Kulturë
Albert Zholi: Si u turrën mbi muret e ambasadave në Tiranë me thirrjet 'Liri-Demokraci!'
E diele, 02.07.2023, 07:20 PM
Dossier/ Si u turrën mbi muret e ambasadave në Tiranë me thirrjet “Liri-Demokraci!”
2
Korrik 1990, shkallmohen rrethimet e ambasave të vendeve perëndimore në Tiranë
-Askush
nuk e priste që mbi muret e ambasadave në Tiranë të hidheshin plot 4795 vetë
Si
po rrëzohej muri i Shqipërisë totalitare, pas pushkatimit të Çausheskut dhe
lëvizjet e Ramiz Alisë
• Pushkatimi pa gjyq i Çausheskut në Rumani,
tronditi hierarkinë puniste shqiptare.
• Lëvizjet e R. Alisë drejt Evropës e Amerikës
ishin tejet të vonuara
• Vendet më të preferuara Gjermania ku shkuan
3163 vetë dhe, në Itali 816
Nga
Albert Z. ZHOLI
Ai,
2 korrik ka hyrë si ditë e zezë në historinë shqiptare…Pse? Dhjetëvjeçari i
fundit, 1980-1990, ishte për Shqipërinë totalitare një kohë kur socializmi
enverian nisi të hajë vetveten. Në përgjithësi, pas prishjes së marrëdhënieve
ekonomike-politike me Kinën e largët “peshqeshet” e kongreseve zhurmëmëdha për
mbështetje të plotë në forcat e veta nisën të zvogëloheshin frikshëm. Në vend
të hidrocentraleve gjigante mbi lumin Drin të ndërtuara më kredi kineze, në
vend të uzinave, që duhej të bënin gjithçka për ekonominë të centralizuar. Në
të vërtetë, siç po shihet sot, eksperimentet e parimit të mbështetjes në forcat
tona, siç quhej, ishin fillimi i fundit të sistemit të socializmit njëpartiak.
Po shuheshin ngadalë entuziazmi dhe patriotizmi partiak, po humbiste në terrin
e harresës vetë figura e Enver Hoxhës, dhe kjo për shkakun e vetëm, sepse
shqiptarët po varfëroheshin me shpejtësi. Tentativat për komunistizimin e jetës
shqiptare parakohe, siç ishin kooperativat e tipit të lartë, tufëzimi i
bagëtive, centralizimi i skajshëm i gjithë ekonomisë, e shuan interesin e
njerëzve për të punuar, sikundër shuan mirëqenien e arritur. Historira se si
ishim në vitet ’40 dhe si jemi sot, nuk pinin më ujë, sidomos në brezin e ri, i
cili nuk e njihte fare periudhën e paraçlirimit, por as atë të viteve ’50-60.
Depërtimi i pamjeve televizive të huaja, sidomos televizioni italian,
liberalizimi i letërsisë dhe artit, politika mikro gorbaçoviane e Ramiz Alisë,
pas vdekjes së Enver Hoxhës, krijuan pështjellimet e para ideologjike. U shtuan
arratisjet, sidomos në Greqi, u prishën ekuilibrat e edukatës komuniste, u ra
vlera të ashtuquajturave organizata të masave, madje, vetë Partia e Punës, më
imponuesja organizatë në jetën e shqiptarëve, nisi të neglizhohej. Kjo histori
rënieje, ndonëse në përmasa e forma të tjera, po ndodhte pothuajse në të gjithë
lindjen totalitare. Nuk po e përdor termin “lindjen komuniste”, sepse komunizmi
nuk u arrit kurrë të vendosej në ato vende. Bënte përjashtim në këtë
“perandori” ideologjike Kina, e cila qysh në fund të viteve ’70, u hapi dyert
kapitalit të huaj dhe krijoi një proces ekonomik të tillë, që i lejoi vendit më
të madh të botës një zhvillim të shpejtë. Kjo lëvizje, e cila u kritikua ashpër
nga stafi i komunistëve në Tiranë, i dha mundësi Kinës, jo vetëm të ecte
përpara, por të mos binte kështjella e saj, edhe sot, 33 vjet pas shkatërrimit
të komunistëve fanatikë evropian-lindorë.
Dy botë, të ndara qartë
ekonomikisht e politikisht
Shkulja
masive e trungut të shqiptarëve, ishte në njëfarë mënyre diferenca ekonomike me
atë botë, e cila gjendej shumë pranë nesh, por për kushte të tjera historike,
politike dhe ekonomike, kishte krijuar një mirëqenie disa herë më të madhe. Por
nuk do të thoshim gjithçka në qoftë se këtë fatkeqësi kombëtare, siç e quajmë
sot, do t’ia faturonim vetëm sistemit e formave evasive ekonomike të tij.
Ekzistonin dy botë, të ndara qartë ekonomikisht e politikisht, dy rajone me
civilizime historike të ndryshme, me forma konkrete armiqësore ndaj
njëra-tjetrës dhe shpenzime kolosale për ta mundur sho-shoqin. Në kohën kur
Enver Hoxha synonte të mbillte fushave e maleve të Shqipërisë qindra e mijëra
bunkerë, të cilat, siç thoshte ish kryeministri M. Shehu, vërtet kushtojnë një
grusht flori, por shmangin lumenj gjaku. Ndër kohë vendi më i pasur i botës
SHBA synonte të ndërtonte sistemin e ‘Luftës së Yjeve”, i cili do të kostonte
triliona dollarë. Por vendet më të varfra të Evropës së shekullit të kaluar
ranë nën ndikimin komunist. Rusia e para, një shtet kolosal ku u ruajt
bujkrobëria deri në prag të revolucioneve; pastaj Polonia e kaluar dorë më dorë
të imperatorëve evropianë, Çekia e Hungaria si skaje të perandorisë së madhe
austriake, Rumania, Serbia, Bullgaria, si periferi dhe prapambetje të
trashëguara nga otomanizmi shekullor, Shqipëria….më tragjikja e Ballkanit! Bëri
përjashtim vetëm Greqia.
Alarmi i familjes Popaj
Në
vitet 1944-1960, Shqipëria bëri vërtetë hapa të rëndësishëm ekonomik në tri
dhjetëvjeçarët e parë të pasluftës, por trashëgimia kulturore, superstruktura e
shtetit, mbyllja nga bota, liria e kufizuar e iniciativës së individit, por
edhe presioni ekonomik e politik ndërkombëtar, e bën atë plagën e Evropës.
Pastaj ajo rezistoi edhe pak. Pushkatimi pa gjyq i Çausheskut në Rumani,
tronditi hierarkinë puniste shqiptare. Lëvizjet e R. Alisë drejt Evropës e
Amerikës ishin tejet të vonuara. Tanimë fitimtari perëndimor ishte bërë i
pamëshirshëm. Ai nuk falte më. Të gjitha strukturat e shërbimeve të fshehta, të
gjitha marrëveshjet ekonomike formale, të gjitha segmentet shoqërore të
quajtura “të deklasuara”, u nisën të lëviznin sipas kaheve të tilla që duhet të
çonin në eliminimin e sistemit të socializmit totalitar. Në këtë plan të
përgjithshëm perëndimor ishte edhe vetë dyndja drejt ambasadave. Historia e
ambasadave është quajtur veç formale, dhe thjeshtë një zemërim i popullit
shqiptar, veçanërisht i rinisë, për të thyer kornizat e diktaturës. Në pamje të
parë kështu duhej të ishte. Por le të qëndrojmë pak më gjatë në këtë dritare të
fillimit të emigracionit masiv, për të kuptuar të vërtetat. Dihet nga të gjithë
se më 12 dhjetor 1985 ora 11 gjashtë vetë të familjes Popaj, (katër motra dhe
dy vëllezër) hynë në ambasadën italiane në Tiranë, nga rruga Labinoti, duke i
thënë policit se ishin turistë italianë. Kjo ngjarje tronditi qysh në fillim
opinionin shqiptar dhe themelet e “pathyeshmërisë” së sistemit totalitar. Tani
më jo duke prerë telat me korent të gardhit kufitar me Greqinë, as duke
rrezikuar mbytjen në kanalin e Korfuzit, por ashtu thjeshtë. Përmbi kangjella
dhe…ja në një botë tjetër. Duke qenë fare pranë Qytetit Studenti ngjarja e Popajve
pati efekte të mëdha psikologjike mbi kategorinë më të pritur për liberalizëm.
Shteti italian e pranoi sfidën. Shqipëria zyrtare e rrethoi ambasadën italiane
me roje të shumëfishuara dhe me një shërbim që i kostonte qimet e kokës. U vunë
në lëvizje shtete, organizata ndërkombëtare, që mbronin të drejtat e njeriut, u
bënë deklarata deri në Kombet e Bashkuara. Kokëfortësia e qeverisë shqiptare
arriti deri atje, sa tanimë kontrollohej çdo gjë që dilte e hynte në ambasadën
italiane. Edhe kutitë e mallrave nuk duhet të ishin më të mëdha se 50X50 cm.
Marrëdhëniet ndërshtetërore me fqinjin më të afërt të periudhës pas kineze u
bënë të akullta. Fundi…dihet.
Si ra frika 45-vjeçare?
Rasti
Popaj ishte padyshim një matje pulsi për ngjarjet e ardhshme. Kështu ndodhi që
më dy korrik 1990 pothuajse të gjitha ambasadat e huaja në Tiranë të çelnin
dyert e tyre për ata që donin të iknin nga Shqipëria. Si mund të flakej brenda
një nate frika gati dyzetë e pesëvjeçare se arratisja ishte tradhti, dhe
tradhtia ishte një jetë e mjeruar edhe për ata që mbeteshin pas? Dihet
konstitucioni ndërkombëtar i territoreve të ambasadave. Ato janë shtete brenda
shteteve dhe cënimi i territoreve të tyre konsiderohet si cënim kufijsh. Por
për çudi asnjë ambasador i akredituar në Tiranë, të cilit i qe “dhunuar”
territori kombëtar nuk bëri ankesë pranë qeverisë shqiptare për marrjen e
masave në mbrojtje të ambasadave. Përkundrazi. Ambasadori gjerman mori në
mbrojtje të “plagosurit” rebelë, pa pranuar që ata t’i dorëzoheshin drejtësisë
shqiptare. Ditët e ambasadave gjithashtu do të kërkojnë analiza më të thella me
zbulim dokumentesh të fshehta. Por ngjarjet, që pasuan më pas, sidomos skenat e
ngjashme si në Kubë, etj…tregonin se skenat e ambasadave, (dikush preferoi të
prishte dhe murin e jashtëm dhe me një ‘Skodë” të vjetër të fuste me dhjetëra
veta brenda), ishin inskenuar më parë. Pavarësisht se nga mjetet qeveritare
shqiptare të asaj kohe, këto u quajtën mësymje të ”bandave huligane”, në të
vërtetë, sasia e madhe e njerëzve, që hynë në ambasadat e huaja atë korrik të
vitit 1900 ishte e tillë, që ky term komunist binte vetiu.
Kush ishin
organizatorët, apo nismëtarët?!
Flitet
shumë, por e saktë asgjë! Ato ditë në ambasadat e ndryshme hynë e dolën së
andejmi të mposhtur nga lotët e nënave nëpër kangjellat e ambasadave), 4795
vetë. Nga këta për në Gjermani shkuan 3163 vetë, në Itali 816, në Francë 549,
për në Turqi 77, për në Poloni 52, për në Çekosllovaki 51, për në Jugosllavi 6,
për në Egjipt 6, për në Bullgari 5 etj. Më pas shumë prej tyre, sidomos ata të
vendeve lindore, do të mërgonin drejt SHBA, Kanadasë, Australisë e gjetkë. Të
dhënat e fundit tregojnë se shqiptarët kanë mbërritur edhe në Iran, Zelandën e
re, e Argjentinë. Ajo që bie në sy, është numri relativisht i vogël i atyre që
hynë në ambasadën greke. Çfarë ka penguar vallë atë kohë për ta injoruar një
vend të TPE si fqinji ynë jugor e të preferohej më tepër Polonia, Çekosllovakia
e Hungaria? Mos vallë në vallen e ambasadave u përfshinë më shumë qytetarë nga
Shqipëria e Mesme dhe Veriu i vendit, të cilët, tradicionalisht, nuk i shihnin
grekët si mikpritës? Këto raporte do të përmbyseshin më pas për shkak të
zhvillimeve ndërkombëtare…
Shqipëria me 17
përfaqësi diplomatike
Izolimi
kishte bërë të vetën. Përfaqësitë në Tiranë ishin me pikatore. Në Tiranë, në
vitin 1990 ishin të vendosura vetëm 17 përfaqësi diplomatike, 4 përfaqësi
tregtare, si dhe 5 rezidenca e 4 pallate banimi, por vetëm 3 prej tyre ishin
ambasada perëndimore: RFGJ-ja, Italia, Franca, Greqia, Jugosllavia,
Çekosllovakia, Rumania, Turqia, Polonia, RDGJ-ja, Hungaria, Bullgaria,
Vietnami, Kuba, Kina, Koreja e Veriut, Algjeria. Pasi popullsia u dynd në
ambasada të huaja dhe regjimi nuk mund ta përballonte fluksin, ato u lanë hapur
për disa ditë. Lëshimi i situatës ndodhi për pak ditë, aq sa mund të krijonte
mbushjen e menjëhershme të hapësirave të ambasadave. Pas dyndjes në ambasadat e huaja, në bisedim
me të dërguarin e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, regjimi u detyrua të
lejonte grupin e madh të personave të dilte jashtë shtetit me statusin e
kërkuesit të strehimit politik. Nëse zgjateshin ditët më shumë, të mund të
kishim shpërthim epidemish, vdekje të më të dobtëve, vdekje fëmijësh, etj. Nëse
këto do ndodhnin, regjimi nuk kishte ku ta çonte revoltën e pallogaritshme, që
mund të shpërthente. Për pasojë, Presidiumi i Kuvendit Popullor, nën direktivat
e Ramiz Alisë, nxori dekretin përkatës që normonte rregullimin e kësaj
gjendjeje. Në zemër të Tiranës ishin afërsisht 5 mijë persona që dashje pa
dashje mund të bënin figurë publike qoftë edhe me largim pasiv. Po për të
shmangur çdo problem, regjimi përgatiti largimin e tyre në orët e vona të
natës. Dhjetëra autobusë në krye e në fund makina të policisë, i ngjanin një
kortezhi mortor. Askush nga ata që ishin brenda atyre autobusëve në zymtësinë e
asaj mbrëmje korriku, priste me ankth fundin e kësaj historie. Qëndrimi në
ambasada zgjati 11 ditë për ata që hynë në datën 2 korrik e diçka më pak për të
tjerët, që hynë ditët në vijim. Pas bisedimesh midis përfaqësuesve të regjimit
dhe të dërguarit të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, u vendos largimi i
tyre, i pjesës më antikomuniste të vendit, në shtetet perëndimore.
Alarmi i qeverisë
Mbi
Tiranë qielli ishte gri. Qeveria ishte e trembur. Konkretisht, më 2 Korrik
1990, paradite, Reiz Malile ka thirrur ambasadorët për t’i vënë në dijeni se
shtetasit shqiptarë do të ishin të lirë të venin në ambasadë për të marrë viza.
Në fakt, ky vendim do të ulte tensionet dhe do të plotësonte, sipas rregullave
nga vetë ambasadat, dëshirat dhe kërkesat e shumë shtetasve që kishin tendenca
për të ikur. Në zbatim të këtij vendimi, kuadrot dhe shërbimet tona ishin
porositur që më 3 korrik hyrja për viza në ambasada të bëhej normalisht, nga
dera. Por, rreth orës l9.30 të kësaj dite (2 korrik), një automjet i rëndë me
34 persona, çau murin rrethues nga mbrapa ambasadës gjermane dhe, duke
rrezikuar edhe jetën e policit, hyri brenda. Ndërkohë, në ballkonet e ambasadës
dhe deri te muri i rrëzuar, kishin dalë punonjës të asaj ambasade, të cilët i
ftonin me dorë turmat e njerëzve në periferi, për të hyrë në territorin e saj.
Të njëjtën gjë bënin edhe punonjësit e ambasadës greke. Në këto rrethana, në
drejtim të këtyre ambasadave, nxitimthi u sulën turma të organizuara. Jo më pak
se 6000-8000 veta të irrituar, duke sulmuar me gurë drejt policisë, po
afroheshin drejt hyrjes së ambasadës greke…Për 2 korrikun ishin të interesuar
mjaft segmente, jashtë dhe brenda vendit. Kishte nga ata që kërkonin përmbysjen
e regjimit dhe që kishin qenë beniaminë të njohur të partisë-shtet, të cilët me
intuitën e tyre po e shikonin se atij shteti “po i binin patkonjtë dhe tashmë
donin të përvetësonin flamurin e antikomunizmit, duke harruar se kishin qenë
komunistët më sektarë e ndër më të privilegjuarit. Për 2 korrikun ishte e interesuar,
veçanërisht, UDB-ja jugosllave, e cila si gjithmonë, kur acarohej situata në
Kosovë, kurdiste ngjarje dhe incidente në Shqipëri. 2 korriku i Kaçanikut, jo
rastësisht koincidonte me 2 korrikun e ambasadave në Tiranë. Të gjitha
segmentet e interesuara, duke ditur se ambasadat janë pikat më të nxehta dhe
krijimi i incidenteve ndaj tyre, krijon situata ndërshtetërore nga më të
rëndat, sa për përputhje interesash aq edhe për llogari të veta, u bënë
nxitësit kryesorë për dyndjen drejt ambasadave. Ngjarja e 2 korrikut 1990,
megjithëse mori karakter kombëtar e ndërkombëtar, nuk u analizua as nga
sektorët përkatës të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe as nga Drejtoria e
Policisë, që mbajti barrën kryesore për parandalimin e pasojave të
paparashikuara. Pra, nuk u bë. Pse? Vështirë është që të gjesh psenë e saj.
Por, analiza profesionale e asaj ngjarjeje do të evidentonte shkaqet e vërteta,
të cilat do të shërbenin jo vetëm për përvojën e policisë, por edhe për
pasqyrimin me objektivitet të së vërtetës para opinionit që të mos u linte
shteg dashakeqëve të keqinterpretonin dhe të disinformonin brenda dhe jashtë
vendit.
Sidoqoftë kishte rënë
një Mur i ri i Berlinit…
Më
pas do të shkuleshin me egërsi gjithfarë telash me gjemba dhe klonet elektrike
të vendosura midis kufirit shqiptaro grek. Përse ndodhi kështu?