Mendime
Gjin Marku: Varfëria si burim i vrasjeve
E enjte, 27.11.2008, 01:45 AM
Varfëria si burim i vrasjeve
Nga Gjin Marku
Me forcimin e institucioneve të shtetit të së drejtës dhe bashkëveprimin e faktorëve të shoqërisë është bërë e mundur që numri i krimeve kundër jetës të bjerë nga viti në vit. Një rol shumë të rëndësishëm në këtë drejtim ka luajtur rritja e efektivitetit të punës së organeve të Policisë së Shtetit në tre vjetët e fundit për ndalimin e veprimtarisë së bandave kriminale, zbulimin e krimit dhe parandalimin e vrasjeve. Në luftën e vështirë për parandalimin e vrasjeve për hakmarrje e gjakmarrje misionarët e pajtimit kanë gjetur një përkrahje e mbështetje profesionale e të admirueshme nga policia. Edhe arritjet e qeverisë në luftën kundër kontrabandës, evazionit fiskal e trefishimin e Buxhetit të Shtetit kanë rritur shpresat për qeverisje më të mirë të vendit. Sensibilizimi në rritje i opinionit publik, angazhimi dhe impenjimi më i madh i strukturave të policisë, puna më e mirë e organeve të prokurorisë dhe të gjitha shkallëve të gjyqësorit kanë kthyer besimin ndaj shtetit, por konfliktet e natyrave të ndryshme, krimet në familje, vrasjet, vetëvrasjet dhe trafikimi i qenieve njerëzore janë tregues i një gjendjeje shumë të keqe ekonomike e shoqërore. Në të gjithë territorin e vendit, ku Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar ka përfaqësuesit e tij, konstaton se 45 % e familjeve të fshatit dhe mbi 30 % e familjeve në qytete jetojnë në varfëri ekstreme. Kjo krizë është kthyer në depresion shoqëror, që te shumë familje shqiptare vazhdon të sjellë dhunë e tragjedi në sy të fëmijëve. Jashtë traditës, vetëvrasjet kanë kapur shifra shqetësuese, 15-20 % e të cilave janë viktima të borxheve. Në shumicën e dyqaneve ushqimore gjenden listat e familjeve debitore. Gjatë viteve të tranzicionit 11 000 fëmijë kanë braktisur shkollën dhe punojnë për të ushqyer familjen, 6000 të tjerë kanë emigruar ose janë trafikuar në vendet perëndimore. Numri i grave dhe vajzave që i nënshtrohen prostitucionit dhe trafikut për të mbijetuar është më i larti në rajon. Ngatërresat e çastit dhe ato për pronën, trafikimi i femrave, divorcet e mbrojtja e nderit vazhdojnë të mbjellin akoma fenomenin e vrasjeve për hakmarrje e gjakmarrje. Një gjendje e tillë ka shkaqe të ndryshme të karakterit politik e shoqërore, mbasi ato natyrore thuajse nuk ekzistojnë. Shkaku kryesor i kësaj gjendje është mungesa e faktorit politik e shoqëror për zhvillimin ekonomik të vendit.
Shqiptarët, edhe pse kanë mjedis të favorshëm për zhvillimin e ekonomive familjare dhe rritjen e mirëqenies, nuk kanë trashëguar pasuri dhe mbeten një popull i varfër. Pozita gjeografike mesdhetare me natyrën, relievin, klimën, bimësinë, ujërat dhe burimet nëntokësore plotësojnë kushte natyrore për jetesë të standardeve të larta e biznes, por kjo pasuri nuk menaxhohet e nuk shfrytëzohet, sepse nuk ka planifikim dhe vetë shoqëria është shkaktare e rrënimit të mjedisit e pasurive të saj. Pas rënies së komunizmit, pjesa më e madhe e pasurive të vendit janë lënë pas dore ose shkatërruar dhe burimet e të ardhurave kombëtare u janë shitur thuajse falas të huajve. Pushtimi i tokës bujqësore nga ndërtimet informale, prishja e perspektivës bregdetare e ndotja e ambientit kanë asgjësuar mundësitë e prodhimit
Një ndër shkaqet shoqërore të trashëguara që ndikon për thellimin e varfërisë është edhe mungesa e kulturës së punës dhe dembelizmi. Shqiptarët kanë marrëdhënie të admirueshme ndërfetare, por janë kryesisht një popull me kulturë orientale, që kanë trashëguar dembelizmin e varfërinë si vlerë. Kjo ka ardhur nga moskuptimi i drejtë i kulturës fetare dhe parimeve të islamit dhe Ungjillit. Mentaliteti i varfërisë si vlerë shfaqet edhe te popullsia katolike, veçanërisht në zonat e Mirditës, Pukës, Lezhës, Malësisë së Madhe, Matit e Kurbinit, të cilët kënaqen me pak dhe e kalojnë kohën pa angazhime, nuk kanë kulturë pune dhe ambicie për progres. Por ndikim kryesor në varfërimin e qytetarëve kanë shkaqet politike, ku ndër kryesoret mund të përmendim papërgjegjshmërinë politike për vendin dhe instalimin e mafies.
Në marrëdhënie me udhëheqësit politikë, operatorët e mafies globale kanë siguruar veprimtari të shumëllojshme ekonomike në territorin shqiptar. Krerët e kësaj mafie po e shndërrojnë Shqipërinë në terrene private të dëmshme për jetën e mjedisin, duke sjellë bizneset e tyre ndotëse me përfitime të mëdha, të ndaluara në vendet perëndimore. Përfaqësues politikë të kësaj mafie janë instaluar në administratat perëndimore, si në SHBA, në krye të qeverisë italiane, në përbërje të qeverive të vendeve fqinje etj. Ata kanë gjetur mbështetje politike në Shqipëri për të marrë në shfrytëzim portet e territoret bregdetare, ashtu si minierat, lëndën drusore, burimet e ujit, si ai i Syrit të Kaltër, të kodrinave për prodhimin e çimentos e të zonave turistike për hoteleri. Taktika e lidershipit për të justifikuar me nevojat e vendit shitjen e pasurive kombëtare ka bërë që kapitalistët vendas të mos mund ta marrin në zotërim këtë pasuri, që është e tyrja. Qeveritë shqiptare, edhe pse në gjendje jo të favorshme ekonomike, mund dhe duhej ta kalonin gjithë pasurinë kombëtare në dorën e kapitalistëve vendas, duke i favorizuar ata me kredi afatgjata pa interes. Edhe nëse do të kishte përfitime nga qeveritarët shqiptarë në marrëdhëniet me kapitalistët vendas, nuk do kishte dëme ekonomia kombëtare, por dobësia e tyre për përfitime të çastit nga shitja e pasurisë kombëtare tek të huajt është krimi më i shëmtuar e më i pafalshëm para brezave. Justifikimi i politikës me lirinë e tregut, globalizmin e integrimin si dhe asistencën e përfaqësuesve ndërkombëtar ka maskuar dëme të pariparueshme. Me këto justifikime, nën interesat e mafies është deformuar edhe demokracia e shteti i së drejtës, është bërë mashtrimi i vazhdueshëm i qytetarëve për marrjen e votës së tyre nga të njëjtat klane politike, duke bllokuar çdo rrugëdalje për ndryshimin e kësaj gjendje. Politika e varfërimit dhe varësisë nga borxhet është faktori më negativ për të ardhmen e një vendi. Lidershipi politik po propagandon si sukses kreditë që merr shteti shqiptar nga operatorët ndërkombëtar, edhe pse këto kredi janë me kamatë të lartë e nuk do ta lënë vendin të ngrejë kokë për një kohë shumë të gjatë. Ato kanë krijuar varësinë e plotë nga huadhënësit, që do t’i detyrojnë qeveritë e ardhshme të marrin kredi për shlyerjen e kredive në afatin e caktuar, duke kaluar kështu kredi mbi kredi. Në Shqipëri organizmat ndërkombëtarë e kanë paralajmëruar këtë rrezik, duke krijuar edhe përplasje me qeverinë shqiptare. Kohët e fundit qeveria ka pëlqyer mbarimin e mandatit të FMN-së, organizëm që vepruar vazhdimisht me maturi përballë situatave të vështira e krizave që ka kaluar vendi. Pak vjet më parë është kërkuar edhe largimi i OSBE-së. Fatkeqësisht, organizmat ndërkombëtarë dhe përfaqësitë diplomatike nuk kanë qenë të afta për të njohur realitetin shoqëror e politik të vendit dhe nuk kanë kontribuar si duhet për konsolidimin e shtetit të së drejtës. Raportet e tyre vjetore, që shfrytëzohen nga palët politike, janë të sipërfaqshme, jashtë realitetit dhe shpeshherë qesharake përballë gjendjes së qytetarëve. Në asnjë nga raportet e tyre nuk është paraqitur panorama reale, në një kohë që mund të konstatosh lehtësisht gjithçka. Edhe pse këta përfaqësues ndërkombëtarë kalojnë nga njëri rreth në tjetrin për vizita e punë të rastësishme, nuk konfirmojnë se në rrethet e qarqet e vendit nuk ka planifikime urbane, as strategji për zhvillimin e ekonomisë qytetare apo të mbrojtjes së mjedisit, nuk konfirmojnë se korrupsioni dhe lidhja me interesat partiakë e ka bërë administratën lokale të paaftë për të marrë vendime të dobishme e të qëndrueshme për komunitetin, nuk konfirmojnë se pushtetmbajtësit vendorë janë njerëzit më të dëgjueshëm ndaj ministrave dhe deputetëve, të cilët varen në gjykime nga udhëheqësit partiakë, që janë shkëputur nga populli, nga kultura dhe interesat kombëtarë. I vetmi shqetësim madhor i tyre është paraqitur korrupsioni, i cili mbetet instrument i debatit publik. Korrupsioni është veçori dalluese e shoqërive të varfra, por duhet theksuar se gjendja në të cilën ndodhet shoqëria shqiptare po e kthen në tipar të shëmtuar këtë fenomen. Qytetarët e kanë të vështirë të shkëputen e të distancohen, pasi kanë shumë nevoja jetike. Nga ana tjetër, shohin se qeveritarët sigurojnë pasuri të pafund nga të qenit në pushtet. Ligjet e miratuara kundër korrupsionit veprojnë vetëm mbi disa qytetarë e punonjës të rangut të ulët në administratë. Deri tani asnjë ministër nuk është dënuar për korrupsionin, lidhjet me mafien apo shitjen e pasurisë kombëtare për përfitimet vetjake ose klanore. Korrupsioni ka dobësuar vazhdimisht administratën, e cila krijohet nga militantët dhe njerëz të devotshëm ndaj partisë. Dobësia dhe paaftësia profesionale e këtyre njerëzve të ngjitur në qeverisje drejtpërdrejtë nga auditorët e partive politike ka ndikuar në të gjitha fushat e jetës, si në atë politike, juridike, gjyqësore, të mbrojtjes e sigurisë kombëtare, të ekonomisë e perspektivës së vendit. Kjo ka sjellë kaosin e ndërtimeve informale, ngushtimin e hapësirave publike, prishjen e mjedisit dhe rrezikun e vrasjeve masive nga këto ndërtime, ka sjellë anarki juridike e politike, ngecje të gjithanshme ekonomike që prej 18 vjetësh, ka rrënuar gjithë sistemin në bazë të të cilit funksionon shteti. E kjo ndodh pikërisht për një rrogë shteti, se njerëzit nuk kanë krijuar ekonominë familjare. Shteti partiak u jep punë parazitëve të paaftë dhe militantëve të tij për t’i pasur vasalë në qëllimet e misionin e tyre. Fatkeqësisht vëmë re se gjendja e rëndë politike e shoqërore ka dëmtuar edhe pluralizmin, ka sjellë mungesën e shoqërisë civile e sindikatave. Në Shqipëri nuk ka shoqëri të vërtetë civile e sindikata. Organizata joqeveritare të financuara nga ndërkombëtarët janë bërë pre e korrupsionit. Drejtuesit e këtyre organizatave janë pjesë e lojës mes palëve të politikës dhe fondet e grumbulluara nga taksapaguesit perëndimorë nuk kanë shkuar asnjëherë te grupet në nevojë. Partitë politike kanë qenë të interesuara që sindikatat të drejtohen nga njerëz të besuar të partive të tyre. Ndaj qytetarët shqiptarë, edhe pse vuajnë çdo ditë stresin për sigurimin e kushteve më minimale të jetesës, nuk munden të grumbullohen në protesta, sepse nuk kanë as sindikata, as shoqëri civile që t’i udhëheqë ata. Edhe ato organizata joqeveritare që e duan zhvillimin e shoqërisë dhe kërkojnë ta nxitin kulturën e protestës, nuk mbështeten as nga donatorët, as nga biznesi. Këto ishin disa nga problemet që dolën në takimin që patëm më 31 korrik të këtij viti me përfaqësues të komunitetit, shoqërisë civile dhe medieve në rrethin e Lushnjës. Mendojmë se duke dëgjuar edhe përfaqësuesit e qeverisë që marrin pjesë në këtë konferencë si dhe referuesit e diskutantët e tjerë do të kemi mundësi të parashtrojmë konkluzionet e duhura për përgatitjen e një materiali përfundimtar, një rezolutë, të cilën do t’ua dërgojmë të gjitha institucioneve të vendit dhe organizmave ndërkombëtarë.