E premte, 13.12.2019, 08:32 AM (GMT)

Kulturë » Muzikë

Leonora në pritje të Dashurisë

E shtune, 21.07.2007, 12:13 PM


E konsideron Shqipërinë si vendin e saj, nuk mundet dot të shkëputet nga ndjenja e të qënurit 100% origjinë shqiptare. Kjo është arsyeja që këngëtarja nga Kosova Leonora Jakupi prej 4 vitesh radhazi preferon Durrësin për të kaluar pushimet jo vetëm në stinën e verës.
E adhuruar për zërin dhe bukurinë që i ka dhuruar natyra, ndonjëherë e paragjykuar për shkak të sherrit me kolegen e saj po nga Kosova Adelina Ismajli, Leonora ‘rrëfen’ pjesë nga jeta, që prej asaj profesionale deri tek ajo private për të cilën nuk nguron të tregojë hapur se është ende në pritje të dashurisë. Në një intervistë për ‘Bluetooth’ këngëtarja nga Kosova zbulon se si e mendon ajo partnerin ideal apo një lidhje, kush janë miqtë e saj dhe kush kujdeset për pamjen jo pak të veçantë.

Leonorë, përse Durrësi zgjedhja juaj për të kaluar pushimet?
Kam shumë arsye që jam këtu në Durrës. Kam shumë arsye. Prej 4 vitesh kam një vilë, vilën time personale te Mali i Robit. Pastaj preferoj të kaloj pushimet në atë që e konsideroj si vendin tim, Shqipërinë. Mendoj pse jo, se është dhe rast i mirë marketingu që shqiptarë të tjerë nga Kosova të vinë këtu për të parë dhe për të shijuar bregdetin shqiptar.

Kjo shkëputje nga Prishtina, i detyrohet ndopak punës apo krejtësisht pushimeve?
Krejtësisht për pushime. Jo për punë, ndodhem këtu vetëm për të kaluar pushimet.

Ndodheni vetëm me familjen apo dhe ndonjë shoqëri e vecantë?
Jo, jo, ndodhem vetëm me familjen. Duke qenë se kemi vilën këtu e shfrytëzoj maksimalisht. Mundohemi të mos vimë në vilën tonë këtu në Durrës vetëm në periudhë vere, por mundohemi të vijmë ndonjëherë dhe në periudhe tjetër të vitit, në dimër.

Sa do të rrini këtu?
Unë lëviz shumë, për shkak të punës dhe profesionit tim më duhet të lëviz shumë. Gjatë sezonit të verës, në këtë periudhë që jemi tani unë gjithnjë përqëndrohem këtu. Me siguri do rrimë, deri në shtator besoj se do të jem këtu.

Keni miq që ju shoqërojnë? Ndonjë emër konkret?
Jo,jam me familjen. Miq që më shoqërojnë nuk kam. Me fqinjët që kemi këtu pranë vilës kemi krijuar miqësi, rrimë bashkë, në mëngjes dalim bashkë në plazh, pasi kemi 4 vjet që kemi shtëpitë afër. Ndërsa për miq këtu në Shqipëri, por jo që më shoqërojnë në pushime kam disa, si përshembull kompozitorë dhe këngëtarë, domethënë kolegë. Kam mik kompozitorin Edmond Zhulali, nga këngëtarët kam miq Florin, Manjola Nallbani dhe disa të tjerë. Nuk po vazhdoj të përmend më emra, por kam disa.

Lidhur me punën tuaj, ndonjë këngë të re, album ose videoklip në plan?
Kam ndërmend një këngë dhe një videoklip. Kam ndërmend t’i realizoj brenda një kohe të shkurtër një këngë dhe një videoklip. Por duke qenë qenë se unë lëviz shumë Kosovë-Shqipëri për shkak të punës dhe angazhimeve të mia, sikurse thashë më sipër, shpresoj ta realizoj në një kohë të shkurtër.

Realizimi i këngës dhe videoklipit në Kosovë apo në Shqipëri?
Kënga dhe videoklipi do të realizohen në Kosovë.

Ndonjë detaj për këngën?
Jo.

Çfarë do t’i servirë Leonora këtë verë publikut?
Ajo këngë dhe videoklip të cilat përmënda më sipër dhe që po mundohem të realizoj për t’i publikuar këtë verë. Do të jem e pranishme në koncerte, mbrëmje rinore apo aktivitete. Do të mundohem të jem sa më pranë ardhuruesve të këngës sime.

Këngët tuaja në përgjithësi kanë një fabul, i përket jetës suaj personale?
Në karrierën time kam kënduar disa këngë. Një këngë ka patur si fabul historinë e babait tim, një tjetër ka patur historinë e 3 dëshmorëve të Kosovës, një këngë tjetër ka qënë lirike , të tjera kanë pasur si fabul gjëra që u ndodhin njerëzve, të përditshmet, gjëra të natyrshme, jo dicka personale.

Këngët ‘Ende të dua’ dhe ‘Zemra të kërkon’duken si thirrje për rikthimin e një dashurie të vjetër ose të humbur, është Leonora në pritje të saj?
Natyrisht, jam në pritje të dashurisë. Aktualisht nuk kam një lidhje, nuk kam një të dashur. Sikurse nuk kam një të dashur, jam në pritje të lidhjes.

Si e konsideron Lonorë këtë lidhje?
Ia lë kohës. Kam patur shumë angazhime të tjera, shumë punë. Edhe sikur të kisha patur një të dashur, nuk do të kisha mundur të angazhohesha ndaj tij, t’i përkushtohesha. Lidhja për mua duhet të vijë natyrshëm, besoj atëherë kur njeriu gjen shpirtin binjak, atë që i përshtatet mund të jetë i gatshëm të nisë një histori dashurie. Në lidhje me partnerin, do të dëshiroja të jetë inteligjent, i fortë në karakter dhe të kuptojë profesionin tim, mbi të gjitha të mirëkuptojë profesionin tim. Do të dëshiroja shumë që ai të dijë të ndajë jetën private me atë publike.

Veshja juaj konsiderohet e zgjedhur dhe e veçantë, shije personale?
Për sa i përket veshjes, është shije personale, tërësisht shije personale. Ndonjëherë më ndihmon dhe mami im duke më këshilluar. Natyrisht më ndihmojnë dhe stilistët që punojnë e stilojnë veshje për mua, të cilët kujdesen për pamjen time, por në fund mbetet shija ime.

Cilët janë miqtë tuaj të vërtetë?
Miqtë e mi janë miqtë që i kam pasur që prej vegjëlie, që i kam njohur në shkollë fillore, në shkollë 8-vjecare dhe ata që kam njohur në shkollë të mesme. Ata i kam miq të mi, me ta vazhdoj të mbaj kontakte, flasim në telefon, takohemi.

Pas konfliktit me Adelina Ismajlin, keni pasur më kontakte me të?
Jo, nuk kam pasur kontakte. Nuk besoj se do kem më. Ajo punë ka përfunduar besoj përjetësisht. Raportet mes meje dhe asaj kanë përfunduar.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT