Kulturë
Prend Buzhala: Lirika e humbjes
E diele, 08.08.2021, 09:43 AM
LIRIKA E HUMBJES
(Lexime
poetike. Ali Podrimja: “Kërkon atë që nuk mund ta gjej”)
Nga
Prend BUZHALA
Poeti
i kërkon falje të kaluarës, lashtësisë së qenies sonë.
Kjo
do të thotë t'i kërkosh falje vetë historisë, për tretjet e shumta në shkulmat
e kohës, tretje vlerash identitare, shpirtërore, hyjnore, dhe, gjithsesi edhe
etnike... Tretje e dhimbshme! Qenie e rrudhur, e kruspullosur, e rrëgjuar, pa
atë forcë lirie...
Poetët
e vënë në spikamë këtë gjëmë të qenies sonë.
Te
poezia “Kërkon atë që nuk mund ta gjej” të Ali Podrimjes nga vëllimi poetik
“Lum Lumi”, lexojmë vargjet:
Lumi
Ti kërkon diçka
që kurrë nuk mund ta
gjej
Ti kërkon diçka që moti
e kam humbur
Pse Lumi
gjithmonë kërkon atë që
nuk mund ta gjej
kur e di
jashtë lëkure nuk mund
të dal
Mirë e ke Lumi
vetëm vazhdo me tënden
ti
unë megjithatë deri në
vdekje
do ta kërkoj atë që e
humb
Jeta
pas humbjes është e pleksur me pikëllim, kurse vargjet ftojnë për ta përballuar
atë. Ato na ndihmojnë ta ndiejmë këtë ndjesi, të bëhemi bashkëpjesëmarrës në
këtë bashkëndjesi, për të komunikuar a përcjellë një mesazh. Përcillet jehona e
dhembjes, e shuarjes, kurse poezia shndërrohet në memorie lirike, në një
vrojtore e rrëfyestore të historisë. Duke e pranuar këtë humbje, poeti e gjen
paqen e vetvetes. E gjen pas shumë dekadash: ai e pranon idenë e vdekjes së
tij, mu aty ku ndodhi humbja e tij! E gjen atë që e humb!!! Paradoks ironik i
fatit, apo jo! I fatit personal dhe i atij kolektiv! Ai nuk e kërkon hepiendin,
por gjetjen e së humburës. Humbjen e vet; për ta lënë pas vetes shpirtin e tij.
Vazhdën e këtij shpirti. “Ti kërkon diçka që moti e kam humbur.” E humbura
personale bëhet mishërim i humbjes kolektive, historike. “Asnjëherë mos e
mbytni pikëllimin tuaj, por kujdeseni dhe vlerësojeni atë derisa të ketë një
interes të veçantë dhe integral. Të pendohesh thellë do të thotë të jetosh
përsëri", shprehet diku Henry David Thoreau.
Ishte
kohë e dhimbjeve të mëdha.
E
kur nuk i patëm të tilla dhimbjet, mund ta shtrojë pyetjen e tij poeti, në
secilën kohë.
E
pranon humbjen, sepse dëshiron ta kapërcejë atë. E pranon vdekjen, sepse
ajgëton diçka përtej saj! Dhe pranon të bashkëjetojë me to: me humbjen e me
vdekjen. Për ta rindërtuar qenien e tij, për t’i mbushulluar boshllëqet e
shuarjeve. Kujtesa shndërrohet në thesar. Atë që e do, është pjesë e qenies
sate. "Të jetosh në zemrat që lëmë pas nuk do të thotë të vdesësh."
(Thomas Campbell). Paradoksalisht, vargjet duan të na thonë që thellësia e
dashurisë, dashuria e thellë ndaj qenies që e do, nuk humbet kurrë. Humbja nuk
ekziston!
Ekzistojnë
vargjet e përjetshme që nuk e pranojnë humbjen.
Poeti
e kërkon shpagën e historisë.
(1 gusht 2021)