E marte, 21.09.2021, 12:35 PM (GMT+1)

Kryeshkrim

Kush është zotshpie në Kosovë?!

E hene, 30.07.2007, 07:10 PM


Shkruan: Engjëll KOLIQI

Me arsyen e logjikës realiste, gati njëzet vjet jemi të detyruar "të mbajmë ritmin e lojërave diplomatike", që në faza të ndryshme ndërrojnë muzikën, sipas gërshetimeve dhe kryqëzimeve të intereseve të caktuara, që diktohen nga qendrat arbitrare. Nga ato qendra kanë dalë një sërë vendimesh dhe marifetllëqesh, në procedurën e gjatë të shthurjes së krijesës shtetërore artificiale, me emrin Jugosllavia, e lindur nga vrushkuj gjaku njerëzish të pafajshëm dhe e vdekur nën rrëke gjaku, gjithnjë të njerëzve të pafajshëm.
Ne, shqiptarët, të ndarë e të shkapërderdhur, konform interesave të ndryshme, me vendimet e qendrave ndërkombëtare të arbitraritetit, kemi duruar dhe kemi pësuar më shumë se popujt tjerë, në hapsirat ballkanike dhe përgjithësisht të Europës Juglindore. Edhepse ishim të parët që u ngritëm dhe filluam procedurën e shthurjes së ish Jugosllavisë, na lanë të fundit, të përgjakur nga kthetrat e asaj krijese mitike famkeqe! Jo vetëm që na lanë të fundit, por edhe sot vazhdojnë të na përdorin si kartëmonedhë kusuritjeje, për shumë mëkate dhe të bëra e të palara, gjatë historisë së re njëshekullore, mbi Ballkanin Famëkeq!
Qendrat ndërkombëtare të arbitraritetit, gjatë viteve ’90 të shekullit të kaluar, kur njohën pavarësinë e Sllovenisë, të Kroacisë dhe të Maqedonisë, nuk dashtën as ta përmendin kund Kosovën, edhepse ishte e para që ishte ngritur për të filluar procesin e shthuarjes së famnëkeqes së zgjebosur, me emrin Jugoslavi. As në Konferencën e Dejtonit, Kosova nuk u përmend fare. Kështu u la të kuptohet se toka jonë duhet përgjakur edhe më. Dhe ndodhi pikërisht kjo. Serbia, e specializuar për derdhje të gjakut të popujve joserbë, rrëmbei edhe mbi 15 mijë jetëra të shqiptarëve dhe shkatërroi qindëramijëra objekte banimi dhe të ekonomisë së brishtë të Kosovës.
Më në fund, bashkësia ndërkombëtare, më shumë për rrumbullakësimin e interesave të veta, se sa për përmbushjen e aspiratave tona të natyrshme, u detyrua të merret edhe me çështjen e Kosovës. U organizua Konferenca e Rambujesë, ku autoritetet kriminele të Serbisë nuk pranuan asnjë nga ofertat e bashkësisë ndërkombëtare, për përmbylljen e luftës. Atëbotë flitej për një autonomi të gjerë gjithëpërfshirëse dhe për një periudhë trevjeçare të protektoratit ndërkombëtar, mbikëqyrur nga OKB-ja. Në mungesë të pajtimit nga pala serbe, NATO hyri në luftë kundër Serbisë dhe pas bombardimeve 78 ditëshe (kryesisht mbi Kosovë), "detyroi" kryekriminelin Millosheviq ta nënshkruajë Marrëveshjen e Kumanovës, me çka u vendos që forcat e armatosura ushtarako-policore të Serbisë të largojhen nga Kosova dhe të zëvendësohen me forca të NATO-s e të vendeve të partneritetit me aleancën euro-atlantike. Si administratë civile u vendos administrata e OKB-së, e emërtuar si UNMIK.
Kaluan mbi tetë vite me eksperimente të lloj-llojshme mbi supet tona dhe mbi shpirtin e tkurrur e të shtrydhur shqiptar. Edhe sot po provohen eksperimente, ndër më të rrezikshimit mbi qenien tonë. Autoritetet famëkeqe të Beogradit, edhe sot, madje edhe me bekimin e bashkësisë ndërkombëtare, vazhdojnë të sillen si padronë të Kosovës dhe të luajnë me ndjenjat tona kombëtare. Jo që nuk shërohen, por vazhdojnë të tmerrëzohen edhe më traumat e luftës, që kanë kapluar qenien shqiptare, në trojet e veta, në Kosovë. UNMIK-xhinjtë vazhdojnë avazin e padronëve me të drejta të pakufizuara, duke eksperimentuar mbi ne, deri në imponimin dhe shtimin e prostitucionit, një dukuri e fëlliqtë, që para luftës nuk ka ekzistuar në trojet tona. Krerët e KFOR-it, vazhdojnë të krekosen, me kërcënimet se sidoqoftë rezultati i përmbylljes së procesit të statusit të Kosovës, askush nuk guxon të ngritet e të protestojë. Dhe neveria më e madhe, që shton tmerrshëm traumat tona, është ajo që del nga "predikimet e zëshme për zhvillimin e demokracisë në Kosovë". Po çfarë demoikracie është, kur formimi i Qeverisë të diktohet nga qendrat arbitrare, nga OSBE-ja, sikurse edhe ligjet elektorale dhe procedurat e zgjedhjeve, duke përfshirë edhe garantimin e vendeve në parlament, që kurrë nuk u plotësuan. Janë ata që lejojnë Beogradin të sillet si padron mbi Kosovën dhe mbi shqiptarët. Janë ndërkombëtarët që lejojnë Beogradin të luajë edhe me kufomat e shqiptarëve, që kur do vetë i nxjerr nga varrezat masive dhe i kthen (grumbuj-grumbuj) në Kosovë. Është bashkësia ndërkombëtare që lejoi forcat e armatosura ruse të futen para NATO-s në Kosovë! Pse? Për t’i mbrojtur dhe për t’i marrë aeroplanët luftarakë (MIG-at), që i kishte në hangaret e Goleshit, për të bombarduar shqiptarët, madje në rast të volitshëm edhe forcat e NATO-s. Edhe sot, është vetë bashkësia ndërkombëtare, që lejon një kriminel tjetër – Putin, që të luajë me fatin tonë. Një krimiknel, i cili vret edhe gazetarët rusë, kur e kritikojnë. Cili është Putin, që bllokon procesin e njohjes së pavarësisë së Kosovës?! Kah e drejta që ai të vendosë në shtëpinë tonë?! Mos ende vazhdon të jetë në fuqi marrëveshja e fshehtë ruso-turke, e vitit 1878, për faljen e tokave shqiptare Serbisë?!
Mos më akuzoni si të marrë, që "nuk i kuptoj gjërat as rreziqet". I di të gjitha. M’i kanë shpjeguar edhe përfaqësues të lartë të diplomacisë ndërkombëtare, duke më thënë se duhet shumë kujdes dhe "përkëdhelje" autoriteteve të Moskës, sepse, megjithë faktin që shumë rusë edhe vdesin urie, mjerisht atje ka butone (susta) të centraleve nukleare!!! I di të gjitha. E di edhe të vërtetën e hidhur se centralet nukleare në Iran dhe në Korenë Veriore janë produkte "të fshehura" të kompanisë së Putinit, nga Moska!!! E di që nuk e ka lehtë tash bashkësia ndërkombëtare, por është shumë vështirë të kuptohet, pse nuk ia hedhin fytyrës argumentet dhe nuk e "bllokojnë" këtë Putin të rrezikshëm, për botën!!!

Pse nuk veprojmë ne shqiptarët, njëherë si zotshpie mbi trojet tona?!...

Mendoj se ka ardhur koha, që edhe ne t’ia themi nja dy fjalë të rrepta bashkësisë ndërkombëtare! As Bushi, as SHBA-të, as Europa, as Sollana…. Askush nuk guxon kaq lehtë dhe haptas të eksperimentojë mbi një popull, që ende nuk është shëruar nga traumat e një lufte të fëlliqur, të një lufte që kurrë nuk u mallkua publikisht as nga OKB-ja, as nga UE-ja, as nga SHBA-ja, as nga OSBE-ja…. Akush nuk ka kërkuar kurrë falje për mijëra jetëra njerëzish, as për lumenjtë e gjakut, që edhe sot rrjedhin… të gjithë qajnë me lotë krokodili për "të drejtat" e serbëve dhe të minoriteteve në Kosovë dhe vazhdojnë të na predikojnë për një "shtet multietnik"!!! Pse nuk e shpall shtet multietnik Spanjën Sollana?!... Ai Sollana (kumbara i Beogradit), që erdhi të na e instalojë një qeveri kukëll, në mars 2005, dhe kur Presidenti Rugova nuk pranoi, vetë ai i organizoi atentatin, fatmirësisht të dështuar! Apo të tjerët.. të mos i përmendi. Pse nuk shpallet shtet multietnik Franca, që aktualisht ka gati barabar francezë etnikë dhe arabë (algjerianë e tunizianë)…?!... Mendoj se ka ardhur koha, që të flasim haptas me këto argumente, që nuk janë dokrra, as mite përrallash, por janë argumente të realitetit, edhepse është i hidhur!!!

Çka duhet bërë, në këto çaste të vështira ne shqiptarët?!

Së pari, përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, duhet ngritur zërin, në emër të popullit, duke i thënë bashkësisë ndërkombëtare se janë të zgjedhur nga populli, që kërkon llogari dhe para së gjithash vetëvendosje dhe të qenët zotshpie, në trojet tona!!! Si hap i parë që duhet të marrin: Presidenti i Kosovës, Kryeminstri dhe Kryetari i Kuvendit, ta organozojnë një seancë solemne të Kuvendit të Kosovës dhe ta rikonfermojnë Aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, si kërkesë dhe aspiratë legjitime dhe natyrore e popullit shumicë (mbi 90%). Le të mos e njohin e le të hidhërohen miqtë tanë nga bashkësia ndërkombëtare, por nuk mund të gjejnë argumente hidhërimi, sepse ata të gjithë po na predikojnë për demokracinë!!! Pastaj të shohim se kush e njeh pavarësinë. Sigurisht që shpejt do e njohin shumë shtete. Do e njohin të gjithë ata që njohin vlerat e demokracisë dhe të drejtën e popujve për vetëvendosje. Në mos e njofshin Beogradi e Moska, nuk bëhet nami. Dhe të thuhet qartë: nuk vlejnë asnjë nga marrëveshjet mbi të drejtat e privilegjuara të serbëve, të cilëve u garantohet përfaqësimi në parlament me aq deputetë, sa fitojnë zgjedhjet, sipas ligjeve tona zgjedhore dhe të thuhet qartë se nuk vlen "decentralizimi", që ka rrëmbyer nga serbët mbi 30% të tokave tona!!!
Hapi tjetër, që duhet ndërmarrë nga institucionet e Kosovës: prania ruse në Kosovë është e padëshirueshme dhe brenda 48 orësh të mbyllet zyra ruse në Prishtinë dhe asnjë shtetas rus të mos mbtetet në territorin e Kosovës.
Brenda 48 orësh të largohen nga Kosova të gjithë serbët, që nuk kanë njohur shtetësinë e Kosovës dhe që nuk janë pajisur me dokumente identifikimi nga administrata e UNMIK-ut e që nuk kanë marrë targat e Kosovës, për autoveturat e tyre!!!
Nuk është as turp, as rrezik të ndërmerren këta hapa konkretë, sepse duhet të jemi ne ata që vendosim fatin tonë!!! Askush nuk mund të akuzojë drejtuesit e insitucioneve tona, për këta hapa konkretë, që përkojnë me plotësimin e kërkesave të popullit, sepse populli, si gjithmonë është i gatshëm të reagojë e në rast nevoje, edhe të flijohet për të drejtat jetike dhe të natyrshme!!! Shkurt: duam të jemi zotshpie mbi trojet tona!!!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora