Kulturë
Flet regjisori dhe aktori Llesh Nikolla
E shtune, 18.03.2023, 06:54 PM
Flet
regjisori dhe aktori Llesh Nikolla: Nuk harroj emocionet para Pirro Manit, Esat
Oktrovës, Viktor Zhustit, Timo Fllokos, Dhimitër Anagnostit
- Nga rolet e mia unë do veçoja rolin tek filmi “Dhimbja e
dashurisë” një telenovelë e TVSH me regji të Ylli Pepos.
- Isha plot emocion kur realizova regjinë televizive për TVSH në
Festivalin e Gjirokastrës në vitin 2009.
- Në jetën studentore nuk harroj kurrë pedagogët e mi Vera Zheji
dhe Viktor Zhusti
-Në vite TVSH ka qenë një lokomotivë e fuqishme, por tashmë po
ecën me marshin e parë
-Nga 10 rolet në film veçoj “Dhimbja e dashurisë”, një telenovelë
e TVSH me regji të Ylli Pepos.
- Në TVSH nuk duhet të ketë vend për sekserë dhe matrapazë.
-Nga TVSH kanë dalë pesonalitete të të gjitha fushave.
Intervistoi:
Albert Z. ZHOLI
Ai
ka disa muaj që ka dalë në pension, por kurrsesi se quan veten pensionist. Ai
punon me atë ritëm sikundër ishte regjisor pranë TVSH. Punëtor dhe i heshtur.
Ecën në rrugët e Tiranës gjithmonë me këmbë duke tymosur, a thua se tymi i
cigares i nxit më shumë mendimin në krijimtari. Askush që e shikon në këmbë ecjen
e tij s’e merr me mend që ky njeri ka mbi vete, 10 role në kinematografi, 10 në
teatër, regjisor dhe moderator i 170 Festivaleve Kombëtare të zhanrit popullor,
1500 orë transmetime spektaklesh dhe emisionesh në TVSH, autor i 50
dokumentarëve dhe më tej… Zëri i tij i metaltë, kumbues, i qartë, përbën një
ndër vlerat artistike që ka tërhequr vëmendjen e regjisorëve dhe drejtuesve të
spektakleve ndaj, Lleshi nuk ka kohë për të qenë i lirë. Shtëpi të parë ka
zyrën në TVSH, ku e gjen deri në mesnatë, ndërsa orë pushimi ka vetëm 6 orëshin
e gjumit, në një shtëpi me qira në periferi të Tiranës. Serioz, korrekt,
këmbëngulës, vizionar në 10 vjet punë në TVSH, atij i dhemb ky gjigand i
gazetarisë fonike dhe vizive shqiptare, që ka shërbyer si “metalurgji” për gjithë
televizionet dhe radiot e reja shqiptare post-komuniste, ndaj në këtë
intervistë jep mendimet e tij për moderimin e tij…
-Keni disa muaj në pension. Si
është ritmi i jetës dhe i punës tashmë për Lleshin? A ndiheni pesimist apo pa
vëmendje prej personaliteteve të artit?
-(Qesh).
Unë mbase kam dalë “De jure” por jo “De facto” në pension. Unë punoj me po atë
ritëm, pasi kam shumë aktivitete, festivale, apo filma dokumentarë ku jam i
ftuar si regjisor, aktor, apo edhe si moderator. Ndoshta më mungon drejtpërsëdrejti
TVSH, por unë dhe me të jam në çdo hap të jetës, pasi bisedoj me shokët dhe
shoqet, takohem, shkëmbej ide dhe mendime. Në art kush do nuk e njeh pensionin,
pasi vitet janë thjesht një numër për një artist me objektiva.
- Nëse vijmë në vitet e rinisë? Vite të vrullshme. Ju shkuat në
konkurrim për në Akademinë e Arteve pas një sërë aktivitetesh masive në
Mirditë, pra si aktor, drejtues aktivitetesh masive, edhe pse ishit i ri. Kush
ishte në juri, kur ju konkurruat dhe çfarë interpretuat? Po emocionet?
Vitet
e rinisë mbeten të arta, që i kujtoj me mall. Janë vite të tëra larg që më
vijnë të freskëta. Unë vija dhe kisha një eksperiencë, por kur mendoja se kush
do ishte në Juri emocionet të kapnin vetiu. Juria përbëhej nga Pirro Mani, Esat
Oktrova, Viktor Zhusti, Timo Flloko, Dhimitër Anagnosti, etj. Emra të mëdhenj,
përgjegjësi e madhe. Unë i shihja në filma këta njerëz dhe më dukeshin tjetër
brum, të mëdhenj në heshtjen e punës së madhe. Ishin disa pjesë që unë
interpretova, si poezi, tregimi humoristik, tregimi poetik, monolog. Kisha disa
pjesë të ndryshme nga autorë kosovarë dhe vendas. Të gjitha këto pjesë kishin
ngarkesat e tyre emocionale si pjesë plus dhe faktin se ishe përballë një Jurie
tepër profesionale dhe serioze, që nuk bënte kompromis. Unë pas pak hezitimi në
sekondat e para, hyra në magjinë e pjesëve duke u bërë një me të. Sigurisht
fitova dhe isha ndër më të mirët. Gjatë shkollës kam luajtur disa role që nuk
kanë lënë gjurmë në karrierën time, por dua të theksoj se vija nga trupat
amatore me një bagazh të madh ku në shumë aktivitete në Mirditë kam luajtur
role kryesore nga Etydi e me radhë. Shkolla nuk të jep talentin, por të jep
rrugët. Shkolla është atmosferë. Të jep kulturën e përgjithshme dhe të jep
bazat se ku duhet të ecësh në shinat e regjisë apo të aktorit.
- Flitet shumë për shkollën shqiptare të aktrimit…Si do ta cilësonit
shkollën shqiptare të aktrimit në regjimin komunist?
Shkolla
jonë ishte nga më të mirat në Ballkan, me kërkesa të mirëpërcaktuara
profesionale dhe me objekt të orientuar ndaj mësimit për studentët. Kishte orar
të përcaktuar, por edhe ambiente ku studentët mund të studionin apo të bënin
prova deri në mesnatë për rolet apo mësimet e mara. Kishte një organizim të
përsosur. ishte një shkollë që të kultivonte dashurinë për artin, për të njohur
të panjohurat e mëdha të këtij arti që mbërthen botën e qytetëruar.
Një Akademi ku ata që përbënin
themelin ishin pedagogët. Si do t’i cilësonit pedagogët tuaj dhe cilët do të
veçonit ndër ta?
Të
gjithë pedagogët tanë ishin të lexuar, të ditur, plot surpriza. Ata dinin gjuhë
të huaja dhe kishin studiuar jashtë. Por unë do përmendja pedagogun e fjalës
artistike Viktor Zhustin dhe Vera Zhejin. Këta të dy për mua janë të
papërsëritshëm. Në përgatitjen e recitimit të poezisë, Zhusti mbetet unik,
largpamës, plot ide dhe me një komunikim mbresëlënës. Ai na jepte ato mënyra
komunikimi se si duhej të mbërrinte në mënyrë të arrirë poezia tek spektatori.
Nuk e di pse nuk vazhdon ende të jap mësim, por vazhdon ende më shumë në
teatër! Nga ana tjetër Vera Zheji më ka ndihmuar shumë, pasi unë kisha një
vokal të ngrohtë që ajo e vlerësonte. Vera punonte mbi baza shumë profesionale,
sepse dinte të kapte të veçantat e çdo zëri. N. q. s do shikosh regjistrimet e
mia të poezive në vitin 1981, do shikosh se nuk kam ndonjë ndryshim të madh,
pra nuk do shikosh transformim drastik. Kultivimi i zërit si recitues,
interpretues i poezisë ka dhe ndihmën e kësaj pedagogeje. i jam mirënjohës.
Koha ecën, ka zhvillime,
transformime, tekste të reja, pedagog të rinj. Po sot shkolla e aktrimit a ka
të njëjtin nivel?
Nuk
e kam ndjekur, por besoj se nuk ka ndonjë ndryshim të madh. Por ajo që dua të
them shikoj se sot ka një superprodhim të regjisorëve dhe aktorëve kur tregu
ynë është shumë i ngushtë. Pra po krijohen “viktima” në thonjëza, pasi dihet
tregu ynë sa mban. Ekuilibrat e prodhimit janë të domosdoshëm në një shoqëri me
treg të hapur, pasi prishen balancat në kurriz të cilësisë.
Cili
është roli i parë juaj në kinematografi dhe kush ju ofroj rolin?
Kur
isha student kam lozur rolin e parë tek “Besa e kuqe” por nuk ishte ndonjë rol
mbresëlënës. Një rol i vogël pa ndonjë ngarkesë të madhe. Nga rolet e mi unë do
veçoja rolin tek filmi “Dhimbja e dashurisë” një telenovelë e TVSH me regji të
Ylli Pepos. ishte një rol që befasoi dhe mua dhe kolegët pasi ishte ndryshe nga
natyra ime. Por Pepo guxoi dhe më dha një plan tjetër që unë e kalova me
sukses. Ky rol ka qenë dhe mbetet shtrati i roleve të mia kinematografike.
Ke ndonjë peng për ndonjë rol
të veçantë?
Jo!
Shumë herë pas viteve 1990 regjisorët, përzgjedhjen e roleve ja kanë lënë
sipërfaqes se sa brendësisë. Aktori shpesh herë merret pa kinoprovë të rregullt
dhe me baza njohjeje. Kjo mënyrë oferte është e dëmshme për të dyja palët.
Po në teatër, cilat ishin rolet
që ndani ende emocione të veçanta?
Në
teatër kam lozur deri në vitin 1992 në teatrin e Peshkopisë ku kam qenë
regjisor dhe aktor. Kam disa role aty, por në ato kohë shumë gjëra dhe nuk
filmoheshin. Unë në ato role veçoj rolet tek dramat “Shënomëni dhe mua’, “Pas
martesës”, “Zjarrvënësit” “Jo të gjithë hajdutët vijnë për të vjedhur”. Por pas
vitit 1992 unë u mora vetëm me spektaklet, pasi e tillë erdhi situata.
Megjithatë, e ndiej se për teatër kam ende fuqi, kam emocion të brendshëm. Kam
të gjithë potencialin emocional për ta ndërtuar një rol më së miri.
Si do ta cilësonit ndryshimin
mes teatrit dhe filmit?
Teatri
është arti i elitës. Jo se dhe filmi nuk është i tillë, por teatri, është live,
me imazh të cunguar por me forcë emocionale të drejtpërdrejtë. Sot teatri ka
marrë një formë tjetër, nga ana regjisoriale, rolet aktoreske, dhe përcjellja
në skenë. Fuqia e teatrit është e madhe pasi nxjerr në të vërtetë fuqinë e
interpretimit të aktorit. Ndërsa filmi ka më shumë imazh. Teatri emocionet i ka
të fuqishme, të drejtpërdrejta, që do një përqendrim, intuitë, mobilizim
maksimum. Teatri nuk lejon përmirësim.
Keni qenë për 15 vjet punë si
regjisor spektaklesh dhe emisionesh në TVSH. Si do t’ia përcillnit lexuesit
këtë përvojë?
Unë
erdha në TVSH me plot dëshirë. TVSH ka regjinë skenike, atë televizive, ka
dramën brenda. Çdo emision ka të veçantat e veta ndaj është dhe drama brenda.
Çdo realizim skenik apo emision ka pikën e zgjidhjes, që ti duhet ta realizosh
me profesionalizëm. Këtu duket aftësia e regjisorit. Si në dokumentar,
telereportazh, në spektakle, gjatë montazhit duhet të gjendet kjo pikë për të
përcjellë qartë mesazhin. Unë erdha me këtë synim në TVSH që të gjitha gjinitë
e artit viziv t’i realizoja me këtë frymë, me këto ide. Gjatë këtyre 10 viteve
unë kam jetën më të mirë artistike. Diku e cekëm se në TVSH unë kam 1500 orë
transmetimi, nga këto rreth 40% janë direkt nga sheshet, studio apo ambiente të
ndryshme. Kam rreth 50 filma dokumentarë apo reportazhe. Dokumentari sot është
vepër artistike.
-Nga dokumentarët kë mund të
veçosh për tematikën dhe vlerësimin nga kritika?
Janë
disa që disa herë nuk më bëhet t’i veçoj, por sipas kritikës më të arrirë janë
dokumentarët për “Besim Zekthi” dhe “Anton Çeta”, “Shkurte Fejza” etj.
Ju në filmat që keni realizuar
jeni dhe skenarist?
Në
përgjithësi të gjithë regjisorët janë dhe skenarist. Rrallë ndodh e ndarë.
Është e vështirë bashkëpunimi skenarist-regjisor pasi regjisori e ka brenda tij
veprën, idenë e realizmit, imazhin, mendimin, zhvillimin e situatave, figurën e
personazhit, personazheve. Në këtë këndvështrim disa herë nuk mund të bashkohet
qartazi koncepti i regjisorit me atë të skenaristit. Pra për mendimin tim, ose
duhet të jesh bashkë skenarist, ose duhet ta realizosh vetë dhe këtë pjesë.
Fjala është e vdekur pa imazhin, pa gjetje në dokumentar.
Spektaklet janë pjesë e pandarë
e jetës suaj artistike. Përse keni këmbëngulur më shumë në këtë gjini arti?
Pas
teatrit unë e kisha idenë e realizimit të spektakleve. Doja të përkushtohesha
me të. Spektakli është një mrekulli pasi aty përmblidhen gjithë zhanret: aty
është vallja, kostumet, veshjet e veçanta me zbukurime, koncerti fonik, veglat
e shumta muzikore, janë kabatë, vallet e kënduara, muzika popullore, thesaret e
popujve në shekuj, recitimet. Deri në moshën 30 vjeç nuk kisha dëgjuar shumë
për muzikën dhe këngën e trashëguar popullore, për folklorin tonë të shenjtë që
janë thesare të paimagjinueshme. Këtu u njoha me folkun e madh shqiptar duke
filluar nga Presheva deri në Konispol. Gjeta dhe pashë nga afër shumë treva,
këngëtarë, valle, në spektakle me mbi 1000 pjesëmarrës. Kur e mendoj se janë
130 spektakle me një pjesëmarrje të tillë nuk më besohet. Por do të veçoj dhe
regjinë televizive që kam bërë në TVSH në Festivalin e Gjirokastrës në vitin
2009. Vlerat e këtyre spektakolare janë të magjishëm, plot frymë dhe ndjenjë
patriotike. Këto janë prurje nga thesaret popullore. Folklori nuk ka autorësi,
autori është populli. Folklori ka lindur pa autor. Folklori është i virgjër
ndaj dhe pëlqehet. Kur e merr dhe vë dorë specialisti ahere ai humbet
virgjërinë, por merr përmasa të tjera.
Tek këngët folklorike
mbizotëron tematika patriotike?
Për
shumë vite kanë mbizotëruar këngët patriotike, që lidhen me problemet e trojeve
tona. Kjo lidhej kryesisht me Kosovën, e cila për shekuj ka qenë nën shtypjen
serbe. Por tashmë tani këto këngë kur shumë probleme janë sheshuar, këngët më
të kërkuara janë ato lirike. Folklori dramatik përcjell këngët patriotike, që
mbizotërojnë në Labëri dhe Malësi.
Kaq vite në TVSH! Thuhet është
zbehur ky gjigand, thuhet ka rënë audienca! Kush ka qenë për ju TVSH dhe çfarë
duhet të ndryshojë këtu, në shtëpinë tuaj të parë?
Për
15 vjet unë TVSH e kam pasur, por edhe e kam shtëpi, e kam studio, e kam
familje. TVSH është një lokomotivë gjigante, por që deri tani ka ecur me
marshin e parë. Ka vite që nuk e merr ecjen e duhur për shumë arsye. Në TVSH
për këtë gjendje ka fajtorë pa faj. Sot çdo gjë matet me shikueshmërinë. Ne sot
kemi televizione private, që janë ndër më të mirat në Europën Juglindore, të
cilat e kanë lënë në hije TVSH. Kush është arsyeja? Profesionalizmi, programi?!
Dhe për çudi, të gjithë që drejtojnë emisionet në televizionet private shumë
kanë dalë nga kjo shkollë e TVSH. Por nga ana tjetër e them me bindje se TVSH
është në kohë që ta ndërrojë këtë marsh. Të ecë me marshin e dytë ose të tretë.
Mundësitë janë të gjitha. Ju siguroj se, nëse ekipi i ri që ka ardhur do
zbatojë Platformë profesionale do ta marrë veten. Profesionalizimi duhet
shoqëruar me idealizëm. Ky idealizëm duhet shoqëruar me strukturë programore të
mirë përcaktuar ku të mos ketë vend spontanitetit. Aty ku ka vend spontaniteti
fillon dhe amatorizmi, ose fillon “biseda dyshe me tre vetë”. Reforma e re me
strukturë organizative dhe programore të qartë do të thotë një vizion i ri, një
përthithje e vlerave që ka TVSH. Këtu ka intelektualë që kanë punuar gjithë
jetën dhe që kanë një eksperiencë të jashtëzakonshme, që duan t’i vënë në
shfrytëzim. Këtu ka mbingarkesë personeli që duhen përzgjedhur dhe shfrytëzuar
në maksimum. Gjetja është shumë e thjeshtë. TVSH ka një masë, Ekranin. Sa është
në transmetim?! Ky është produkti! Nuk ka punë pa produkt. Nuk duhet të
abuzohet më në TVSH. Marrëdhëniet me të tretë duhen parë se sa e ndihmojnë
TVSH. N. q. s mbarojnë rezervat tona vetëm ahere duhet të shikojmë marrëdhëniet
me të tretët. Në TVSH nuk duhet të kenë vend matrapazët dhe sekserët artistik,
por jo vetëm. Unë kam besim se, RTSH ka aftësi të marrë vendime në kohën dhe
momentin e duhur.
Box
Rrugëtimi artistik
-Aktor,
regjisor, recitues. Regjisor i Teatrit Peshkopi me 8 premiera si regjisor dhe
aktor në këtë teatër,1979. Regjisor i Qendrës Kombëtare artistike Tiranë,
regjisor i TKOB. Regjisor i Departamentit të Spektakleve në TVSH 2006-2016.
Regjisor i disa aktiviteteve masive:
-10
premiera si regjisor i Ansamblit të Shtetit.
-Regjisor
i 130 festivaleve mbarëkombëtare, shumica e zhanrit popullor, në Shqipëri,
Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi, Preshevë. Regjisor i 30 spektakleve të ndryshme në
Tiranë, Shkodër, Durrës, Prishtinë. Në 10 vjet regjisor në TVSH ka drejtuar
1500 orë transmetim direkt apo të filmuar në emisione në studio, transmetime
aktivitetesh masive, dokumentar, telereportazhe. Ndër telereportazhe dhe filmat
dokumentarë mund të përmenden “Telereportazh në Beograd” dhe dokuemtarët “Besim
Zekthi” dhe “Anton Çeta”. 10 role në filma dhe 10 role në teatër. Ndër rolet
kryesorë mund të përmendim ato në filmat “Guri i besës”, “Besa e kuqe”, “Letra
fatale”, “Dhimbja e dashurisë” -serial televiziv. Por ai nuk mund të rrinte pa
hyrë dhe në labirintet e klipeve ku ai ka ideuar si regjisor 10 të tilla.