E premte, 26.04.2024, 05:39 AM (GMT+1)

Kulturë

Suzana Kuqi: No comment

E merkure, 03.12.2008, 09:11 PM


Suzana Kuqi

 

NO COMMENT

 

Në errësirë , zbresin shkallët katër burra me një ngarkesë të rëndë . Në heshtje ,me kujdes për të mos bërë zhurmë , e mbi të gjitha për të mos përplasur arkën mureve . Kur zbritën e vendosën mbi një makinë që kishte qëndruar aty poshtë. Pasi e lidhën dhe e siguruan mirë , makina u nis. E shoqëruan me sy deri sa u zhduk në cepin e rrugës e pastaj u larguan në drejtime të ndryshme.

 

- o -

 

Një djalë i ri në autostradë, duke patur kujdes të mos kalonte kufirin maksimal të shpejtësisë , vetëm probleme me policinë , jo. Mbi makinë një nga ato arkat për bagazhe që kanë formën e barkave... Efekti i alkoolit i ka kaluar, ankth , dhimbje, lodhje e një farë pendimi...Hera herës fshin ndonjë lot që i rrokulliset.E herë pas here mbyt ndonjë psherëtimë.Duhet të kalojë disa shtete, të parat ikën , mbetën larg. E me to edhe një pjesë e ankthit dhe e frikës. Shpesh shikon tavanin e kabinës së makinës e pëshpërit disa fjalë , lutje të shkëputura që këputen aty këtu nga ndonjë dënesë e pavullnetëshme .Ka hyrë në Rumani...ankthi sikur është fashitur e i liron vendin lodhjes e mundimit. Sytë po i mbyllen. Alarmohet. Duhet të arrije patjetër atje, nuk ka gjallë a vdekur. Duhet të arrijë gjallë , duhet të çojë atë ngarkesë. Sheh një atugrilë. Vendos të ndalojë vetëm për pak, aq minuta sa do t'i duhet të pijë një kafe e pastaj do të niset sërish. Duhet medoemos të arrijë shpejt, koha nuk pret, për atë , për ngarkesën ...Koha nuk pret për ata që e presin... Asnjë mendim tjetër.

 

 

- o -

 

Ndalon makinën , zvarritet me shpejtësi drejt autogrilës, porosit e pret me padurim kafenë dhe e rrufit shpejt .Ndjehet pak më mirë, të paktën këmbët i ka ca më të lehta . Del jashtë e ecën drejt vendit ku ka lënë makinën. Befas , hapi i stepet. Makina është aty, ngjyra metalike e saj shkëlqen ndën rrezet e diellit me një nuancë tallëse, ngarkesa është zhdukur.Jo, nuk ka mundësi, më bëjnë sytë, nuk mund të ndodhë . Nuk mund të ndodhë!!! Ndjeu se u akullua nga lëkura e kokës deri tek gishtërinjtë e këmbëve. Eshtë ëndërr, ëndërr e keqe. O Zot, më thuaj se ... I shkreti unë ! I priten gjunjët e gati bie përdhe nga dëshpërimi. Po tani ? Ku të kërkoje, ku të pyese, ku t'a gjejë ? Por a mund të pyesë ? Diku afër mund të gjendet ndonjë rajon policie, por a mund të shkojë në polici ? Ulet në bordurën e parkexhit dhe zë kokën me duar . Jo , policia, kurrsesi jo ! Ngrihet e fillon e pyet ndonjërin që ndodhet aty pranë ,se mos rastësisht kanë parë gjë kur ... Hyn në autogril e pyet baristin e kamarierët. Dikush i jep ndonjë përgjigje të thatë kategorike, dikush tjetër as nuk e kupton gjuhën e tij. Ndenji aty rrotull me shpresë se dikush mund të vinte nga çasti në çast e t'i thosh diçka, me atë shpresë të mjegullt në zemër se ajo që i kish ndodhur ishte veç një shaka e keqe . Por shpresa erdhi duke u zbehur derisa i la vend realitetit të hidhur. I shkreti unë, përsëriti për të mijtën herë atë ditë djaloshi. Kur ra nata , hipi në makine dhe mori rrugën e kthimit. Rruga që kish nisur , nuk kish më kuptim...Nuk kish kurajo e guxim për t'a vazhduar.

 

- o -

 

-Kapo,- tha më i riu, - shiko se ç'kemi peshkuar sot !

 

- Cfarë ka brenda ?- kapoja ishte ulur pranë një tryeze ne fund të një magazine të vjetër e të braktisur. Përpara kishte dy shishe të zbrazura birre dhe e treta ishte në gjysëm.

 

- Nuk e kemi hapur akoma.

 

I riu mori një levë dhe me dorë të stërvitur hapi kapakun. Në fillim nuk dalloi gjë , më pas ... nuk po u besonte syve.

 

- Cfarë ka aty brenda ?- ngulmoi kapua. Por djali , të cilit i kish rënë një çehre e zbehtë ,nuk ishte i zoti të hapte gojën. Burri u çua nga tavolina e u afrua me hapa të rëndë .Mjekrra i zbret poshtë duke i lënë gojën hapur një çast.Pastaj :

 

- Zhdukuni ! Me këtë merrem unë.

 

- o -

 

Tri ditë më pas, katër burra, emigrantë të kombësive të ndryshme , të cilët i kish njohur ajo gotë pas pune, hynë në lokal.Mbetën të shtangur kur panë djaloshin ulur në një karrike pranë banakut . Kish rreshtuar disa gota përpara dhe i kthente një e nga një.

 

- Kaq shpejt e varrose nënën?- ju afrua njëri prej tyre.

 

- C'varrim ?! Nënën m'a vodhën rrugës ...në një autogril ,- tha me gjysmë zëri djaloshi.

 

***

 

E titullova NO COMMENT . Një tregim që e kam dëgjuar nga miq të mij emigrantë, nuk kam dyshim në vërtetësinë e tij.Djali ishte ukrainas, nëna i kishte ardhur për vizitë dhe i vdes papritur në shtëpi. Në mungesë të parave për të bërë një trasport e funeral siç duhej, shokët e tij menduan t'a ndihmonin në mënyrë ndryshe. Dikush gjeti kutinë trasportuese në të cilën futën trupin e saj dhe dikush tjetër pruri akullin që ja futën brenda. E kështu ... e përcollën me zemër të ngrirë se mos e kapte policia dhe futej në telashe . Një mijë e një gjëra të këqia mund të kishin menduar e fantazuar....por realiteti ja kaloi fantazisë. Pas habisë së papërshkueshme që shkaktoi përgjigja që morën... nuk e di pse , dhe nuk i gjykoj dot keq , por ja plasën të qeshurit. Them nuk i gjykoj dot keq , pasi edhe mua kur ma treguan këtë histori më erdhi për të qeshur .Historia fillonte : -Sa shpejt e varrose nënën ? Përgjigja :-Nënën ma vodhën në autogril ...Të të vjedhin nënën e vdekur !? Kjo , kur ngjarjen e shikon nga jashtë, pasi ka ende petkun e të pabesushmes që fataliteti ja ka veshur. Një tragjikomedi, për skenë do te ishte efiçente, në jetën reale... Zot , mos na bëj t'a dëgjojmë e jo më t'a pësojmë ! E kur mendoj se kemi edhe ne pleq këndej... sa herë kur grindemi me burrin tim të mirë se kemi shpenzuar shumë para... se paraja duhet për ditë të bardhë...por këtu më shumë për ditë të zezë , sepse njerëzit kur nuk kanë para ... u vjedhin dhe nënat rrugës...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora