Kulturë
Gjekë Gjonaj: Mark Gjonaj i dhuroi donacion Bibliotekës së Shkollës Fillore "Bedri Elezaga"
E premte, 17.03.2023, 07:58 PM
Mark
Gjonaj i dhuroi donacion Bibliotekës së
Shkollës Fillore "Bedri Elezaga"
Nga
Gjekë Gjonaj
Biblioteka
e Shkollës Fillore "Bedri
Elezaga" në Katërkollë, Ulqin nuk
kishte objekte adekuate për punë deri më tani dhe një koleksion modest librash
në gjuhën malazeze dhe shqipe. Për këtë arsye drejtoria e shkollës dhe këshilli i mësimdhënësve nisën një projekt për restaurimin e
bibliotekës. Falë donacionit të mërgimtarit , humanistit, atdhetarit,
veprimtarit të shquar dhe këshilltarit të parë shqiptar në Shtetet e Bashkuara
të Amerikës, Mark Gjonaj, ata arritën të realizojnë ëndrrën e tyre të kamotshme
për modernizimin dhe pasurimin e bibliotekës së shkollës.
“Aktivisti
i shquar i komunitetit shqiptar në SHBA Mark Gjonaj, ishte gjithmonë me ne dhe
ndihmoi të gjitha aktivitetet e shkollës sonë në interes të përmirësimit të
kushteve të punës së nxënësve tanë. Të
njëjtën gjë bëri edhe gjatë vizitës së fundit në shkollën tonë, kur dorëzoi një
donacion të vlefshëm që do të na mundësojë që së shpejti të kemi një bibliotekë
funksionale me një fond të shtuar librash, e cila do të plotësojë nevojat e
nxënësve dhe mësuesve tanë. Mark Gjonaj, edhe pse ka lindur në Nju - Jork,
është ndër të paktët mërgimtarë që me veprimtarinë e deritanishme dhe me këtë
shembull ka dëshmuar përkushtimin dhe dashurinë e tij për librin, gjuhën shqipe
dhe ruajtjen e identitetit të bashkatdhetarëve të tij jo vetëm në vendlindje,
por edhe për ruajtjen e gjuhës dhe identitetit të shqiptarëve në diasporë”,
thotë drejtori i shkollës Mustafë Bardhi, i cili në emër të shkollës i dorëzoi
mirënjohje donatorit Gjonaj. Drejtori
Bardhi shprehet se qëllimi i tyre përfundimtar është pasurimi i bibliotekës me
tituj të rinj librash dhe krijimi i një
biblioteke dixhitale shkollore.
Mark
Gjonaj pohon se është shumë i lumtur që
mund të ndihmojë nxënësit shqiptarë që
janë e ardhmja jonë, sepse ata si dhe stafi dashamirës që kujdeset për mësimin
dhe edukimin e tyre me shumë dashuri dhe përkushtim, kanë shumë nevojë për këtë
ndihmë. Porosia e tij është të
ndihmojmë të rinjtë shqiptarë të kenë
arsim cilësor në gjuhën e vet amtare dhe të aftësohen më shumë për
jetën. Të kujtojmë gjithmonë
se një dorë e majtë ka përherë
nevojë për një dorë të djathtë.
Ky
donacion i bamirësit tashmë të dëshmuar në hapësirën mbarëshqiptare Mark Gjonaj tregon se vërtet ende ekzistojnë
njerëz dashamirë që me vullnetarizmin e
tyre mendojnë për nevojat e nxënësve
shqiptarë dhe për mënyrën se si ata me kontributin e vet t’u krijojnë nxënësve
kushte në ngritjen e cilësisë së zhvillimit të mësimit në gjuhën amtare në shkolla, që është
baza themelore për ruajtjen e
identitetit tonë kombëtar.
Donacionet
e këtilla në momente të duhura jo vetëm se janë të mirëpritura për mësimdhënësit, drejtuesit
dhe nxënësit e gjitha shkollave me mësim në gjuhën shqipe në Mal të Zi , por
janë edhe më se të nevojshme për kryerjen e misionit human të shkollave shqipe , që është edukimi dhe
arsimimi cilësor i fëmijëve të moshave
të ndryshme në këtë shtet.
Duke
investuar në cilësinë e arsimit shqip
brezat e ardhshëm do të ruajnë
gjuhën, kulturën dhe trashëgiminë tonë
dhe ne do jemi në gjendje të
krijojmë një botë më të mirë. Sa më shumë shqiptarë të arsimuar të kemi, aq më
e mirë do të jetë shoqëria jonë.