitet zbatimin e recepturave dhe të sekreteve përkatëse  Këto virtyte përcilleshin edhe te Vasua.
Ndërkohë, vitet kalonin shpejt dhe Vasua, sikur rritej e burrërohej çdo ditë. Ai tani rrethohej nga shokë të shkollës që i zgjidhte gjithnjë me kujdes dhe të denjë e në përshtatje me natyrën e vetë. Ata, ç’është e vërteta,, formonin ajkën e rinisë së kohës. Çdo ditë dukeshin në tarracën apo oborrin e shtëpisë, duke mësuar së bashku, duke u këshilluar e zgjidhur problemet dhe detyrat e vështira të shtëpisë. Po aty ushtroheshin dhe përgatiteshin fizikisht, sa me një rrotë vagoni, apo gire e gantele të improvizuara, e më pas, gjuanin te një kosh basketbolli me rrjetë, që kishin vendosur te një mur i lirë i oborrit. Nga këto Vasua, dalëngadalë, u bë dhe një sportist cilësor, duke u shquar, së pari në not e volejboll, e më pas, në basketboll, ku përfaqësoi  jo vetëm shkollën, po bëri pjesë  edhe në ekipin e të rriturve të “Flamurtarit”.
 Më së shumti te Vasua vinin Petraqët (Karaj dhe Truja), Kristaqet (Loli e Pavli), Lame Fandi, Agim Shuka, Qerim Vrioni, Bajrami, Nardi, Hitua, etj.
 Vasua, pasi mbaroi me përfundime të mira Gjimnazin “Ali Demi” në Vlorë, vazhdoi Universitetin Shtetëror të Tiranës dhe u laureua në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, në specialitetin kimi-teknologji
 Pas marrjes së diplomës, udha e jetës e solli që të takohemi me Vason në të njëjtën qendër pune, pikërisht, në NISH Prodhime të Ndryshme në Vlorë. Aso kohe kjo ndërmarrje ngërthente veprimtari prodhuese të disa degëve të ekonomisë si: Ushqimore, me prodhimin e bukës, sallamit, biskotave, llokumeve, tahin hallvave, pijeve freskuese; material ndërtimi ku prodhohej gëlqere, tulla e tjegulla, e poçeri e trashë; dega e drurit me prodhim dyer dritare, tavane e dysheme, karro e qere, voza druri e deri mobile e orendi shtëpiake. Këto prodhime ishin unikale dhe  plotësonin nevojat për rrethet e Fierit dhe të Vlorës.
 Vasua erdhi në këtë ndërmarrje kur unë punoja atje në një detyrë drejtuese. Ai u emërua teknolog në Furrat e Bukës. Do të udhëhiqte nga ana teknologjike dhe do të përgjigjej për organizimin e prodhimit dhe të cilësisë së bukës. Çdo gjë duhej ta niste, përsëmbari, nga e para. Vështirësitë ishin të shumta. Së pari kërkohej zgjerimi i shkallës së njohurive. E ku i mjaftonin Vasos ato dy tre leksione që kishte marrë në Universitet për teknologjinë e bukës? Ai siguroi literaturë dhe iu fut studimit të kësaj fushe.
  Në qytetin e Vlorës prodhimi i bukës ishte i organizuar në dy blloqe të mëdhenj. Në atë, që quhej Blloku i Vjetër, ku përdorej si lëndë djegëse dru zjarri, shkarpa dhe bërsi lule dielli dhe ulliri dhe Bllokun e Ri, ku u futën flakëhedhëset (bruciatirët CIT), me gazoil, të sjella nga Italia. Fermentimi i brumit ishte tradicional, me brumë të zënë. Laboratori ishte, sa për të qenë, pa pajisjet dhe reagjentët e nevojshëm. Sitja dhe transportimi i miellit bëhej në formë të thjeshtë dhe pa krijuar mundësi për përzgjedhje dhe përzierje miellrash. Gatimi i brumit bëhej me brumëgatuese individuale dhe me magje druri për çdo grykë furre. Punohej me tri ndërresa dhe pa pushime javore. Përdoreshin tepsi buke me llamarinë të zezë të prodhuara në mënyrë artizanale.
 Më kujtohet Vasua, inxhinier i ri, pasionant, sesi iu përvesh i vetëm punës, në luftë me të vjetrën tradicionale. Së pari, u përqendrua te masat higjeno sanitare. E nisi me laboratorin dhe dhomën e fermentimit të parë. Nguli këmbë për veshjen e mureve me pllaka majolike, për dezinfektim e lyerje, më pas për sistemin e ngrohjes, për peshoret medicinale, furrën mufël dhe reagjentët kimikë. Çdo gjë e bëri me këmbënguljen dhe duart e tij. Nuk duhet përjashtuar, këtu edhe ndonjë përkrahje, sado e vogël, dhënë nga ana ime, kryesisht, duke e pasur si detyrë funksionale, po edhe për ta ndihmuar këtë njeri kaq të dashur e të talentuar. Vasua çdo gjë e bënte me dëshirë të madhe dhe me këmbëngulje, qysh nga sigurimi dhe studimi i literaturës në gjuhën italiane e ruse, sigurimi i reagjentëve të rrallë, organizimi i kurseve për brumëgatuesit dhe pjekësit, përgatitja e laboranteve dhe më pas për projektimin dhe zbatimin e teknologjive të reja, në zëvendësim të atyre tradicionale e primitive. Kohë iu edhe desh për organizimin dhe ndërtimin e konvejerëve, që nga sitja e mekanizuar e miellit, transportet e brendshme, stivimi dhe ruajtja e bukëve, etj. Këtu shpërtheu dhe shpirti praktik i inxhinierit me njohuritë dhe dashurinë për teknikën, të nisura që nga ajo arka e vjetër prej hekuri.
 Ishin skandaloze rastet e ndodhura më parë në cilësinë e bukës. Shpesh kishin dalë në treg bukë me pa pastërti të dukshme si me spango, qime, gurë, cigare e deri bishta miu. Mbahej mend dhe përsëritej si çudi një rast kur e kthyen nga tregu një bukë dhe brenda saj çibuku i xha Pandeliut, një pjekësi të moshuar duhanpirës. Inxhinieri i ri vendosi rregulla të rrepta, të detyrueshme në regjimin higjeno sanitar. Duhet të vije i larë çdo ditë, me futë të bardhë të pastër dhe me skufje në kokë. Gjatë punës nuk lejohej, duke punuar të pije cigare, veçse në një vend të veçantë. Po kështu dhe ngrënia e bukës. Këto masa të reja, të domosdoshme për një repart ushqimor, nuk u pritën mirë nga shumica e punëtorëve. Ata tani iu nënshtruan detyrimeve të reja. Shumë prej tyre u gjobuan, u zbritën në kategori, ose u larguan fare nga puna. Dikush e pa dhe me smirë e rivalitet këtë formë të re trysnie e kërkese llogarie.                                                                                                                           Më kujtohet një brigadier i moshuar, mandej komunist dhe veteran i luftës, që mburrej se në ato vite heroike kish strehuar e mbajtur disa ditë në shtëpinë e tij, vetë Komandantin. Q. e quanin brigadierin. Ai, në të vërtetë, herë vinte e herë nuk vinte në punë, po, kur vinte, kërkonte të ishte i plotëfuqishëm. Vetë zot e vetë shkop, siç thoshte. Atë që ai e simpatizonte, e mbronte, edhe kur nuk ia  bënte punën; kurse kur dikush tjetër punonte mirë dhe  mund të ishte shembull, e diskreditonte keqas, po të merrte vesh se kish ndonjë  “kleçkë” në biografi. Vasua që e kishte direkt në vartësi pune, duke qenë kërkues dhe i drejtë, i vuri në dukje shpejt një tok me mangësi. Ai vërejti se shoku Q kur kishte turnin e natës, duke qenë dhe i moshuar, përtonte, flinte në ndonjë qoshe të ngrohtë dhe shpesh as që vinte fare në punë. Vasua e thërriti menjëherë dhe i vuri në dukje me takt, por pa ia lejuar asnjë nga mangësitë.
 -Kush je ti, qe guxon, të më kërkosh mua llogari ?
 -Më fal, po, nuk e mendoja që s’do më kishe njohur ende, i tha Vasua, me sinqeritet. Unë kam tre muaj në detyrën e inxhinierit teknolog, pra, të eprorit tënd direkt.
 -Jo, more, jo. Nuk të pyeta për detyrën që ke. Këtë unë e di mirë, para teje, se e studiuam dhe e aprovuam kandidaturën tënde në Organizatën bazë të Partisë. Unë them, kush je ti, që më kërkon llogari mua.
 -Më fal, shoku brigadier, po unë për punën të fola, që ajo të bëhet pa të meta, se … jemi në sektor delikat, që çdo ditë ballafaqohemi drejtpërdrejt me popullin.
 -Dëgjo, inxhinier! Ti, nuk duhet të marrësh guximin e të më zësh mua në gojë popullin. Ti, jo popullin që s’e njeh, por nuk njeh mirë as familjen tënde, kurse babain tënd as që e njeh fare, se po ta njihje, do të mësoje që ai nuk kish asgjë të përbashkët me popullin tonë...
 Vasua i ri, fare pa përvojën e jetës dhe të realitetit shqiptar komunist, i ndërgjegjshëm e pasionant për detyrën e vetë, nga kjo bisedë dhe ky qëndrim i padëgjuar, befasohet dhe hutohet.
 -Shoku Q., juve, siç kam dëgjuar jeni dhe komunist, veteran lufte. Nuk po e kuptoj këtë mllef, këtë urrejtje dhe armiqësi personale për familjen dhe babain tim. Unë, jo vetëm që nuk kam dëgjuar për këto probleme të largësisë dhe detyrave ndaj  popullit, por, përkundrazi, di që babain tim, kur unë isha foshnje, e vranë nazistët, ata që dogjën dhe masakruan bijtë më të mirë të popullit tonë.
 ...Këtë problem biografik brigadieri komunist e trajtoi edhe në organizatën bazë të partisë, çka u bë shkak për fjalë e thashetheme me të gjithë.
Kundërvëniet ndaj Vasos dhe ballafaqimet e para me realitetin e egër, në hullinë e asaj që quhej luftë klasash dhe që ish një metodë e përhershme, e qëllimshme pune, aq sa quhej motor i lëvizjes para, e dëshpëruan dhe e dobësuan atë qëndrim të sinqertë, entuziast e me dashuri për punën, duke e shqetësuar së tepërmi  këtë intelektual të ri e të devotshëm.
 Kur e mora vesh këtë qëndrim të ulët e dashakeq të shokut Q, me që e njihja herët, e ndala dhe bisedova gjatë e shtruar, duke pirë me të një kafe. Ku ta dinim ne se këta tipa ishin protagonistët e ashpërsimit të luftës së klasave, bash promotorët e lokomotivës lëvizëse të shoqërisë socialiste. Baballarët tanë të dashur kishin ikur nga kjo jetë, por shpirti i tyre i mirë vazhdonte t’i shqetësonte varfanjakët dembelë, ndaj këta përpiqeshin ta nxirrnin dufin e tyre te ne. Xhebrailët ishin në veprim kudo.
 Bisedova edhe me Vason dhe i thashë se ka shumë të tillë në jetën e përditshme, prandaj duhej bërë çdo gjë për t’i anashkaluar. Ne duhet të ruanim traditat e mira familjare për një punë pa rezerva e me pastërti, sipas edukatës së ushqyer në familje dhe në shkollë e të kultivuara ndër vite nga paraardhësit tanë. Ne iu takonim brezave që kishin lindur për të punuar, për të ndërtuar, për të ndryshuar e jo për të prishur e për të shkatërruar.
 I miri Vaso e kapërceu shpejt gjendjen e shokut dhe me këmbënguljen që e karakterizonte për punë e studim, po shpejt, u konsiderua nga specialistët përkatës të Ministrisë,  teknologu novator e reformator më i thelluar në teknologjinë moderne të prodhimit të bukës. Përvoja e punës së tij u përgjithësua kudo dhe atë filluan ta thërrisnin e ta dërgonin me shërbim në të gjitha qytetet dhe qendrat e prodhimit të bukës, deri dhe në Kombinatin e ri të Bukës, në kryeqytet.
 Sukseset e bujshme në punë dhe emri i mirë që krijoi inxhinieri i ri me studimet teorike dhe me realizimet e tij praktike në Vlorë, nxiti xhelozinë dhe mllefin e kolegëve të tij të pazot në Tiranë e në mbarë vendin...Ata, kishin ngelur fort larg pas tij, megjithëse, ndërmjet  tyre, kish dhe specialistë të profilizuar jashtë shtetit.
 Arrijmë në periudhën kur po dukej dekadenca ekonomike në vend, kurse “udhëheqja e lavdishme” që “kurrë nuk gabonte” këtë rënie të përgjithshme nuk e shpjegonte me prishjet e mëdha ndaj Rusisë dhe Kinës, këto paterica të hequra para kohe dhe të flakura tej, pa mend, por, te shkaqe të tjera të shpikura, të quajtura “sabotime në ekonomi”. Nisën, kështu, gjyqet e hapura me prapaskena të sajuara për të gjetur armiq të brendshëm në ekonomi. Shumë të tillë u gjetën në sektorin e naftës. ”Ata të poshtër”,  kryesisht specialistë të shquar, shumica që kishin mbaruar shkolla jashtë shtetit, nuk po zbulonin më vend burime të reja nafte e gazi, megjithëse, sipas përcaktimit të vetë udhëheqësit, shkencëtarit dhe zbuluesit tonë të madh e të magjishëm, jo vetëm Vlora, por, një pjesë e madhe e vendit tonë, notonte në naftë.
 Për çdo gjë e cila nuk shkonte mirë në ekonominë e asaj kohe, thuhej se po sabotohej nga armiqtë e Partisë. Ata “armiq të rrezikshëm” nisën të zbulohen e të dënohen pa mëshirë, deri në pushkatim..
Kjo valë e egër terrori filloi të godiste elitën e burrave të shquar, se, në këtë mënyrë, bënte më shumë efekt dhe linte gjurmë frike, duke paralizuar kundërveprimet e mundshme. Kështu, tërhiqej edhe vëmendja nga plagët që po hapeshin për mungesat e theksuara në treg të mallrave ushqimore të konsumit të përditshëm, si qumështit, vezëve, mishit, kafesë, të cilat pothuajse u racionuan, më keq se në kohën e luftës. Në të njëjtën kohë, rruheshin kushte të përshtatshme për thellimin e aksioneve komuniste, në vazhdim të aksioneve antife, të shkatërrimit të kishave e të xhamive, si për thellimin e kolektivizimit të pronës deri në tufëzimin e plotë të bagëtive, heqjen e plotë të oborreve kooperativiste e të ekonomive ndihmëse, në zëvendësim me arëzat në fshat dhe prishjen deri të qymezeve të pulave e pjergullave të hardhive në qytet. Një valë e re e egër arrestimesh shpërtheu kudo, sistematikisht, në dinamikë, në gjithë vendin. Xhipset e policive të degëve të brendshme lëviznin ditën e më shumë natën me dritat hapur. Humbi dhe buzëqeshja në sytë e njerëzve. Kur dikush vrenjtej, i ulte e hapte dhe i puliste sytë, partneri stepej e thoshte “Ç’ke që mi bën sytë si xhipsi i degës.”
Në këto kushte, në disa qytete të vendit, njëkohësisht, u çelën gjyqe për të dënuar, kinse, shkaktarët e prishjes së cilësisë së bukës. Ishte porosi nga lart, Kjo dukej edhe nga se akuzat u bënë njëherazi, në disa rrethe të vendit. Në të vërtetë cilësia e keqe e bukës vihej re kudo. Shkaqet nuk kërkoheshin te gruri, apo mielli i importuar me çmime shumë të ulëta, i gjetur ku të mundej, i vjetër, i mykur, stoqe nëpër magazinat e botës, i tillë që as për kafshët nuk përdorej. Shkaku i prishjes së cilësisë së bukës po kërkohej te specialistët, që duket se kishin kapur për të sabotuar pikën më nevralgjike të politikës sociale, bukën e përditshme të popullit. Nën akuzë u vu dhe Vasua, që edhe sipas asetçijve, kishte marrë shumë perdah.          
-Mirë mua nuk doni të më besoni po, besoni popullin, që prej kohësh ka thënë:”Si të jetë mielli, do të jetë dhe buka”, u tha Vasua.
-Lëri demagogjitë, por, përgjigju këtu, përpara përfaqësuesve legjitim të popullit, këtu në Gjykatë.: Pse bukët vijnë erë?
-Kushdo e kupton, fare lehtë, këtë: Ato vijnë era myk. Të njëjtën erë ka si gruri edhe mielli. Ky lloj mielli, ju a kam thënë, është i papërshtatshëm për ushqim, madje shumë i rrezikshëm.
-I rrezikshëm je ti, Panajot Spiro Suli, ti je armik i rrezikshëm. Ti, që para se ta bësh miell, nuk ia heq erën grurit, duke e larë atë. Me këtë kërkon të diskreditosh politikën e urtë të Partisë dhe ta armiqësosh atë me popullin.
-Po gruri e ka atë erë, se është i vjetër dhe është ruajtur keq, në lagështi, po i hodhe tjetër ujë për ta larë, atë e bën edhe më të keq. Pastaj gruri nuk bluhet e të bëhet miell në këtë ndërmarrje, ku jam unë, por në Fabrikën e Miellit.
-Pusho e mos u justifiko! Po të qe nevoja, edhe në Fabrikën e Miellit të veje. Kush të ndalojë, aty afër e kishe. Pastaj ç’është ajo bukë, aq e zezë dhe me shije aq të hidhur? Ka apo s’ka standard për bukën? Pse s’e respekton standardin shtetëror, ti?
-Ngjyra dhe hidhërimi janë karakteristike të llojit të grurit dhe vjetërsisë së tij. Ky grurë ka qenë i skaduar..
-I skaduar je ti, bastard kapitalisti, se Partia jonë nuk sjell për popullin grurë të skaduar, ajo ka qenë është dhe do të jetë gjithnjë vigjilente, vitale, e fortë si çeliku dhe kujtdo që luan bishtin i pret kokën.
Pa asnjë fakt e argument, mbështetur te disa dëshmitarë agjentë, të vënë enkas, për të plotësuar procedurat dhe të një eksperti fals, rival i hershëm i Vasos, u dha pretenca dhe u muar vendimi qesharak i Gjykatës, sipas së cilit Vasua u gjend fajtor për cilësinë e keqe të bukës dhe u dënua me punë korrektonjëse në prodhim, si punëtor i thjeshtë.
Vendin e tij, si teknolog në Furrat e Bukës e zuri, menjëherë, eksperti i gjyqit, që shpejt u ngjit, ndofta, me të njëjtën mënyrë, në shkallë të larta të hierarkisë shtetërore, duke zënë pozicione kyçe në të gjithë qeveritë që pasuan e deri në ditët e sotme.
I miri Vaso, viktimë e kohës, e nisi veprimtarinë nga e para dhe, në punën e re, dora-dorës u shpalos sërish aftësia e tij e pazakontë mendore, tashmë e plagosur rëndë, e tollovitur, por e pamposhtur…Tani filloi të studiojë dhe të thellohet, si asnjë tjetër, në teknologjinë e lashtë të prodhimit të tullave prej argjile.. Shpejt nisi të jepte mendime, siç dinte ai, pa u kursyer, duke dhënë propozime racionalizuese për lehtësimin e proceseve të rënda të punës, për rritjen e shkallës së mekanizimit, për uljen e skarcitetit të shumtë, për kursimin e lëndëve djegëse, për shkurtimin e ciklit prodhues dhe rritjen e rendimentit të punës dhe uljen e kostos së prodhimit të tullave e tjegullave prej argjile.
Me propozimin e dashamirësve dhe simpatizantëve të rinj, që nuk mungojnë dhe janë rezultante e mirësisë njerëzore, zotëruese në këtë jetë, Vasua përkrahet dhe zë vend si teknolog e më pas kryeteknolog i Fabrikës së Tullave. Brenda një kohe të shkurtër, falë talentit dhe dhuntive që ai kish për teknikën, si dhe të studimeve këmbëngulëse, që ishin në natyrën e tij, ai realizoi ndryshime të thella teknologjike... E nisi nga parapërgatitja dhe kompostimi i argjilës, për të siguruar përbërjen mineralogjike optimale, vazhdoi me prerjen dhe stampimin, për të siguruar një gamë të gjerë asortimentesh, si të tullave dhe të tjegullave, u përqendrua në procesin e tharjes së parafabrikateve, për të ulur skarcitetet e shumta.  Po  të njëjtin qëllim synoi dhe në procesin e pjekjes, duke mos përjashtuar ekonomizimin e harxhimit të lëndëve djegëse nëpërmjet kombinimit të përzierjeve të llojeve të ndryshme të qymyreve dhe të zhavorrit bituminoz, për të siguruar deri me metoda të matematikës së aplikuar, në funksion të minimizimit te shpenzimeve
 Më pas Vasua u vu në krye të një grupi specialistësh, grumbulloi materiale dhe bëri një studim të plotë për ndërtimin e një fabrike të  re  për prodhim tulla tjegulla me teknologji të përparuar dhe kapacitet prodhues të shumëfishuar, në zëvendësim të fabrikës primitive ekzistuese.
Dalëngadalë vitet kalonin dhe Vasua, duke plotësuar dhe një dëshirë të kahershme dhe këmbëngulëse të nënë Gonit, u bind se duhej martuar. Zgjodhi bashkëshorte një vajzë të bukur e të zgjuar, sipas shijeve të veta, që shumë shpejt, i dhuroi dhe dy djem të denjë për ta, monumente të kënaqësisë së pafundme..
Vasua, vitet e fundit të punës në shtet, u kthye te pasioni i tij i madh i fëmijërisë, te produktet e hardhisë e të rrushit, të kënaqësitë khajamiane të verës, si Drejtor në një Kantinë për prodhim Vere e Rakie, ku për disa vjet u muar me eksperimente pasteriane.
Nuk duhet lënë mënjanë dhe përfshirja e viteve të fundit në politikë, ku më shumë e angazhuan të tjerët për t’i dhënë atë vend që meritonte dhe ku dështoi, nën diktatin e dhunës, si shumë të tjerë, por edhe falë tipareve të tij shumë liberale e demokratike. Më shumë kohë dhe telashe i hapën problemet pa krye e fund, të rimarrjes së pronave të babait, rrugë qorre e historisë moderne, postkomuniste.
Fundi i Vasos ishte sa i parakohshëm aq edhe tragjik: Duke ruajtur, deri në çastet e fundit të jetës së tij shpirtin e pamposhtur të ndërtuesit, ishte e thënë të mbetej monument i karakterit të vet. Ai, aksidentalisht, rrëzohet nga tarraca e një godine turistike në ndërtim dhe dha shpirt rrugës tek po e mbartnin për në Spitalin Ushtarak Tiranë...

Ceremonia mortore dhe varrimi u bë në Vlorë, në qytetin e tij të lindjes, me madhështinë që  meritonte ai bir i paharrueshëm i Vlorës. 

LUAN CIPI, nga Vlora

***

SHTOJCE:

Ja si e priti lajmin e vdekjes, ne France, nje nga intelektualet e shquar vlonjat, Vasil Qesari

NDERIM PER  VASO SULIN ....

Sot ne mengjes, u trondita pa mase kur morra vesh per vdekjen e parakoheshme te Vaso Sulit, aty ne qytetin tim te lindjes ne Vlore. Kjo ikje e parakoheshme dhe tragjike, me plagosi thelle dhe, pasi ndenja per disa minuta i heshtur u terheqa diku ne nje kend te apartamentit ( aty ku, zakonisht, une e njej vehten me te qete e me te izoluar ). Para syve, me doli imazhi i portretit te tij te sinqerte e te qeshur... Vaso Suli, bente pjese ne ate pleiade te te rinjve vlonjate te cilet, ne vitet '60, u shquan per intelektin e tyre te shkelqyer, qysh kur ishin gjimnaziste. Ai ishte nje vlonjat i rralle, bir i nje familje me emer, e cila ishte persekutuar nga sistemi i asaj kohe. Vaso Suli punoi per vite te tera si inxhinjer ne fabriken e tullave dhe njihesh ne qytet edhe si sportist e trainer i pasionuar. Ai ishte personifilkim i Njeriut te Mire, Njeriut te Edukuar dhe Intelektualit te Plote... Piker isht, per keto cilesi, ate e vleresonte mbare Vlora e vlonjatet... Mbas rrezimit te komunizmit, Vaso me mjaft deshire dhe energji, u fut ne drejtim te Partise Demokratike por, ndryshe nga i vellai, Kristaq Suli, i cili u angazhua me plot zell ne nje "lufte te re klasash" ( duke u stigmatizuar keshtu, keqaz, nga pjesa me e madhe e vlonjateve ), Vasoja mbajti nje qendrim racional e teper tolerant, duke treguar keshtu nje tjeter sjellje e vizion, teper humanitar e te emancipuar, per periudhen e kaperximit dhe gjykimit te periudhes post - komuniste...
... Me kete rast te hidhur, edhe nje here, une shpreh keqardhjen per kete vdekje tragjike te nje njeriu qe e çmonte dhe e donte gjithe Vlora dhe, duke e percjellur kete lajm ne "Art- cafe","Sterkala" e "Qeparoi", deshiroj te ve ne dijeni edhe te tjere, te cilet mund t'a kene njohur ate se largu apo personalisht. Me kete rast, familjes i percjell ngushellimet e mia me te thella, per kete humbje te rende e cila nuk eshte vetem per te, por per mbare qytetin, miqte e shoket e tij te panumert si edhe inteligjencen vlonjate...

Vasil Qesari - France




(Vota: 5 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora