Kulturë
Dorian Koçi: Një copë qielli midis Meksikës dhe Kosovës
E diele, 25.06.2023, 07:59 PM
Një copë qielli midis Meksikës dhe Kosovës
Nga
Dorian Koçi
Poezia
është ura më e fortë lidhëse midis shpirtrave të ndryshëm të kombeve. Përmes
motiveve që ndjellin dhe shpirtin poetik të së shkuarës, magjinë e momenteve të
së tashmes dhe avenirin e ëmbël të ëndrrave, poezia krijon mikrokozmosin dhe
makrokozmin e botës shpirtërore të njeriut. Por sa universale dhe e
përgjithshme duket në pamje të parë, në fakt është po aq e veçantë dhe
individuale.
Ajo
mesa duket është një reflektim i asaj që
Herderi e quan dhe Volksgeist-“shpirt i kombit”, që dashur pa dashur
reflektohet në veprat e autorit.
Librin
poetik “Copa e qiellit” i autorit Xhevdet Bajraj, mund të themi me vetdije të
plotë që është një zbulim i vërtetë për lexuesin në Shqipëri , por besoj edhe
më tej sepse poezia e tij përmes ekonomizimit të vargut, metaforës së ngjeshur
dhe leksikut të thjeshtë transmeton një ndjesi humaniste të së përditshmes të
ngritur në art. Kjo ndjesi të përforcohet në pjesën e parë të vëllimit poetik “
E bukur dhe e marrë”, ku autori shqetsohet për lulet që ashtu si fëmijët lindin
duke qarë, apo kur te poezi “Të
jetuarit”, i përngjet një jargavani që ngjitet mirit të ditës e lulëzon nga
tmerri. Por tmerri i jetës së përditshmes zevendësohet shumë shpejt në poezinë
e Bajrajt në tmerrin e vërtetë të mbijetesës njerzore duke shprehur dramën
njerzore të popullit të vet, që në vitin 1999 e provoi mbi shpinë ndjekjen dhe
shpërnguljen etnike. Në pjesën e dytë të librit të rrëqeth në kujtime të
mbrapshta tmerri, poezia “Djali ishte gjashtë vjeç, vajza tetë dhe qanin”, ku
përshkrimi i një dhunës së rrëmbimit të lë pa fjalë. Poeti e braktis frakun e
shqetsimeve të përditshme për lulet dhe zogjtë dhe vesh kustumin tradicional të
gjamës së popullit të vet. Gjithësesi kjo dramë ballkanike përshkruhet me
minuta e detaje që përmbajnë brenda vetes së tyre art e mjeshtëri vargu.
Përdorimi
i përkthimit në spanjisht përkrah poezive në shqip të jep jo vetëm ndjesinë e
komunikimit ndërkulturor, por në fakt të shtyn në shqyrtime të ndikimeve
spanjolle dhe anasjelltas në jetën kulturore të dy popujve. Që nga periudha e
Këngës së moçme ulqinake të Ago Ymerit, ku bardi popullor shqiptar thyen
rregullat e gjuhës dhe Spanjës i referohet e zeza Spanjë( një mendje alla
kadarejane mund të spekullonte duke pyetur, a thua vallë ta kish parashikuar
ardhjen e diktaturës së Frankos, bardi popullor shqiptar?), Spanja dhe
spanjishtja në fakt na ka dhuruar shumë diell përmes poezisë së Lorkës,
Unanimos, Rafael Albertit etj përmes përkthimeve gjithë jetë të Petro Markos
dhe Plasarit. Kjo atmosferë si ndikim kulturor e ndjen në vargjet e këtij libri
të hapur ndërkultutor ku botës ballkanike i përngjitet dhe bota meksikane nën
një autoritet të lartë si është kultura spanjolle.
Poezia
moderne shqiptare ecën përmes shtigjeve të ballafaqimit të kulturave, ushqimit
të saj me metafora dhe motive nga kultura vendase por edhe nga kultura e
përbotshme duke shënuar poetë që e tejkalojnë veteveten dhe kulturën lokale
duke i dhuruar njerzimit vargje të përbotshme. Prova dhe sfida e tyre nuk është
vetëm me të sotmen , por e dhe me të
ardhmen. Ashtu si sot shijomë një varg të lashtë të inasve të shkurar në qipu,
nga një autor anonim se e “vërteta më e madhe janë zogjtë dhe lulet”, edhe
poetët do gjykohen edhe përmes fragmenteve të vargjeve të tyre që di mbesin
memories së ajrit dhe të leximit. Kam përshtypjen se autori, rreshtohet pa
hezitim në këtë aradhë të letrave shqipe.