E shtune, 28.01.2023, 09:09 PM (GMT)

Mendime

Kostaq Xoxa: Cilët mbrohen dhe kush i përligj?

E enjte, 05.03.2009, 06:39 PM


Cilët mbrohen dhe kush i përligj?

Nga Kostaq Xoxa
 
Nga një Letërkëmbim i tri ditëve më parë. Letërshkruesi vërente:
“... U akuzova padrejtësisht si agjent i amerikanëve, vetëm se vëllai im kishte vajtur në SHBA gjatë Luftës dhe ishte atje në një pozitë të mirë administrative, si specialist i vrimave të zeza kozmike. (...)Isha, pra, proamerikan, kurse akuzuesit e mi ishin antiamerikanë me damkë, paçka se sot ua do puna që të shiten edhe ata si proamerikanë (!)”.
Ai sjell rastin e Nezit,  bashkëshortes së një të dënuari politik të familjes Alizoti, së cilës iu iu përjashtua i biri nga Liceu artistik, sepse Xhelil Gjoni (babai i Ilir Gjonit, deputet dhe ministër i brendshëm, pas ’97-s = “largohen” etërit dhe zëvendësohen nga të bijtë!), Xhelili, pra, kishte thënë: „Epo gjyshi është gjysh!“. (Gjyshi ishte pushkatuar me vendim të Gjyqit Special). Edhe nga këta rreshta kuptohet se kush do të ishin përligjësit e krimeve të komunizmit. Majtizmi ynë e quajti të paqenë Vendimin e AP-së së KE-së.
Nezi i drejtohet Ambasadorit anglez, duke i thënë se i shoqi u dënua se ishte i dyshimtë në atë regjim, meqë kishte kryer studimet në Angli. Diku, më tej, ajo shkruan: “Z. Ambasador, a keni pyetur se ç’është bërë me studentët e tjerë, që kanë kryer studimet, sikundër edhe babai im, në vendin tuaj?”.
Ajo e mbyll kështu letrën e saj: „Ju i nderoni të vdekurit në vendin tuaj dhe shkoni e vendosni lule në varret e tyre. Por ne nuk e kemi këtë të drejtë, z. Ambasador. Sepse ata që mbroni ju, as sot nuk tregojnë se ku i kanë hedhur kockat e viktimave të tyre“.
Dhe tani, po japim fundin e letrës: - „Ne kemi falur dhe këtë e treguam në 1990-n kur askush nuk u hakmor me ta. Por menduam se ata do t’i vriste pak ndërgjegjja, jo që të kërkonin falje por, së paku, të heshtnin. Zoti i madh pastë mëshirë për ata, për Ju dhe për të gjithë ata që i mbrojnë, për hir të shpirtrave të atyre, që janë hedhur poshtë e lart Shqipërisë pa një varr;  për ata që me djersën e tyre kanë njomur thellë minierat, moçalet, betonet e pallateve, si edhe për lotët e nënave, motrave, grave dhe fëmijëve, - me respekt, Nezi Kazani (Alizoti).
Këtë ngjarjen tjetër e kam lexuar dhe e kam dëgjuar nga të afërmit e një nëne të sëmurë të kampit të Tepelenës. Atje ishin grumbulluar familje të tëra, ndërmjet të cilave edhe ajo e Bajraktarit. Byroisti Manush Myftiu shkruan se njësitë e tij ishin ngarkuar për ta vrarë Muharrem Bajraktarin, andej nga liqenet e Lurës. Por – dhe këtë e kemi në Dokumentet e Pl. 2. të Beratit, - atë nuk e gjetën. Po luftonte kundër gjermanëve. Kjo nënë e këtij kampi, pra, do të vizitohej te mjeku, në qendër jashtë kampit.. I biri kërkoi ta shoqëronte. Nuk e pranuan kërkesën e tij. Kur u kthyen oficerët shoqërues nga ambulanca e qytetit (Tepelenë), ata flisnin si përçart.  Kishin pirë diku, gjatë rrugës. Shqetësimit të familjarëve “ku është nëna?”, ata iu  përgjigjën si pa të keq, e duke u zgërdhirë: “E kemi hedhur nga ura e Drinos (e lumit Drino)”! (S’ka  nevojë për komente...). 
Në paraqitjen e librit të Reshat Kripës nuk kemi shkruar, për mungesë vendi, edhe për këtë episodin tjetër, të dhimbshëm. Po e paraqesim fare shkurt: Toger Ademi,  njihej në Kampin e të burgosurve të Shtyllasit, afër Fierit, për mizorinë e tij. Veçanërisht e kishte marrë inat Sulejman Dizdarin, se nuk e kishte mendjen t’i përgjigjej në kohë, më parë. Kur Sula u sëmur  dhe ishte në një gjendje të temperaturës së lartë, doktori i burgosur i kampit, Isuf Hysenbegasi, i dha raport për mosdalje në punë. Por toger Ademi, rastisi në ambulancë dhe kundërshtoi: - “Të shkojë në punë”. U tha, u bë. Që në karrocën e parë të ngarkuar me dhé, Sulejmanit i luhateshin këmbët, iu këputën gjunjët dhe ra sipër pirgut konik të dherave. Karrocat e tjera, që vinin nga prapa, ndaluan. - “Ç’prisni? Vazhdoni punën”, - bërtiti togeri. Por asnjëri nuk lëvizi. Vargu i karrocave mbeti në vend. – “Mbulojeni me dhé”,- ulëriti toger Ademi. Urdhri nuk u zbatua. Atëherë Ademi mori një skuadër me të dënuar ordinerë. Karrocat me dhe mbuluan trupin e Sulejman Dizdarit. . .
Një rast tjetër, dëshmitar i së cilës jam edhe vetë, ndonëse isha në moshën 11-vjeçare: Im atë, duke qenë mik i A.K.-t, për njëfarë kohe e mori atë që e cilësuam me iniciale – dhe lexuesi do ta kuptojë shpejt përse-në, - që të banojë familjarisht në shtëpinë tonë të bollshme, në Tiranën e Re. Ishte kohë bombardimesh. A.K. iu lut tim eti që të strehonim në shtëpinë tonë edhe një familje, ndaj së cilës kishte shumë detyrime: Salomoni, e shoqja Duduna dhe e bija, në moshën time, Iveta. Me këtë familje të re u miqësuam shpejt. Në të vërtetë, familja e tretë, e strehuar në shtëpinë tonë, ishte çifute. Shumë kohë më vonë, ne të vegjlit e morëm vesh më vonë se Sulejmani (ashtu e quanim) ishte Salomoni. Prindërit e Ivetës kishin pasaportë shqiptare, në sajë të Regjencës që i ruajti çifutët nga rreziku i ushtrisë gjermane  dhe i pajisi me dokumentet e ndërrimit të identitetit. A.K. kishte dy vajza. Njëra e rritur, tjetra pak vite më e madhe se ne, të miturit. Kjo vajza më e vogël spikaste nga një bukuri e rrallë. Le ta quajmë Bukurie. Ishte gazmore dhe qeshte kur bashkëmoshatarët e quanin siçiliania brune, sipas një kënge italiane. Kur lufta ishte në mbarim, Salomoni do të nisej me familjen e vet për në Shkup e, prej andej, në Montevideo të kontinentit të Amerikës. Kishte pare të madhe dhe na u  lut që të vinim me të. Për shpenzime rruge e hotele, as të mos e vrisnim mendjen fare: përgjigjej Salomoni. - “Nuk jua harroj të mirën. Do t’ju mbaj unë, derisa të sistemoheni”,- tha. As im atë, as A.K., nuk pranuan. Mamaja ime dhe familja hebraike u ndanë me lot në sy.
Pas luftës, A.K.-in e arrestuan. I kërkonin florinjtë. Ato që kishte dhe ato që s’kishte. U mor vesh se qeveria e sapoardhur në fuqi  me anën e agucinëve të saj, e  kishin varur kokëposhtë dhe në dysheme kishin vënë  mangallin me thëngjij që tymosnin. Vdiq nën tortura. Vajza e madhe, motra e Bukuries, e kishte marrë vesh nga një i brendshëm, - dikur shërbyes në familjen e tyre, - mbarimin në këtë mënyrë të të atit. Motra e madhe, tanimë, kishte marrë në familjen e saj bashkëshortore, të voglën, Bukurien. E martoi, madje, me një shokun e të shoqit, një doktor simpatik që kishte kryer studimet, shkëlqyeshëm, në Torino. Vajzat e reja shtireshin si për diagnostikim dhe vinin në ambulancë, herë njëra, herë tjetra. Mjekun e cilësonin ndërmjet tyre me emrin:  Amedeo Nazari. I ngjante tepër këtij aktori, që u bë idhulli i vajzave italiane, pa përjashtuar edhe ato shqiptare!! Por doktori s’ua vinte veshin vajzave që kinse donin të vizitoheshin...
E, pra, ky ishte tanimë i fejuari i Bukuries. Ishte një çift që zgjonte kërshërinë e të gjithë shëtitësve të bulevardit, që në atë kohë ishte zbavitja e të rinjve. Por erdhi një kohë që ky çift i hirshëm  u zhduk nga qarkullimi. Doktori ishte arrestuar. Jo vetëm që binte në sy për miqësinë e madhe të krijuar, por na qenkësh edhe me studime perëndimore! Bukuria shihej gjithmonë,  tashmë, në një rrugë pingule me bulevardin e dikurshëm të shëtitjeve të një kohe të lumtur: në shtëpinë e selvive, në një udhëkryq të rrugës së Dibrës (Rruga e Spitalit). Ishte hetuesia.
Kapiteni u mahnit nga kjo perëndeshë e Olimpit. I krijoi mundësinë që t’i sillte të fejuarit fatkeq, ç’t’i donte zemra Bukuries. Kjo ishte e mirëpritur ditë për ditë. Madje kapiteni e mbante me shpresa se i fejuari nuk kishte ndonjë akuzë të rëndë dhe do të dilte së shpejti. Ai vetë, madje, kishte rrezikuar mjaft se e kishte shok hetuesin dhe i ishte lutur që të mos e torturonin shumë...- kështu i mburrej Bukuries. Njëherë kishte marrë përsipër t’i çonte edhe një letër të saj, në birucë. Bukuria fluturonte nga gëzimi dhe i mbushi nja dy faqe me shkrim të imët, duke i shprehur përshtypjet e njerëzve kompetentë, se do të dilte së shpejti. Më vonë kapiteni i premtoi se do t’i jepte lajme nga doktori, por takimet i kërkonte të fshehura, “që të mos binte në sy”. A mund t’u shmangej takimeve të tilla kjo vajzë e padjallëzuar? Tani ish-shërbëtori mirëdashës, ish-partizan, ishte internuar me gjithë familjen, për “mungesë vigjilence”. Mbetej vetëm kapiteni, që mund ta ndihmonte. Ky kishte marrë me qira një dhomë në një rrugicë qorre, pa kalimtarë. Takimet i kërkonte atje, natën, kur rrugica ishte e shkretë.
Nuk mund ta zgjasim shumë, në kufizimet e një shkrimi të gazetës. E motra, me edukatën tradicionale si të babait të ndjerë, e shihte Bukurien të pikëlluar dhe të dëshpëruar. Bukuria i kishte folur vetëm për njërën anë të së vërtetës, për “ndihmën” e këtij personi. Asgjë për takimet e fshehta. Gjatë këtyre takimeve Bukuria kishte pranuar edhe të pinte me të, nga marazi. Duket se në pijet e forta kapiteni kishte hedhur edhe njëlloj droge...Tani, i thoshte se gjendja e të fejuarit ishte dëshpëruese. Akuza ishte për bashkëveprim në një komplot kundër pushtetit popullor. Por kapiteni i kishte premtuar se do të bënte gjithçka për ta shpëtuar nga dënimi me vdekje...
...Ndërkaq Bukuria kishte mbetur me barrë dhe e motra e kishte kuptuar. I luajti mendja e kokës. I tha t’i zhdukej; nga sytë këmbët! Bukuria mbeti në rrugë, në trotuar, e përlotur, në pikë të hallit. 
Një “zemërmirë” e ngushëlloi. Ishte shofer makinash të rënda. I tha së do ta merrte për grua. E la, pas disa muajsh. Bukuries nuk i mbetej, tani, veçse vetëvrasja. Ndodhi e keqja tjetër. U bë e përdalë. Në një grup të tillash ndërhyri policia dhe përfundoi edhe ajo e internuar.
Këto i mësova nga ai ish-shërbëtori  i A. K-t, pas rënies së komunizmit. E kishte vizituar në shtëpi edhe të motrën e Bukuries, pas disa vitesh nga ardhja e demokracisë: - Ajo zonjë e pashme, ishte katandisur kockë e lëkurë. “Nuk do të ma falë Zoti, atë që bëra”, - i kishte thënë. “Atë motër të shkretë e kisha në ngarkim, e kisha si bijën time. E braktisa! Gjithmonë më del në ëndërr, me atë buzëqeshjen e saj të hidhur... Më fal!- tha disa herë, e mjera. Dhe humbi në atë  fatkeqësinë e saj, kur unë nuk dija t’i bëhesha krah!
-Herën e fundit e takova kur ishte në ditët e lamtumirës. Vdiq me emrin e Bukuries në gojë...
-Po ai kapiteni ç’u bë? - e pyeta.
-Ah, mos ma kujto atë ...(dhe tha një fjalë të ndyrë kundër tij). Ai më spiunoi mua, kur kuptoi se isha dashamir i familjes së madhe dhe të nderuar të A, K.-t. Kishte frikë mos i dilnin horrllëqet prej meje. Nëntëdhjeta e zuri me gradën kolonel. Shiu edhe pak kohë në demokraci, gjersa doli në pension. Por le  të mos e kujtojmë atë pusht, se po na duket bërxolla si e spërkatur me helm, - e mbylli muhabetin në restorant, kur ishim së bashku.
*  *  *
Ngjarje të tilla rrëqethëse janë përshkruar me bollëk, qoftë në veprat letrare (At Zef Pëllumbi, Luan Myftiu, Reshat Kripa, Bedri Myftari, Çobo Skënderi. . .), qoftë në memorialistikën, qoftë në shkrimet e në reportazhet politike. Njerëz si Toger Ademi, si kapiteni, si kapter Zeneli, personazhet e veprave “Zonja e Zezë”, “Rrnoj për me tregue”, “Nën terrorin komunist”, “Allamanët“, “Pas Kasta Divës”, janë “persona” realë (në të vërtetë persona s’janë) të cilët janë mbrojtur me përkushtim çnjerëzor në vendin tonë dhe janë paraqitur sikur s’kanë bërë asgjë të dënueshme. Shpesh i shohin edhe sot nga lartposhtë viktimat e tyre! Majtizmi ynë ka edhe këtë tipar: U del hapur natyrave të tilla, sikur kushtetuta na qenka, në themel, mbrojtëse e kriminelëve! 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora