E enjte, 21.11.2019, 04:01 AM (GMT)

Komente

Kujtim Mateli: Duke pirë kafen e mëngjezit

E marte, 16.12.2008, 08:05 PM


Duke pirë kafen e mëngjezit

Kush nuk njeh historinë e të parëve të tij, pa histori do të mbetet dhe vetë

Nga Kujtim Mateli

Ndërsa pi kafen e mëngjezit, njeriu gjen një çast qetësie për të menduar edhe një herë për atë që do të bëjë gjatë ditës. Po ndërsa mendon për të ardhmen, për ditën e re të punës, do të ishte mirë që të gjente edhe pak çaste ku të mendonte edhe për të shkuarën e tij dhe të gjyshërve të tij. Kjo do t`i bënte mirë për të kuptuar se kush jemi, nga vijmë dhe për ku shkojmë. Kjo arrihet nëse secili prej nesh, veprën e Naim Frashërit e konsoderon si libër të shenjtë për kombin shqiptar. Ai libër duhet të jetë i pranishëm në çdo shtëpi. Aty gjen gjithçka që i duhet një njeriu të devotshëm për kombin e vet. Çdo shqiptar, qysh në fillim të ditës, duke pirë kafen e mëngjezit, të thotë dy vargje apo dy rreshta nga vepra e tij e pavdekshme. Nëse është me njerëz të tjerë është mirë që këto vargje t`ua transmetojë atyre që ka pranë. Ku do ta çojnë bashkëbiseduesin ato vargje? Tej, në mugëtirë të shekujve, tek qytetërimi i gjyshërëve tanë që edhe sot shfaqen para nesh me madhështinë e tyre të pa arritëshe. Është madhëtia e besimit tek perënditë, të cilat u morën më vonë, një e nga një nga popuj të tjerë, por ashtu si çdo gjë që huazohet , nuk patën jetëgjatësi tek këta popuj. Këtë e ndjente dhe poeti i madh i lashtësisë, Homeri, ku në veprën e tij madhore do të shkruaj: “O Zeus, mbret dodonas pellazgjik.” Megjithëse Homeri përshkruan luftën e Trojës, ku perënditë që merrnin pjesë në betejë zbrisnin nga maja e Olimpit, poeti do të na tregojë origjinën e mbretit të perëndive,Zeusit, duke na thënë se ai ishte pellazg. Kështu mbreti i perëndive, para se popujt e tjerë ta huazonin dhe ta vendosnin në Olimp, e kishte selinë e tij në atë majë mali me emrin Tomorr dhe që pasardhësit e pellazgëve e kanë të shenjtë edhe sot e kësaj dite. Popujt e tjerë kanë 2000 vjet që e kanë harruar, ku Zeusi dhe perënditë e tjera rrojnë vetëm në letër. Gjurmët e atij qytetërimi të madhërishëm  gjenden në malin e Tomorrit, i gjejmë edhe në Dodonë, e cila ka qenë një faltore e mrekullueshme, ngritur enkas për Zeusin. Vazhdimësine e qytetërimit pellazgjik e vë në dukje dhe Fan Noli, i cili duke folur për gjendjen anarkike të Shqipërisë na thotë: “E para, anarkia fetare: katër fe të ndryshme që s` kanë  zënë rrënjë në zemrën e një populli pagan.” Besimi pagan nuk është gjë tjetër veçse besimi pellazgjik i gjyshërve tanë. Ky konstatim i Nolit është i saktë dhe, thënë nga një personalitet i përmasave europiane si ai, merr vlerën e një të vërtete të padiskutueshme. Po nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Sistemi pellazgjik i perëndive i krijuar tre-katër mijëvjeçarë para Lindjes së Krishtit, apo besimi Islam i mëvonshëm, nuk mund të asimilonin një besim që ka pesë-gjashtë mijëvjeçarë egzistencë, përkundrejt besimeve të mëvonshme që janë në harkun e dy mijëvjeçarëve. Po ajo që është themelore që katër fe të ndryshme (siç na thotë Noli) nuk mund ta kryenin këtë asimilim edhe për një arësye tjetër. Ndërsa tek popujt e tjerë besimi pellazg u rrënua shpejt, kjo erdhi ,se këta popuj këtë besim e kishin të huazuar. Ndryshe ndodh me stërnipat e pellazgëve që janë njohur në rrjedhë të historisë me emra të ndryshëm: ilirë, arbër, shqiptarë. Besimi tek perënditë që kishin në epiqendër Zeusin, i cili tek ne sot njihet me emrin Zot, ka edhe sot një mijë fije të pazgjidhshme me këtë besim. Shqiptarët janë sot në botë populli më besimtarë. Sigurisht që ai beson edhe ndër fe të tjera, por ai është 100 përqind besimtarë i asaj fesë së lashtë që ia pastron shpirtin dhe zemrën.

Ndërsa pimë kafen e mëngjezit le t`i themi njëri-tjetrit dy vargje nga poeti ynë i madh Naim Frashëri. Edhe kafeja do të na shijojë më mirë. Do të ndjehemi më të vrullshëm. Ato vargje do të na çojnë në një periudhë të ndritur të historisë sonë. Mes nesh do të jetë kryeheroi ynë legjendar, Skënderbeu. Aq sa ishte i madhërishëm në organizimin e një ushtrie që u bëri ballë hordhive osmane, po aq i madhërishëm është në vizionin e tij. Ndërsa për shpatën e tij kemi dëgjuar e lexuar shumë, për vizionin e tij duhet të mësojmë më shumë. Vizioni i tij ishte ai i integrimit të hapësirës europiane për të mposhtur pushtuesin. Për këtë aleatët i kërkoi në Europë. Nuk ishte vetëm Gjon Huniadi i Hungarisë aleati i tij me të cilin u lidh në veprime të përbashkëta, por iu drejtua gjithë Europës, i bindur se po ruante vlerat e qytetërimit europian, të cilat ishin njëkohësisht dhe të tijat. Rrënjët e qëndresës i gjeti tek populli i tij. Emblema e tij me brirët e dhisë ishte ajo që mbante edhe Pirroja legjendar i Epirit. Po edhe Pirroja këtë emblemë e kishte nga gjyshërit e vetë. E shtyrë më tej në kohë, ajo na çon në kohrat e gjyshërve tanë pellazg, që këtë përkrenare e kanë mbajtur për nder të Zeusit, perëndisë së tyre pellazge. Brirët kanë simbolizuar  dhinë, që sipas mitologjisë ka ushqyer Zeusin kur ai ishte fëmijë. Ky fakt tregon se Skënderbeu simbolet e veta ka dashur t`i lidh me historinë e popullit të tij. Kështu hapësira gjeografike së cilës iu drejtua heroi ynë ishte e gjithë Europa, ndërsa hapësira kohore u shtri deri në origjinën e paraardhësve tanë pellazg. Naimi punoi shumë për ta skalitur figurën e Heroit tonë Kombëtar dhe ia arriti qëllimit.

Ndërsa pimë kafen e mëngjezit le t`i themi njëri-tjetrit dy vargje nga poeti ynë i madh Naim Frashëri. Ato vargje do të duken se janë shkruar një natë më parë. Një natë më parë ashtu si dhe ti, Naimi ka mbetur i pagjumë… Ti e gdhive duke menduar ç`duhet bërë më mirë për të hyrë në bashkësinë europiane që aq shumë po e kërkojmë këto vitet e fundit. Naimi i shkruan poetikisht asaj dite kur ne do të bëhemi anëtarë të kësaj bashkësie të shenjtë:   “Pa jak o ditë e uruar /që lind nga perëndon/atë vend e ke ndrituar/ dhe ne pse na harron?”



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT