E premte, 26.04.2024, 04:46 PM (GMT+1)

Mendime

Astrit Patozi: Ndjesë shqiptarëve për opozitën

E merkure, 17.12.2008, 08:12 PM


Astrit Patozi
Ndjesë shqiptarëve për opozitën

Nga Astrit PATOZI

Ligji për "hapjen e dosjeve" është i domosdoshëm dhe jetik për vendin, por ai është shumë i vonuar dhe ne besoj duhet t'u kërkojmë ndjesë shqiptarëve për gjithë këtë kohë të humbur. Duhet të kërkojmë ndjesë, megjithëse nuk jemi ne shkaku i kësaj vonese. Njësoj si Helmut Kol, Shredër, Merkel dhe udhëheqës të tjerë gjermanë të pasluftës, të cilët nuk kanë reshtur së kërkuari falje për krimet e nazizmit, ne na duhet ta bëjmë këtë për opozitën tonë, e cila nuk distancohet dot nga krimet e diktaturës së Enver Hoxhës, edhe pse kanë kaluar 18 vjet nga shembja e regjimit. Sepse Partia Socialiste, jo vetëm s'e ka bërë, por me sa duket as që e çon ndër mend ta bëjë një gjest të tillë të qytetëruar.

Jemi vonë, sepse kanë ikur 18 vjet dhe kemi mbetur të fundit, ndërkohë që duhet të ishim të parët dhe më të ashprit, sepse e tillë ka qenë diktatura në këtë vend. Por siç dihet, një proces lustracioni i nisur në vitin 1995, u ndërpre në mes pas rikthimit në pushtet të kundërshtarëve të sotëm të ligjit. Në fakt, ne jemi vonë edhe brenda kësaj legjislature, sepse e kemi miratuar para më shumë se dy vjetësh rezolutën për dënimin e krimeve të regjimit komunist. Por jemi vonë edhe brenda këtij viti, sepse që nga korriku e deri sot teksti i projektligjit ka hyrë e ka dalë nga sirtarët e Komisionit të Ligjeve, pasi ne kemi pritur më kot dhe me shumë durim bashkëpunimin dhe përfshirjen e opozitës.

Po përse e kemi bërë këtë? Është fare e thjeshtë dhe logjike. Kemi shpresuar se 18 vjet pluralizëm dhe reflektim mund të kishin bërë punën e vet edhe tek partia, që i ka rrënjët e zhytura thellë në të shkuarën komuniste të vendit. Sepse kemi pasur bindjen se, një ligj konsensual do t'i jepte zgjidhje në mënyrë shterruese këtij fenomeni dhe se mbështetja e opozitës do të ishte garanci e plotë për zbatimin e plotë, të shpejtë dhe të pakthyeshëm të pastrimit të politikës, institucioneve dhe administratës publike nga mbetjet e diktaturës, nga udhërrëfyesit apo shërbëtorët e armës famëkeqe të Sigurimit të Shtetit.

Fatkeqësisht, Partia Socialiste dhe kryetari i saj Edi Rama, janë ende të mbërthyer në komplekset dhe lidhjet e vjetra që e identifikojnë atë me kamzhikët e ish-regjimit, dhe kjo e bëri të pamundur bashkëpunimin. Personalisht, jam dëshmitari më i madh i mungesës së plotë të vullnetit të Partisë Socialiste për kalimin e këtij ligji. Preteksti i fundit për ta shtyrë në kalenda greke miratimin e tij është më shumë se qesharak. Na thuhet të presim ekspertizën e Këshillit të Europës, kur është pikërisht ky institucion i nderuar që na është drejtuar me rezoluta të njëpasnjëshme, duke na ftuar që të ndahemi me ligje dhe me vepra nga krimet e komunizmit. Dhe ne tamam këtë po bëjmë sot.

Ky ligj nuk kërkon aspak revanshin dhe hakmarrjen, por drejtësinë dhe moralin. Ai është detyrimi ynë i papërmbushur ende për të lënë pas një herë e përgjithmonë kapitullin më të zi të historisë sonë. Është e vërtetë se ky ligj është respekt dhe nderim për ata qindra mijëra shqiptarë, që u goditën dhe u ekzekutuan me gjyq dhe pa gjyq, u burgosën dhe u internuan, u përndoqën dhe u torturuan nga regjimi më barbar i Europës.

Por, ai nuk mbetet këtu. Ky ligj respekton dhe vlerëson njësoj të gjithë ata shqiptarë të lirë sot, që edhe pse nuk u prekën drejtpërdrejtë nga makina e dhunës apo Sigurimi i Shtetit, vuajtën njësoj shtypjen e regjimit, mungesën e lirive dhe të dinjitetit njerëzor. Dhe kjo është shumica dërrmuese e qytetarëve shqiptarë, është ajo shumicë që përmbysi diktaturën, kur votoi për herë të parë e lirë, një shumicë që sa më tepër kalon koha, aq më e madhe bëhet.

Por ky ligj është respekt dhe kontribut edhe për ata qindra e mijëra të rinj shqiptarë, të cilët për shkak të moshës së tyre nuk e kanë parë me sytë e tyre mizorinë dhe barbarinë e diktaturës. Megjithë ato që janë shkruar, thënë dhe parë në këto vite, pavarësisht se nganjëherë është e vështirë që këta të rinj ta kuptojnë të gjithë përmasën e vërtetë të asaj që ka ndodhur, ata janë në tërësi shqiptarët që besojnë fort tek demokracia, tek liritë e individit dhe tek shteti ligjor, tek të gjitha ato vlera që në këtë vend mbërritën me vendosjen e pluralizmit politik.

Dhe ky sistem që ne kemi përqafuar dhe po përpiqemi të përsosim, jo pa mundime dhe vështirësi, nuk ka asnjë lidhje me kërbaçët e regjimit të vjetër, me armiqtë e lirisë, me ata që ishin mashat e verbëra të diktatorit, zelli i të cilëve shpesh herë e kalonte edhe linjën zyrtare të kohës, sepse kapërcente mbi kurbën politike të luftës së klasave.

Por është krejtësisht e pafalshme dhe krejtësisht e papranueshme marrja në "besë" e tyre nga forca kryesore e opozitës dhe nga kryetari i saj. Gjatë gjithë këtyre ditëve, Edi Rama dhe partia e tij u ka fryrë borive të rrezikut, që gjoja ky ligj paraqet për disa institucione të vendit.

Këto janë pretendimet më absurde dhe më të ulëta që opozita ka shfaqur në këto tre vjet e gjysmë, që pas humbjes së saj në vitin 2005. Janë akuza që nuk qëndrojnë në asnjë logjikë dhe rrethanë, sepse ky ligj është pak a shumë i njëjti variant që Partia Demokratike e ka paraqitur që para tre vjetësh në Kuvend. Dhe sigurisht, në atë kohë nuk ekzistonte asnjë nga ato çështje për të cilat Partia Socialiste është e interesuar, dhe për të cilat po thotë se ligji kërkon largimin nga detyra të disa prokurorëve apo gjykatësve.

Por të mendosh që ne duhet të ndryshonim vizionin dhe konceptin tonë për pastërtinë e figurave, vetëm për shkak se ai mund të ndikonte në fatin apo karrierën e disa individëve, që sot mund të jenë ngarkuar për të bërë punë speciale apo gjyqe "speciale", kjo është jashtë çdo logjike dhe përfytyrimi. Sepse një ligj që nuk "kursen" Presidentin e Republikës, kryeministrin, Kryetarin e Parlamentit, ministrat, deputetët dhe të gjithë zyrtarët e lartë të shtetit dhe të administratës publike, as që mendohet se mund të jetë mëshirëplotë me një grusht xhelatësh që janë përdorur dhe vetëpërdorur barbarisht gjatë diktaturës, si kasapë të Sigurimit të Shtetit dhe të gjyqeve në emër të popullit, pavarësisht punës që ata mund të bëjnë sot.

Por këto pretendime janë njëkohësisht një fyerje e rëndë publike që u bëhet shumicës dërrmuese të prokurorëve dhe gjyqtarëve të këtij vendi, që nuk kanë asnjë hije të errët në të kaluarën dhe asnjë papajtueshmëri me këtë ligj. Është e tmershme të mendosh se ju mund të kini fëmijët tuaj, nipërit dhe mbesat tuaja që mund të kenë mbaruar Fakultetin Juridik apo vazhdojnë studimet atje. Çfarë do t'u thoni atyre, që nuk vlejnë një dysh, sepse duhet të kenë zbatuar Kushtetutën e '76-ës dhe të kenë marrë pjesë si prokurorë apo gjykatës në procese politike, që të jenë të vlefshëm? Pavarësisht se për kë votojnë, pavarësisht se çfarë partie parapëlqejnë, ata janë edhe për ne një mijë herë më të denjë e të përkushtuar, se cilido prej fosileve të regjimit të vjetër që na i latë në derë që nga '97 e këtej. Është ogurzi fakti, që Edi Rama dhe partia e tij po përpiqen të bindin shqiptarët se, zyrtarët më të devotshëm dhe më të zotë në institucionet tona të drejtësisë dhe më gjerë, janë pikërisht ata që kanë thyer kocka njerëzish dhe që kanë dhënë vendime monstruoze në dëm të disidentëve të regjimit të Hoxhës edhe në ditët kur diktatura komuniste ishte në grahmat e fundit.

Ky është një ligj i mirë dhe i drejtë. Kur është hartuar ai nuk ka pasur kurrë parasysh emra të përveçëm, por kritere të qarta të aplikuara edhe në vende të tjera ish-komuniste dhe sigurisht një vizion modern në trajtimin e së shkuarës, ku predominon morali dhe drejtësia. Po të kishte intensione qëllimmbrapshta, sigurisht që të parët që do të rrëzoheshin prej tij do të kishin qenë disa politikanë të majtë që edhe pas 18 vjetësh qëndrojnë në llogoren e kundështarëve tanë më të ashpër.

Por ky ligj ka edhe një vlerë tjetër. Për të ndriçuar dhe për të zbardhur një herë e mirë dhe publikisht lidhjet e errëta të klasës politike me diktaturën dhe me Sigurimin e Shtetit. Ky ligj e ndan përgjithmonë të vërtetën nga shpifja dhe spekullimi, armë që janë përdorur rëndom gjatë këtyre viteve për të gjuajtur mbi kundërshtarët politikë, pa marrë asnjë kosto dhe përgjegjësi.

Ku janë sot të gjithë ata "trima" opozitarë, që në kohë dhe mënyra të ndryshme kanë treguar gishtin tek mazhoranca, ata që kanë deklaruar në këtë sallë dhe jashtë saj, se ligji i dosjeve do të rrëzonte qeverinë apo do të shkaktonte tërmet tek Partia Demokratike. Qeveria është këtu më solide se kurrë dhe mazhoranca tërësisht e vendosur për ta votuar pa asnjë mëdyshje ligjin, ndërsa juve ju kanë mbetur në prehër edhe pseudonimet, edhe nofkat.

Ku janë futur sot të gjithë ata rrufjanë politikë apo politikanë të keqpërdorur që i kanë lejuar vetes herë me gjysmë zëri dhe herë, duke vënë në punë ndonjë gazetë apo gazetar të lodhur të akuzojnë zyrtarë të lartë apo kolegë të mazhorancës si bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit? Ne jemi këtu të gjithë bashkë të gatshëm që verifikimi të nisë prej nesh, kurse ju jeni të strukur në skutat e errëta të justifikimeve të mjera dhe të zënë me avokatinë e ish-xhelatëve të regjimit. Kjo nuk është sfida jonë, por tani na duhet t'ua themi se është dita që kush të rezultojë i ftohur, të ikë në punë të vet dhe të lirojë rrugën që u ka zënë të tjerëve, por qëndrimi që ju po mbani ndaj ligjit, ju bën që të kolliteni fort të gjithë sot.

Ky jo vetëm është një ligj i mirë, por edhe një mesazh i jashtëzakonshëm dhe i shumëpritur që ne i japim shoqërisë shqiptare. Ne nuk kemi më asnjë minutë për të humbur, me kokë të kthyer prapa në terrin e të kaluarës. Shqipëria, jo vetëm nuk humbet asgjë, duke nxjerrë jashtë institucioneve një grusht individësh me hije të errëta dhe xhelatësh të ish-regjimit, por përkundrazi, ajo fiton në të gjitha dimensionet.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora