Shtesë » Historia
Lufta e sajuar e partizanëve për çlirimin e Tiranës
E marte, 03.02.2009, 12:31 AM
Nga Dashnor Kaloçi
Aty rreth orës 03:00 të mëngjesit, duke u gdhirë 13 nëntori i vitit 1944, nga jashtë oborrit të shtëpisë sonë u dëgjua zëri i Telat Kalos, që ishte mhallali i joni dhe njëkohësisht edhe sekretari i Këshillit Nacional Çlirimtar për lagjen ku banonim ne, i cili thërriti babanë tonë, Muharremin, duke i thënë të dilte se kishte një fjalë me të. Babai u vesh shpejt dhe porsa doli në oborr, akoma pa mbërritur te Telati, u qëllua me breshëri automatiku nga tre partizanë që ishin fshehur mbas një peme brenda avllisë sonë dhe mbeti i vdekur në vend". Njeriu që flet dhe dëshmon për herë të parë për gazetën "Shqip", është 80-vjeçari Islam Lleshi, ish-eksponent i Rinisë së Ballit Kombëtar, gjatë periudhës së Luftës Antifashiste dhe një nga dëshmitarët okularë të masakrave që kryen forcat partizane të Enver Hoxhës gjatë ditëve kur luftohej për çlirimin e Tiranës në nëntorin e largët të vitit 1944. Islami dëshmon gjithashtu për herë të parë edhe rreth vrasjes së babait të tij, Muharrem Lleshit, një nga viktimat e shumta të masakrave që kryen partizanët në ditët e para të nëntorit 1944, të cilat në historinë e Shqipërisë njihen ndryshe si "Lufta për çlirimin e Tiranës". Po si qëndron e vërteta rreth kësaj ngjarjeje dhe a ka pasur vërtet luftë në mes forcave gjermane që ishin instaluar ato ditë në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, dhe partizanëve të Divizionit të Parë të komanduar nga Gjeneral-major Dali Ndreu, të cilit Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacional Çlirimtare i kishte ngarkuar detyrën e çlirimit të kryeqytetit? Si hynë partizanët në Tiranë dhe si ekzekutuan ata në shtëpitë e tyre me dhjetëra persona, të cilët i kishin në listat që ua kishin dorëzuar më parë këshillat e lagjeve? Si u krye masakra në hotelin "Bristol" dhe cilët ishin intelektualët e njohur që u ekzekutuan në bodrumet e atij hoteli?
Marrëveshja e gjermanëve me partizanët për Tiranën
Lidhur me këto ngjarje, Islam Lleshi, i cili asokohe ishte pjesëtar aktiv i çetave nacionaliste të Ballit Kombëtar, kujton: "Aty nga fundi i tetorit ‘44, forcat partizane të Divizionit të Parë (me komandant gjeneral-major Dali Ndreu), që e kishin vendosur shtabin e tyre rrëzë malit të Dajtit, në fshatin Priskë të Tiranës, nuk hynin dot në kryeqytet, pasi gjermanët kishin tri pika kryesore ku ishin instaluar: një në fshatin Linzë në lindje të Tiranës, një në komandën e Xhandarmërisë që ishte vendosur aty ku sot është Kryegjyshata Bektashiane dhe tjetrën në Tiranën e Re. Nga të dhënat që vinin asokohe, thuhej se komanda gjermane, e cila ishte vendosur aty ku sot është korpusi i Universitetit Shtetëror të Tiranës, po priste forcat e tjera që do vinin nga Greqia, me një autokolonë të gjatë nga Korça për në Tiranë dhe do vazhdonin në drejtim të Shkodrës për t‘u larguar përfundimisht nga Shqipëria. Qëllimi i forcave gjermane ishte tërheqja e plotë e tyre drejt Berlinit dhe ata nuk kishin asnjë plan për të luftuar. Ata mundoheshin vetëm që të mbronin rrugëkalimet nga do të tërhiqeshin dhe pikat kyçe nga mund të goditeshin prej forcave partizane, apo dhe atyre nacionaliste. Nisur nga kjo gjë, komanda gjermane që ishte në Tiranë i kishte dërguar fjalë shtabit partizan të Divizionit të Parë, që të mos i ngacmonte dhe të mos u krijonte probleme, sepse në datën 20 nëntor ata do të largoheshin përfundimisht nga Tirana. Për të ndërmjetësuar me partizanët lidhur me këto probleme, gjermanët kishin caktuar Petraq Pekmesin (e kishte shtëpinë aty ku sot është lagjja "Ali Demi"), i cili asokohe kryente detyrën e përkthyesit pranë komandës gjermane. Pasi gjermanët i tërhoqën dy pikat kryesore të tyre të vendosura në Linzë dhe te Kryegjyshata, partizanët hynë pa luftë deri te rruga "Bardhyl". Pas kësaj, shtabi i Mehmet Shehut u vendos te shtëpia e Abdulla Qyqes, ku Petraq Pekmesi shkonte e komunikonte rregullisht me ta sipas porosive që i jepnin gjermanët". Kështu e kujton Islam Lleshi rrethimin e Tiranës dhe marrëveshjen që gjermanët bënë asokohe me krerët e Divizionit të Parë partizan, të kryesuar prej Dali Ndreut e Mehmet Shehut, për të mos goditur njëri-tjetrin, gjë e cila asokohe u mësua prej Petraq Pekmesit, përkthyesi i gjermanëve.
Masakrat e partizanëve në Tiranë
Po si vepruan partizanë me kundërshtarët politikë dhe me familjet e atyre që ata i quanin "reaksionare", ato ditë të nëntorit 1944 kur hynë në Tiranë? Lidhur me këtë, Islam Lleshi kujton: "Që kur Divizioni i Parë partizan ishte i dislokuar në Priskë, nëpërmjet njerëzve të tyre dhe këshillave Nacional Çlirimtare që ekzistonin në çdo lagje, ata kishin marrë të gjithë emrat e kundërshtarëve të tyre politikë (kryesisht të Ballit e Legalitetit) dhe familjeve të tyre, të cilat i kishin shënuar në lista të sakta. Kështu, pas çdo përparimi që ata bënin në drejtim të qendrës së Tiranës (pas tërheqjes së gjermanëve), duke hyrë nëpër lagje, ekzekutonin të gjithë personat që i kishin në ato lista, të cilat ua tregonin dhe këshilltarët komunistë, që dhe ua nxirrnin nga shtëpitë e tyre për t‘i ekzekutuar. Këtë gjë partizanët e zbatuan pikë për pikë edhe me familjen tonë nacionaliste, duke na vrarë babain, Muharremin, sepse në atë kohë unë isha në çetat e Ballit Kombëtar me armë në dorë dhe vëllai, Sulejmani (i diplomuar në Torino për Veterinari), ishte një nga të parët që aderuan me Ballin Kombëtar dhe asokohe gjendej i arrestuar nga partizanët. Kështu, rreth orës 03:00 të mëngjesit, duke u gdhirë 13 nëntori i vitit 1944, nga oborri i shtëpisë sonë u dëgjua zëri i Telat Kalos që ishte mhallali i joni, e njëkohësisht sekretar i Këshillit Nacional Çlirimtar, i cili thërriti babanë duke i thënë që të dilte jashtë, pasi kishte një fjalë me të. Babai u vesh dhe sapo doli jashtë, akoma pa u afruar te Telati, i cili u tërhoq disa hapa më prapa nga vendi ku thërriti, disa breshëri automatiku të tre partizanëve që ishin fshehur mbas një peme të avllisë sonë, e lanë babanë të vdekur në vend. Pas kësaj, partizanët hynë brenda në shtëpi duke tmerruar nënën Fitneten, dy vëllezërit e vegjël: Njaziun 10-vjeçar (para viteve ‘90-të, trajner i famshëm i basketbollit të Partizanit), motrën Dylberen 12-vjeçare dhe Bardhulin 2-vjeçar. Po kështu, në shtëpi ishte dhe vajza e kushëririt tonë, Fadil Lleshit (Ikbalja), motra e Mustafa Lleshit (shoku i ngushtë i Kajo Karafilit), partizan, që ishte vrarë në Pezë. Kur partizanët që hynë brenda filluan të bërtisnin duke kërkuar armë, Ikbalia u tha atyre se në atë familje ishin njerëzit e Mustafa Lleshit. Pas kësaj, ata u shtangën dhe njëri nga partizanët, që si duket ishte komandanti i tyre, u bëri thirrje të tjerëve që po kontrollonin, duke u thënë: "Hajde të ikim". Të nesërmen, në shtëpinë tonë erdhën disa nga të afërmit tanë dhe babain e varrosën në oborrin e pasmë të shtëpisë, pasi për vetë situatën ku ndodhej kryeqyteti, nën breshëritë e armëve dhe bombave, nuk mund të shkonin te varrezat e Bamit. Njerëzit që vinin në shtëpinë tonë për të na ngushëlluar, tregonin se ato ditë kudo nëpër Tiranë partizanët kishin vrarë dhe masakruar shumë nacionalistë e intelektualë të njohur. Shtabi i partizanëve, me komandant Halit Tafanin, që kreu vrasjen e babait tonë, u vendos aty afër nesh, te shtëpia e Ferit Vokopolës (ish-deputet i Zogut) dhe pas largimit të tyre aty u gjet dhe një listë me personat që ishin pushkatuar, ku bënte pjesë dhe babai ynë". Kështu e kujton 80-vjeçari Islam Lleshi ngjarjen e vrasjes së babait të tij, Muharremit, duke u gdhirë 13 nëntori i vitit 1944.
Dhjetëra të ekzekutuar në hotelin "Bristol"
Por ato ditë të nëntorit të vitit 1944, forcat partizane që kishin marrë detyrë nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacional Çlirimtare të Enver Hoxhës për të marrë Tiranën, ekzekutuan nëpër shtëpitë e tyre edhe shumë nacionalistë dhe intelektualë të tjerë të njohur. Lidhur me këtë, Islam Lleshi dëshmon: "Pasi vranë babanë tonë, forcat partizane kaluan bulevardin dhe ekzekutuan edhe Anton Mazrekun, i cili e kishte shtëpinë jo më larg se 100 m nga ne, pranë kinemasë "Rozafat". Po atë natë partizanët ekzekutuan edhe disa nacionalistë e intelektualë të njohur si: Aleks Mavraqi, Ismail Petrela, Lluka Xhumari, vëllezërit Muntaz e Vesim Kokalari, gazetarin e njohur Nebil Çika, një grua mirditore që quhej Dila (pronare e një pijetoreje) dhe disa të tjerë, të cilët i kishin arrestuar ato ditë dhe i mbanin të lidhur në bodrumet e hotelit "Bristol" (ku sot është Muzeu Kombëtar). Masakra që komunistët kryen në hotelin "Bristol" ishte e fundit në Tiranë, sepse pas asaj dite e deri me largimin e gjermanëve, nuk u ekzekutua asnjë nacionalist apo person tjetër në kryeqytet. Thuhet se urdhri për ndalimin e masakrave ndaj nacionalistëve erdhi nga Enver Hoxha, i cili asokohe ndodhej në Berat bashkë me qeverinë provizore, në pritje për të ardhur në Tiranë. Lidhur me këtë, në kujtimet e tij (seria e veprave) Enveri shkruan: "Kur ishim në Berat, më erdhi në zyrë me një frymë Sejfulla Malëshova dhe më tha: Enver në Tiranë po vrasin oficerët. Ky është gabim i madh, se ata do na duhen nesër kur të ngremë pushtetin. Unë i thashë nëse e fliste me përgjegjësi atë gjë", shkruan Enveri në kujtimet e tij. Nga sa shihet edhe prej debatit që Enveri ka bërë me Malëshovën, Enveri mund të jetë frenuar dhe ka dhënë urdhër që të ndaloheshin ekzekutimet e nacionalistëve në Tiranë. Nga ky urdhër i shpëtoi jeta edhe Osman Kazazit, kur në mëngjesin e 13 nëntorit partizanët shkuan për ta ekzekutuar në shtëpinë e Dem Xhepës (tregtar i njohur që kishte financuar komunistët dhe mik i ngushtë i Myslym Pezës). Partizanët i kërkuan Demës që t‘ua dorëzonte Osmanin, por ai duke i pasur krahët e nxehta nga miqësia me parinë e komunistëve, rezistoi e nuk e nxori, duke u thënë se do ua jepte të nesërmen. Dhe vërtet Dema e nxori të nesërmen Osmanin, duke ua çuar partizanëve, të cilët nuk e pushkatuan, siç duket pas urdhrit që kishte dhënë Enveri", kujton Islam Lleshi, rreth vrasjeve që partizanët bënë ndaj nacionalistëve ato ditë nëntori të vitit 1944 dhe masakrën në bodrumet e hotelit "Bristol".
Në Tiranë nuk u luftua
Po a ka pasur luftë mes forcave partizane dhe atyre naziste gjermane në qytetin e Tiranës në nëntorin e vitit 1944? Lidhur me këtë, Islami Lleshi kujton: "Që nga fundi i tetorit e deri në datën 17 nëntor 1944, kur gjermanët u larguan përfundimisht nga Tirana, nuk ka pasur fare luftë në mes tyre dhe partizanëve. Gjithë ato ditë jeta në kryeqytet ishte krejt normale, tepër e qetë dhe funksiononin rregullisht të gjitha aktivitetet tregtare në të gjitha zonat e Tiranës, si në qendër të saj, ashtu dhe në periferi. Edhe kur partizanët e Brigadës së Parë u afruan nga periferitë e kryeqytetit dhe kontrollonin gjithë zonën lindore të Tiranës, deri te rruga "Bardhyl", gjermanët rrinin lirisht pa asnjë lloj problemi në hotel "Dajti" (ku ishte rezidenca kryesore e tyre) në Tiranën e Re dhe gjatë gjithë bulevardit kryesor nga stacioni i sotëm i trenit e deri te korpusi qendror i Universitetit Shtetëror të Tiranës, ku asokohe ishte vendosur komanda gjermane. Ajo situatë e qetë që mbretëronte ditën, ndryshonte krejtësisht natën, ku dëgjoheshin krisma bombash dhe breshëri armësh pothuaj në gjithë Tiranën. Kjo gjë vinte sipas një plani që kishin bërë më parë partizanët, të cilët kishin urdhëruar komunistët dhe ilegalët që ishin në qytet të qëllonin gjithë natën kot në ajër, me qëllim që popullsia e kryeqytetit të kujtonte se po bëhej luftë e madhe dhe se po vinin partizanët për t‘i çliruar. Pasi gjermanët u tërhoqën nga rruga "Bardhyl" për në qendër, ku instaluan vetëm një tank në një gropë të madhe te sheshi "Skënderbej", partizanët përparuan pa shkrepur asnjë armë dhe u afruan deri aty ku sot është "Estrada e Tiranës". Aty ata ngritën një barrikadë të gjatë me fuçi dhe mjete të ndryshme, duke e bllokuar krejt bulevardin. E vetmja luftë që është bërë deri më datën 13 nëntor në Tiranë në mes partizanëve dhe gjermanëve, është ajo për marrjen e bunkerit (tankut) që ishte vendosur në qendër të Tiranës. Kjo gjë është më se e vërtetë dhe në mënyrë absolute luftë tjetër nuk ka pasur gjatë gjithë atyre ditëve që propaganda komuniste prej vitesh ka pretenduar se është bërë luftë e madhe për çlirimin e Tiranës. Le të dalë një familje tiranase dhe të thotë se ato ditë ka parë ndonjë partizan të vrarë brenda qytetit. Nuk është aspak e vërtetë se 134 partizanët e Brigadës së Parë u vranë për çlirimin e Tiranës. Ata janë vrarë në rrethinat e në fshatrat e kryeqytetit si: Sauk, Selitë dhe në Laprakë, te Fusha e Aviacionit, në përpjekje për të hyrë në qytet. Vetëm gjatë tërheqjes së tyre nga Rruga e Kavajës dhe ajo e Durrësit, më 17 nëntor, gjermanët ekzekutuan tek-tuk ndonjë person nga popullsia civile, vetëm pasi ata u goditën me armë. Këtë gjë gjermanët e bënë pasi më parë kishin lajmëruar tërheqjen e tyre dhe se po të goditeshin, do të hakmerreshin". Kështu shprehet 80-vjeçari Islam Lleshi, për ato ngjarje të largëta të vitit 1944, të cilat në historinë e Shqipërisë njihen si ditët për çlirimin e Tiranës, duke këmbëngulur se nuk ka pasur asnjë lloj lufte në mes partizanëve dhe gjermanëve brenda qytetit. Për të cilat propaganda e regjimit komunist, për gati gjysmë shekulli me radhë ka bërë jehonë të madhe, duke thënë se "është luftuar shtëpi më shtëpi dhe rrugë më rrugë, ku gjaku është derdhur rrëke". "Gjaku që u derdh në rrugët e Tiranës në ato ditë ishte ai i 40 intelektualëve nacionalistë, të cilët u ekzekutuan nga forcat partizane në bodrumet e hotel ‘Bristol‘-it dhe rrugëve të Tiranë", e përfundon dëshminë e tij Islam Lleshi, ish-eksponent i Rinisë së Ballit Kombëtar, babanë e të cilit komunistët e ekzekutuan pa asnjë shkak në pragun e shtëpisë së tij, duke u gdhirë 13 nëntori i vitit 1944.
Trakt i Komitetit Qarkor të Partisë Komuniste për Tiranën, drejtuar popullit me rastin e çlirimit të kryeqytetit
(Nendor 1944)
Vdekje Fashizmit Liri Popullit
Tirana e Lirë
Tirana ku për herë të parë shkrepi shkëndija e Luftës Nacional-Çlirimtare, pas luftimesh të ashpra kundër okupatorit dhe tradhëtarëvet, u çlirua. Çlirimi i Tiranës vjen të plotësojë vargun e madh të Ushtrisë sonë heroike, e cila ka skuqur me gjakun e saj fusha dhe male, brigje, fshatra dhe qytete. Tirana, zemra e Shqipërisë ku për herë të parë u përlesh rinia jonë, ku u ngrit zëri i luftës kundër okupatorit dhe tradhëtarëvet, ku një grusht njerzish ngritën krye dhe rrëmbyen flamurin e luftës, duke i premtuar popullit shqiptar se nuk do ta lëshojnë deri sa Shqipëria të çlirohet, deri sa populli shqiptar të marrë në duar vetëqeverimin, sot, pas epopesë së madhe të betejave për çlirim, përshëndet dhe përqafon bijt e saj, brohorit për Ushtrinë Nacional-Çlirimtare, thërret për Enver Hoxhën që i ka treguar shtigjet në ilegalitet, në luftë për organizimin e Luftës Nacional-Çlirimtare. Përballë një reaksioni dhe terrori të tërbuar, populli i Tiranës me rininë e saj në ballë sulmon në demonstrate të përgjakëshme, sulmon spiunë dhe tradhëtarë, shpërndan traktet dhe buletinet e luftës sonë dhe u ep grushte turinjëve të shëmtuar të fashistave dhe agjentave të tyre. Tanket dhe autoblindat fashiste sulmojnë dhe gjokset e rinisë dhe popullit të Tiranës rezistojnë heroikisht, zëri i kushtrimit buçet anëembanë qytetit dhe sëandejmi në skajet më të largëta të Atdheut. Armiku sulmon nëpër rrugët e qytetit, masakron me qindra të pafajshëm dhe shpirti i rezistencës dhe i hakmarrjes ndizet edhe më tepër, shokët e luftës qëndrojnë në pozicionet e tyre, popull dhe ushtri të lidhur ngushtë për ditë rresht e ndajnë Tiranën në barrikada për t‘i thyer hundët okupatorit. Dhe sot Tirana po prêt në gjirin e saj divizionet e ushtrisë sonë të lavdishme, po prêt me entuziazëm udhëheqsit e Luftës Nacional-Çlirimtare, gëzon lirinë e saj. Prej një çerdhe të barbarizmit fashist, ku ishin grumbullura të gjitha monstrat e fashizmit dhe të reaksionit të vëndit për të mbajtur popullin shqiptar në një skllavëri të dyfishtë, prej një çerdhje shtypjeje dhe errësire të Mustafa Krujës, Pandeli Papalilos, Xhelal Staraveckës, Ibrahim Biçakçiut, e qindra xhelatëve të popullit shqiptar, Tirana heroike, nëpërmjet përpjekjesh gjigante të popullit të saj, dhe të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare transformohet në qëdnër paqeje, në qëndër lirije dhe pune, për rindërtimin e Shqipërisë së re, po kurorëzohet ideali i dëshmorëve Qemal Stafa, Vojo Kushi Misto Mame e sa e sa heronjëve të rënë në luftë kundër okupatorit dhe agjentëve të tij.
Populli shqiptar, i grumbulluar dhe i forcuar nëpërmjet Luftës Nacional-Çlirimtare, rreth qeverisë së tij demokratike, feston me entuziazëm ditën e tij historike të çlirimit të Tiranës.
RROFTË POPULLI HEROIK I TIRANËS!
RROFTË USHTRIA NACIONAL-ÇLIRIMTARE
RROFTË KËSHILLI ANTIFASHIST NACIONAL-ÇLIRIMTAR I SHQIPËRISË!
RROFTË QEVERIA DEMOKRATIKE E SHQIPËRISË DHE KRYEMINISTRI GJENERAL-KOLONEL ENVER HOXHA!
RROFTË FRONTI NACIONAL-ÇLIRIMTAR
Tirana dhe gjermanët u shkatërruan nga bombardimet e aleatëve
Komunistët përvetësuan luftën e anglo-amerikanëve
Ashtu si edhe e gjithë ajo që tashmë në historinë e Shqipërisë njihet si Lufta Nacional Çlirimtare, edhe lufta për çlirimin e Tiranës është glorifikuar, manipuluar dhe falsifikuar nga historiografia e propaganda e regjimit komunist të Enver Hoxhës, për gati gjysmë shekulli me radhë. Që pas vitit 1945, e fatkeqësisht deri në ditët e sotme, në të gjitha librat e historisë, tekstet shkollore, Muzeun Kombëtar, veprat letrare, kinematografi etj., ajo ngjarje është trumbetuar me të madhe si një nga betejat më të lavdishme të popullit shqiptar, madje duke arritur deri aty sa të krahasohet me betejën e Stalingradit, ku Ushtria e Kuqe e Stalinit theu trupat naziste të Adolf Hitlerit. Por ndryshe nga historiografia dhe propaganda e regjimit komunist të para viteve ‘90-të, në të cilën thuhet se për çlirimin e Tiranës kanë marrë pjesë dhe janë angazhuar me mijëra forca partizane dhe duke luftuar rrugë më rrugë, shtëpi më shtëpi, e dritare më dritare, arritën të nxjerrin jashtë luftimit më se 3000 trupa naziste gjermane ("Lufta për çlirimin e Tiranës", libër me kujtime i gjeneral-kolonel Arif Hasko, ish-shef i Shtabit të Ushtrisë), në dokumentet arkivore dhe nga dëshmitë e ndryshme të mjaft dëshmitarëve okularë të asaj kohe (banorë të kryeqytetit), këto gjëra konsiderohen krejt të pavërteta. Shumë prej tyre dëshmojnë se planet e forcave partizane për çlirimin e Tiranës kanë ekzistuar vetëm në letër dhe se ajo luftë që pretendohet prej tyre nuk ka ndodhur kurrë. Sipas tyre, është e vërtetë se disa brigada partizane, të cilat në fundin e muajit tetor 1944 u instaluan në fshatrat dhe zonat periferike në lindje të Tiranës, herë pas here tentuan të godisnin forcat gjermane. Por goditjet e tyre ishin më tepër sporadike dhe ato nuk ndërmorën kurrë asnjë sulm serioz ndaj forcave gjermane që ishin të instaluara në kryeqytet dhe atyre që vinin nga Greqia. Madje, forcat partizane jo vetëm që nuk sulmuan, por ato qëndruan në pritje dhe i lejuan gjermanët të largoheshin pothuaj krejt të qetë nga kryeqyteti, duke ua lënë të lirë rrugën Tiranë-Vorë-Fushë-Krujë-Milot-Shkodër-Hani Hotit. Në të gjithë këtë segment rruge që u tërhoqën forcat gjermane, nuk u bë asnjë pritë nga partizanët dhe nuk u hodh asnjë urë në erë për të penguar tërheqjen e tyre. Gjatë atyre ditëve, vëmendja e forcave partizane dhe e krerëve të tyre ishte zhvendosur në eliminimin e kundërshtarëve të tyre politikë (me dhjetëra intelektualë dhe nacionalistë u ekzekutuan) dhe lufta ndaj forcave gjermane u bë vetëm nga aviacioni aleat anglo-amerikan, i cili ndërmori me dhjetëra inkursione ajrore bombardimi, si brenda territorit të kryeqytetit, ashtu dhe gjatë gjithë segmentit rrugor Tiranë-Hani i Hotit, ku lëviznin autokolonat gjermane. Nga bombardimet e anglo-amerikanëve, përveç forcave gjermane që patën humbje të madha, fatkeqësisht u shkaktuan me qindra viktima dhe nga popullsia civile, jo vetëm në Tiranë, por dhe në mjaft qytete dhe fshatra të Shqipërisë ku lëviznin gjermanët gjatë tërheqjes së tyre.