E premte, 26.04.2024, 12:42 PM (GMT+1)

Mendime

Përparim Kabo: Një letër Baronit Ferenc Nopça!

E hene, 01.12.2008, 04:04 AM


Një letër Baronit Ferenc Nopça!

 

Nga Dr.Përparim Kabo

 

Ishte kapërcyelli i pranverës 1933 Baron kur Ju vendosët të takonit vdekjen me paramendim dhe me një gjakftohtësi shëmbullore.

Amanetet që latë, patët jo pasuritë dhe pronat por punimet shkencore, dorëshkrimet, skicat dhe vëzhgimet në teren;

kur paraprakisht po atë ditë Ju i dhatë profesor Joklit “një listë të dorëshkrimeve që ju kish mbetur dhe luteshit që në bashkëpunim me kontin Paul Telekin në Budapest të gjendej mundësia që të botoheshin”!

Unë Ju kujtova në 24 prill Zoti Nopça sepse këtë vitë u mbushën plot 75 vite nga ajo ditë e symbyllësisë suaj, porse ka një arsye që letrën po ta nisë sot! Kemi vendosur që së bashku me bashkëpatriotët e tu hungarez që punojnë sot në Ambasadën e Republikës Hungareze në Republikën e Shqipërisë, ne petagogët dhe studentët e Universitëtit të Drejtësisë “Luarasi”, njërit nga auditoret t’i vëmë emrin Ferenc Nopça!

Jam i sigurt që ndjehesh i prekur nga gjesti ynë por, është fare pak kjo që ne bëjmë për të nderuar veprën tënde si albanolog dhe ballkanolog i përkortë.

Vepra juaj as mund të humbte, as edhe mund të braktisej nën pluhurin e injorimit vrastar, por as edhe mund të zihej në çarkun e komplotit të haresës që trembet nga “të vërtetat e vërteta”!

Për ata që pak dinë, apo pak duan të dinë; me lejen tuaj Baron ose “Zotni” si edhe të thërisnin malësorët shqiptar; njerëzit e tu të dashur; më lejo të listoj studimet e tua fundamentale që ju bëjnë nder juve; por edhe shkencave albanologjike.

Botimet tuaja të viteve 1915-1932 përfshinë fusha si:”Parahistorinë dhe historinë e kahershme shqiptare”, Etnologjinë, Gjeografinë dhe Historinë e Kohës së Re, por është edhe “E Drejta Zakonore Shqiptare” dhe punimet e hershme si “Shqipëria Veriore Katolike”(Budapest 1907),

“Prej Shalës në Kelmend”(Sarajevë 1910),”Shtëpia dhe Këshilli familjar në Shqipërinë veriore katolike(Sarajevë 1912).

Pra i gjithë hulumtimi Juaj Baron Ferenc Nopça, janë deduksionet nga vrojtimet direkte, me një valencë komunikimi që gjendet vetëm tek Ju! Ferenc Nopça është i vetmi që jetoi dhe punoi në Shqipëri si shqiptarë.U vesh si shqiptarë, mësoi dhe fliste shqip, u ushqye dhe udhëtoi si një malësor shqiptarë, e njohi dhe e perdori “të Drejtën Zakonore” si një shqiptarë 24 karatsh!

E takoi natyrën shqiptare dhe njerëzit e saj të të gjitha besimeve jo si i “huaj”, si kurioz e aventurier apo si ekzibicionist, por si një shqiptarë që “një here ishte në gjak”, një here në pritë, herën tjetër i bujtur tek miku, dhe në rrethana të caktuara si shqiptari që rrezikohet të humbasi atdheun, trojet historike apo të drejtën shtetformuese.

Në këtë këndvështrim, Ferenc Nopça është jo thjesht studjues i historisë sonë, ai është pjesë e saj; me mëndje, me zemër dhe me investim shkencor e shtetformues, ku bëjnë pjesë kufijtë, pasuritë natyrore, forma e regjimit dhe prosperiteti i Shqipërisë Europiane.

Veprat më të njohura të Ferenc Nopçes janë:”Ndërtimet, zakonet dhe monumentet historike të Shqipërisë së veriut”(Berlin&Leipzig 1925) dhe monografia e tij themelore me 620 faqe,”Gjeologjia dhe Gjeografia e Shqipërisë së Veriut”(Õhrlingen 1932).

Të bëjë me dijeni Zoti Nopça se trashëgimia juaj shkencore për studimet paleontologjike shkoi në Muzeun Britanik të Londrës!

Shpirti yt shkencor, ai që nuk vdes në të gjitha kohërat, sepse është “zjarri që i ngroh mardhëniet mes popujve kombeve dhe vendeve. dhe nuk i djeg ato”; është pra i arkivuar! Ai pretë të lexohet kuptohet dhe riinterpretohet, nga studjuesitë e rinj por edhe nga brezat e rinj në përgjithësi.Shkenca nuk të lë të gabosh duke folklorizuar gjithçka dhe duke glorifikuar vlera të pa qena ose të porositura.

Kontributi juaj shkencor me drejtëpeshimin dhe hulumtimet e gjalla, sjell të vërteta që ndihmojnë edhe sot për ekuilibrat jo thjesht shqiptare por edhe më gjërë, ai ndihmon për pikërëndesat ballkanike!

Ti trokite në “portën e rëndë të intrigës ballkanike” duke hyrë nga konaku shqiptar i besës, e ndaj; përpos letër njoftimit kishe si bashkëudhëtar armën; pra e vendose gurin atje në qoshen mbajtëse. Pa armë e dije se do të ishe i humbur ndaj haptas me leje apo tinëz, sa herë që hyje në Shqipërinë e dashur si një malsor e doje armën këtë mik të panadarë, sepse kishe koleg dhe shok jete!

Si shkruani Ju Baron;”…I huaji fiton emër të mirë, kur në një moment vendimtar nuk e harron përse e mban pushkën.Tamam shqiptar,kjo është mburrja më e madhe që arin njeriu në këto vise”.(Udhëtime në Ballkan, faqe 168,botimi shqip Shtëpia Botuese Plejad).

Dy zakonet kryesore që e mbajtën antropologjinë shqiptare që të mos përçahej e coptohej për shkak të fesë apo krahinizmit; dialektalizmit apo përkatësive konjukturale të tregut imperial; ishin vllamënia e kumbaria. Ju Zoti Nopça jo thjesht i përshkruani ato por i realizuat sepse me Qerim Sokolin nga Bugjioni në prani të dëshmitarit Deli Nou,”lidhët gishtat e vegjël të dorës së djathtë,i shpuat dhe morrët nga një pike gjaku e njomët me to dy copëza sheqeri ja dhatë njëri tjetrit për t’i ngrënë u përqafuat dy here dhe thirët mandej hair”. Kështu u bëtë vëllam!

Ndërsa në 1907-n Ju u bëtë kumbarë për Sokol Shytanin nga Shala dhe në vitin 1909 për Nik Prelocin nga Gruda.

Ju u veshët si shqiptar dhe i pret flokët si shqiptar, duke e qethur kokën lartë dhe duke lejuar bishtin e gjatë e duke krijuar atë që quhej Perçe. Kjo mënyrë të sjelluri për Ju ishte ambjentim, njësim me vendasit dhe komunikim me njerëzitë autokton.

Sa bukur e përshkruani ju këtë Baron kur shkruani:”Fillimisht kur erdha në Shqipëri do të kisha zgjedhur që të shmangia veshjen e kostumit kombëtar shqiptar…kjo do të dëmtonte figurën time.

Por kur të gjithë më njohën …më thonin se unë prej qëndrimit tim të gjatë në malësi isha bërë një malësor i vërtetë, kësisojë mund tja lejoja vetes këtë lluks…Nëse ulesha i veshur me rroba shqiptare, atëherë prania ime nuk bezdiste…”(Vepra e cituar faqe 208-209).

Me sa veneracion flisni Ju për veshjen e Ujmishtit që mbanit në trup si vendas prej zemre dhe shpirti!

I nderuar “shqiptari” i mirë Nopça, Ju e njohët të drejtën zakonore si rrallë kush dhe e përdorët në zgjidhjen e mjaft konflikteve gjithnjë duke nxjerë në pah anën racionale, paqësore dhe jo konfliktuale e shpaguese të Kodit.

Tek rëmojë në kujtimet e tua më ka mbetur në mëndje rasti i vëllait të kumbarit tuaj i cili ishte fejuar me një vajzë nga e Dardha e Shoshit dhe se si e zgjidhët Ju këtë rast pa sherr, pa gjakderdhje apo shkishërim.Si shkruani Ju Baron Nopça;”Të gjitha palët e pranuan kompromisin….Pa kaluar 14 ditë vëllai i Sokolit shkoi në altar bashkë me nusen e tij dhe qysh atëherë unë jam bërë mik i ngushtë me të dyja familjet, atë të Shalës dhe atë të Shoshit dhe shpesh kam bujtur atje.”(Po atje faqe 224).

Ju iu dhimsej jeta e shqiptarëve dhe bëtë çmos të shmangej gjakmarrja si në rastin e martesave të kryqëzuara katolikë me myslimanë, por mbi të gjitha për të shmangur martesat e fëmijëve nën moshë pa lejen e tyre; raste që përfundonin shpesh në hasmëri apo gjakmarrje.Si edhe nënvizoni Ju Zoti Ferenc Nopça,”Këshilli shqiptar i vitit 1893 me të vërtetë e mallkoi këtë,por vetëm në mënyrë platonike”. Më josh në gjithëplanësi interesash ky forum mbarë kombëtar dhe ndjehem i zbrazur që, nuk kam informacion dhe njohuri për të. Por dua të të them se edhe sot vijojnë martesa të të tilla me të gjithë recitalin e rrethanave apo pasojave në raste mosrealizimi apo refuzimi. Duket tejet arkaike në një shoqëri institucionale si edhe jemi sot, por ja që ndodh. Ai që ju quanit morali mesjetar dhe kultura mesjetare për shqiptarët e fillim shekullit XX, ende nuk është tretur përfundimisht për të ardhur në formën e një kujtese dhe tradite historike të çertifikuar për të shkuarën e kapërcyer përfundimisht.

Si rrallë kush ju i mbrojtët shqiptarët malësorë katolikë të veriut dhe nga planet djallëzore të Xhonturqëve që, fillimisht donin tinëz dhe pabesisht të çarmatosnin 100.000 malësorët e besimit katolik dhe më tej ti nxirrnin jashtë Shqipërisë, duke i zëvendësuar me muhaxhirë mysliman të Bosnjës.

E demaskove këtë plan të gjeneralit Turgut Shefqet Pasha sepse lotët e Ded Gjon Lulit dhe fjalët e tij se “po na lini vetëm e po na detyroni të trokasim tek armiqtë tanë historik në Mal të Zi për ndihmë” të nervozuan keq, aq sa ju u ndeshët edhe me Ministrin e Jashtëm të perandorisë Austro-Hungareze të kohës, dhe kur gjetët edhe tek ai një qëndrim refraktar e shputë çështjen në gazetat e kohës duke dalur hapur në shtyp.Por u kujdesët që edhe t’i armatosje malsorët trima.Ju mbrojtët kështu një nga pjesët më vitale të antropologjisë shqiptare, ajo që me fanatizëm dhe përballë sfidash kishte ruajtur “identitetin e parë” të qytetwrimit tonë europianë, fenë tonë të fillesës që kur lindi monoteizmi e Shën Pali palli në kodrat e Durrësit dhe që, kishte lëvruar si askush tjetër gjuhën e pastër shqipe e zakonet autoktone të pa përçudnuara nga konvertimi mysliman i pjesës më të madhe të shqiptarëve.

Mbrojtët kështu baron Nopça, atë që kishte mbetur si “trupi romak”, si mëndje latine dhe si orientim shpirtëror nga perëndimi i antropologjisë shqiptare. Pasi në Bizant antropologjia shqiptare u strukturua si:”Trup Romak, Mëndje Greke dhe Shpirt Mistik Oriental”, dhe më tej me pushtimin osman u deformua si “njësi orientale, fetare, shtetërore e ushtarake” me rrezikun në “teh të thikës”; për të humbur përfundimisht identitetin europian që, edhe sot e gjithë ditën “Baroni Fisnik”, e kemi të ciflosur, shpesh të goditur e baltosur dhe, gjithnjë në rrezikun e të qënit të helmuar në atmosferën prapaskenore të vendimmarries europiane.

Ju i nderuari “Hungarezi me gjak e dell shqiptari”, erdhët tek të vërtetat e mëdha historike nga shkenca.Hulumtimet në teren dhe gjetjet arkiologjike të krahasuara me rreth 600 vepra të lexuara dhe ndoca më shumë, 1000 të konsultuara ju shpunë tek përfundimi i origjinës thrako-ilire të shqiptarëve. Dëshiroj të të them Baron se këtë tezë e mbron sot një shkencëtar hungarez, albanologu i shquar Ichtvan Schyncz edhe pse në kapërcyll të pasëm të të 80-tave.

E takova në shtator të këtij viti në Budapest dhe drekuam në një restorant, më të vjetrin në Buda që nga shekulli XIX, ku gatuhet më mirë peshku në Hungari.

Për fatkeqësin time nuk e kujtoj dot emrin, por jam i sigurt që ju do të keni qenë atje. Ajo çka më tha zoti Schyncz ishte një punim i tij kundër një spekullimi të disa pseudo studjuesve që duan t’i nxjerrin shqiptarët dhe shqipen nga rumunët dhe rumanishtja.

Jam i sigurt që kjo të jep arsye të vini buzën në gaz Baron por, edhe të ngazëlloheni që studiuesitë seriozë hungarezë janë të palëkundur në tezat për autoktoninë dhe origjinalitetin e shqiptarëve.

Hulumtimet e tjera më të thella ato mitologjike ju çuan në pikën fundore, tek rrënja pellazgjike e kësaj popullësie. Kjo autoktoni e këtij populli, e kësaj antropologjie, që nuk kishte ndëruar vendbanim, dhe kishte ruajtur gjuhën dhe ritet, që nuk kishte humbur e nuk ishte deformuar; pasi nuk qe përzjerë me popullësi të tjera pushtuese apo fqinje; ju shpuri tek përfundimi se shqiptarët ishin europian të vjetër, të paktën qysh nga koha kur mitika e tyre fliste për Ciklopin Polifem.Të faleminderit shkencëtari Nopça!

Shqiptarët sipas jush kishin të gjitha atributet dhe vlerat për të qenë një kombë më vete me një shtet autokton.

Ne të gjithë duhet të të jemi mirënjohës për atë që bëtë qysh më 1910 kur e habitët Profesor Singer dhe Dr. Kramer me platformën tuaj për Ballkanin dhe veçanërisht për Shqipërinë, ku ju deklaruat:

“Si program politik kërkoja një Shqipëri autonone, sa më shpejt dhe sa më e madhe që të ishte e mundur, në mënyrë që nga rënia e pashmangshme e Turqisë, Shqipëria të shndërohej automatikisht në një vend të pavarur.” (Vepra e cituar faqe 260)

Ka një tezë se shqiptarët dhe hungarezët ngjasojnë, si unikal në identitein dhe vlerat e tyre, megjithëse ka një dallim.Shqip flasin vetëm shqiptarët ndërsa gjuha hungareze si finohungriene ngjason me finlandishten dhe estonishten.Bile në verën e 2006-s u zhvillua edhe një festival për etnografinë finohungriene në trevën e origjinës që sot është në teritorin e Rusisë.

Por dëshiroj të përmend një përfundim ku ju me të njëjtin pathos e dashuri flisni edhe për Hungarinë atdheun tuaj dhe, për Shqipërinë atdheun tuaj të dytë.” Hungarezët dhe shqiptarët-shkruani ju- ishin gjithsesi të vetmet kombe,të cilat jashtë perandorive përkatëse nuk kishin asnjë qendër graviteti kombëtar.Si rrjedhojë,për të dy perandoritë dilte që edhe nga pikëpamja centralizuese, e vetmja politikë e drejtë të mund të ishte që në të gjitha kombet e ndryshme të vështirësojë propagandën nga jashtë dhe të pranojë përfitimin financiar dhe privilegjin politik dhe kombëtar të hungarezëve dhe shqiptarëve”.(Vepra e cituar faqe 282).Më tej ju konludoni se me prishjen e këtyre dy perandorive të mëdha, asaj Austro-Hungareze dhe asaj Turko Osmane; hungarezët dhe shqiptarët të kishin mbretëritë e tyre. Besonit sinqerisht tek aftësitë shtetëformuese të shqiptarëve dhe të parapëlqeje të përmendje thënien e vjetër arabe që thoshte se;”Ku shkel turku thahet bari”.Ndaj identitetin shqiptar e lidhje me historinë, me kulturën e vjetër romake bizantine, me pasuritë toksore e nëntoksore dhe me vlerat antropomorale dhe antropolkulturore të tyre.

Kur filloi Lufta Ballkanike, Ju baron Nopça anticipuat dhe ngritët zërin për rrezikun e coptimit të Shqipërisë.

Sigmatizuat pa më dyshje planin e Malit të Zi për një sulm drejt Shkodrës dhe planin e serbëve për Serbinë e Madhe. Ndërsa kur fusha e bukur e Çamërisë u shkul nga trungu më 1913 ti the me dhimbje se “Shqipëria u pre në mes”,dhe po kaq dhimbje ndjeve për Kosovën që mbeti nën Mbretërinë e sllavëve të Jugut.

Por kam lajmin e mirë Baron që prej 17 Shkurtit të këtij viti Kosovën e kemi shtet më vete jashtë Serbisë, por jo me pak shqetësime e pengesa!

Të nervozuan dhe ligështuan vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në 1913 ndaj dhe nuk mund të mos ishe në Kongresin Shqiptar të Triestes në 27 shkurt 6 mars 1913 ku u diskutua për kurorën mbretërore dhe gjasa kishte që përpara Princ Vidit ta merrnit ju atë post.Përfaqësuesi i qeverisë austriake Zoti Makvatz ndiqte nga afër punimet dhe një njomisht nga dera e Kastriotëve Markezi Kastrioti nga shqiptarët e Italisë ja kishte behur atje.Takove Faik bej Konicën; Presidentin e Kongresit,Hilë Mosin,Dervish Himën e Fazil Toptanin por edhe pinjollin e vogël të familjes së Ismail Qemalit dhe u tregova aktiv dhe i zgjuar për punimet dhe korespondencën diplomatike; por nuhate gjithashtu rezikun që i kanosej Shqipërisë për kufijtë dhe vijimin më tej si shtetë i pavarur.Burrat e shtetit i njihje Ismail Bej Qemal Vlorën e Bajram Currin, por dhe batakçinjtë si Esat Toptanin e njihje fort mire. Edhe si të pabesë edhe si provincialist anadollak, edhe si Kryexhandar i vetshpallur që shpinte në Turqi kuaj dhe femra për t’i kaloruar të parët dhe për t’i përdorur të dytat.

Ju nuk u shpallët mbret i shqiptarëve por, nga viti 1938 pesë vite kur ju u larguat nga kjo botë; shqiptarët patën një mbretëresh hungareze nga familja e nderuar e Appony-ve, një trëndafil të bardhë ngë Kodra e Gelertit atje buzë Danupit mendimtar.

***

A të ka marrë malli Baron për atë shtëpinë në Shkodër të Bep Muzhanit ku t’i jetove, e ku hynin e dilnin shërbëtorët e tu nga të gjitha trevat dhe besimet fetare e të njoftonin për gjithçka ndodhte; aq sa shtëpia juaj konsiderohej si nënkonsullata Austro Hungareze.

Me sa adhurim shkruani për ta Zoti Nopça:”Midis meje dhe shërbëtorëve nuk ekzistonte marrëdhënie zotëri-shërbëtor.

Përkundrazi unë në kuptimin e plotë të fjalës isha ‘primus inter pares’. Juridikisht kjo përligjej, pasi këta njerëz në çdo çast ishin të gatshëm të jepnin jetën e tyre për mbrojtjen time, çka dihet mirë që nuk mund të kërkohet nga një shërbëtor i zakonshëm”(Vepra e cituar faqe 463)

Sa mirë do të ishte ta ngrinim si muze atë shtëpi ku të vendoseshin orenditë që ti përdore, modele të veshjeve dhe punimet e tua, hartat që skicove për gjeografinë e gjeologjinë dhe skicat me matjet e sakta këndore për rreth 2000-2500 km rrugë.(Në 1912 Shqipëria kishte vetëm 160 km rrugë me kalldrëm për qeret. Shënimi im -PK)

Do të ishte një mrekulli të kishim atë instrumentin e thjeshtë ANEROIDI-n, me të cilin mate lartësitë e maleve në Alpe, kur si një eksplorator ju qepe Bjeshkëve të Namuna! Të kishim busullën tënde Peigneé me të cilën matje këndet e rrugëve, të kishim dhe ato “mijëra fotografi, këndëvështrimet e të cilave ishin sjell në skicat e rrugëve dhe ishin fiksuar në matjen e këndëve”. Po të kishim edhe atë aparatin tënd fotografik ku hyri si me magji e gjithë bota shqiptare.! Atëherë bashkë me veprën e shkrojtur do të të kishim edhe më të pranishëm, Ty Baron Ferenc Nopça; që guxoj të të quaj Marko Polo i universit shqiptar!

Vepra juaj e veçantë, lidhet edhe me rrathanat historike.Po i vinte fundi dy perandorive asaj austro-Hungareze dhe Turko Osmane, po hidheshin themelet e një Shteti Shqiptar në Ballkan dhe po afronte lufta e Parë Botrore!

Ndaj Ju e nisët rrugëtimin tuaj si një aspirant i ri në fushën e shkencës së paleontologjisë për të zbuluar mbetjet e Dinosaurëve por, fati historik Ju shpuri të zbulonit “Dinosaurin” më të çuditshëm, me historinë, kontributet dhe marëzitë e tij, atë me emrin BALLKAN, që do të thotë male të egra. Ashtu kanë mbetur Baron, vetëm urat e dijes dhe shkencës mund ti ruajnë solid nga origjina por edhe mund t’i bëjnë europianë nga komunikimi.

Ne sot po vëmë një shënjë në këtë udhëtim të ri ku kemi si instrument orientimi edhe emrin, edhe veprën, edhe kontributin tuaj!

Të faleminderit Baroni i shqiptarizmës Nopça!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora