E premte, 26.04.2024, 03:22 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Rrëfimi i ’91-shit; Ata që i vunë litarin diktatorit

E shtune, 21.02.2009, 01:58 PM


100 mijë qytetarë shqiptarë ishin protagonistë të shembjes së bronzit diktatorial. Plot 18 vjet pas shembjes së bustit të Enver Hoxhës në sheshin “Skënderbej”, 20 shkurti që simbolizon për shqiptarët, dhe për gjithë Lindjen, rënien e fundit të diktaturës, na kthen në rrëfimet e rralla të protagonistëve në kronikën e vitit 1991: thirrja për protestën e madhe në TVSH; betimi i studentëve; histeria e zjarrfikësve që largonin njerëzit, duke i qullur për herë të fundit me ngjyrën e kuqe të ujit; njeriu që i vuri litarin monumentit të diktatorit; shoferi që rrëzoi Enverin; autobusi i minierës që hoqi zvarrë diktatorin në të gjithë Tiranën dhe deri tek veglat e hidraulikut që zhvidhosi “lavdinë” e komunistëve mbi Pallatin e Kulturës

Nga Erald Kapri

Diktatori kishte vdekur, po hija e tij qëndronte. Vdekja e parë ishte ditë zie, vdekja e dytë ishte “tërheqje zvarrë”. 20 shkurti i vitit 1991 ishte si dita për shqiptarët. Gjermanët rrëzuan Murin e Berlinit, rumunët varën Çausheskun dhe shqiptarët tërhoqën zvarrë Enverin, madje një Enver 20 herë më të madh se ai. Por kishte mbetur bust. Saimir Maloku tregon se mblodhi qytetarët tek Rruga e Kavajës, Shinjazi Rama na kujton betimin që u bë tek studentët, Vangjel Kozma, një ditë para dërgon thirrjen për protestë në TVSH. Nis protesta në Qytetin Studenti dhe Rajmonda Bulku, ndonëse u harrua për t’u dekoruar me protagonistëve, bën thirrje për të shkuar drejt sheshit “Skënderbej”, Liliana Llapaj kujton ditën kur gjithë njerëzit në shesh qulleshin nga zjarrfikëset që lëshonin me histeri ujë me ngjyrë të kuqe, Liri Berisha shpëton një vajzë të vogël nga qentë e policisë, Adrian Heta gjen makinë dhe tërheq zvarrë bustin. Astrit Hatellari kujton se i vendosi litarin në grykë bustit dhe Sulo Jaupaj ndihmoi Adrianin me autobusin e minierës për të dërguar bustin tek studentët. E nesërmja e 21 shkurtit nis me heqjen e parullës tek Pallati i Kulturës dhe me djegien e veprave të Enverit tek librari “Flora”. Xhovalin Çokani: “Me veglat e hidraulikut rrëzova parullën”. Për shumicën e qytetarëve, 20 shkurti është ngulitur me disa pamje televizive të dobëta. Por për 100 mijë të tjerë, ato pamje janë gdhendur ndryshe. 100 mijë qytetarë shqiptarë ishin protagonistë të shembjes së bronzit diktatorial, por disa prej tyre u dalluan për guximin. Dikush vodhi një kamion që e tërhoqi zvarrë diktatorin, dikush siguroi një kavo, dikush u ngjit sipër dhe e lidhi për qafe dhe dikush tjetër ua çoi “suvenirin” studentëve. Presidenti Bamir Topi dekoroi disa prej këtyre qytetarëve kurajozë. Ata ndajnë ekskluzivisht për gazetën “standard” kujtimet e çdo çasti, minute. Si u zhvilluan protesta dhe ç’ndodhi më 20 shkurt, e treguar nga njerëzit e thjeshtë. Saimir Maloku, njëri nga protagonistët i bën të mundur gazetës botimin e kujtimeve të protagonistëve të 20 shkurtit, të cilët dje u dekoruan nga Presidenti i Republikës.

***

Sot, 18 vjet më vonë, jeta e shumë prej protagonistëve të 20 shkurtit ka ngjyra të tjera. Ata kontribuuan në rrëzimin e diktaturës në Shqipëri, “vranë” diktatorin, çliruan një popull të tërë. Studentët kishin nisur një rrugë, me frikë, por me bindje. Misioni i tyre ishte liria, por trembeshin se mos binin pre e antilirisë. Ata nuk ishin vetëm. Qytetarët e Tiranës u ngritën dhe mbyllën atë që nisën studentët. Liria erdhi. Protagonistët e 20 shkurtit rrëfejnë detajet e atyre ditëve të shkurtit. Të dekoruar nga Presidenti, ata së bashku kanë hedhur kujtimet e tyre, disa detaje njerëzore mes 100 mijë bashkëqytetarëve.

Dy ditë para, 18 shkurt në Qytet Studenti

(Shinjazi Rama: Si u betuan studentët)

Studentët dhe pedagogët e tyre kishin nisur grevën e urisë. Rreth 723 studentë dhe pedagogë u regjistruan si vullnetarë për të hyrë në këtë grevë. Komisioni drejtues i grevës në mesditë i dërgoi një kërkesë ultimative 24-orëshe ish-ministrit të Arsimit, Skënder Gjinushi. Për të penguar zhvillimin e kësaj greve të studentëve, Ramiz Alia, i cili njihej si President i Republikës, thërret në një tryezë të përbashkët përfaqësitë e të gjitha partive politike, duke përfshirë edhe ato të rejat, si Partia Demokratike, Republikane, Ekologjike dhe Agrare. Në këtë tryezë bënin pjesë edhe përfaqësuesit e organizatave të Rinisë, Gruas, Frontit Demokratik si dhe ato të Bashkimeve Profesionale edhe Sindikata e Pavarur e Minatorëve. Ramiz Alia kërkoi një deklaratë të përbashkët në formë thirrjeje drejtuar popullit për paqe dhe qetësi sociale. Ndryshe nga të tjerët, Fiqiri Xibri, si përfaqësues i Sindikatës së Pavarur të Minatorëve, nuk pranoi për ta firmosur. Të gjithë përfaqësuesit e tjerë në takim e firmosën këtë deklaratë. Pak orë më vonë, Radiotelevizioni Shqiptar e transmetoi në emisionin e lajmeve këtë deklaratë duke censuruar kundërshtimin që i bënë kësaj deklarate përfaqësuesit e Sindikatës së Pavarur të Minatorëve. Rreth orës 16:00 para kinoteatrit “Studenti” u mblodhën studentët që do të futeshin në grevë urie. Studenti Shinjazi Rama del para tyre duke u thënë studentëve grevistë që të përkulemi para flamurit tonë kombëtar dhe të betohemi që “do të japim edhe jetën deri në plotësimin e kërkesave tona”, duke qëndruar në ambientet tepër të ngushta të kinoteatrit. Ashtu ndodhi. Afro 900 studentë grevistë u ngujuan në këto ambiente. Komisioni organizator i grevës nuk lejoi të hynin në ambientet e grevës operatorët me kamerat e Televizionit Shqiptar si dhe asnjë qytetar që nuk ishte student ose pedagog i Universitetit të Tiranës. Në ambientet e Qytetit Studenti u mblodhën me mijëra e mijëra qytetarë dhe familjarë të studentëve grevistë, të shqetësuar për të afërmit e tyre. Mbajmë mënd parullat, qytetarët thërrisnin jashtë në mbështetje të studentëve: “Ejani mblidhuni këtu, këtu, bashkë me ne”. “Poshtë burokratët” dhe mjaft parulla të tjera patriotike. Brenda tek studentët hyri vetëm operatori televiziv i Partisë Demokratike, Agim Buxheli, që kreu filmimet e rralla të studentëve në ngujuar.

Një ditë para, e diel, 19 shkurt 1991

(Vangjel Kozma: Në ekranin e TVSH-së, thirrje për protestë)

Përfaqësuesit e shumë sindikatave të pavarura të krijuara para disa javësh, dhe ishin afro 15 veta, u mblodhën rreth orës 9:30 tek parku i lodrave pranë Rrugës së Elbasanit. Aty u vendos që të mbështetej pa rezerva greva e urisë së studentëve. Për këtë qëllim ata dolën me një thirrje të përgjithshme që u drejtohej punonjësve të ndërmarrjeve të të gjithë Tiranës që ditën e hënë, më 20 shkurt 1991, të ndërprisnin punën dhe të shkonin të gjithë në ora 10 të mëngjesit tek Qyteti Studenti në mbështetje të studentëve grevistë. Kjo do të përkrahej edhe nga populli i Tiranës. Këtë thirrje për njoftim e dërgoi në Radiotelevizionin Shqiptar Vangjel Kozma. Gjithashtu, po këtë ditë u bë edhe mbledhja e Plenumit të Komitetit Qendror të PPSH-së. Televizioni Shqiptar dha njoftimin e parë se një grup i madh studentësh të Universitetit të Tiranës kanë hyrë në grevë urie, duke kënduar këngë patriotike dhe duke hedhur parulla të ndryshme si nga ana e grevistëve, ashtu edhe nga qytetarët e Tiranës të mbledhur në Qytetin Studenti. Rreth orës 15:00 plenumi i KQ-së të PPSH-së del me një deklaratë duke theksuar se kushtet e jetesës së studentëve janë përmirësuar mjaft dhe u refuzua kërkesa e studentëve për heqjen e emrit të Enver Hoxhës nga Universiteti i Tiranës si e pabazuar. Qëndresa e KQ-së mori fund pas dy muajsh, kur emri Enver Hoxha i Universitetit të Tiranës, u hoq. “Atë pasdite u mblodhëm një grup qytetarësh të përbërë kryesisht nga ish-të persekutuar politikë dhe vendosëm që të persekutuarit e Rrugës së Kavajës dhe të rrugëve të tjera ndërmjetëse mbas mitingut që do të organizohet nesër paradite në Qytetin Studenti, të jenë sa më të bashkuar dhe në pararojë të turmës për ta orientuar në drejtim të sheshit “Skënderbej”, - tregon Saimir Maloku, një prej protagonistëve të 20 shkurtit. “Kishim ndërmend të rrëzonim bustin në qendër të qytetit, të rrëzonin parullën e madhe tek Pallati i Kulturës dhe të digjnim veprat e Enver Hoxhës”, -kujton Saimiri. Gjithashtu ai i tregon thirrjet që të kihet parasysh për të mos rënë pre e provokimeve nga provokatorët e Sigurimit të Shtetit si dhe të lajmërojnë shtëpi në shtëpi që të ketë sa më shumë pjesëmarrje. Atë pasdite filluan shenjat e para të urisë dhe pagjumësisë tek studentët grevistë. Ata morën masa duke bllokuar derën e kinoteatrit me shufra të trasha hekuri nga ndonjë ndërhyrje e befasishme e repartit 326 të ndërhyrjes së shpejtë. Një grup gazetarësh të huaj hyjnë në pasditen e 19 shkurtit në ambientet e studentëve grevistë. Ata bisedojnë me këta të fundit për kërkesat e tyre si dhe u japin informacione telefonike dhe televizive agjencive të ndryshme perëndimore. Ndiheshim më të sigurt që bota ishte e interesuar dhe e shqetësuar për atë se çfarë po ndodhte në Shqipëri.

20 shkurt 1991, ishte e hënë

(Rajmonda Bulku: Unë thirra: “Përpara drejt sheshit “Skëndërbej”!”)

Dita e shënuar, erdhi. Dolën jashtë parashikimeve përmasat që mori kjo grevë e përgjithshme e punonjësve të Tiranës si për vetë Sindikatat e Pavarura të Punonjësve ashtu edhe për Partinë Demokratike. Falë organizimit të mirë të sindikatave, sidomos të atyre të minatorëve, u arrit që të mblidheshin afro 100 mijë veta midis tyre punëtorë, studentë, pedagogë, qytetarë të tjerë të Tiranës që protestuan në Qytetin Studenti, në përkrahje të grevës së urisë së studentëve. Të parët që erdhën ishin minatorët e Valiasit të cilët duke brohoritur nga Rruga e Durrësit e deri tek Qyteti Studenti arritën të mblidhnin rreth vetes një turmë prej afro 10 mijë qytetarësh. Në krye të tyre ishin disa qytetarë si Fiqiri Xibri, Sami Karriqi, Gëzim Kalaja, Ilir Myftari etj. Rreth orës 10:00 në Qytetin Studenti ndodheshin, duhet të kenë qenë, 100 mijë protestues. Ata të gjithë së bashku brohorisnin për fitore dhe shprehnin urrejtjen e tyre ndaj regjimit komunist me promovimin e parullave si: “O Ramiz o zagar, do të varim në litar”, “Poshtë diktatura”, “Liri Demokraci”, etj. Në mbarim të fjalimeve të disa oratorëve demonstrues, aktorja e talentuar Rajmonda Bulku, duke e mbyllur mitingun solidarizues, u bëri thirrje protestuesve të shkojnë tek sheshi “Skënderbej”. Thirrja e Rajmondës u bë në një çast kur u duk se të gjithë protestuesit e dëgjuan atë. Një grup protestuesish, i përbërë kryesisht nga familjarë dhe nëna të studentëve të grevës së urisë, nisen në drejtim të Presidencës për të takuar Ramiz Alinë. Ndërsa turma kryesore e protestuesve niset në drejtim të Liceut Artistik. Në krye të protestuesve, ne vumë gratë dhe fëmijët e vegjël në mënyrë që policia të mos keqtrajtonte turmën e protestuesve.

Ora 11:30 tek Liceu Artistik dhe godina e TVSH-së

(Liliana Llapaj: U bëmë qullë nga uji me ngjyrë të kuqe të zjarrfikëses)

Forca të shumta speciale, të ruajtjes së rendit dhe të ndërhyrjes së shpejtë, të pajisura me skafandra kauçuku, shkopinj gome, gaz lotsjellës dhe qen kufiri kishin bllokuar rrugën që të çonte nga Liceu Artistik tek godina e Radiotelevizionit. Gjithashtu për këtë qëllim ato kishin bllokuar rrugën automobilistike edhe me dy makina IFA të ushtrisë. Një zjarrfikëse e madhe lëshoi me presion ujë me ngjyrë të kuqe në një rreze të madhe hedhëse prej 20-30 metrash duke lagur të gjithë protestuesit. Kjo gjë irritoi pa masë popullin demonstrues dhe ai filloi të drejtohej tek gardhi i madh i policisë dhe forcave të ndërhyrjes së shpejtë. Nga presioni i madh i ujit të zjarrfikëses, shumë gra dhe fëmijë u rrëzuan për tokë. Disa gra protestuese si zonjat Liliana Llapaj, Hyget Borova, Lida Bezhani, Emanuela Kolonja, Elvira Kambo, Vera Rada etj. u dëmtuan fizikisht.

Kishte shumë me fëmijët e vegjël të tyre dhe ndër to ishte edhe zonja Liri Berisha me djalin e saj të vogël, Shkëlzenin. Zjarrfikësja hidhte ujë me ngjyrë të kuqe dhe nga kjo nuk shpëtoi as Liri Berisha e cila u lag nga uji i ngjyrosur me të kuqe dhe u dëmtua edhe nga sytë si pasojë e presionit të madh të ujit të hedhur nga pompat e fuqishme të zjarrfikëses. Duke parë këtë moment të rrezikshëm, protestuesit filluan të bërtisnin që gratë me fëmijët e vegjël të kthehen prapa. Policia arriti të zmbrapste një pjesë të protestuesve deri tek ish-Shkolla Kosova ku edhe aty u bënë përleshje fyt më fyt deri në goditje me tulla e tjegulla.

Ndërsa turma kryesore e protestuesve prej mijëra vetash duke valëvitur disa flamuj kombëtarë, iu sul me një vrull dhe kurajo gardhit të madh të ushtrisë dhe policisë. Pas përleshjeve dhe përpjekjeve të pandalshme të protestuesve, policia u detyrua të tërhiqej tek godina e Radiotelevizionit. Këtu policia filloi të shtënat në ajër, të hedhë gaz lotsjellës dhe të vërë në veprim edhe qentë e kufirit ndaj protestuesve.

Në këtë moment duhet të falënderojmë punonjësit e Radiotelevizionit Shqiptar dhe të Institutit të Informatikës, që në numër të shumtë kishin dalë jashtë godinës së tyre dhe ndërkaq bërtitën me të madhe: “Mos qëlloni, mos qëlloni”. Këtu u bë një përleshje e dytë midis turmës tonë të protestuesve dhe policisë edhe forcave të ndërhyrjes së shpejtë. Këto të fundit, të ndodhura përballë presionit dhe qëndresës heroike të protestuesve u tërhoqën pranë godinës së Kryeministrisë duke krijuar një gardh mjaft të fuqishëm mbrojtës në mënyrë që të mos lejonin turmën e protestuesve prej afro 5 mijë vetash që i ndiqte ata, të drejtoheshin drejt Bllokut Qeveritar.

Afro 10 deri 15 ushtarë të forcave të ndërhyrjes së shpejtë ishin të rrethuar nga protestuesit pranë murit të ish-Drejtorisë së Pritjes. Protestuesit i rrëmbyen atyre mburojat prej kauçuku dhe shkopinjtë e gomës. Ndërkaq, disa prej ushtarëve filluan edhe të qanin. Nxitëm protestuesit që ata të fillonin thirrjet: “Ushtria është me ne. Ushtarët janë vëllezërit tanë”. Ata i lirojnë ushtarët, iu dhanë edhe pajimet përkatëse me vete si dhe nuk lejuan që të dhunoheshin fizikisht nga njerëzit e irrituar. Tek Liceu Artistik, një turmë tjetër e madhe forcash të ndërhyrjes së shpejtë dhe të rendit, e shoqëruar edhe me qen kufiri, kishte përçarë dhe ndaluar turmën e madhe të protestuesve që vinte mbas nesh nga Qyteti Studenti.

Afër Bllokut Qeveritar

(Liri Berisha - Si shpëtoi një vajzë të vogël nga qentë e policisë)

Këtu policia tentoi të bënte një akt barbar. Një oficer policie ekstremist, dalloi Liri Berishën që mbante për dore djalin e saj 10-vjeçar dhe një vajzë të vogël të quajtur Xhoi. Vajza me emrin Xhoi kishte humbur nga sytë e prindërve në mes protestuesve. Liri Berisha e mori vajzën dhe e mbante pranë saj, për të mos u dëmtuar deri në gjetjen e prindërve. Oficeri i policisë urdhëron një grup ushtarësh që së bashku me qentë e tyre të kufirit, të sulen drejt saj. Në këtë situatë tepër të ndezur, një grup grash duke vënë edhe fëmijët e tyre të vegjël para këtyre ushtarëve me qen kufiri, i pengojnë ata që të kryenin këtë akt barbar ndaj Liri Berishës.

Fatmirësisht, Liri Berisha me dy fëmijët e vegjël arriti të largohej duke u strehuar pranë një familjeje që ndodhej në katin e pestë të një pallati afër Liceut Artistik. Megjithatë, ushtarët me qentë e kufirit, së bashku me oficerin e tyre, hipën deri në katin e tretë të asaj shkalle pallati për të kontrolluar, duke i rënë dyerve e duke bërtitur. Lindita Hamiti, duke mashtruar forcat e ndërhyrjes së shpejtë tek Liceu Artistik, duke u thënë se gjoja ishte punonjësve e TVSH-së, bashkohet me grupin tonë të protestuesve dhe na tregon për këtë akt barbar që kishin dashur të bëjnë ata policë. Një grup i madh protestuesish, ish-të burgosur e të persekutuar politikë, nuk lejoi një grup të rinjsh të cilët donin të digjnin dy makinat IFA të policisë. Një grup punonjësish të RTSH-së, që kishin dalë për të parë protestuesit dhe për t’i përkrahur ata, duke qenë edhe si shokë të ngushtë me Saimir Malokun, na porosisin: “Mos shkoni nga Blloku, sepse atje ka tanke dhe mitraloza dhe mund t’ju vrasin të gjithëve”. Në këto momente kaq delikate dhe të rrezikshme, për të shmangur një masakër të pabesueshme dhe të mundshme që mund të ndodhte tek Blloku Qeveritar, morëm një vendim mjaft të guximshëm dhe Saimir Maloku nisi të thërriste: “Hajde të shkojmë tek sheshi për të rrëzuar monumentin”. Gjithashtu, shkuan një grup burrash dhe grash që t’i bënin thirrje turmës së protestuesve të mbledhur pranë Kryeministrisë që të ktheheshin mbrapsht dhe të niseshin në drejtim të sheshit “Skënderbej” nga drejtimi i rrugës mbrapa Piramidës.

Për të nxitur dhe entuziazmuar grupin e protestuesve që po mblidheshin shpejt e shpejt dhe sa më shumë, Saimir Maloku dhe shumë qytetarë të tjerrë thërrisnin: “Hajdeni t’ia bëjmë Enverit si Stalinit, t’ia rrëzojmë monumentin si dhe t’ia djegim edhe librat tek librari ‘Flora”.

Në këtë moment afrohet një djalë i ri me flokë të gjatë, që mbante një rrip të kuq në ballë, dhe na thotë: “Unë kam bërë një parullë të madhe ku shkruhet “LIRI – DEMOKRACI”. Ai djalosh i rritur jetim, quhej Albert Risilia dhe banonte në konviktin e jetimëve pranë Qytetit të Nxënësve. Natën ai kishte hequr perden e madhe prej bezeje të dritares se dhomës së tij dhe mbi të kishte shkruar me bojën e këpucëve, parullën “LIRI – DEMOKRACI”.

Grupi i madh i të persekutuarve politikë si dhe mjaft protestues iu bashkuan thirrjes për të marshuar drejt sheshit për të rrëzuar monumentin e diktatorit komunist. Të gjithë filluan të bërtisnin njëzëri duke ftuar që me ta të bashkoheshin edhe mijëra protestues të tjerë që ishin të bllokuar nga policia midis godinës së Kryeministrisë dhe hotelit “Rogner” (sot).

Në krye të turmës printe grupi i të persekutuarve politikë (kryesisht i Rrugës së Kavajës) dhe i qytetarëve të tjerë të përbërë nga Albert Risilia, Ardian Heta, Xhovalin (Asim) Çokani, Hyget Borova, Sanije Vojka, Astrit Hatellari, Vera Rada, Lida Bezhani, Lindita Hamiti, Liliana Llapaj, Indrit Sukaj, Ilir Çumani, Gëzim Vojka, Hysen Hamiti, Gjolek Aliu, Arben Beli, Arben Rama, Seit Mici, Hajredin Fratari, Xhemal Zhuri, Luigj Bytyçi, Maksim Çali, Bashkim Ademi( i vdekur), Durim Hoxha, Hajrije Hasanaj, Ismete Rushiti, Zyhra Izeti, Agron Spaho, Dorant Vojka, por dhe shumë të tjerë. Turma e madhe e protestuesve prej afro 2 mijë vetësh lëvizi dhe u drejtua për në sheshin “Skënderbej”, nëpërmjet itinerarit, që fillonte nga prapa Piramidës, Ura e Lanës, hotel “Dajti”, Ministria e Mbrojtjes e deri tek stacioni i autobusit pranë Bankës Kombëtare. Në krye të turmës ishte edhe një fotoreporter i huaj (spanjoll). Parullat nuk pushonin.

Ora 13:00, datë 20 shkurt ’91, sheshi “Skënderbej”

(Adrian Heta: Unë në makinën që rrëzoi bustin e Enverit)

Turma e protestuesve qe dhe më energjike kur arriti në sheshin “Skënderbej” për t’u vendosur afër monumentit të diktatorit komunist. Për arsye se numri i forcave të policisë dhe i forcave të ndërhyrjes së shpejtë që ndodheshin pranë sheshit “Skënderbej” dhe Muzeut Historik Kombëtar, ishte tepër i madh, u vendos që protestuesit të prisnin valën tjetër të protestuesve që vinin nga Qyteti Studenti. Në sheshin “Skënderbej” kaloi një veturë e bardhë dhe me sa morëm vesh brenda saj ndodhej Sali Berisha, kryetar i Partisë Demokratike. Kjo gjë i entuziazmoi protestuesit. Një grup protestuesish që ishin tek Liceu Artistik, pasi u përleshën me policinë, u futën tek lulishtja pranë Parlamentit nëpërmjet Rrugës së Elbasanit. Pastaj pasi kaluan pranë godinës së baskisë, u vendosën rreth monumentit të Skënderbeut. Policia dhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë të shoqëruara me qen kufiri, të cilët i kishin fshehur prapa Muzeut Historik Kombëtar, filloi t’u bëjë presion protestuesve të shumtë për t’u tërhequr dhe për t’u shpërndarë larg monumentit të Skënderbeut. Policia përdori edhe zjarrfikësen e cila hidhte me presion ujë me ngjyrë të kuqe që njolloste rrobat e protestuesve. Turma tjetër e protestuesve që ishin të bllokuar tek godina e Kryeministrisë, e frikësuar nga breshëritë në ajër të armëve të policisë, u tërhoq nga tentativa për të hyrë në Bllokun Qeveritar. Ata kaluan në lulishten mbrapa Kryeministrisë dhe mbërritën tek sheshi “Skënderbej” për t’u vendosur tek kolonat e Pallatit të Kulturës. Ndërkohë, ky grup protestuesish tentoi të sulmojë për nga shatërvani, por u zmbrapsën nga policia. Disa makina të vogla të policisë qarkullonin nëpër sheshin “Skënderbej”, duke u rënë sirenave për t’u bërë protestuesve presion psikologjik. Një djalë i ri, i quajtur Durim Hoxha, shkëputet nga grupi kryesor i protestuesve që ndodhej pranë Bankës së Shtetit, për t’u kapur pas kabinës së zjarrfikëses. Por, pas pak ai rrëzohet i dëmtuar nëpër trup dhe me fraktura të brinjëve. Grupi i katërt i protestuesve vjen nga Qyteti Studenti dhe vendoset përreth sheshit “Skënderbej”.

Ndërmjet protestuesve (banorë kryesisht në Rrugën e Kavajës, në Laprakë, në rrugën “Ali Demi”, Kombinat etj.) që ndodheshin pranë Bankës Kombëtare dhe monumentit të diktatorit, hodhën mendimet se si të sulmohej monumenti. Fillimisht, duheshin thyer pllakat e mermerta të shkallëve për të zmbrapsur dhe për t’u përleshur me policinë. Gjithashtu, pas kësaj nevojitej të ndalohej ndonjë makinë e rastit, e tonazhit të rëndë për të rrëzuar me kavo monumentin e diktatorit komunist. Për të realizuar këtë aksion, Saimir Maloku së bashku me shokët e tij i kërkojnë ndihmë protestuesve për të gjetur midis tyre një shofer. Prania e ushtarëve të armatosur me snajperë sipër Pallatit të Kulturës, hotel “Tiranës”, Muzeut Historik Kombëtar dhe në pallatet përreth e bënte të pamundur dhe tepër të rrezikshëm këtë aksion dhe ky mund të lihej për një ditë tjetër kur të krijohej mundësia.

Minutë pas minute shtohej numri i protestuesve në shesh. Për një moment u dëgjua një e thirrur: “Mos u prapsni dhe mos u trembni nga policia, se ata janë të armatosur me fishekë manovër (fishekë stërvitjeje që bëjnë zhurmë, pa pasur plumb brenda)”. Kjo u dha shumë kurajo protestuesve. Tri makina IFA të policisë të mbuluara me tenda shkarkojnë pranë shatërvanit një grup të madh forcash speciale të pajisura me skafandra plastike dhe me shkopinj gome. Ata krijojnë një gardh të fuqishëm mbrojtës përreth sheshit tek monumenti.

Ndërkohë sheshi “Skënderbej” ishte mbushur plot e përplot nga dhjetëra mijëra vetë dhe të vendosur rreth e përqark tij, që bërtisnin duke thirrur: “Ushtria është me ne; Të hiqet qelbësira, Liri – Demokraci” etj. Një grup prej 40 deri 50 vetësh shkëputet nga turma e popullit protestues dhe vendoset pranë monumentit të diktatorit. Ata filluan të thyejnë pllakat prej mermeri të shkallëve dhe nisën të qëllojnë policinë. Forcat speciale, të ruajtjes së rendit dhe të ndërhyrjes së shpejtë, të armatosura me shotgun dhe armë të ndryshme filluan të qëllojnë në ajër me fishekë manovër dhe të sulmonin herë pas here grupin e protestuesve tek monumenti. Ndërkaq protestuesit i kundërpërgjigjeshin duke i qëlluar me gurë e copa mermeri. Nga krahu lindor i Muzeut Historik Kombëtar, në ndihmë të policisë erdhën forca të shumta të ushtrisë dhe të ndërhyrjes së shpejtë me qen kufiri. Një protestues pranë monumentit mbante një flamur kombëtar. Sipër godinës së Bankës Kombëtare, Muzeut Historik Kombëtar dhe pallateve në hyrje të Rrugës së Durrësit dhe të Kavajës etj., policia kishte vendosur snajperë dhe kamera të fshehta. Në mes të radhëve të protestuesve policia dhe Sigurimi i Shtetit kishin infiltruar shumë informatorë, të cilët kishin për detyrë të raportonin mbi veprimtarinë e elementeve të rrezikshëm rebel. Por përpjekjet e policisë dhe të forcave të ndërhyrjes së shpejtë ishin të kota para turmës së madhe të protestuesve të cilët u sulën nga të gjitha krahët dhe i detyruan ata të tërhiqen. Protestuesit duke bërtitur: “Fitore, Fitore” u sulën drejt monumentit dhe u bënë zot i sheshit “Skënderbej”. Një helikopter policie fluturonte dhe filmonte protestuesit e shumtë që u mblodhën përreth monumentit. Një kameraman i quajtur Agim Buxheli bënte filmime me një kamera amatore. Në mes të turmës, një qytetar rreth 70 vjeç i quajtur, Hysen Berberi, vjehrri i Saimirit, ishte i goditur në kokë dhe i mbuluar tërë gjak në fytyrë. Disa gra protestuese e morën për ta çuar në mjekim pranë ambulancës nr, 5 që ndodhej përballë ish-godinës së Lidhjes së Shkrimtarëve. Një qytetar tjetër në gjendje të plagosur ishte i shtrirë për tokë. Gjashtë qytetarë e marrin në krah e vendosin tek një makinë aty pranë dhe e nisin drejt spitalit. Gjatë kohës së përleshjeve të protestuesve me forcat speciale tek monumenti qytetari Ardian Heta (nipi i kirurgut të njohur prof. dr. Hysen Heta) mori një makinë IFA të braktisur, që ndodhej në sheshin “Skënderbej”. Ardiani merr drejtimin e makinës IFA dhe pasi bën dy xhiro rreth shatërvanit, godet me spond një makinë zjarrfikëse që lagte popullin me ujë të ngjyrosur me bojë të kuqe. Makina zjarrfikëse nga kjo goditje ndalon së lëvizuri. Ndërkohë, aty pranë ndodhej një polic rreth 35 vjeç, i plagosur në kokë nga gurët e protestuesve dhe i mbuluar me gjak. Ardian Heta së bashku me shokun e tij Indrit Sukaj, e marrin në makinë policin e plagosur dhe e transportojnë në spitalin ushtarak në Laprakë. Para se të nisej makina, shumë protestues i thonë Ardianit që të kthehej prapa se makina mund të nevojitej edhe për rrëzimin e monumentit. Ai e mbajti premtimin dhe u kthye me makinën përsëri në shesh.

Ora 14:00, 20 shkurt ‘91- Rrëzohet Enveri

Astrit Hatellari: Unë vura litarin në grykën e diktatorit

Një grup i madh qytetarësh ishin të vendosur pranë vendit ku qëndronte akoma monumenti i diktatorit komunist. Nga Rruga e Durrësit vijnë dy djem të rinj me një rrotull litari prej liri. Po në këtë kohë mbërrin tek sheshi “Skënderbej” makina IFA e drejtuar nga Ardian Heta. Ai e drejton makinën drejt e tek vendi ku ndodhej monumenti i diktatorit. Pastaj një grup njerëzish ndihmojnë Astrit Hatellarin që të vendoste litarin tek monumenti i diktatorit. Përpjekja e parë dështon sepse litari shkëputet. Nga makina sjellin një kavo çeliku jo shumë të gjatë të cilën e lidhin me litarin. Në përpjekjen e dytë, Astrit Hatellari i ndihmuar edhe nga një qytetar tjetër e vendos litarin pranë gishtave të dorës së majtë e ulur poshtë, të monumentit të diktatorit. Pastaj i larguam të gjithë njerëzit, që të mos dëmtoheshin nga rreziku i shembjes së monumentit gjigant. Makina e tërheq 3-4 herë monumentin e derdhur në bronz të diktatorit komunist, i cili bie anash në drejtim të Muzeut Historik Kombëtar. Afro 100 mijë vetë që ndodheshin tek sheshi “Skënderbej”, duke u përqafuar me njëri-tjetrin nga gëzimi i madh i kësaj ngjarje të papërsëritshme, filluan të brohorasin të entuziazmuar tej mase. Ra simboli i komunizmit. Gjatë kohës së rrëzimit të monumentit vazhdonin punimet e Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë. Hekuran Isai, në atë kohë ministër i Brendshëm, duke informuar për situatën e krijuar Ramiz Alinë, thotë se megjithëse ka një ligj për mbrojtjen e monumenteve, unë nuk mund të shkoj deri në masakër ose në gjakderdhje ndaj popullit. Ramiz Alia e miraton. Duke kujtuar momentin e inaugurimit të këtij monumenti gjigand të diktatorit komunist, militantët ekstremistë komunistë bërtisnin: “Parti-Enver, jemi gati kurdoherë”. Ndërsa në momentin që do të rrëzohej ky monument, populli demokrat i Tiranës me entuziazëm të papërshkruar bërtiste: “Ta heqim, ta heqim qelbësirën”. Njerëzit nga kureshtja e madhe shkuan tek koka e monumentit të diktatorit dhe me veprime nga më të çuditshme shprehnin urrejtjen e tyre të madhe ndaj tij. Pastaj protestuesit i vënë kavon kokës së këtij monumenti gjigand. Makina IFA e drejtuar nga Ardian Heta i shoqëruar në kabinë nga shoku i tij, Indrit Sukaj, e tërheq zvarrë këtë monument gjigand përgjatë sheshit “Skënderbej”. Mbi makinë dhe mbi monument, rrinin të ulur njerëz të shumtë. Gjithë populli i Tiranës, që ndodhesh në sheshin “Skënderbej” e shoqëronte kamionin me thirrje dhe brohoritje të shumta.

20 shkurt ‘91- Busti zvarrë tek studentët

(Sulo Jaupaj: Me autobusin e minierës hoqa zvarrë Enverin)

Pas gjithë këtyre, makina IFA e drejtuar nga Ardian Heta vazhdon itinerarin në drejtim të Rrugës së Elbasanit. Pesëdhjetë metra larg nga godina e ish-të përndjekurve politikë (sot), shkëputet busti nga pjesa tjetër e monumentit gjigand të diktatorit. Gjithashtu makina IFA pëson defekt (i digjet freksioni) për arsye të peshës së madhe të demonstruesve të hipur mbi makinë dhe mbi monumentin e diktatorit. Turma e demonstruesve shkëpusin kavon nga makina dhe fillojnë të tërheqin vetë bustin e diktatorit deri pranë parkut të lodrave në Rrugën e Elbasanit. Gjithashtu, tek pjesa e mbetur e monumentit të diktatorit, nga këmbët deri tek gjoksi, afrohet një skodë e parkut të mallrave me shofer Sulo Jaupaj. Shumë demonstrues e lidhin këtë pjesë të mbetur të monumentit me skodën. Shoferi Sulo Jaupaj me makinën e tij lëviz afro dy kilometra nëpër rrugët e Tiranës i përshëndetur nga mijëra qytetarë. Në pjesën malore të Rrugës së Elbasanit për t’u ardhur në ndihmë demonstruesve të lodhur vjen një autobus me ngjyrë të kuqe që ishte i punëtorëve të minierës së Kërrabës. Kjo makinë drejtohej nga një shofer zeshkan 50-vjeçar, që quhej Hysen Alla. Autobusi ishte i mbushur me minatorë. Minatorët dhe protestuesit e lidhën shpejt e shpejt bustin e diktatorit pas autobusit. Pastaj, Hysen Alla e drejton makinën e tij për tek godina e studentëve grevistë. Kur autobusi mbërriti atje, shpërtheu një gëzim i jashtëzakonshëm midis studentëve grevistë të urisë të ngujuar dhe protestuesve. Busti i diktatorit u la i varur lart tek godina e studentëve grevistë.

Pasdite, mjaft qytetarë mblidhen përsëri tek sheshi “Skënderbej”. Shumë prej tyre filluan të thyejnë bazamentin prej mermeri të errët të ish-monumentit të diktatorit. Mbasi u errësua, minatorët e Kërrabës e rilidhën përsëri bustin e diktatorit tek autobusi i tyre. Pas kësaj, autobusi me disa minatorë brenda vazhdon itinerarin për tek Rruga e Kavajës. Në zonën pranë ambasadave, policia gjuan me snajperë autobusin dhe i thyen dy xhama. Arrestohen dhjetë minatorë, midis tyre zotërinjtë Hysen Alla, Vladimir Xhillari, Agim Abazi, Arben Lame, Luan Paja (ish-themeluesi i degës së PD-së për minierën e Kërrabës, i vdekur) etj. Po atë ditë në qytetet e Gjirokastrës dhe të Korçës rrëzohen monumentet e diktatorit komunist. Radiotelevizioni Shqiptar si dhe agjencitë e huaja të lajmeve jepnin njoftimin se në Tiranë, në mesditë, u rrëzua monumenti gjigand i diktatorit komunist. Në ora 20:00 shfaqet në televizionin shqiptar Ramiz Alia, ish-President i Republikës, i cili në një prononcim të tij publik ndër të tjera thotë: “Sot kryeqyteti ynë kaloi një nga ditët më dramatike dhe të rënda të jetës së tij. Turma të irrituarish, duke humbur çdo arsye logjike kaluan në akte vandalizmi dhe arritën të rrëzonin monumentin e Enver Hoxhës”. Pas orës 21:00 të asaj nate dhe në ditët në vazhdim, policia dhe Sigurimi komunist bazuar në filmimet e kamerave sekrete dhe nga të dhënat e informatorëve të tyre të infiltruar midis protestuesve, arrestoi rreth 300 protestues. Ndër ta, afro 70 veta u dënuan me burgime të ndryshme me akuzat për grumbullime të paligjshme, shkatërrim monumentesh dhe goditje të përfaqësuesve të shtetit. Me qindra qytetarë të tjerë u pushuan nga puna.

E martë, 21 shkurt 1991- Digjen veprat, rrëzohet parulla

(Xhovalin Çokani: Me veglat e hidraulikut hoqa vidat e “lavdisë” në Pallatin e Kulturës)

Me dhjetëra mijëra protestues ndodheshin paradite tek Ura e Lanës pranë hotel “Dajtit” me qëllim që të sulmonin Bllokun Qeveritar, ngaqë ishin përhapur lajme të rreme sikur Ramiz Alia kishte dhënë dorëheqjen si President i Republikës. Për të penguar protestuesit që të realizonin qëllimin e tyre, ishin të angazhuar forca të shumta të policisë dhe të ndërhyrjes së shpejtë të shoqëruara edhe me tanke të pajisura dhe me mitraloza të rëndë. Në këto momente tepër të acaruara pranë demonstruesve rastësisht vjen Neritan Ceka (ish-drejtor i Institutit Arkeologjik dhe anëtar i kryesisë së PD-së) i cili me një megafon në dorë dhe hipur në një makinë u bën thirrje protestuesve që të ktheheshin tek sheshi “Skënderbej” që të shmangej gjakderdhja. Turma e protestuesve prej afro 50 mijë vetësh u bashkua thirrjes së tij dhe u drejtua për në sheshin “Skënderbej” duke bërtitur: “Poshtë burokratët; Nuk duam gjak etj”. Në këtë kohë një grup i madh protestuesish kryesisht ish0të burgosur politikë të Rrugës së Kavajës u bëjnë thirrje protestuesve që të shkojnë të djegin veprat e diktatorit komunist pranë dyqanit “Flora” që ndodhej në krye të Rrugës së Dibrës, fare pranë sheshit “Skënderbej”. Turma e protestuesve e irrituar së tepërmi, drejtohen për tek librari “Flora” dhe pasi shpërthyen derën, rrëmbenin veprat e diktatorit komunist. Ata filluan t’i grisnin këto libra dhe pasi i grumbulluan aty pranë Rrugës së Dibrës i vunë flakën duke krijuar një zjarr gjigand i cili vazhdoi të digjej për disa orë. Gjithashtu një grup tjetër nisen në drejtim të Pallatit të Kulturës për të hequr parullën “Lavdi Partisë së Punës së Shqipërisë”. Tek Pallati i Kulturës nuk kishte policë. Duke përfituar nga ky rast, Xhovalini, që kishte me vete një çantë me çelësa të mëdhenj mekanikë, së bashku me një qytetar tjetër e me ndihmën e disa protestuesve, hipën me shumë vështirësi në tarracën e Pallatit të Kulturës duke u kacavjerrë pas disa hekurave që ndodheshin në pjesën e mbrapme të shkallëve të këtij pallati. Xhovalin Çokani lagu me alkool metilik bulonat e dadot e ndryshkura që mbanin gërmat metalike gjigande që formonin parullën afro 50 metra të gjatë, e vendosur sipër Pallatit të Kulturës. Pastaj ai i bëri një zbërthim provizor këtyre dadove. Në të njëjtën kohë ai u bërtiti nga lart qytetarëve protestues që ndodheshin në shkallët e Pallatit të Kulturës të spostoheshin më tutje, në mënyrë që të mos binin sipër tyre gërmat gjigande metalike të parullës. Ishte afërsisht ora 12 kur Xhovalini, i ndihmuar dhe nga qytetarë të tjerë, filluan të rrëzonin një nga një këto gërma gjigande metalike të parullës “LAVDI PARTISË SË PUNËS SË SHQIPËRISË”. Një gëzim i jashtëzakonshëm përshkoi mijëra qytetarë protestues të mbledhur në sheshin “Skënderbej”, sepse populli rrëzoi dhe hoqi simbolet kryesore të diktaturës komuniste. Populli demokrat i Tiranës në momentin e rrëzimit të monumentit të diktatorit komunist lutej... liria erdhi.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora