E premte, 26.04.2024, 04:05 PM (GMT+1)

Kulturë

Ali D. Jasiqi: Rrëfimi i Gan Gabelit

E diele, 14.12.2008, 01:38 PM


Ali D. Jasiqi
Ali D. Jasiqi

RRËFIMI I GAN GABELIT

Quhem Gani Jefqishta. Në fshat me njohin si Gan. Nuk e di a e din emrin tim të vërtetë, po kështu me thërrasin. Madje as emrin e as mbiemrin asnjëherë nuk ma thonë saktë. Disa me thërrasin Gan Kovaçi, të tjerët Gan Magjupi, edhe pse nuk jam magjup. Madje emri im është Gani e askush nuk me thërret kështu por, vetëm Gan e ndoshta që të më dallojnë nga shqiptarët, që i thërrasin Gani e jo Gan si mua. Disave si t’u teket por kurrë nuk me thërrasin Gani Jefqishta, siç quhem me emër e mbiemër të regjistruar në të gjitha librat e shtetit e ndoshta edhe të hoxhës. Prej nga kanë ardhur të parët e mi nuk e di askush. Vetëm e di se gjyshi, katragjyshi e kush e di se sa paraardhës të tyre kanë lind, janë rritë dhe kanë vdekur këtu, në këtë fshat.
Të gjitha këto nuk kanë ndonjë rëndësi në krahasim me atë që dua t’ua tregoj një ngjarje të ndodhur para më se njëzet vitesh, për të cilën nuk kam guxuar të flas asnjëherë.
- Pse nuk ke treguar më parë? - e pyeti njëri nga të pranishmit më kureshtar se të tjerët.
- Do ta marrësh vesh kur ta dëgjosh atë që më ka ndodhur mua.
- Nejse, tregoje, bash po më intereson.
- Një ditë vjeshtës se vonë u nisa te prej dru për dimër për fëmijët e mijë të shkretë dhe t’i ngarkoja në gomar. Kur u afrova të kroi që ta heq etjen papritmas me doli njeriu të cilin nuk e kisha pas parë disa vite. Tu them të drejtën u frikësova dhe fillova të iku, por ai nuk më la.
- Ndal! - Ku po shkon?
Dreq o punë, thashë me vete, ç’më zuri sherri. Si nuk e kisha hetuar fare se aty afër në një çubë të vogël ishin dy tre apo më shumë njerëz, në mesin e të cilëve edhe njeriu që e kisha njohur më parë.
- A më njeh ti mua? - më pyeti Duli. Dul Berisha.
- Si nuk të njoh!. Të njohim të gjithë, por nuk kam besuar se gjendesh këndejpari. Thonë se je arratisur para sa vitesh.
- Është e vërtetë që jam arratis, por a po sheh se unë përsëri jam këtu, në mesin tuaj. E si më njeh ti mua?
- A të kam pas drejtor të kooperativës. Të them të drejtën unë kurrë më mirë se atëherë nuk kam kaluar. Punoja në dyqanin tim. Mbaroja potkoj dhe nallçe për kuaj e kije dhe në fund merrja misër, grurë dhe ushqime të tjera për familjen time që nuk mund t’i harxhoja për disa vite e lërë më për një vit, që më takonin. Disa i shitja dhe bleja nga një shishe raki. Kështu e kemi në gabelet.
- Mirë, mirë, por më trego se çka flitet për mua në mesin e njerëzve më të cilët ti shoqërohesh?
- More, zotëri, unë nuk kam shoqëri aq të madhe me njerëzit - ia ktheva.
- E di unë se të ti vijnë njerëz që të marrin patkoi. Nuk e lënë pa më përmendur edhe mua. Helbete për të mirë apo edhe për të keq.
- Secili i ka dertet e veta, zotëri - i thash që ta ndrëpreja bisedën, fundin e të cilës nuk e dija.
- Mos u shtir se nuk din asgjë. I di të gjitha, por po dua të dëgjoj edhe nga ti, sepse të di për njeri të sinqertë, punëtor të mirë dhe të zellshëm, andaj fjala jote për mua ka rëndësi të madhe - vazhdoi Duli. Unë nuk e dija se apo fliste të vërtetën apo vetëm po donte të nxirrte fjalë nga unë. E ai kishte ngul këmbë që të mësonte diç të re për njerëzit që nuk kishte takuar që disa vite dhe më të cilët kishte punuar në kohën e asaj kooperativës bujqësore. Thënë drejtë vonë e mora vesh se ai më shumë kishte dëshirë të vazhdonte bisedën se sa të mësonte se çka mund flasin filani apo fisheku për te.
Nuk dija çka t’i thoja. E dija se para disa muajsh, flitej se kishin ardhur disa diversantë dhe pasi ishin ngujuar në shtëpinë e Bajram Gonxhes, ushtria dhe policia serbe i kishin hetuar. Kishin dhënë alarmin dhe kishin ardhur ushtarë e policë nga të gjitha anët dhe e kishin rrethuar shtëpinë. Mendoni t’i zinin të gjallë ose edhe të vdekur, t’i likuidonin me çdo kusht. Por për çudinë e të gjithëve ata e kishin shpërthyer rrethimin e hekurt, kishin dal pa një therë në këmbë, duke lënë të vrarë dy vetë. Për këtë kisha dëgjuar në dyqanin tim. Flitej më të madhe për mënyrën e shpërthimit të rrethimit. Secili e tregonte variantin e vet. Dikush thoshte se i kishin ndihmuar disa bashkëfshatarë. Të tjerët thoshin se më parë e kishin hedh një bombë dhe ushtarët e policët ishin larguar, ndërsa fshatarët që këta i kishin lënë në rendin e parë ua kishin lëshuar rrugën, dhe ata kishin dalë nga rrethimi dhe kishin ikur në drejtim të panjohur. Edhe më interesante ishte mënyra se si i kishin hetuar. Flitej se një ish bashkëpunëtorë i tyre, një njeri të cilit i kishin besuar shumë, pasi ia kishin dërguar një letër dhe i kishin treguar se ku gjendeshin, në vend që të shkonte në takim me ta, kishte shkuar në polici dhe i kishte tradhtuar. Por, ata edhe më të mençur. Kishin porositur një bashkëpunëtor tjetër që ta përcillte të parin dhe pasi ky e kishte parë atë që kishte hyrë në stacionon e policisë, i kishte lajmëruar dhe ata kishin ndërruar konak. Dhe kështu i kishin shpëtuar rrethimit të parë. Por, pas kësaj kishin burgosur shumë fshatarë, disa nga të cilët edhe janë kalbur nëpër burgje. Madje për njërin thuhet se kishte vdekur nga torturat që kishte përjetuar në polici. Kur e kishin sjellë xhenazen në fshat kishin thënë se ka vdekur nga infarkti. Nuk ishte bërë asfare obduksioni. Madje e kishin sjellë në sënduk të mbyllur dhe nuk kishin lejuar që të hapet fare. E kishin urdhëruar familjen që ta varrosnin natën dhe me fare pak njerëz, hoxha dhe familja më e ngushtë. E askush tjetër. Të gjitha këto fliteshin në dyqanin tim, por nuk guxoja t’ia thosha. Tërë kohën mendoja se si të largohen dhe të shkoj në shtëpi.
- Zotëri me qejf do të rrija me ty, por me pret gruaja dhe fëmijët. Bëhen merak po u vonova - thashë dhe mendova të largohem.
- Qe besa nuk e bërë hapin. Po të lëshova unë ti drejtë e në milici dhe ne i lamë duart. Jo gabelo jo, nuk do të shkosh ti askund derisa të them unë - më tha preras.
Tani e kuptova se pse më ndalonte ai aq shumë në mes të pyllit në mesditë.
- Zotëri, unë nuk di asgjë. Madje as nuk të kam parë fare - i thash i bindur se në këtë mënyrë do të më lejonte të largohesha nga aty dhe të shkoja të fëmijët dhe gruaja, madje pa pas marrë asnjë dru.
- Jo, jo, cigo, do të rrish edhe pak kohë që të bisedojmë. Më ka marrë malli të bisedoj me njerëzit e fshatit tim. Ti je i pari që po e shoh prej largimit tim, para disa vitesh, nga këtu. Besoja se do të më tregosh shumë gjëra, e ti asgjë nuk thua. Nuk bën kështu. Unë u gëzova kur të pash e ti do të ikësh sa më parë. Nuk bën, se nuk bën. A more vesh. Do të bisedojmë akoma.
- Ore, zotëri, nuk kam çka të bisedoj unë më ty. Ti ke qenë drejtor i imi e unë një kovaç i thjeshtë. Një punëtor i mirë po, por kovaç hesapi. Çka di unë se çka bisedojnë fshatarët. Prej ne gabeleve, më duket se, ruhen dhe nuk flasin. Kush di pse. Vallahi unë jam më i fjalës se shumë shqiptarë, qebesa.
- E di, e di. Prandaj edhe po kam qejf të bisedoj me ty.
- Po more zotëri po gomari im unëtohet dhe çka t’i bëj.
- Shumë lehtë, gomarin e përcjellim dhe ai shkon vetë në shtëpi. Edhe kështu është rrezik të rrijë këtu, sepse mund të gërvallët dhe na hetojnë - dhe e urdhëroj njërin nga shoqëruesit që ta përcjellin gomarin deri në njëfarë vendi ku ia merrte mendja se do të shkonte vetë në shtëpi.
- Po zotëri, kështu është edhe më keq. Kur ta shohin familja trenohen prej frikës se mos më ka gjet diçka.
- Hiq mos ki gajle, presin, presin dhe në mbrëmje ti u shkon si gugujsufë dhe çdo gjë vjen në vendin e vet.
Nuk kisha rrugëdalje tjetër, vetëm të ulesha dhe të qëndroja për disa kohë aty. Nuk ma merrte mendja se do të më mbante deri në mbrëmje. Kur u errësua mirë, që nuk shihej më, pothuajse asgjë, më tha se mund të shkoja ku të doja. Ky edhe kishte qenë qëllimi i tij. Vonë, shumë vonë, e mora vesh. E mora vesh vetëm atëherë kur më tha se mund të shkoja dhe të mos i tregoja askujt se më kishte takuar.
- Po e maur vesh dikush se më ke parë, dije çka të pret. Të faroj më gjithë familje. A u morën vesh në mes veti?
- Po zotëri. Çele gurë gojën. A flet guri. Aq do të flas edhe unë.
Edhe sot e kësaj dite kanë kaluar më shumë se njëzetë vjet, dhe pasi ai ka vdekur para tri vitesh, kam frikë të tregoj se si jam takuar me Dul Berishën në Rogopeq. Ju këtë as që mund ta merrni me mend e lë më të përjetoni atë që e përjetova unë gjatë asaj dite. Çka është edhe më keq, të nesërmen krisi lufta ke Dushkajën e Drenocit, ku u vranë disa policë e ushtarë. Në shtëpi as për bukë nuk më binte ndër mend. Kur arrita në familje, nuk dija se çka t’u thosha. U thashë se më ndalen do miqë të vjetër, të cilët nuk i kisha parë kush e se sa vite dhe duke biseduar e pash se gomari nuk ishte aty ku e lash. Njëherë më shikuan dhe nuk bën zë. Por, pas pak, filluan të më pyesin se kush ishin ata budallenj që të ndalin aq shumë. Nuk disha çka t’u them. Kërkova të ma shtronin bukën dhe u shtriva në krevat. Por gjumë nuk kisha. Disa ditë rresht nuk kam mund të flejë. Kush e di se çka do të ndodhë më mua. Po qe se marrin vesh këta të pushtetit e pat puna ime. Të shkoj dhe të tregoj nuk guxoja, se pse Duli m’i kishte mbledhur betë se po u maur vesh do të ma faronte familjen. Hyp se të vrava, zbrit se të vara.
 Vetëm atëherë kur kam dëgjuar se Duli ka vdekur në Tiranë, jam çliruar dhe që tani mund ta tregoj gjithë atë që më ndodhi mua, e mos i ndodhte askujt tjetër. 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora