E premte, 24.09.2021, 01:50 PM (GMT+1)

Kryeshkrim

Shumëfytyrësia e qarqeve ndërkombëtare

E hene, 30.07.2007, 06:35 PM


SHUMËFYTYRËSIA A QARQEVE NDËRKOMBËTARE:

THIRRJA PËR MOSVEPRIM TË NJËANSHËM NDALESË DHE SHTYPJE E DEMOKRACISË

Shkruan: Engjëll KOLIQI
 

Engjëll Koliqi
Lecco, 29 korrik 2007. – Sa e sa premtime na kanë ardhë e na janë bërë nga shumë qarqe ndërkombëtare, që nga kabinetet qeveritare të vendeve të fuqishme dhe me ndikim në politikat globale, deri në kanceleritë dhe kabinetet e Bashkimit Europian (BE) dhe të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB). Këto premtime “për ndërtimin e demokracisë dhe për rimëkëmbjen ekonomike të Kosovës”, për shumë vite kanë qenë britmat e para të predikimeve të këtyre qarqeve, mbi “angazhimin maksimal dhe të denjë të bashkësisë ndërkombëtare për të drejtat e popujve dhe të njerëzve, për të jetuar të lirë dhe të qetë, me parimet dhe ligjet e vetëvendosjes”. Për shumë vite na kanë ardhë e mjerisht edhe sot na vijnë premtimet e tilla, që siç po vërtetohet, gjithnjë e më tepër janë vetëm fjalë të thata nga folklori i vyshkur internacionalisht i politikave globale, vetëm dogma të politikave tashmë të shterrura, për të arsyetuar praninë ushtarako-policore ndërkombëtare në vendin tonë, vetëm si bubullima (murmurima) të thata pa shi bereçeti, që ende tentojnë të mjegullojnë ambientin shqiptaro-dardan, në Kosovën e lnurur si leshi, në Kosovën e shtypur, të shtyrë e të pështyrë – nga të gjitha qarqet, në një apo në shumë mënyra, në një apo në shumë forma.

Multiinteresat lakuriqe ndërkombëtare  dhe tërbimet e Moskës e të Beogradit kanë një origjinë të largët 130 vjeçare. –

Kur Perandoria Osmane po dobësohej e po shkonte kah kapitullimi, në vitet ’70 të shekullit XIX, për të mbijetuar edhe ndoj dekadë, kishte shtrirë veprimtarinë diplomatiko-politike gjithandej nëpër Europë dhe nëpër Azi, duke bërë marrëveshje të ndryshme mbi tokat e pushtuara, sidomos me fuqitë e atëhershme europiane, që e kishin detyruar Stambollin “të ulej” me europianët, në Kongresin e Berlinit, në vitin 1878. Në atë kongres ishte shpalosur një marrëveshje e fshehtë ruso-turke, që kishte mundësuar autonominë e vendeve sllavo-ortodokse (Bullgarisë, Greqisë, Malit të Zi dhe Serbisë). E njëjta marrëveshje, e pranuar me bekim nga fuqitë europiane të kohës, mbase parashihte edhe garanci afatgjate në favor të palëve kontraktuese, duke peshuar e rënduar sidomos mbi tokat arbërore dhe mbi supet e kërrusura të popullit shqiptar.
Janë shumë fakte e argumente, shumë të ndodhura e të bëra, shumë marifetllëqe e beterllëqe, që na bëjnë t’i shohim pasojat e kësaj marrëveshjeje famëkeqe antishqiptare, që ka rrezik se po funksionon edhe sot.
~ Sipas të njëjtës marrëveshje, kur Perandoria Osmane kapitulloi, më shumë se gjysma e tokave shqiptare u pushtuan nga Serbia dhe Greqia dhe me bekimin e fuqive europiane, iu mbetën këtyre vendeve, të pangopura me toka dhe me gjak të popujve të tjerë.
~ Megjithë luftërat e shumta çlirimtare, marrëveshja famëkeqe ruso-turke për shitblerjen e tokave shqiptare është përligjur nga fuqitë dhe nga qarqet arbitrare europiane, në shumë raste: në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (1912/1913). E njëjta marrëveshje dreqërore është përligjur nga arbitrarët europianë edhe mbas dy luftërave botërore, duke ua lënë Greqisë dhe Serbisë (edhe nën emërtimin Jugosllavi), mbi 60% të tokave shqiptare, madje edhe për t’u spastruar nga fara arbërore, me marrëveshjet mes Ankarasë e Beogradit, që rezultuan me transferimin në Turqi të qindëramijëra shqiptarëve nga trojet e tyre të dhuruara Jugosllavisë.
~ Tashmë dihen me emra dhe njihen mirë shumë priftërinj sllavo-ortodoksë (rusë, bullgarë, rumunë…), që për shumë decenie kanë luajtur rolin e imamëve nëpër xhami të shumta, në vendbanimet shqiptare, dukuri kjo që lë të kuptohet se sipas kësaj marrëveshjeje, edhe hierarkia fetare islame e shqiptarëve në tokat e pushtuara ishte e orientuar kah Moska, si kryeqendër botërore e sllavo-ortodoksizmit.
~ Kur kryekrimineli Milosheviq, në vitin 1998, në mungesë të mjeteve financiare për makinerinë ushtarako-policore, ishte i rrezikuar të tërhiqej nga Kosova, Qeveria e Turqisë në Ankara “ia kishte zgjidhë lakun”, duke i dhënë një kredi të majme financiare. Nga ana tjetër, nga Moska, aparati shtetëror ushtarak i udhëhequr nga famëkeqi Putin, ,kryekriminelit të Serbisë i dërgonte ndihma në makinerinë ushtarake (përfshi edhe kaçatorët MIG) dhe ekspertë ushtarakë, disa nga të cilët edhe janë vrarë nga çlirimtarët e UÇK-së.
Për shkak të shumë interesave, që tashmë duken lakuriq, që për një ose një arsye tjetër lëmohet e përkëdhelet Putini, bashkësia ndërkombëtare edhe sot po zvarritë çështjen e statusit të Kosovës, duke lënë hapsira për shumë kombinime, ndër më të çuditshmet, n’udhëkryqin e interesave, që gjithnnjë e më shumë po pjellin probleme dhe ambicje të reja në Beograd dhe përgjithësisht në Ballkan.

Për ç’interesa edhe sot po shtypet demokracia dhe populli në Kosovë?!

Autoritetet e Moskës kanë bërë zhurmë rreth Kosovës edhe në vitet 1998/1999, gjatë zhvillimeve të luftës, edhe në qarqet diplomatike ndërkombëtare. Edhe asokohe Rusia kërcënonte me veto, por forcat e NATO-s filluan bombardimet pa ndoj vendim të KS të OKB-së, vetëm me një vendim të Aleancës nga Brukseli. Përligjëja e marrëveshjes ushtarake të Kumanovës, që Aleanca e kishte bërë me Serbinë, më 10 qershor 1999, me ndërmjetësimin e Rusisë, si pjellë pati Rezolutën 1244 të KS të OKB-së, me të cilën – megjithë tërheqjen e forcave ushtarako-policore të Serbisë dhe vendosjen forcave ndërkombëtare dhe të administratës civile të UNMIK-ut – Kosova sërish ishte lënë nën sovranitetin e Serbisë.
Edhe tash Putini famëkeq ka bllokuar procesin e definimit të statusit të Kosovës, me njohje të pavarësisë në KS të OKB-së, në emër të asaj rezolute (1244) që Serbisë ia njeh sovranitetin mbi Kosovën. As administrata civile e UNMIK-ut e udhëhequr nga OKB-ja, as KFOR-i, kurrë nuk kanë penguar veprimtaritë destruktive të Beogradit në Kosovë, ku serbët lokalë edhe paguhen me rroga për këso veprimtarishë destruktive. Kjo administratë kurrë nulk i ka obliguar serbët lokalë të pajisen me dokumente personale nga administrata lokale në Kosovë e as të vëjnë në veturast e tyre targat e Kosovës dhe i ka lejuar që veturat e tyre të qarkullojnë me sigurimin e Serbisë, që kurrë nuk ka përgjegjur në asnjë rast. Janë qarqet ndërkombëtare, që edhe sot lejojnë autoritetet e Beogradit të laujnë edhe me mijëra trupa të pajetë të shqiptarëve të Kosovës, të vrarë gjatë luftës dhe të transportuar në Serbi e të grumnulluar nëpër varreza masive. Edhe çka nuk lejon bashkësia ndërkombëtare në Kosovë ?!...
Cila është ajo demokracia në Kosovë, për të cilën kaq fort bërtasin qarqet ndërkombëtare?! Për çfarë demokracie na flasin e na ftojnë, kur ditenatë na sygjerojnë njëfarë “shteti multietnik me mbikëqyrje”…?! Le të shohim vetëm marifetllëqet lakuriqe të procerist të “decentralizimit”, që ka pjellë plot komuna fantasma serbe, për të kuptuar dhunimin e hapur të demokracisë në Kosovë!!!
Kur çdo gjë dukej e mbaruar në KS të OKB-së, për njohjen e pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës, u vërsulën fantazmat mitologjike të Moskës dhe të Beogradit dhe çdo gjë u bllokua, deri në zhvendosjen e procesit nga KS i OKB-së, në Grupin e Kontaktit, që është vetëm njëfarë forumi i krijuar ad-hoc, për të “ndihmuar” diplomacinë ndërkombëtare gjatë krizës në procesin e shthuarjes së krijesës artificiale me emrin Jugosllavi, të lindur dhe të mbajtur mbi gjakun e pafajshëm të popujve. Grupi i Kontaktit nuk është një organ, as një institucion që mund të vendosë… nuk mund të ketë kompetenca…
Athua si mund të shpjegohet sjellja e “miqve dhe aleatëve” tanë, të cilët në njërën anë thonë se po punojnë për pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës, kurse në anën tjetër na sygjerojnë “të mos marrim vendime të njëanshme për statusin” ?! Nuk mund të shpjegohet ndryshe, pos shumëfytyrësi dhe shkejlje e dhunim i demokracisë në Kosovë, ku populli nuk mund të shprehet për vetëvendosje, parlamenti nuk mund të marrë vendime, nuk mund të organizohet kurrfarë referendumi…! Tashmë kur po dalin edhe informacionet mbi disa kombinime “për shkëmbim territoresh”, kemi të drejtë të dyshojmë në vlefshmërinë e mëtejme të marrëveshjes famëkeqe ruso-turke të shekullit XIX, të përligjur nga diplomacia ndërkombërate sa herë që e lyp nevoja, që edhe sot do t’i ndihmojë Beogradit për copëtimin e tokave shqiptare, që ka për qëllim marrjen e minierës së Trepçës, që ende nuk funksionon (që nga koha e paraluftës), me pamundësimin e qendrave arbitrare ndërkombëtare.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora