E premte, 26.04.2024, 10:27 AM (GMT+1)

Kulturë

Aksinja Xhoja

E hene, 09.07.2007, 09:11 PM


Aksinja Xhoja, pianisjta shqiptare në skenat e mëdha të Europës

Zenepe Luka

Në Shqipëri njihet si vajza e Artistit të Popullit Nikolin Xhoja, ndërsa në Itali, Angli e vende të tjera, vlerësohet si pianistja e famshme. Shumë personalitete të kulurës Italiane, vlerësojnë talentin e saj, por për Orkestrën e madhe të Londrës, ajo është pianistja e domosdoshme që përcjell vetëm suksesin. Për pianisten shqiptare, që banon prej 17 vjetësh në Itali shkruajnë gazetat, përcillen koncerte nëpër kanale televizive prestigjoze.
Në vitin 2004 Lionello Maci, botoi volumin e dytë “Personaggi Brindisini”, ku janë përfshirë personalitete të famshme, që kanë lindur apo jetojnë në Brindisi dhe që janë bërë të famshëm në botë. Aty përfshihen edhe Nikolin e Aksinja Xhoja.
Gjithashtu regjizori Davide Barleti,pas suksesit të dokumentarit të vitit 1997,për të cilin ka marrë disa çmime ndërkombëtare, ka bërë personazhe të filmit të tij historinë dhe famën e familjes Xhoja, duke u ndalur tek pianistja, Aksinja. Xhirimet kanë nisur në Brindizi, por vazhdun në Durrës, Vlorë dhe do të shfaqet në muajin gusht, në festivalin e parë ndërkombëtar të filmit në qytetin e Brindëzit. Po atë ditë me vendim të Regjione Puglia, një rruge do t’i vihet emrin “Nikolin Xhoja”-Gioia.
Në një intervistë ekskluzive, artistja shqiptare, me famë ndërkombëtare flet për herë të parë, për suksesin, por edhe brengat e jetës, dhimbjen për të atin që vdiq i ri dhe vëllanë Ugo, që jetoi pak vite dhe që rininë e kaloi në burg, pse ironizoi sekretarin e Parë. Ajo përcjell edhe trishtimin, që bashkia e Durrësit i ka marrë shtëpinë në qytetin e lindjes dhe me arbitraritet i kanë dëmtuar arkivin e familjes së artistëve Nikolin dhe Meropi Xhoja.
Jeni shumë e njohur në Itali, ndërsa lexuesi shqiptar ju njeh më shumë si vajza e Nikolin Xhojës. Kush është Aksinja, pianistja shqiptare që jeton në Brindizi?
Kam lindur në qytetin e Durrësit, kam kryer studimet në Liceun Artistik në Tiranë nën kujdein e mësueses Lali Gabeci. Jeta ime koncertale, ka filluar qysh në moshën 6 vjeç. Madje kam dhënë koncerte edhe përpara delegacioneve të huaja. Interpretimet e mia në piano, janë dëgjuar me vëmëndje, nga Hrushovi, Cuen Lai, Mao Ce Duni, Fidel Kastro etj, që i shoqëonte vetë Enver Hoxha. Ishte eveniment për mua, një fëmijë, që më duatrokisnin personalitete të mëdha të botës. Mbresa të paharrueshme më kanë lënë koncerti që dhashë përpara pianistit francez Henrik Heidciek, i cili më puthi duart pas koncertit. Më tingëllon edhe sot, komplimenti i tij se “unë isha një talent i madh në Europë”. Kuptohet, atëherë isha e vogël dhe nuk i kuptoja këto vlerësime, por dashuria për pianon rritej bashkë me mua. Më tej përfundova studimet në Institutin e Lartë të Arteve me profesoreshën Margarita Kristidhi.

Ky talent,besoj u bë pjesë e orkestrave të rëndësishme?
Jo. Pasi u diplomova shkëlqyeshëm, u emërova në shkollën e mesme të muzikës në Gjirokastër. Pra nuk bëhej fjalë as për në Tiranë, por as edhe në qytetin tim të lindjes, tek prindërit, pasi kisha “njollë në biografi”. Vëllai im, Ugo, ishte në burg për agjitacion e propogandë, pasi diku ishte shprehur që Sekretari i Parë i Durrësit, është pa shkollë dhe suhet të shkojë të drejtojë një karrocë me kuaj dhe jo një qytet si Durrësi. Gjithësesi, unë çela degën e pianos në atë shkollë dhe provova kënaqësinë e të qënit mësuese.
Cili ishte angazhimi yt,si pianiste, jashtë mureve të shkollës?
Atë vit, mora pjesë në festivalin e parë kombëtar dhe fitova çmimin e parë me interprtimin e koncertit nr.1 të Çajkovskit. Më pas e luajta këtë koncert me orkestrën Simfonike të RTSH-së drejtuar nga Ferdinand Deda, ku gjithashtu u vlerësova.
Pas këtij evenimenti, më trasferuan në shkollën e muzikës në Durrës, për të qenë pranë tim eti, që ishte i sëmërë rëndë në ato vite. Dua tju them se gjatë peiudhës artistike në Shqipëri, kam pasur aktivitet shumë të gjërë koncertal me orkestrat simfonike të Tiranës, Durrësit, Gjirokastrës, koncerte recitale solo, me këngëtarë, apo me instrumenta të ndryshëm. Kam dhënë koncerte në shumë qytete të Shqipërisë si në Tiranë, Durrës, Vlorë, Berat, Shkodër, Elbasan, Korce dhe deri në Kukës. Në vitin 1989 Kuvendi Popullor më dha Medaljen “Naim Frashëri”, me motivacionin “Për një aktivitet muzikal me nivel të lartë artistik dhe për kontributin e përhapjes së muzikës kombëtare”.
E braktisët mësuesinë?
Jo. Krahas aktivitetit artistik, kam punuar me shumë pasion edhe si profesoreshë pianoje, duke i konsideruar dhe trajtuar gjithmonë nxënësit dhe studentët, si të ishin fëmijët e mi. Shumë prej tyre, janë bërë të famshëm dhe kontribojnë nëpër shtete të ndryshme të botës, sikurse është Elton Xhoja, nipi im, që tani është profesor në Konservatorin e Bostonit në Amerikë dhe që ka një aktivitet koncertal shumë të pasur. Të tjerë ish-nxënës janë në Australi, Itali, Angli, Francë, por edhe në Shqipëri. Studente të mia në Itali, janë edhe dy vajzat e Al Bano Carrisit Cristel dhe Romina Junior dhe shumë të tjerë që janë bërë instrumentistë dhe këngëtarë të njohur si edhe aktorë të rinj të teatrit dhe filmit, të cilët kanë marrë pjesë në master klas në shkollën e aktorëve “Nikolin Xhoja-Gioia”.
Në çfarë rruge shkuat në Itali?
Shkova me ftesë të pianistit-koncertist Maestro Aldo Cicolinit, i cili pasi kishte dëgjuar interpretimin tim të koncertit nr.1 të Çajkovskit në orkestrën e Radio-Tiranës, i shkroi qeverisë shqiptare, se ndjehej tepër i ekzaltuar nga ky interpretim i jashtëzakonshëm dhe se ai dëshironte të shkoja pranë Akademisë internacionale “L Perosi” të Biellas, ku ai zhvillonte Masterclass, për të dhënë një sërë koncertesh dhe për të bërë të njohur talentin tim në Itali dhe shumë vende të botës. Dhe kjo ndodhi realisht.
Si mundët të ingranoheni në një shoqëri ndryshe dhe aq më tepër, të shquheni edhe pse ishit shqiptare?
Nga përvoja ime, gjykoj se arti nuk njeh kufi shtetesh dhe për më shumë, cilëia e muzikës, është komunikimi nëprmjet tingujve dhe zemrës, që është njëlloj në të gjithë botën. Unë flas 5 gjuhë, gjuhën e nënës, shqipen time të shtrenjtë, italisht, frëngjisht, anglisht dhe rusisht, që më kanë ndihmuar për të organizuar jetën koncertale, por komunikimin e vërtetë me spektatorin, e ndjej kur jap koncerte dhe pas çdo koncerti, më vijnë ftesa të reja për koncerte të tjera.
Mund të na flisni për karierën tuaj koncertale në Itali dhe shtete të tjera?
Kam filluar karierën artistike në Romë, për të vazhduar në Milano, Venezia, Bari, Leçe, Brindizi, Otranto, Taranto, Gallipoli, Porofino etj. Veprimtari mjaft të gjërë kam në Angli, ku jam e pranishme vazhdimisht për të luajtur me orkestrën “The Virtuosi of London”, nën drejtimin e dirigjentit Sir.Anthony Goodchild, si dhe koncerte recitale solo, apo edhe me këngëtarë italianë, anglezë si dhe me instrumentistë të ndryshëm. Kështu mund të përmendim edhe Francën e shtete të tjera, që tashmë janë në axhendën e përhershme të karirës sime si pianiste.
Këngëtari italian Al Bano Carrisi ka shprehur konsidertë për talentin tuaj si pianiste, cilat janë lidhjet tuaja me të?
Kam jetuar me familjen time 2 vjet në Tenuten Al Bano Carrisi në Cellino San Marco, sepse bashkëpunonja me Al Banon dhe Rominën, por edhe jepja mësim në piano vajzave të tyre Cristel e Romina Junior Carrisi, ashtu edhe nipërve te Albanos, Rosita e Marco Carrisi. Kam kujtimet e mia më të mira për familjen Carrisi, duke filluar më nënën e Al Banos, Yolandën, babanë Don Carmelo, për 80 vjetorin e të cilit organizova një koncert me këngëtarin francez Charles Mathe. Don Carmello kishte një simpati të vecantë për Shqipërinë dh shqiptarët, pasi ka qenë gjatë luftës së dytë botërore atje dhe kur rrezikonte jetën nga gjermanët, një familje gjirokastrite e kishte strehuar dhe i kishte shpëtuar jetën.
Në vitin 1986, kur punoja në shkollën e muzikës në Gjirokastër, Al Bano dhe Don Carmelo dhe Dona Yolanda, erdhën për herë të parë në Gjirokastër, për të kërkuar atë familje. Me këtë rast Pallati i Kulturës dhe shkolla e muzikës pregatitën një koncert mirëserdhjeje familjes Carrisi. Pikërisht aty u njoha dhe u shoqërova për herë të parë me Al Banon. Më vonë, kur unë isha vendosur në Brindizi, Al Bano erdhi në shtëpinë time dhe më kërkoi që të shkoja të jetoja në Contraden Carrizi. Në këtë periudhë, u lidhëm me një miqësi të fortë edhe me Romina Poëer, frekuentoheshim shpesh, flisnim për muzikën, letërsinë, pikturën, pasi sikurse dihet, Romina është një artiste e jashtëzakonshme dhe me shumë interesa kulturore dhe një grua shumë aktive. Rominës, i pëlqente shumë që të vinte në mëngjes tek ne, për të pirë kafenë nga dora e nnës sime, Meropi, që e admironte shumë.
Vazhdoni të ruani miqësinë me Al Banon dhe vecmas me Rominën?
Po, vazhdojmë të jemi miq, të kemi vajtje-ardhje reciproke. Ja, vetëm para pak kohe, unë sëbashku me vajzën e tyre, ish nxënësen time Cristel, regjistruam në CD, që do ta paraqiste në Amerikë.
Cilat do të vlërësonit si koncerte më famoze që keni interpretuar nëpër skenat e botës?
Janë shumë, por unë do tju përmend koncertin recital “Ëndrra e fundit e Nënë Terezës”, programuar në Todi Festival në Romë, ku të ardhurat e koncertit iu dhuruan spitalit të ri në Tiranë, për blerjen e aparaturave të reja. Si në mjaft koncerte që kam dhënë në bashkëpunim me FAO, Caritas, Fair Play For Children në Itali dhe në Angli, të ardhurat e këtyre koncerteve kanë vajtur në ndihmë për ndërtimin e spitalit Psikiatrik në Durrës dhe në ndihmë të fëmijve të varfër shqiptarë, jugosllavë, rumunë, afrikanë.
Cila është jeta familjare e Aksinjës, e dini përmbajtjen e emrit tuaj?
Pasi jetova dy vitet e para në Romë, pastaj dy vite tek Kontrada Al Bano Carrisi, vendosa të jetoj në familjen time në Brindisi, Është qyteti ku ka lindur babai im Nikolin Xhoja, me baba italian dhe nënë shqiptare, është qyteti i bashkëshortit tim Marcello Scardiçhio, e qyteti ku lindi vajza ime Marilyn Scardiçhio që tani eshte 15vjece. Nënës sime i është dhënë titulli “Artiste e Merituar” që në vitin 1974. Ajo ka filluar veprimtarinë artistike në vitin 1936 dhe sëbashku me tim atë Nikolin Xhojën, kanë qenë ndër të parët që themeluan teatrin e Durrësit. Nëna ime, ka mall për Shqipërinë, për Durrësin, ku ka lënë jetën e saj. Ajo u detyrua të jetonte me mua në Itali, sepse gjatë mungesës së saj më 1992, pasi kish ardhur për një vizitë tek unë, zotërinjtë e Bashkisë së Durrësit, i hapën shtëpinë dhe ia dhanë ish-pronarëve, duke i premtuar se do ta strehonin shpejt. Kanë kaluar 15 vjet, janë ndërruar disa kryetarë bashkie dhe Artistja e Merituar, bashkëshortja e artistit të Popullit Nikolin Xhoja, është në pritje të marrjes së shtëpisë, që përvecse për të jetuar në të, do ta shndroj dhe në një arkiv të jetës dhe aktivitetit të familjes që ka dhënë kontribut të shquar në fushën e artit.
Pyetëm për prejardhjen e emrit tuaj...
Prejardhja e emrit Aksinja, vjen nga greqishtja e lashtë, Xenia, e cila, sipas mitologjisë greke, ishte princesha mbrojtëse e të huajve. Në vendet sllave, ky emër është transformuar në Aksinja.Gjyshja ime, nëna e babait, Parashqevia, ishte e martuar me një rus Porfir Gllatki, nëna e të cilit quhej Aksinja. Babait tim i pëlqente shumë ky emër.
Cilat janë kujtimet për babanë tuaj, artistin e madh Nikolin Xhoja?
Mendoj se kam qënë me shumë fat, që jam bijë e dy artitëve të mëdhenj, Meropi dhe Nikolin Xhoja. Përveçse artistë, ata janë edhe prindër të jashtëzakonshëm, na kanë dashur shumë dhe kujdeseshin jashtë mase për ne, arsimimin dhe edukimin për të trashëguar vlerat e tyre. Merita e nënës sime janë të mëdha, sepse siç dihet, prapa suksesit të “një burri të madh”, gjëndet një grua e madhe. Nga babai morëm edukatën e leximit të librave, që vetë ai, për të interpretuar një komedi, studionte periudhën që kishte shkruar shkrimtari, rrethanat shoqërore të personazheve dhe më gjërë. Shtëpia jonë, ka qenë dhe mbetet plot me artistë. ka gjithmon një atmosferë gazmore dhe argëtuese.
Ka ndonjë ëndërr në sirtar Aksinja Xhoja?
Kam shumë, sepse jam ëndërrimtare e përjetëshme. Përpiqem të realizoj ëndërrat e mia dalë-ngadalë. Më e rëndësishme për mua, është të ngre sa më lart emrin e Shqipërisë, në çdo vend të botës ku realizoj artin tim. Shpresoj shumë që vajza ime Merilyn, që bashkon emrat e prindërve të mi artistë, të përcjellë traditën e familjes Xhoja.
Ka ndonjë brengë pianistja shqiptare?
Vdekjen e parakohshme të tim eti, që nëse do të ishte dërguar jashtë për mjekim, do të ishte mes nesh sot dhe do të shihte Brindëzin, qytetin e lindjes, nga ku u largua 8 vjeç. Brengë është për mua, motrën e vetme, vdekja në moshë të re e vëllait, Ugos, që nuk shijoi as rininë. Po kështu më dhemb shpirti kur kujtoj se si bashkia e qyteti tim, Durrësit, nxori jashtë shtëpisë sonë arkivin e familjes Xhoja dhe sot, pas 16 vjetësh ende nuk është korigjuar. Është e dhimbshme, që nëna ime, në moshën 80 vjeçare, kur shkon në Durrës, fle tek miqtë e babait. Ndoshta do të korigjohet kjo padrejtësi që i është bërë familjes Xhoja.

Aksinja Xhoja tregon jetën e aktorit të madh të humorit, pas 18 vjetësh nga vdekja

“E vërteta e vdekjes së babait”


Flet e bija e Nikolin Xhojës: Po ta dërgonin jashtë do të ishte gjallë

Blerina Goce


Pas 18 vjetësh, e bija e Nikolin Xhojës hedh dritë mbi vdekjen e të atit të saj. "E kam peng vdekjen e babait tim, që është pasojë e indiferencës së organeve kompetente të asaj kohe. Po ta dërgonin jashtë shtetit dhe ta operonin, babai im do të ishte gjallë akoma tani", thotë Aksinja Xhoja në një intervistë për "Tirana Observer", ku rrëfen kujtimet e saj me të atin. "Fatkeqësia e babai tim ishte që jetoi në një kohë kur Shqipëria ishte e mbyllur hermetikisht", vazhdon Xhoja, teksa rrëfen edhe për periudhën kur babai i saj nuk u lejua të dilte në ekran. "Atëherë kishin burgosur vëllain tim të madh, Ugon, për agjitacion e propagandë, pse kishte thënë që: "Sekretari i parë nuk ka intelektin të drejtojë, sepse është karrocier pa shkollë. Ndaj edhe veprimtaria e babait tim u pezullua për një kohë të gjatë", shpjegon ajo, duke shtuar se e ndjen shumë mungesën e të atit. "Pas vdekjes së tij akoma nuk kam hasur në një shok të sinqertë si ai".
Cila është ajo gjë që ju bie menjëherë ndërmend kur flisni për babanë tuaj?
Alegria e tij, dashuria e madhe që kishte për artin dhe respekti që kishte për njerëzit, pa bërë dallim të pozitës shoqërore të tyre.
Nikolin Xhoja juaj njihet si një nga aktorët më të mirë në Shqipëri. Çfarë do të thoshit ju për për babain tuaj si artist dhe si lindi pasioni i tij për aktrimin?
Për mendimin tim, babai ishte një artist i kalibrit ndërkombëtar. Pasioni i tij për teatrin ka lindur së bashku me të.
Çfarë tipi ishte babai juaj dhe çfarë marrëdhëniesh kishte me kolegët dhe njerëzit që e rrethonin?
Për mamanë time ai ishte bashkëshort ideal, për mua dhe vëllezërit e mi ishte baba i jashtëzakonshëm, për kolegët e tij ishte një shok shumë i mirë dhe i sinqertë.
Kur e keni parë për herë të parë të interpretojë babain tuaj?
Isha rreth katër vjeç, kur e pashë për herë të parë të interpretonte Podgolisenin tek "Martesa" e Gogolit.
Cili rol i interpretuar prej tij ju pëlqen më tepër?
Podgolisenin. Më kujtohet që një kritik rus, pasi pa këtë shfaqje i tha: "Gogoli do të ishte i lumtur po të shihte sa bukur e ke realizuar këtë personazh".
Çfarë kujtoni nga jeta me të?
Mund të them se ndihem me shumë fat, sepse kam lindur dhe jam rritur në një familje të lumtur ku çdo moment delikat babai dhe nëna ime e ekuilibronin me shumë zgjuarsi.
Sa e vështirë ishte për ju të jetonit në familjen e një artisti, aq më tepër në atë periudhë?
Kur ndodhesha brenda mureve të shtëpisë, ndihesha shumë e lumtur, ndërsa jashtë atyre mureve mundohesha të autokontrolloja çdo veprim apo fjalë timen. Babai më kishte këshilluar të numëroja deri në dhjetë me mend dhe pastaj të flisja.
Çfarë marrëdhëniesh kishit me babanë tuaj, baba-vajzë apo shok-shoqe?
Marrëdhëniet e mia me babain tim ishin si baba-vajzë ashtu dhe shok-shoqe. Pas vdekjes së babait akoma nuk kam hasur në një shok të sinqertë si ai. E ndjej shumë mungesën e tij. Tani shoqja ime më e mirë është Marilyn, vajza ime.
Flitet se, përveç aktor i madh, babai juaj ka qenë edhe njeri i humorit. Cila është batuta më e fortë që ka thënë ndonjëherë babai juaj?
Po të filloj të tregoj ato që më kujtohen, mbushen shumë faqe. Një herë babai ishte duke interpretuar "Qasim Mulletin" në teatër dhe në atë moment po thoshte monologun, duke mbajtur një cigare të ndezur në dorë. Pa pritur në skenë hyn një polic i rendit publik dhe i thotë babait: "Shoko, ma jep ta nez i herë?" Babai ia ndezi duke i thënë: "Urdhëro ndize dhe dërgoi të fala Duçes nga ana ime".
Cilët ishin miqtë më të afërt të tij?
Ai i konsideronte të gjithë kolegët e tij si miq të afërt. Kur mbaronin provat në teatër shpeshherë të gjithë si ishin, vinin në shtëpinë tonë dhe, duke krijuar një atmosferë shumë të këndshme vazhdonin provat.
E kishte mik babai juaj Albert Vërrinë ashtu si në filmin "Kapedani"?
Edhe pse jetonin në qytete të ndryshme, babai e ka ruajtur shoqërinë dhe lidhjen miqësore me Albert Vërrinë.
Sa i vlerësuar është ndjerë babai juaj në Shqipëri, si aktor dhe si njeri?
Babai im e ndiente veten mjaft të vlerësuar si aktor, sepse vlerësonte ngrohtësinë dhe dashurinë që spektatorët shprehnin për të, gjithashtu e ndjente veten të rrethuar nga miq të vërtetë dhe kjo u pa në varrimin e tij. Me gjithë urdhrat që vinin nga Komiteti i Partisë për të ulur arkivolin përpara teatrit, shokët dhe kolegët e tij me shumë guxim e dashuri vazhduan ta mbanin në krah deri në varreza. Të gjithë njerëzit që gjendeshin përkrah rrugës duartrokisnin pa pushim.
Mendoni se në kushte të tjera babai juaj do të ishte bërë edhe më i njohur se sa është sot?
Sigurisht, fatkeqësia e babai tim ishte që jetoi në një kohë kur Shqipëria ishte e mbyllur hermetikisht, nuk pati mundësi të bashkëpunojë me teatrot e vendeve të ndryshme dhe nuk ka lënë shumë filma.
Përse për njëfarë kohe ai nuk po dilte në ekran? Pse u dënua babai juaj?
Babai im dhe nëna, për një kohë të gjatë nuk dolën në ekran e u pezulluan veprimtaritë e tyre, sepse atëherë kishin burgosur vëllain e madh të timin, Ugon, për agjitacion e propagandë, pse kishte thënë që: "Sekretari i parë nuk ka intelektin të drejtojë, sepse është karrocier pa shkollë".
Kë keni takuar në atë kohë të largimit nga ekrani dhe të dënimit të babait tuaj dhe çfarë ju ka thënë në lidhje me këtë?
Shumë nga shokët dhe kolegët vazhduan ta frekuentojnë, por disa të tjerë kthenin kokën në anën tjetër të rrugës kur shihnin babain për të evituar përshëndetjen.
Ruani ndonjë gjë të veçantë nga babai juaj dhe nga jeta që keni kaluar me të?
Më ka dhuruar mësimet më të çmuara të jetës që më kanë vlejtur më shumë se 16 vjet shkollë në Shqipëri, 3 specializime në Itali, 2 në Angli dhe 1 në Francë. Ai më thoshte: "E rëndësishme në jetë është dituria dhe jo pasuria".
Si e kujtoni babain tuaj në vitet e fundit të jetës? Kishte diçka që i mbeti peng dhe nuk mundi ta realizonte?
Babait i kishte ngelur peng që nuk kishte realizuar ëndrrën e tij të takimit me të atin në Itali. Ndërsa unë kam peng vdekjen e babait tim, që është pasojë e indiferencës së organeve kompetente të asaj kohe. Po ta dërgonin jashtë shtetit dhe ta operonin, babai im do të ishte akoma gjallë tani.
Kur e keni takuar për herë të fundit babanë tuaj? Nga se dhe si është ndarë nga jeta ai?
Babai vdiq nga "cerosi epatica", pasi vuajti për tre vjet me radhë.
Ju sot jeni një pianiste e shkëlqyer. Sa ka ndikuar babai juaj në zgjedhjen që keni bërë?
Çdo gjë që kam arritur deri tani unë ia dedikoj babait dhe nënës sime, të cilët më kanë mbështetur gjithmonë dhe më kanë ndenjur shumë pranë për të realizuar ëndrrat e mia. Pas çdo koncerti, kur më sjellin lulet unë i them që këto lule janë për babin dhe për nënën time.
Mund të na tregoni diçka për jetën tuaj në Itali?
Jetoj në Itali që prej 16 vjetësh, kam një vajzë 13 vjeçe, Marilyn, që ka filluar të luajë në piano që në moshën 3-vjeçare. Jam e martuar me Marcello Scardicchio, së bashku kemi hapur qendrën e prodhimit televiziv e kinematografik, si dhe agjencinë artistike "Xenia", ku realizojmë dokumentarë, filma artistikë, spektakle të ndryshme si dhe master class për aktorë dhe regjisorë pranë studios "Nikolin Gioia (Xhoja)" në Brindisi. Nëna ime, Meropi, prej viteve 1991 jeton me ne në Brindisi, sepse Bashkia e Durrësit në mungesë të saj e morën shtëpinë dhe jemi akoma në pritje për të marrë shtëpinë e re. Mamaja ime ka shumë dëshirë e mall për të jetuar në Shqipëri, por kjo varet nga Bashkia e Durrësit. Unë vazhdoj jetën koncertale në Itali, Angli, Francë, luaj me orkestrën simfonike "The virtuosi of London" si soliste dhe vazhdoj të jap mësim pianoje, kanto dhe histori muzike në Akademinë e Baletit "Tersicore"e Antonella Di Lecceqe është filiale e Akademisë Internacionale të Montekarlos.
Kishte ndonjë pasion tjetër të veçantë përveç aktrimit babai juaj?
Im atë kishte pasion të veçantë muzikën, këndonte dhe luante në kitarë e në fizarmonikë.

PASAPORTA

Emri: Nikolin
Mbiemri: Xhoja
Vendlindja: Brindisi, Itali
Viti i lindjes: 1924
U nda nga jeta më 27 tetor 1987
Ka filluar të interpretojë që me grupet amatore në Durrës dhe është ndër aktorët e parë të teatrit "Aleksandër Moisiu".

Role: Teatër: "Prefekti", "Revizori", "Martesa", "Komisari Memo", "I sëmuri për mend", "Tregtarja e antikuarit" etj.
Filma: 1967, "Horizontet e hapura"; 1970, "Kapedani"; 1975, "Çifti i lumtur"; 1976 "Thirrja".
I nderuar me titullin "Artist i Merituar", më vonë me titullin e lartë "Artist i Popullit", Xhoja ka marrë edhe shumë çmime, urdhra e diploma të tjera.

Një histori dashurie me letra

Për gruan e Nikolinit, Meropinë, ai ishte bashkëshorti ideal. "Në vitin 1944, babai ndodhej me brigadën e tretë sulmuese në ndihmë të Kosovës dhe i shkruante letra nënës së tij, Parashqevisë, por ajo, meqë nuk dinte të lexonte thërriste mamanë time, e cila kur shkruante përgjigjet shtonte një frazë: "Të përshëndes nga larg Meropi", tregon Aksinja për historinë e njohjes së babait të saj, Nikolinit me të ëmën. "Kur babai u kthye nga lufta ata u dashuruan dhe u fejuan. Ndërkohë, mamaja ime kishte filluar aktivitetin artistik; ajo është njëra nga gratë e para që kanë luajtur në skenat e Durrësit".

Origjina italiane e Xhojës

Nikolin Xhoja do ta vuante origjinën italiane të tij. "Ai nuk mundi ta takonte para vdekjes babain e vet, Teodorin, dhe kjo i mbeti peng", thotë Aksinja, duke shpjeguar trungun familjar dhe origjinën italiane të të atit. "Babai im ka lindur në Brindisi - Itali në vitin 1924. I ati i tij, Teodor Gioia (Xhoja), ishte nga Brindisi, Parashqevi Bushi ishte nga Durrësi. Mbiemri i babait tim, Gioia, në italisht do të thotë "gëzim - lumturi - hare". Në moshën 8 vjeç babai me nënën e tij u kthyen në Shqipëri për të ndihmuar familjen e saj. Në Shqipëri mbiemrin italian "Gioia" e përkthyen me germa shqip, Xhoja. Familja jonë përbëhej nga babai, nëna, Ugo, Aleksandri dhe unë".

TO - Qershor 2005



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora