| E hene, 31.07.2023, 07:50 PM |
NJË “PSHERËTIMË ERE”
APO
NJË VRUNDULL NDJENJASH NJERËZORE?!
Nga
Bardhyl Maliqi
Nuk e di nëse ju
ka rastisur, të ulur në gjunjë, të pini ujë në një burim në mes të pyllit dhe
etjen ta shuani me gllënjka në rrëkezën e ftohtë që e ndan prej dheut pëllëmba
e brishtë e një gjethje hardhie. Një ndjesi të tillë kam provuar duke pirë
lirizëm që buron prej një shpirti të bukur në rrjedhën e hollë të metaforave
poetike të Milanovit. Pi dhe s’ngopesh. Dhe ulej sërish në gjunjë për ta pirë
hajkun me gllenjka. Dhe era psherëtin ndër plepat lakuriq. Unë
eci duke mbajtur në dorë krizantemat e shiut. Ulem për ta shuar sërish
etjen në Syrin e ujit të Strugës si të isha në Syrin e Kaltër të
Bistricës sime në Jug, kur shtegëtimit të vetmisë këpus tulipanë të artë në një prag agsholi,
kur udhën ma ndrin vetëm një hënëhajku dhe shpirtin ma mbush një aromë
Grabove si të ishte aroma e livadheve të Lumbardhës së Konispolit dhe rend
me flatra shiu duke dëgjuar Lirën e Orfeut që këndon për njëqind
të dashurat e mia. Po hajku? Dhe hajku është njera prej tyre, si një vashë
japoneze, më e brishta dhe më e bukura mbase. Ka marrë një shpirt shqipar kjo vashë, paçka se në fytyrë ruan
shprehjen e Lindjes së largët. Dhe është e bukur me këtë veshje elbasanase plot
flatra të kuqërremta kumbrie dhe gugatje guguftujash. Ashtu qoftë!
Hajku i Milanovit
plotëson cilësisht kushtin parësor e më të rëndësishëm për të qenë i tillë. Ai
u përgjigjet gjithmonë 7 pyetjeve themelore: Ku? Kur? Kush? Çfarë? Pse? Si? dhe
Sa? Por për hajkun dy pyetje janë themelore Ku?-Këtu. dhe Kur?-Tani.
Le të bëjmë vetëm
një provë duke rimarrë hajkun e fundit: Qerthull vetes, / s’shoh asnjë grimë
hijeje. / Kërcej me kurmin e bardhë të dritës…Ku? - Qerthull vetes.
Kur?-Tani. Kush? -Unë. Çfarë (bëj) ? -S’shoh asnjë grimë
hijeje. Pse? -Sepse kërcej me kurmin e bardhë të dritës…Si? -Me
gëzim. Sa? -Pafundësisht.
E pra, nuk them
asgjë të re kur pohoj se së pari hajku
i Milanov Kallupit është poezi sintezë, një lirizëm herë spontan e i natyrshëm,
herë filozofik e meditative, që vjen si lëngu i verës prej realitetesh të
shtrydhura. Poezia është si vera. Veshulët e rrushit vilen me kërcenj e gjethe,
shtrydhen duke kulluar lëngun për t’i flakur bërsitë e për ta mbyllur lëngun në
bute. Lëngu i rrushit vjen e tërbohet, zien e turfullon ashtu si motivet
poetike. Dhe pas këtij procesi fermentues, realitetet e shtrydhura kthehen në
verë poetike. Pi dhe s’ngopesh: Shtrydhmuni, o re të Perëndimit! / Pikë-pikë
pikomëni verë / mbi buzët e mia të thara…dhe më tej: Dënes ekualipti / nën drithërima ftohme./ Dimër,
mjaft më! është koha të ikësh!...Dhe kështu një poet elbasanas duket sikur
një pjesë të poezive deri tek hajku përmbyllës t’i kishte shkruar në Sarandë: Deti
qëllon veten / me grushte dallgësh idhnake / Zgjon nga gjumi Perëndinë e
Zmërimit. Por unë nuk mund të zemërohem se: Je ti e jam unë, /
bregranishta / ku prehet deti. Nuk zemërohem edhe pse nata ra: Sa e
errët kjo natë! / Kandilët e detit /
ndizen bregut. Nuk zemërohem jo vetëm pse natën e kthjellin kandilët
e detit, por edhe pse: Në gotën me verë / hëna ka rënë. / Sonte do të dehem
me hënë. Janë gjendje emocionale që mund t’i ketë përjetuar gjithkush, por
poezia është si paraja: I paguhet prurësit më të parë.
Së dyti: Hajku i
Milanovit vjen si shtjellë mbresash e impresionesh të marra nga jeta, nga
arkivat e kujtesës moshore, veçanërisht nga femijëria. Dhe sado që ta veshësh
atë me mendim, ndjehet aroma e qumshtit dhe e vezës me rigon, që nëna të jepte
mëngjezeve, para se të merrje çantën për t’u nisur për në shkollë: Kam nënën
ende gjallë, / s’jam plakur! / jam ende ai fëmija që luan ende me cingla. Kujtesa
femijnore troket në portat e poezisë me ëndrrat dhe lodrat, me krahasimet dhe
asosacionet moshore: S’di ku kanë mbetur / figurat e mia të hershme prej
argjili. / Tani bëj burra të mëdhenj… me fjalë. Reminishencat e fëmijërisë
apo realitetet e situra janë të shumëllojshme, të hidhura apo të gëzuara. Dhe
fjala shkon më shpesh ku na dhemb shpirti: Flas me gjuhën e dhimbjeve. /
Fjalë të parë / kam lotin e hidhur.
Më bie në sy në
poezinë lirike të Hajkut në përgjithësi adhurimi për natyrën. Por kjo është
veçanërisht e spikatur tek Mlanovi. Pra së treti: hajku i tij buron prej
magjisë së mistershme e mbrsëndjellëse të natyrës. Mbi këtë bazë shtegëton
mendimi: Pres lulediellin e Van Gogut që të shkundë farat. Dhe ndoshta
më shpesh tek shiu që bie pjerrtaz lexoj jetëshkrimin tim. Dhe shirat
që vijnë e shkojnë me këmbëlejleku, të ujta, duke lënë tek unë vetëm drurët e lagur. Ndërsa në
teatrin e natës sterrë, me aktorë hije, luhen tragjeditë. Dhe kjo rrugë e
jetës sonë, sado e lodhshme dhe tragjike, Kjo rrugë e dashur / me kalldrëme
të plakur / na nxorri në asfalt. ( Vini re asosacionin që krijohet me
titujt e librave poetikë të Dritëroit: shtigje malesh dhe trotuare, në rrugë
dola, hapat e mi në asfalt. )
Dhe është me vend
ta theksoj se shpesh natyra ka gjuhë alegorike, që vjen si mendim apo realitet
i simbolizuar. Le ta konsiderojmë këtë dukuri si një ciësi më vete. Jo më kot
dhe jo rastësisht, por se hajku nuk mund të shkruhet pa praninë e mëmës natyrë,
është si të thuash binjake me të. Pra së katërti: Le ta provojmë ta lexojmë hajkun këshut: Në
këtë teatër nate të sterrtë ( mars 1997, salla e parlamentit, zgjedhjet
presidenciale) me aktorë-hije ( presidenti, ministrat dhe deputetët)
luhen tragjeditë ( populli i irrituar nga vjedhja e votës dhe humbja e
parave në firmat piramidale rrëmben armët dhe vret qiejt dhe veteveten…) dhe qerthullohen
shkallaret në ajër / poshtë s’ka më aktorë / tragjeditë luhen
rrugëve. Dhe poeti i brengosur e i varfër / hipotekon veç fjalët,
/ të vetmet prona të tija. Ndaj i dhemb zemra e u thotë shelgjeve: Prajeni
vajin!.../ është koha të qaj vetë…Poezia e tij është fryt i mendimit
intelektual, ku stlemat, simbolet, metaforat, metonimitë, figurat e tingëllimit
etj. janë thjesht veshje artistike e këtij mendimi. Këtë fakt e nënvizuam kur
folëm për simbolikën e natyrës. Por ajo është më tepër se kaq. Është një cilësi
e poezisë hajku në përgjithësi, dhe si e tillë vjen natyrshëm edhe tek “Psherëtimë ere” Vini veshin ta dëgjoni
këtë psherëtimë: Kërkoj tek vetja udhën, lumin / të flak / ca mendime të
brengosura. Ose: Puthmë se mbardha! / Imja je e tëra / manjolë e bardhë!
Së pesti: Ju lutem lexoni
edhe një herë hajkun e mësipërm: Puthmë se mbardha! / Imja je e tëra /
manjolë e bardhë! E pra! Sido që të
vijë mendimi poetik i këtij vëllimi: si mbresë, si vëzhgim, si përjetim
emocional apo fryrt i inteligjencës, si refleksion intuitive apo paradigmë
profetike, tek Milanovi ajo është përgjithësisht një poezi optimiste, një
poezi që rend kah e arthmja: E vetmja
kumbull / mes ferrit të bokrrimës, / e çeli Parajsën e Bardhë të luleve.
Dhe më tej: Te lulet lejla të pjeshkës / ra luzma e bletëve / shih si hapen
petalet!... Vizioni arthmërisë buron jo thjesht prej realitetesh të
jashtme, por më tepër prej cilësive të brendshme, prej një shpirti njerëzor të
dlirë e të bukur: Qerthull vetes, / s’shoh asnjë grimë hijeje. /
Kërcej me kurmin e bardhë të dritës…