E shtune, 20.04.2024, 02:46 PM (GMT+1)

Kulturë » Berisha

Sejdi Berisha: Kur poezia bëhet Feniks i qëndresës, i pathyeshmërisë dhe i përjetësisë

E merkure, 23.08.2023, 07:55 PM


Libra që nuk harrohen

KUR POEZIA BËHET FENIKS I QËNDRESËS, i PATHYESHMËRISË  DHE I PËRJETËSISË

(Prend Buzhala: "O Amë, o Amë", poezi - botoi Klubi letrar "Vorea Ujko" 1995 – Klinë)

Jo rrallë, por shumë shpesh, krijimtaria artistike kuptohet, shpjegohet, interpretohet dhe lë porosinë tek secili në mënyrën e vetë, pra edhe poezia. Te krijimtaria Prend Buzhalës, respektivisht në librin e tij të parë të nismës së mbarë të rrugëtimit krijues të këtij krijuesi me vlera të veçanta, "O Amë, o Amë", që në fillim na preokupon dhe zgjon kureshtjen diçka tjetër. Së pari, ngase poezia e tij tregon për përvojën e e vargëzimit të thellë filozofik, për peshën dhe tingëllimën e mesazhit, për formën e  shtruarjes dhe të shtjellimit të krijimtarisë artistike letrare me ngrohtësinë shpirtërore. Dhe e dyta. Dallohet me shprehjen dhe shtresimin poetik, i cili përshkohet me të bëmat, kohën dhe vendin kur poezia bëhet feniks i qëndresës, pathyeshmërisë  dhe i përjetësisë.

Nga Sejdi BERISHA

Kur këndimi poetik bëhet memorie e pavdekshme e njerëzores

Nga kjo del se, Prend Buzhala, mëton që vargun dhe vullkanin që shpie nëpër të si nëpër birë  të gjilpërës, t'i bënë memorie të pavdekshme të  njerëzores, si thotë Borhes për librin.

Vetë titulli i librit të këtij krijuesi, na bën të kuptojnë se autori i ka hyrë një pune që ka kuptim të thellë të mendjes dhe të lërimit filozofik, por edhe metaforë, nga e cila me siguri se kurrë më nuk do të dalë. Ngase, kjo është rrugë e gjatë e labirint nga i  cili nuk mund të ndalesh, por as nuk mund të kthehesh prapa, sepse:

"Mos vë mure në mes të së vërtetës dhe së bukurës,

Kur ta kundrosh jetën, shikimi do një  shqetësim",

Kështu thotë autori që në fillim dhe kështu e vë në spikamë shqetësimin për jetën, për njerëzoren përgjithësisht. Andaj, duke hyrë thellë e më thellë në botën e poetit, ballafaqohemi, por nëse doni, edhe përqafohemi me individualitetin, vargëzimin e posaçëm, që unë do të thosha, mirë është të lirohemi nga format dhe konceptimet tradicionale, qofshin ato edhe më të qëlluarat. Këtë gjë, si begati të krijimtarisë, e hasim te libri "O Amë, o Amë".

Samjuel Smajls, në librin "Mbi karakterin" thotë se "atij që  nuk i rrah zemra për fëmijën e tij, ai nuk mund të ketë dashuri të vërtetë as ndaj njerësisë dhe as ndaj njerëzores". Pra, poetit Prend Buzhala, jo vetëm që i rrah zemra për dheun e kësaj toke, por ai di t'i "takojë" edhe ngjarjet, di të shprehë e ta ngritë zërin, i cili dëshiron të mos jetë vetëm i tij kundër të këqijave, kundër tragjedive, që në asnjë moment nuk e ligështojnë as atë, por as popullin që i takon, por, përkundrazi, i bën edhe më stoikë, ua ngrit vetëdijen në piedestalin e diellit, të dritës, por që tok sjell vërejtje e  porosi. Të parën për një  kategori, ndërsa të dytën për të gjithë:

"...Amë e Frymëlindjeve:

i njeh trajtat e vdekjeve e të krimeve, trajtat e varreve,..,

njeh vrasjen pas një pusie në rrugën për Janinë,

njeh vrasjen pas një qosheje të errët diku në Bari,

e njeh vrasjen e  njeriut që s'don të  lidhet, diku në Shpellë."

(Poezia: "Amë e Frymëlindjeve që njeh vdekjen e ardhur pas kryerjes së Detyrës ndaj jetës").

Shkrimtari, publicisti dhe studiuesi, Prend BUZHALA

Pesha e shprehjes poetike që obligon të ecësh krah për krah me poetin...!

Është kjo formë e shprehjes poetike, e konceptuar zjarrmishëm dhe reshur me metaforë, që  rrallë apo hiq,  kështu, e hasim tek krijuesit në letrat tona. Me këtë dua të them se, autori i librit me këmbëngulje ka nxjerrë  porosinë dhe mesazhin e fortë përmes kësaj forme, edhe pse në fillim ndoshta lexuesit të rëndomtë i duket e vështirë, por ajo josh dhe obligon të ecësh krah për krah me poetin, ashtu siç është ai, i tensionuar. Këtë e vërejmë kudo në këtë përmbledhje poezish:

“Amë e  Gjëmimeve që i çel plagë bebëza e syrit,

për trembëdhjetë vjeçarin e mbytur me kërbaç xhandari,

Oh, Amë e hesperëve të moçëm, Amë Dritëshpërndarëse,

çou ligjëro për dyzet mijë fatosa pa abetaret e rrëmbyera,

për vashën e arrestuar në ushtri e milici...",

ose:

"...për gjakun në dysheme këmishat e përgjakura,

për kthinat e burgut pa dritë...

për Nënën e burgosur, të  ndarë nga fëmijët.

Amë e  Travajave të jetës në rrufetë  e durimit në ballë."

(Poezia: "Ligjëro, Amë Dheut, me rrufetë e durimit në ballë").

Fjalë e shkurtër e paraqitur me rastin e promovimit të librit “O Amë, o Amë” të autorit, Prend Buzhala,  në Krushevë të Vogël të Klinës, me 19 shtator 1997

Miq të nderuar,

Krijues e punëtorë të kulturës,

Ndodh që edhe kështu të tubohemi, për t'i bërë nderë vetvetes, duke përkujtuar njerëzit që kanë bërë e bëjnë dritë në tokë e në qiell.

E tillë është Nëna Terezë, bija, në damarët e të cilës qarkullonte gjaku i këtij dheu, e cila dot nuk e harroi dhe as nuk e nënçmoi tokën në të cilën u lind. Edhe pse, qysh në vegjëli, u nis në rrugën që, thënë sinqerisht, nuk dihej se kah do ta shpinte, shpirti i saj i udhëhequr me ndërgjegjen e pastër njerëzore e me  Zërin e Zotit, u bë  mbështetje e pa rrënuar e të gjithë njerëzve të shpresës së mirë, u bë dritë e diell e të gjithë atyre që  gjendeshin në zgripcin e jetës, në pragun e territ, në prangat e skamjes.

Sa thjeshtë e konsideronte jetën, po aq ajo atë ua bëri të madhe e të vlefshme të tjerëve. Nëna të tilla nuk lindin shpesh dhe, ato mund të rrjedhin vetëm nga damarët e  tokës bujare, por edhe të zemëruar, siç është toka shqiptare, siç është Kosova.

Mendoni se nuk ka dhimbje e nuk i ka mbetur syri këtij dheu, që nuk mund të prehen këtu eshtrat e hijes së saj. Po, me siguri se po!

Bile, këtë e ndien secili njeri ynë në zemër, në shpirt e në rrjedhën e gjakut nëpër damarët e trupit. Por kjo bëhet e durueshme, sepse jemi mësuar, ndërsa, kësaj toke, arsyen ia flladit edhe shenjtëria e Nënës Terezë, sepse, vepra e saj e kapërtheu tërë botën. Ani, se vërtet ishte e bekuar dhe, me bekimin e saj le të përqafohen e ta çlirojnë shpirtin tërë njerëzit.

Nuk jemi fanatikë, por edhe ashtu është, ajo ishte dhe është nëna jonë, ishte dhe mbeti Nënë e botës. Sa madhështi, por që, disi shtrëngon shpirtin. Nëna Terezë, ishe dhe mbeti diell e shpresë e njerëzisë, mburrje e bijë, hise e secilit njeri.

Do ta përfundoj këtë fjalë të shkurtër me thënien, e cila gjendet e shkruar në murin e Shtëpisë së fëmijëve në qytetin Shishu Bhavani të Indisë, e themeluar nga Nëna Terezë: "...Nderi dhe sinqeriteti do të të bëjnë të lëndueshëm, s'është me rëndësi. Bëhu i ndershëm dhe i sinqertë"!

Ju faleminderit!

(Sejdi BERISHA)

Historia e kësaj toke është e begatë; ka plot florinj, ka dritë, ka edhe qelb e pleh, ka edhe tmerr e llahtari, gjëra këto që e trazojnë shpirtin e krijuesi...!

Historia e kësaj toke është e  begatë. Ka plotë florinj, ka dritë, por ka edhe qelb e pleh, ka edhe tmerr e  llahtari. Këto të fundit trazojnë shpirtin e poetit pikërisht se "shikimi do shqetësim", e sidomos  ngjarjet që ai, sikurse të  gjithë ne, i përjetoi, por ai pak më ndryshe dhe si të tilla fuqishëm i përjetësoi në vargje:

"shko përballë Vatrës na ligjëro me gjuhë të  zjarrtë...

më të dashurit t'i vranë në Protestën e  Dygishtave,

I pari kishte tre plumba midis sysh,

që me sytë e tij të hapen shtigje kah udhët e lirisë",

dhe për ta forcuar këtë edhe më  shumë:

"...I dyti qëndronte i shtrirë me pesë plumba në kraharor,

që në kraharorin e tij të marrin frymë baladat, bimët, ujërat

(Poezia: "Afrohu te Vatra, Ti Amë e Lirisë me plagët në ballë").

Vargjet e tilla jo vetëm se reflektojnë fleksibilitetin e autorit për të shtruar temën thekshëm e intelektualisht, por tregojnë edhe për diapazonin e gjerë kulturor e filozofik për rezistencën dhe fitoren!

Këtu vërejmë një strukturë të qëlluar e të  mirëfilltë të  pjekurisë poetike. Bile-bile, ecjen tonë plot përplasje, poeti e avancon duke i përcjellë me plot mllef të bëmat që na rrethojnë e që rrallë ndonjë populli ia kanë rënduar supet sikurse neve. Ja, se si e përfundon ai poezinë:

"Amë e Muzave të Jetës, bebëza e syrit të Dheut të  lëndohet,

kur lirinë e blasfemojnë dhe e  rrethojnë":-

"...Sa shekuj po na përcjell  Amë e Urtisë, e Vetëpërmbajtjes:

të durosh do të thotë të krijosh Kohën e Re".

Pra, edhe autori edhe këtë e ka si vargonj të jetës, të cilëve nganjëherë i hiqen hallkat, e nganjëherë  u vihen hallkat e reja.

Pra,  Prend Buzhala, përpëlitet me jetën, apo, nëse doni, edhe me tragjiken që ndodh brenda nesh, përbrenda njeriut. Për këtë  arsye, poezia e tij merr frymë më fuqishëm dhe më hidhërueshëm, që është si drita e kuqe për ngritjen e vetëdijes, të tërë asaj që  është njerëzore. Sepse, këto dhe shumë gjëra të pahijshme e kanë ngulfatur frymëmarrjen, e kanë  errësuar diellin:

"...Është një  vajzë që po matet: a të ikë nga shtëpia apo të vrasë veten. Askund strehim as ngushëllim nuk gjen. Dashurinë ia kanë vrarë duke e fejuar përdhunshëm" (Poezia: "Mirëkuptim për dashuritë  tragjike, Amë e  Mëshirës së plotë Njerëzore").

Librin e “vërshon” fjala Amë, që autori e "keqpërdor" për ta zgjidhur nyjën e jetës, për ta korrigjuar historinë, për ta bërë pjesë të shpirtit urtësinë, mirësinë, por edhe për t'i flakur të gjitha të këqijat e ligatinat që na rrethojnë. Në saje të kësaj, poeti ka arritur që zbusë sado kudo vrapin e lotëve - kohën e cila qan pse është para nesh.

Duke mos folur për strukturën e poezive as të vargëzimit, vlen të theksojmë se, Prend Buzhala, me librin "O Amë, o Amë" ka dhënë kontribut në pasurimin e letrave tek ne dhe ka hapur rrugëtimin  e ndritur të punës dhe të krijimtarisë së tij dhe jo vetëm.... Ka ngritur zjarrminë poetike me formën e posaçme të konceptimit poetik dhe me detyrimin e lexuesit për t'u integruar në kopshtin apo vullkanin, njësoj, të këtij poeti, krijimtaria e të cilit është  plot sy e vesh, plot pësim për mësim!

Ernest Koliqi, thotë: "Njerëzit e mirë janë të dënuar me u ngujue në vetmi. Në të  vërtetën, s'kanë as miq as shokë, por ndjekësa e armiq". Nëse është për t'i besuar, atëherë, autori i librit "O Amë, o Amë", është  “ngujuar” në plasaritjen e kësaj toke për përspjetje në bashkim, "ndjekës e armiq" i ka vargjet në kërkim të diellit...!

Krushevë e Vogël, më 21.01.1997



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora