E premte, 26.04.2024, 09:53 AM (GMT+1)

Kulturë

Bardhyl Maliqi: Një 'psherëtimë ere'

E hene, 31.07.2023, 07:50 PM


NJË “PSHERËTIMË ERE”

APO NJË VRUNDULL NDJENJASH NJERËZORE?!

Nga Bardhyl Maliqi

Nuk e di nëse ju ka rastisur, të ulur në gjunjë, të pini ujë në një burim në mes të pyllit dhe etjen ta shuani me gllënjka në rrëkezën e ftohtë që e ndan prej dheut pëllëmba e brishtë e një gjethje hardhie. Një ndjesi të tillë kam provuar duke pirë lirizëm që buron prej një shpirti të bukur në rrjedhën e hollë të metaforave poetike të Milanovit. Pi dhe s’ngopesh. Dhe ulej sërish në gjunjë për ta pirë hajkun me gllenjka. Dhe era psherëtin ndër plepat lakuriq. Unë eci duke mbajtur në dorë krizantemat e shiut. Ulem për ta shuar sërish etjen në Syrin e ujit të Strugës si të isha në Syrin e Kaltër të Bistricës sime në Jug, kur shtegëtimit të vetmisë  këpus tulipanë të artë në një prag agsholi, kur udhën ma ndrin vetëm një hënëhajku dhe shpirtin ma mbush një aromë Grabove si të ishte aroma e livadheve të Lumbardhës së Konispolit dhe rend me flatra shiu duke dëgjuar Lirën e Orfeut që këndon për njëqind të dashurat e mia. Po hajku? Dhe hajku është njera prej tyre, si një vashë japoneze, më e brishta dhe më e bukura mbase. Ka marrë një shpirt  shqipar kjo vashë, paçka se në fytyrë ruan shprehjen e Lindjes së largët. Dhe është e bukur me këtë veshje elbasanase plot flatra të kuqërremta kumbrie dhe gugatje guguftujash. Ashtu qoftë!

Hajku i Milanovit plotëson cilësisht kushtin parësor e më të rëndësishëm për të qenë i tillë. Ai u përgjigjet gjithmonë 7 pyetjeve themelore: Ku? Kur? Kush? Çfarë? Pse? Si? dhe Sa? Por për hajkun dy pyetje janë themelore Ku?-Këtu. dhe Kur?-Tani.

Le të bëjmë vetëm një provë duke rimarrë hajkun e fundit: Qerthull vetes, / s’shoh asnjë grimë hijeje. / Kërcej me kurmin e bardhë të dritës…Ku? - Qerthull vetes. Kur?-Tani. Kush? -Unë. Çfarë (bëj) ? -S’shoh asnjë grimë hijeje. Pse? -Sepse kërcej me kurmin e bardhë të dritës…Si? -Me gëzim. Sa? -Pafundësisht.

E pra, nuk them asgjë të re kur pohoj se së pari hajku  i Milanov Kallupit është poezi sintezë, një lirizëm herë spontan e i natyrshëm, herë filozofik e meditative, që vjen si lëngu i verës prej realitetesh të shtrydhura. Poezia është si vera. Veshulët e rrushit vilen me kërcenj e gjethe, shtrydhen duke kulluar lëngun për t’i flakur bërsitë e për ta mbyllur lëngun në bute. Lëngu i rrushit vjen e tërbohet, zien e turfullon ashtu si motivet poetike. Dhe pas këtij procesi fermentues, realitetet e shtrydhura kthehen në verë poetike. Pi dhe s’ngopesh: Shtrydhmuni, o re të Perëndimit! / Pikë-pikë pikomëni verë / mbi buzët e mia të thara…dhe më tej: Dënes  ekualipti / nën drithërima ftohme./ Dimër, mjaft më! është koha të ikësh!...Dhe kështu një poet elbasanas duket sikur një pjesë të poezive deri tek hajku përmbyllës t’i kishte shkruar në Sarandë: Deti qëllon veten / me grushte dallgësh idhnake / Zgjon nga gjumi Perëndinë e Zmërimit. Por unë nuk mund të zemërohem se: Je ti e jam unë, / bregranishta / ku prehet deti. Nuk zemërohem edhe pse nata ra: Sa e errët kjo natë! / Kandilët e detit /  ndizen bregut. Nuk zemërohem jo vetëm pse natën e kthjellin kandilët e detit, por edhe pse: Në gotën me verë / hëna ka rënë. / Sonte do të dehem me hënë. Janë gjendje emocionale që mund t’i ketë përjetuar gjithkush, por poezia është si paraja: I paguhet prurësit më të parë.

Së dyti: Hajku i Milanovit vjen si shtjellë mbresash e impresionesh të marra nga jeta, nga arkivat e kujtesës moshore, veçanërisht nga femijëria. Dhe sado që ta veshësh atë me mendim, ndjehet aroma e qumshtit dhe e vezës me rigon, që nëna të jepte mëngjezeve, para se të merrje çantën për t’u nisur për në shkollë: Kam nënën ende gjallë, / s’jam plakur! / jam ende ai fëmija që luan ende me cingla. Kujtesa femijnore troket në portat e poezisë me ëndrrat dhe lodrat, me krahasimet dhe asosacionet moshore: S’di ku kanë mbetur / figurat e mia të hershme prej argjili. / Tani bëj burra të mëdhenj… me fjalë. Reminishencat e fëmijërisë apo realitetet e situra janë të shumëllojshme, të hidhura apo të gëzuara. Dhe fjala shkon më shpesh ku na dhemb shpirti: Flas me gjuhën e dhimbjeve. / Fjalë të parë / kam lotin e hidhur.

Më bie në sy në poezinë lirike të Hajkut në përgjithësi adhurimi për natyrën. Por kjo është veçanërisht e spikatur tek Mlanovi. Pra së treti: hajku i tij buron prej magjisë së mistershme e mbrsëndjellëse të natyrës. Mbi këtë bazë shtegëton mendimi: Pres lulediellin e Van Gogut që të shkundë farat. Dhe ndoshta më shpesh tek shiu që bie pjerrtaz lexoj jetëshkrimin tim. Dhe shirat që vijnë e shkojnë me këmbëlejleku, të ujta, duke lënë tek  unë vetëm drurët e lagur. Ndërsa në teatrin e natës sterrë, me aktorë hije, luhen tragjeditë. Dhe kjo rrugë e jetës sonë, sado e lodhshme dhe tragjike, Kjo rrugë e dashur / me kalldrëme të plakur / na nxorri në asfalt. ( Vini re asosacionin që krijohet me titujt e librave poetikë të Dritëroit: shtigje malesh dhe trotuare, në rrugë dola, hapat e mi në asfalt. )

Dhe është me vend ta theksoj se shpesh natyra ka gjuhë alegorike, që vjen si mendim apo realitet i simbolizuar. Le ta konsiderojmë këtë dukuri si një ciësi më vete. Jo më kot dhe jo rastësisht, por se hajku nuk mund të shkruhet pa praninë e mëmës natyrë, është si të thuash binjake me të. Pra së katërti:  Le ta provojmë ta lexojmë hajkun këshut: Në këtë teatër nate të sterrtë ( mars 1997, salla e parlamentit, zgjedhjet presidenciale) me aktorë-hije ( presidenti, ministrat dhe deputetët) luhen tragjeditë ( populli i irrituar nga vjedhja e votës dhe humbja e parave në firmat piramidale rrëmben armët dhe vret qiejt dhe veteveten…) dhe qerthullohen shkallaret në ajër / poshtë s’ka më aktorë / tragjeditë luhen rrugëve. Dhe poeti i brengosur e i varfër / hipotekon veç fjalët, / të vetmet prona të tija. Ndaj i dhemb zemra e u thotë shelgjeve: Prajeni vajin!.../ është koha të qaj vetë…Poezia e tij është fryt i mendimit intelektual, ku stlemat, simbolet, metaforat, metonimitë, figurat e tingëllimit etj. janë thjesht veshje artistike e këtij mendimi. Këtë fakt e nënvizuam kur folëm për simbolikën e natyrës. Por ajo është më tepër se kaq. Është një cilësi e poezisë hajku në përgjithësi, dhe si e tillë vjen natyrshëm edhe tek  “Psherëtimë ere” Vini veshin ta dëgjoni këtë psherëtimë: Kërkoj tek vetja udhën, lumin / të flak / ca mendime të brengosura. Ose: Puthmë se mbardha! / Imja je e tëra / manjolë e bardhë!

Së pesti: Ju lutem lexoni edhe një herë hajkun e mësipërm: Puthmë se mbardha! / Imja je e tëra / manjolë e bardhë!  E pra! Sido që të vijë mendimi poetik i këtij vëllimi: si mbresë, si vëzhgim, si përjetim emocional apo fryrt i inteligjencës, si refleksion intuitive apo paradigmë profetike, tek Milanovi ajo është përgjithësisht një poezi optimiste, një poezi  që rend kah e arthmja: E vetmja kumbull / mes ferrit të bokrrimës, / e çeli Parajsën e Bardhë të luleve. Dhe më tej: Te lulet lejla të pjeshkës / ra luzma e bletëve / shih si hapen petalet!... Vizioni arthmërisë buron jo thjesht prej realitetesh të jashtme, por më tepër prej cilësive të brendshme, prej një shpirti njerëzor të dlirë e të bukur:  Qerthull vetes, / s’shoh asnjë grimë hijeje. / Kërcej me kurmin e bardhë të dritës…



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora